Takimi i parë i zhvilluar në Emirates kishte përfunduar me epërsinë minimale të Topçinjve, ndërsa edhe si mysafirë, të zgjedhurit e Arsene Wenger arritën të fitojnë, për t’iu bashkuar skuadrave më të mira evropiane në fazën grupore të garës më të madhe për klube.
Në gjysmën e parë ekipi vendas u tregua më i saktë duke arritur të shënojë një gol, ndërsa realizues ishte kapiteni Antonio Di Natale (39’).
Nuk kaloi shumë kohë në pjesën e dytë (55’) dhe Robin Van Persie barazoi shifrat pas asistimit të Gervinhos.
Toto Di Natale nuk e pati fatin të shpallej hero i vendasve, pasi që dështoi që ta kthente epërsinë në favor të italianëve, kur goditjen e tij nga pika e bardhë e mbrojti portieri Wojciech Szczesny (59’).
Kjo iu hakmor Udines, duke qenë se Theo Walcott shoi çdo shpresë të vendasve duke shënuar golin e dytë për Arsenalin (69’), dhe duke vulosur kualifikimin e Topçinjve në fazën grupore të Ligës së Kampionëve.
Në fazën grupore janë kualifikuar edhe Lyoni, Benfica, BATE Borisov dhe Viktoria Plzen.





