Fuat Haxhibeqiri: Monografi për dhunën serbe në Gjakovë






Fakte koncize të raportuara dhe fotofaktike si shërbim dëshmie edhe për Tribunalin e Hagës.

Me thënien “Nuk janë kriminelë atë që vrasin, por ata që heshtin për
krimet” të shënuar në ballinë si duket ka qenë ky mesazh që e ka nxitur
më shumë autorin Fuat Haxhibeqiri që të shkruajë dhe botojë monografinë
për krimet e luftës në Gjakovë gjatë viteve 1998 dhe 1999. Një monografi
e bazuar në të dhëna të sakta të kohës, të raportuara dhe fotofaktike,
autori me botimin e kësaj vepre shumë të rëndësishme dokumentuese tregon
për dhunën e të gjitha llojeve të mundshme që pushtuesit kanë kryer
ndaj civilëve të të gjitha moshave dhe gjinive përgjatë dy viteve të
tmerrit në këtë komunë perëndimore të Kosovës. Autori, si ish nënkryetar
i NKMDLNJ-së është angazhuar edhe në ekipin e ICG-së (International
Crisis Group) dhe për pesë muaj ka mbledhur qindra dëshmi të krimeve të
pushtetit serb në komunën e Gjakovës, dëshmi këto që kanë shërbyer si
dëshmi për Tribunalin e Hagës në të cilën prej datës tetë deri me datë
dhjetë gusht të vitin 2006 edhe ka dëshmuar kundër Milan Milutinoviqit,
ish kryetarit të Serbisë, Nikola Shainoviqit, ish nënkryetar i qeverisë
së Jugosllavisë, Dragoljub Ojdaniqit, gjeneral në pension i armatës
jugosllave dhe kryeshef i shtatmadhorisë jugosllave, Nebojsha
Pavkoviqit, ish komandant i armatës së tretë të korpusit në Prishtinë
dhe Sreten Lukiqit, gjeneral në pension i policisë serbe.Dëshmi të dytë
Tribunalit të Hagës, autori ka sjellur me datat gjashtë dhe shtatë
korrik të vitit 2009 ku dëshmoi edhe kudnër Vlastimir Gjorgjeviqit, ish
ndihmësministër i brendshëm i Serbisë. Mbështetës moral dhe financiar të
kësaj monografie prej 203 faqeve, pos tjerëve është edhe Drejtoria e
Kulturës e Kuvendit Komunal të Gjakovës.