Nga Srebrenica në Utoja, shpirti i “luftës civile evropiane”

Nga Benjamin Abtan




Po ta shohim në një këndvështrim më te gjerë, ishte pikërisht lufta e Bosnjes që shenjoi nisjen e një kryqëzate brenda kontinentit. Asokohe ishin të shumtë ata që dalluan te Serbia e krishterë e Millosheviçit murin e fundit mbrojtës të Evropës ndaj islamizimit të kontinentit, ku muslimanët boshnjakë shiheshin si të ishin pararendësit; ashtu si dikur Serbia shihej si “kala e pamposhtur” e Ballkanit kundër nazizmit. Ky leksion grishës, si një përplasje e pakthyeshme e “Krishterimit e civilizimit” nga njëra anë me “Islamin e barbarisë” nga ana tjetër, është përdorur me sukses të kobshëm prej Vladimir Putinit, për të përligjur rrënimet në Grozni dhe masakrat ndaj çeçenëve. Duke i shkuar më tej kësaj linje logjike, gjenocidi i kryer në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, shënjoi pikun e dhunës raciste të pushtetit të Serbisë, por që njëherazi ishte edhe fillimi i fundit të tij. Për kryqëzorët e “luftës kundër islamizimit të Evropës”, mposhtja e Serbisë, e pasur më tej edhe me Pavarësinë e Kosovës, e më tej akoma edhe me rrakapjekthin e Milosheviçit, tingëlloi si një kambanë paralajmëruese: Islamizimi i Evropës është në udhë e sipër; myslimanët kanë sjellë me vete edhe luftën; duan të kallin luftën civile dhe të shkatërrojnë Evropën, nj’ashtu siç e kallën edhe “Serbinë e Madhe”. Shpesh është shqyrtuar në mënyrë të gabuar si ndryshim vetë shndërrimi i partive evropiane të ekstremit të djathtë, duke marrë si shembull tipik “Partinë e Lirisë” në Holandë të kryesuar nga Geert Wilders. Duke hedhur pas shpine të shkuarën e këtyre forcave politike që dje përudhnin shfarosjen e hebrenjve gjatë LDB-së, duke u shtirë se gjoja pranonin kuadrin demokratik të debatit publik; duke përdorur në ligjërimin e tyre referenca nga debatet e konceptet progresiste, si për shembull ato të feminizmit dhe lirisë së shprehjes, ata shpalosen tashmë si të moderuar. Shqyrtesa të tilla kanë anashkaluar mjaft një veçori thelbësore të këtij “mutacioni”: përbashkimi i lëvizjeve evropiane të ekstremit të djathtë, që disa e emërtojnë edhe si populiste, për shkak të urrejtjes që shprehin ndaj myslimanëve. Kjo mpiksje ideologjike plot e përplot me kërcënime shfrytëzoi krizën ekonomike si sebep e katalizator. Ajo pati edhe “profetët” e saj, si Eric Zemmour në Francë dhe Thilo Sarazin në Gjermani, që teorizonin nevojën e diskriminimit racial, çka do të thotë vënien në zbatim të një politike raciste në një kornizë të veçantë të barazisë së të drejtave. Ajo pati edhe mekanizmat që do ta vinin në zbatim, si “Partia e Lirisë” në Danimarkë apo “Lega Nord” në Itali, që orvateshin të shquanin si të zakonshme këto lloj debatesh të vrerosura, për t’i ngritur më pas në rrafsh shtetëror. Ajo pati edhe fitoret e dhuruara nga pala demokrate, qysh kur Angela Merkel dhe David Cameron lëshuan lumë kritikash ndaj multi-kulturalizmit, duke lënë të mendohej se analiza ideologjike që i bënte e djathta ekstreme kësaj dukurie, nuk kishte aspak të sharë. Shndërrimi që ka pësuar kohët e fundit e djathta ekstreme evropiane nuk mund të vlerësohet thjesht si ndryshim për faktin se tashmë “armiku kryesor” skicohet ndryshe, ndërkohë që ideologjia e partive dhe lëvizjeve politike vazhdon të përvijohet me makthin e armikut të brendshëm që duhet dalluar e dëbuar. “Lufta kundër islamizimit të Evropës” ka qenë “stuhia” e Srebrenicës që u përçua cep e skaj kontinentit. Në thelb, kjo është një - ose ne, ose ata -, çka noterizon e paraprin të gjitha masakrat. Ky është shpirti i luftës civile evropiane. Përballë kësaj “ligjësie ekzistenciale” të zhbërjes se “Tjetrit”, zakonisht, strategjitë që vihen në zbatim janë të dyllojshme: Strategjia e parë ka të bëjë me sulmin e drejtpërdrejtë ndaj atyre që etiketohen si armiqtë e brendshëm, si për shembull partia “Lëvizja për një Hungari më të Mirë” (Jobbik), e cila është përgjegjëse për një sërë sulmesh vrastare e raciste të kryera ndaj bashkësisë rome, apo neo-nazistët gjermanë që djegin rregullisht shtëpitë e emigrantëve turq. Strategjia e dytë, përplotëse dhe përvijuese e të parës, lidhet me sulmin ndaj individëve dhe institucioneve që shpërfaqen si mbrojtëse të “armikut të brendshëm”, me qëllim që t’i vendosin në shënjestër të sulmeve më të dhunshme të radhës. Kjo është logjika e veprimit të Anders Behring Brejvikut që masakroi në Utoja individët që i shquante si “etnikisht të njëjtë”, por në rrafshin ideologjik, ata i damkosi dhe i sulmoi si aleatë të armiqve. Reagimi i kryeministrit norvegjez Jens Stoltenberg ishte i prerë dhe i qartë: “Më shumë demokraci”. Ky reagim nuk është vetëm moralisht e politikisht i drejtë, por njëherazi edhe strategjikisht i nevojshëm për të fuqizuar “kampingun” e demokracisë evropiane, që ndjehet i kërcënuar nga ithtarët e luftës civile në Evropë. Do të ishte e udhës që e gjithë Evropa të frymëzohej prej shprehjes së kryeministrit norvegjez. 
Burial-in-srebrenica-of-5-001