Nga Redi AGOLLI “Ndërsa Rusia e Boris Jelcinit ishte e prirur për të imituar modelet perëndimore, Rusia e Putinit dhe Medvedevit është duke u përpjekur të dalë me një model të vetin”, shkruajnë analistët Ivan Krastev, Mark Leonard dhe Andrew Wilson në një ese Njëzet vjet pas grushtit të shteti në të cilin komunistët e vijës së ashpër bënë përpjekjen e tyre të fundit dhe të dëshpëruar për të shpëtuar Bashkimin Sovjetik, Rusia është ende në një rruge të gjatë dhe të vështirë drejt demokracisë. Lideri sovjetik, Mikhail Gorbaçov, u kap në daçën e tij (shtëpi pushimesh) më 19 gusht të vitit 1991, por puçi u rrëzua dy ditë më vonë, pas rezistencës publike të udhëhequr nga Presidenti Boris Jelcin. Fundi i perandorisë sovjetike frymëzoi ëndrrat për një jetë më të mirë për rusët. Por politika dominohet ende nga një njeri, Vladimir Putin, në një sistem që disa e konsiderojnë si “ilaç për të gjitha të këqijat”. Shumë prej atyre që qëndruan për tre ditë jashtë selisë së parlamentit rus, duke rrezikuar jetën për ta mbrojtur atë kundër tankeve të ushtrisë, kishte shpresuar për më shumë. “U krijua ndjesia e një fillimi të ri. Ne ndjemë se mund të bënim shumë gjëra”, thotë Milena Orlova, një studente në atë kohë dhe tani një kritike arti, e cila ishte një nga mijëra njerëz që mbrojtën parlamentin në Moskë në gusht të vitit 1991. “Disa nga ëndrrat tona janë realizuar. Ne kemi arritur që të udhëtojmë jashtë vendit, dhe artistët shijojnë lirinë. Por demokracia ka shkuar prapa. Mendoj se duhet të kishim përparuar shumë tani”. Sondazhet sugjerojnë se opinioni është i ndarë lidhur me grushtin e shtetit dhe rënien e Bashkimit Sovjetik. Disa rusë, kryesisht të moshuar, kanë akoma mall për parashikueshmërinë dhe stabilitetin e kohërave komuniste. Pak rusë i mbajnë emrat e udhëheqësve të grushtit të shtetit, dhe e konceptojnë me mjegull domethënien e puçit, por historianët thonë se dështimi i saj tregoi se rusët e kishin humbur përfundimisht frikën ndaj partisë dhe strukturave të saj të energjisë, mbi të cilat ishte bazuar sistemi sovjetik. “Kjo ishte gozhda e fundit në arkivolin e Bashkimit Sovjetik”, ka thënë Anton Fedyashin, një historian i specializuar në Rusi në Universitetin Amerikan në Uashington. “Duke u kthyer mbrapa në kohë, ajo ishte një nga shembujt më mahnitës të ngjarjeve historike, ku rezultati i arritur ishte pikërisht e kundërta e asaj që autorët e puçit përcaktuan për të bërë. Ajo ngjarje ishte një katalizator historik për fundin e Bashkimit Sovjetik”. Nga kaosi drejt stabilitetit?! Shumë historianë dhe analistë politikë i ndajnë këto 20 vite në dy periudha – periudha kaotike deri në fund të vitit 1999 e Jelcinit dhe periudha e qëndrueshmërisë e Vladimir Putinit. Ata nuk pajtohen rreth asaj sesa i suksesshme ka qenë tranzicioni, por në përgjithësi janë dakord se rusët e zakonshëm ende e kanë atë ndjesinë se janë lëne të përjashtuar nga drejtimi i vendit. “Rusia është vetëm një imitim i demokracisë”, tha Olga Kryshtanovskaya, kryetarja e Qendrës për elitat në Akademinë ruse të Shkencave. “Njerëzit mendojnë se nuk ka rëndësi sesi ata votojnë, pasi në qoftë se Putin shkon, dikush tjetër do të vijë dhe do të jetë si Putin. Këtë injorim që i bëjnë votës, rusët e justifikojnë me idenë se shteti rus ka qenë kështu për shekuj dhe nuk do të ndryshojë”. Sipas reformave të “terapisë së shokut” të Boris Jelcinit, asetet sovjetike dhe lëndët e para iu shitën disa biznesmenëve-të njohur më vonë si oligarkët- të cilët gjatë viteve filluan të grumbullonin pasuri dhe fuqi politike, ndërsa njerëzit e thjeshtë luftonin për të bërë aq sa mundnin. Mediat fituan një liri të paprecedentë dhe parti të reja filluan të lindnin, por korrupsioni ishte shumë i përhapur dhe sundimi i ligjit ishte shembur. Jelcin vuante nga probleme të zemrës dhe nga thashethemet se ai ishte një pijanec dhe kredencialet e tij liberale u shkatërruan nga lufta që ai filloi me rajonin separatist të Çeçenisë. “Është e vështirë për ta cilësuar të suksesshëm tranzicionin e viteve 1990 , sidomos kur e krahason me ato që ndodhën në Evropën Qendrore, ku shumë vende filluan të përshtateshin shpejt me demokracinë”, thonë analistë. Boris Jelcin dha dorëheqjen në ditën e fundit të vitit 1999 dhe ia la trashëgimi presidencën, pasardhësit të tij të preferuar, Vladimir Putin, i cili u zgjodh më pas në mars të vitit 2000. Si ish spiun i KGB-së, Putin është ende politikani dominues në Rusi, pavarësisht se shkeli mënjanë në favor të Dmitri Medvedev, për t’u bërë kryeministër në vitin 2008, pasi kushtetuta e ndalonte një mandat të tretë të njëpasnjëshëm. Mbështetësit thonë se Putin ka sjellë stabilitet ekonomik dhe politik, ka forcuar një shtet që ishte në rrëmujë dhe rriti mirëqenien e rusëve. Ata theksojnë se falë Putinit, ekonomia ruse arriti që t’i bënte ballë krizës financiare të vitit 2008. Por, nga ana tjetër, kritikët thonë se Putin ishte me fat, pasi qëlloi të ishte president në kohën kur pati një bum ekonomik i cili erdhi jo nga politikat e tij, por nga rritja e çmimit të energjisë globale. Ata thonë se ai ka i rezistuar reformave ekonomike dhe ka ndërtuar një sistem autoritar politik që nuk ngjan me demokracinë. “Ne mund të fajësojmë si Jelcinin ashtu dhe Putinin për një mosshfrytëzim më efikas të mundësive të tyre”, thotë Nikolai Petrov, një analist politik në Qendrën Karnegi në Moskë. “Jelcin kishte një mbështetje të madhe për t’i rregulluar gjërat më mirë dhe Putin ka përfituar nga prosperiteti i papritur në Rusi, nga i cili mund të bënte më shumë gjëra për Rusinë. Pritjet e mëdha janë shndërruar në zhgënjime të madha”. Çfarë vjen më pas? Analistët politikë thonë se rruga e Rusisë drejt demokraci ka qenë dhe do të jetë e gjatë dhe e vështirë dhe se arritjet e saj nuk duhet të nënvlerësohet. Ata gjithashtu thonë se kjo nuk duhet me doemos të gjykohet duke u krahasuar demokracinë e stilit perëndimor. “Ndërsa Rusia e Jelcinit ishte e prirur për të imituar modelet perëndimore, Rusia e Putinit dhe Medvedevit është duke u përpjekur që të dalë me një model të vetin”, shkruajnë analistët Ivan Krastev, Mark Leonard dhe Andrew Wilson në një ese. Vetëm se është e paqartë sesi është dhe si do të jetë ky model. Kremlini flet për “demokraci sovrane”, e cila lejon dominimin e një partie të vetme, ku fjala kyçe është modernizimi. Disa nuk bien dakord se modernizmi i ekonomisë ruse, për të reduktuar varësinë e saj të madhe nga eksportet energjetike, si dhe i politikës, janë esenciale. Por kush do ta udhëheqë këtë modernizim pas zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në muajin mars? - kjo mbetet ende e paqartë. Putin pritet gjerësisht të kthehet si president në qoftë se ai dëshiron, por Medvedev ka shprehur dëshirën për të qëndruar në qoftë se mentori i tij do të vendosë të mos kandidojë përsëri. “Modernizimi mund të kryhet vetëm nëse njerëzit, e gjithë popullsia, janë të përfshira në të gjithë procesin”- ka thënë Gorbaçov për “Reuters” në një intervistë të vitit të kaluar. “Ne kemi nevojë për demokraci, ne kemi nevojë për përmirësimin e sistemit zgjedhor dhe kështu me radhë. Pa këtë, nuk do të ketë sukses”. Gorbaçov është bërë më i drejtpërdrejt me kritikat e tij ndaj Putinit, dhe i ka kërkuar atij që të mos kandidojë për president përsëri. Një ish ndihmës i Jelcinit, Gennnady Burbulis, thotë se Federata Ruse rrezikon të pësojë të njëjtit fat si Bashkim Sovjetik, në qoftë se reformat dhe investimet në infrastrukturën e shembur të Rusisë nuk do të kryen. “Kërcënimi është i madh në qoftë se ky regjim nuk është në gjendje të transformohet. Eventualisht ky kërcënim do të pasqyrohet në shpërbërjen e Rusisë”- thotë Burbulis
Home »
» Nga kaosi drejt stabilitetit, Rusia vazhdon të mbetet një imitim i demokracisë





