Ruajtja e karakterit të Prizrenit

Nga Pieter Feith (Shef i ICO-së)


 

Pas përpjekjeve konkrete nga autoritetet e Kosovës për të mbrojtur dhe promovuar objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore gjatë muajve të fundit, çështja është kthyer sërish në lajme, meqë Kuvendi po shqyrton legjislacionin e ri për Qendrën Historike të Prizrenit.  Unë dua të shpjegoj se pse personalisht unë– dhe organizata ime, ICO-ja – brengosen aq shumë për atë që ndodh me trashëgiminë e Kosovës, dhe pse unë mendoj se ajo meriton të mbrohet në mënyrë të duhur me ligj. Prizreni ka një përzierje unike të popujve dhe influencave kulturore. Trashëgimia e tij e jashtëzakonshme u dëmtua rëndë nga konfliktet e mëparshme dhe aktualisht është e rrezikuar nga zhvillimi i përshpejtuar urban. Ne duhet ta ruajmë karakterin e Prizrenit dhe të sigurojmë që zhvillimi i Qendrës së tij Historike të bëhet në mënyrë të rregulluar dhe të respektuar. Ky nuk është vetëm një detyrim lokal, por duke pasur parasysh trashëgiminë e çmuar dhe popullaritetin e madh të qytetit mes vizitorëve në Kosovë, ai është gjithashtu me interes të madh vendor dhe ndërkombëtar.

 

Prizreni

Qëllimi parësor i Projektligjit për Prizrenin është të ruajë trashëgiminë kulturore të qytetit duke siguruar që zhvillimi në Qendrën Historike të Prizrenit të jetë i kontrolluar dhe i rregulluar. Por më lejoni të nënvizoj se ligji do të ruajë edhe jetën publike tradicionale të qendrës së qytetit të Prizrenit si një element jetik i karakterit unik të atij qyteti. Ligji përkufizon dhe ndalon aktivitete të caktuara, të cilat nuk janë në pajtim me ruajtjen e Qendrës Historike, të tilla si ndërtimet e përmasave të mëdha të natyrës industriale ose komerciale. Ndalimi apo kufizimi i projekteve që kërcënojnë ruajtjen dhe karakterin e qendrave historike është një praktikë e zakonshme që aplikohet për qendrat urbane me vlera kulturore në shumë qytete evropiane dhe në mbarë botën. Për të qenë më specifik, Aneksi V i Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës (PGJS) dhe Ligji i Kosovës për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, kërkojnë krijimin e një “zone të veçantë të mbrojtur për Qendrën Historike të Prizrenit” dhe përcaktojnë se ajo “duhet të përfshijë objektet ortodokse serbe, objektet otomane, ato katolike, laike dhe objektet e tjera të rëndësisë së veçantë historike dhe kulturore”. Kjo është një dispozitë, mes të tjerave, të cilën Kosova vetë është zotuar ta zbatojë pa rezervë.
Zona e përkufizuar nga projektligji mbulon kufijtë administrativë të Qendrës Historike ashtu si përcaktohet në Planin e Konservimit dhe Zhvillimit Komunal dhe zgjerohet për të përfshirë zonën e kalasë dhe një pjesë shtesë në perëndim të Qendrës historike. Të gjitha objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore që ndodhen brenda kësaj zone – e që përfaqësojnë komunitete dhe kultura të ndryshme – do të përfshihen, si për shembull, disa xhami, kisha, hamami, si dhe shtëpitë tradicionale.
Më lejoni të jem shumë i qartë: ligji nuk do t’i japë status ekstraterritorial ose “pushtet” të tepruar ndonjë komuniteti të veçantë në Prizren; ligjet e Kosovës do të mbeten në fuqi dhe Komuna e Prizrenit do të vazhdojë të mbetet autoriteti përgjegjës. Në të vërtetë, projektligji ashtu si parashihet do të rrisë përgjegjësinë e autoriteteve për menaxhimin e Qendrës Historike me anë të përfshirjes së shoqërisë civile të Prizrenit, ekspertëve të trashëgimisë kulturore dhe përfaqësuesve të komuniteteve fetare (Kishës Katolike, Bashkësisë Islame dhe Kishës Ortodokse Serbe) në mbikëqyrjen e zhvillimit të saj. Mendoj se kjo është diçka që mund të mirëpritet nga shoqëria civile dhe publiku. Këto grupe me interes do të përfshihen në procesin e vendimmarrjes përmes “Komitetit për trashëgimi kulturore”, i cili do të themelohet menjëherë pas miratimit të ligjit. Ky lloj i konsultimit të palëve me interes është një praktikë thuajse tipike në mbarë Evropën dhe kontribuon në marrëdhëniet e mira të komunitetit. Kjo nënkupton se qytetarët do ta kenë fjalën e tyre për atë se si zhvillohet Prizreni, në vend se të gjitha vendimet t’u lihen vetëm autoriteteve. Me këtë ligj nga autoritetet do të kërkohet që të jenë më përfshirëse dhe transparente ndaj shoqërisë civile në vendimmarrjen e tyre, por askush nuk do të ketë “veton”. Më duhet të nënvizoj se ekziston një parim i qartë që zbatohet në të gjitha ligjet që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore: nuk duhet bërë asgjë që pengon rolet përkatëse të autoriteteve qendrore dhe komunale në Kosovë. Qytetarët e Kosovës dhe në veçanti ata që jetojnë në Prizren duhet të kenë parasysh ndikimet ekonomike të mbrojtjes dhe ruajtjes së përmirësuar të trashëgimisë kulturore dhe fetare përmes zhvillimit të kontrolluar dhe të harmonizuar. Mbrojtja e shtuar nga ndërtimet e jashtëligjshme bëhet me qëllimin që Qendra Historike e Prizrenit të bëhet një vend i këndshëm për të jetuar dhe punuar, ndërkohë që ajo bëhet edhe një destinacion tërheqës turistik. Kjo do të ketë ndikim në zhvillimin ekonomik përmes investimit dhe gjenerimit të të ardhurave, të cilat do t’i japin shtysë rritjes ekonomike. Trashëgimia kulturore dhe fetare promovon debate pa fund – kjo është një pjesë e fuqisë dhe rëndësisë së saj. Por ekziston rreziku që diskutimi i duhur demokratik, akademik ose shoqëror për këto çështje të shpërqendrohet nga qëndrimet politike. Çdo tentativë për të shfrytëzuar trashëgiminë për qëllime nacionaliste është negative dhe gjithmonë e gabuar. Trashëgimia e pasur e Kosovës meriton të mbrohet në emër të të gjitha komuniteteve, atyre që jetojnë këtu dhe atyre që do të vijnë për të admiruar këtë vend të shumëllojshëm dhe të bukur. Prizreni është një shembull i asaj që është më pozitive dhe më tërheqëse për këtë vend, dhe besoj se duhet mbrojtur si duhet.  Komuna e Prizrenit, shoqëria civile, qytetarët dhe komunitetet fetare kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur, dhe organizata ime, ICO-ja, mbetet e gatshme t’ju përkrahë të gjithëve në përmbushjen e kësaj detyre të rëndësishme.