Xhemaili dëshiron sukses në LK

Blerim Xhemaili, është i ngazëllyer nga fakti se do të luajë në Ligën e Kampionëve me Napolin në sezonin e ri.

Xhemaili u transferua te Napoli muajin e kaluar nga Parma dhe do të jetë pjesë e garës evropiane pasi klubi napolitan u pozicionua i treti në tabelën e Serie A sezonin e kaluar.



“Nëse ne besojmë në vete, atëherë ne mund të shkojmë larg. Kam gjetur shumë talentë këtu, më shumë se sa kam pritur ndonjëherë. Ajo çfarë duhet të bëjmë është të mësojmë si të përballemi me euforinë dhe entuziazmin. Ne duhet të jemi kokulur”, ka thënë përforcimi i ri i Napolit.



Mesfushori shqiptar nga Maqedonia, i cili aktivizohet për përfaqësuesen e Zvicrës, po ashtu ka thënë se ai është adaptuar në ekip pa asnjë problem dhe ka lavdëruar fansat e klubit të ri.



“Jam përshtatur në ekip pa probleme. Çdo bazë e fansave ka karakteristikat e veta, por në veri dhe jug të Italisë kam kuptuar se tifozët italianë janë shumë të pasionuar”, ka thënë Xhemaili për Corriere dello Sport.