Nga Moisés Naím
Përpara se të ndodhte tragjedia e Norvegjisë, ka pasur dy zhvillime të rëndësishme që tërhoqën vëmendjen e botës mbarë. Njëra prej tyre mjaft e rëndësishme, por e përkorë; ndërsa tjetra më pak e rëndësishme, por tërheqëse. E para, e bezdisshmja, ishin negociatat për të lejuar qeverinë amerikane të vijonte për të kërkuar borxhe. E dyta, më pak e rëndësishme por edhe më ndjellëse, ishte dalja e Rupert Murdoch-ut dhe djalit të tij, James, përpara komisionit të Parlamentit Britanik. Siç edhe dihet tashmë, tabloidet e Murdoch-ut u akuzuan për përgjim të paligjshëm të bisedave telefonike të udhëheqësve politikë, yjeve të kinemasë dhe për rastin e vrasjes së një vogëlusheje. Sigurisht, duke u dhënë ryshfet punonjësve të policisë për të shtënë në dorë informacione skandalesh, me të cilat zinin cep e skaj faqet e para. Shfaqja e Murdoch-ut ishte kryelajmi i ditës. Si mundet të mos qëndrosh i gozhduar përpara ekranit të televizorit për të parë se si një nga njerëzit më të fuqishëm të botës të kërkonte falje, duke u përpjekur të justifikohej se nuk ia kishte idenë se ç?kishin bërë punonjësit e tij, duke e lënë fajin në derë të vartësve. Si mundet vallë të humbasësh rastin të vëresh se si Wendi Deng (43 vjeç), bashkëshortja kineze simpatike e Murdoch-ut (80 vjeç), iu hodh përsipër një personi që u orvat të lëshonte “solucion pas-rroje” në fytyrën e bashkëshortit të saj.
Nuk mund ta lësh këtë rast të të shkasë nga dora. Ndërkohë që melodrama shpërfaqej në Londër e Uashington, demokratët e republikanët vijonin bisedimet e mërzitshme për të shmangur disfatën e 3 gushtit, me qëllim që qeveria amerikane të siguronte aq para sa të paguante detyrimet e saj financiare. Dhe e vetmja mënyrë për t?ia dalë mbanë, ishte që të të rriste kufirin e borxhit publik. Disa prej deputetëve dhe senatorëve amerikanë e shihnin këtë rast si një mundësi për të shkurtuar shpenzimet publike dhe zvogëluar defiçitin e stërmadh fiskal. Në këtë pikë, demokratët ndanin të njëjtin qëndrim me republikanët, duke rënë në një mendje se duhej të kryheshin disa lloj shkurtimesh buxhetore. Në një këndvështrim më të gjerë, të dyja palët kishin të drejtë në parim, ndërsa reformat që u propozuan ishin të nevojshme. Ishte një palë tjetër që në atë debat që nuk kishte të drejtë, deputetët e “Tea Party” që orvateshin ta përdornin ndikimin e tyre në këto negociata, me qëllim që të kushtëzonin ndryshime radikale në lidhje me të ardhurat dhe taksat. Propozimet e tyre ishin aq ekstreme, saqë befasuan edhe kolegët e tyre të krahut republikan. Deputetët e rinj të “Tea Party”, që përfaqësojnë me zjarrmi pakënaqësitë e shtresë së mesme të prekur nga reçesioni, sigurisht që synonin t’i ofronin publikut të gjerë amerikan një dështim turpërues të Barack Obamës. “Tea Party”, e indinjuar, kërcëllitëse, radikale dhe intolerante në skaj, tashmë nuk përbën më një “krah” shtesë të Partisë Republikane. Sipas një anketimi të kryer nga ?Washington Post? në dhjetor të vitit 2010, 87 % e veprimtarëve të kësaj lëvizjeje bënin me dije se mbështetja që ata gëzonin vinte prej të pakënaqurve me udhëheqësinë e republikanëve tradicionalë. Pra, problemi i “Tea Party” nuk qëndronte te Partia Demokrate, por, paradoksalisht, tek aleatët e tyre më të afërt ideologjikë: te Partia Republikane. “Tea Party” shpaloset si një ?dorëzanë? agresive ndaj Partisë Republikane, ku ngërthehet edhe zelli i shfrenuar për të hequr mënjanë udhëheqësit e linjës tradicionale. E qortueshme mes të tjerash është edhe prirja e tyre për të rënë në ujdi me rivalët demokratë. Të pranosh se në demokraci politika synon të mbërrijë në kompromise, kjo moto nuk hyn aspak në ideologjinë e shumë prej kongresmenëve të “Tea Party”. Për shembull, nuk ka fare rëndësi për “Tea Party”, që orvatesh të hedhësh në erë negociatat që kishin të bënin me kufirin e borxhit, çka do ta shtrëngonte qeverinë të bllokonte përkohësisht shlyerjet e pagave dhe mund të shkohej deri edhe në krizë financiare. Epo, ç’lidhje ka vallë “Tea Party” me Rupert Murdoch-un? Duhet thënë që “Tea Party” ia detyron hyrjen e saj të vrullshme dhe ndikimin aktual që gëzon në politikën amerikanë pikërisht rrjetit televiziv FoxNews. Ishte rrjeti televiziv “FoxNews” ai që promovoi “Tea Party”-n, në vitin 2009, asokohe kur ky grupim konservatorësh të shtresës së mesme ishte në përmasa mikroskopike, edhe pse ishin të pakënaqur si në rrafshin personal ashtu edhe me gjendjen e vendit. Mbulimi i veprimtarisë, nxitja dhe promovimi që i bëri “Tea Party”-t rrjeti televiziv i Rupert Murdoch-ut, i dha aq hov këtij grupimi, saqë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010 arritën të siguronin një numër befasues deputetësh (për shkak edhe të mesazheve populiste që gjenin përkrahje në vend). Ishin pikërisht deputetët e “Tea Party” që vunë në rrezik një marrëveshje mjaft të rëndësishme për stabilitetin financiar në rrafsh botëror. Sakaq, ky është edhe një shembull i gjallë për të kuptuar se si mundet që edhe një njeri i vetëm, Rupert Murdoch-u, të ndikojë në kursin e ekonomisë globale. Kësaj të fundit nuk ka aspak arsye për t’i futur një mendje të lehtë.
...




