Erdogani i Arabisë

Nga Steven A. Cook (Foreign Affairs)


 

Udhëtimi më i fundit i kryeministrit turk në Egjipt, Tunizi dhe Libi synoi ndalesën e hapave të tij të gabuar drejt Pranverës Arabe. Qëllimi ishte bindja e turqve se vendi i tyre është një “lojtar” i fuqishëm rajonal

R-erdogan-egypt-large570

Kur qytetarët e Kajros përshkruan rrugën e autostradës kësaj jave, u përshëndetën nga 4 postera të mëdha me foton e kryeministrit turk, Recep Tayyip Erdogan. 
Me flamujt turk dhe egjiptianë, tabela kishte edhe mesazhin “Me duar të bashkuara për të ardhmen”. Vizita e Erdoganit shënon një zhvillim të spikatur për lidershipin e Turqisë në rajon. Mirëpritja që iu bë heroit në aeroport e përforcoi edhe më shumë këtë perceptim: Turqia është një forcë pozitive, e pozicionuar për të drejtuar transformimin e vazhdueshëm në Lindjen e Mesme. Turqia e Erdoganit duket se ka shumë për t’i ofruar Egjiptit (edhe Tunizisë dhe Libisë që e vizitoi javën që shkoi). 
Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e kryesuar prej tij është shumë e lidhur si me islamikët, edhe me liberalët arabë. 
Për islamikët, ai siguron një leksion se si duhen kapërcyer hendeqet për pjesëmarrjen në politikë, si dhe rikrijimin e një zone armike publike.
Për liberalët, kjo tregon se edhe një parti fetare e vetme mund të përqafojë dhe të zhvillojë parime liberale. AKP kësisoj ka marrë përsipër të zgjidhë problemet politike qendrore botërore të myslimanëve: qytetarët shpesh janë të detyruar të zgjedhin mes autoritarizmit të regjimeve mbizotëruese dhe teokracisë potenciale të islamikëve, që duhet t’i zëvendësojnë ata. 
Versionet e Egjiptit apo të Libisë për AKP mund t’i jepnin qytetarëve një mundësi për të kapërcyer gjysmën e dytë të kësaj dileme. 
Për t’u siguruar, Vëllazëria Myslimane egjiptiane në fillim ishte vigjilente ndaj AKP, duke e konsideruar atë si shumë liberale dhe nacionaliste.
Por kjo e gjallëroi partinë, pasi Erdogani i bëri thirrje ish presidentit egjiptian Mubarak të dilte nga zyra – veproi shumë më shpejt se liderët e tjerë. 
Tani, disa nga degët e Vëllazërisë – për shembull Partia Egjiptiane, e cila përbëhet nga aktivistë që prej 30 vjetësh – kanë konstatuar se dëshirojnë të rivalizojnë me AKP. 
Edhe Abdel Monem Aboul Futouh, ish kandidati presidencial dhe i plotfuqishmi i Vëllazërisë, e ka quajtur veten “Erdogani egjiptian”.
Përtej thirrjes botërore për partinë e tij në pushtet, Turqia mund të angazhohet në Lindjen e Mesme në një nivel më praktik. 
Uashingtoni e ka larguar vëmendjen tashmë duke qenë se ka nisur angazhimi për fushatën presidenciale dhe është mbingarkuar me krizat potenciale. Europa, po ashtu, po kalon kriza ekonomike. 
Udhëtimi i Erdoganit në Egjipt, Tunizi dhe Libi i ka ngrohur së tepërmi zemrat e miliona turqve krenarë dhe nacionalistë, të cilët po shijojnë spektaklin e kryeministrit të tyre, të cilin ata e quajnë “Mbreti i Rrugës Arabe”. 
Por, Turqia, me rritjen e shpejtë ekonomike dhe shpirtin sipërmarrës, mund t’i sigurojë egjiptianëve, tunizianëve dhe libianëve atë që duan dhe atë për të cilën kanë nevojë më shumë – investimet. 
Shtetet e Gjirit Persik kanë investuar me biliona para në Egjipt, por vetëm një sasi e vogël ka gjetur rrugën e vet deri te Ministria e Financave. 
Për më tepër, egjiptianët janë syhapët ndaj “kushtëzimeve të buta” të ndihmave saudite, të Katarit dhe Emirateve. Turqit supozohen se do të investojnë vetëm për leverdinë e tyre. 
Por, nëse Erdogan dhe AKP duket se janë shumë të mirë për të qenë të vërtetë për Lindjen e Mesme, kjo ndodh sepse në fakt janë të tillë. 
Sa i takon madhështisë së tij si politikan, legjenda e kryeministrit shpesh është mjegulluar politikisht.
Ngadhënjimi i Erdoganit maskon disa hapa të gabuara në momentet vendimtare gjatë revoltave arabe. Erdogani bëri atë që duhej për Egjiptin, por ngeci keq, kur erdhi puna te Libia, e cila i rezistoi fuqishëm misionit të drejtuar nga NATO për të mbrojtur qytetarët kundër brutalitetit të Gadafit. Ishte po i njëjti Gadaf që dha ndihmë financiare prej 23 bilionë dollarësh për kompanitë turke, si dhe projekte të tjera dhe e shpërbleu kryeministrin me një çmim për të drejtat njerëzore. 
Interesat ekonomike të Turqisë e shpjegojnë më së miri përgjigjen e amullt të Ankarasë, lidhur me rebelimin libian. 
Ankaraja duket se po kacavirret pas interesave politike, diplomatike dhe ekonomike në Siri, gjithashtu. 
Edhe një herë, Erdogani e ka lexuar keq situatën, duke besuar se mund ta bindë presidentin sirian Assad të përmirësohet. Erdogani e la derën hapur për Assadin, që të qëndronte në pushtet. 
Të paktë ishin ata që demonstruan kundër Erdoganit, kur foli për Ligën Arabe më 13 shtator, por protesta u zbeh, po ta krahasosh me pritjen madhështore (si një yll i rokut), që iu bë gjatë pjesës së dytë të vizitës. 
Në realitet, Lindja e Mesme mund të jetë më e rëndësishme për politikën e brendshme turke sesa Turqia për politikën e Lindjes së Mesme. 
Qershorin që kaloi, AKP rivendosi mazhorancën parlamentare me 49.95% të votave – fitorja e tij e tretë. 
Disa vëzhgues perëndimorë dhe turq arritën në përfundimin se Erdogani është i paprekshëm. 
Por, nëse Erdogani do të ishte kaq i sigurt, nuk do të kishte pasur nevojë të mbante fjalim në Ligën Arabe, për të zbutur pozicionin e tij politik. 
Në fakt, kryeministri është thellësisht i vetëdijshëm për historinë aspak të lumtur të partive të mëparshme islamike në politikën shekullore turke dhe si rrjedhojë, është në një fushatë të vazhdueshme.
Qëndrimi i Ankarasë për Lindjen e Mesme thjesht konfirmoi atë që Erdogani dhe AKP i ka deklaruar turqve prej kohësh: një Turqi e begatë, e fuqishme dhe demokratike mund të ketë ndikim në botë. 
Vëzhguesit tentojnë të nënvlerësojnë se sa drejtpërdrejt ndikon politika e huaj te ajo e brendshme. Udhëtimi i Erdoganit për në Lindjen e Mesme nuk ishte vetëm nevojë e politikës së brendshme dhe një urgjencë maskimi për gabimet fillestare të Ankarasë në Libi dhe Siri, por duhet theksuar se kryeministri turk është ende i vetëdijshëm se cila është rruga e tij. Në Lindjen e Mesme, të paktën, ai këtë bëri. Do të korrë të dobitë politike edhe për ca kohë, duke e bërë Erdoganin “mbret” të Arabisë.


Përktheu: Rudina Dahri