“Uashington Post” Dy faktorë do të ndikojnë në rrugën që do të ndjekë Siria: natyra e vazhdimësia e presionit ndërkombëtare ndaj tij dhe mënyra sesi do të ndikojë kjo te liderët sirianë jashtë rrethit të afërt të Assad-it. Kjo e dyta është pak e vështirë për t’u gjykuar nga këndvështrimi nga jashtë, por në fakt nuk kanë munguar shenjat e krisjeve në regjim
Përpjekja e presidentit të Sirisë, Bashar Al-Assad, për të shpëtuar veten përmes një fushate kasaphaneje ka hyrë në një pikë kritike. Sulmi masiv i urdhëruar prej regjimit të tij në prag të muajit të Ramazanit duket se ka qetësuar, të paktën për një moment, qytetin e pabindur të Hamas-it. Por përdorimi i tankeve dhe artilerisë ndaj Hamas-it dhe qytetit lindor të Deir al-Zour ka shkaktuar humbjen e qindra jetëve njerëzore, por ka provokuar gjithashtu edhe një reagim nga ana e qeverive që deri më sot pothuajse e kanë toleruar represionin e Assad-it. Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe vendet e ligës Arabe e kanë dënuar regjimin dhe veprimet e tij. Mbreti i Arabisë Saudite, Abdullah, kërkoi gjithashtu që “makina vrastare” të ndalohet. Kuvajti dhe Bahreini iu bashkuan Arabisë Saudite, duke tërhequr ambasadorët nga Damasku. Turqia u prononcua përmes ministrit të Jashtëm, duke insistuar se Assad duhet t’i japë fund kësaj ofensive. Duket se edhe administrata e presidentit Barack Obama, e cila është deklaruar në mbështetje të kauzës së lirive të njeriut në Lindjen e Mesme, ka gjasa që të mund të deklarojë se Assad duhet të largohet nga detyra.
Dy faktorë do të ndikojnë në rrugën që do të ndjekë Siria: natyra e vazhdimësia e presionit ndërkombëtare ndaj tij dhe mënyra sesi do të ndikojë kjo te liderët sirianë jashtë rrethit të afërt të Assad-it. Kjo e dyta është pak e vështirë për t’u gjykuar nga këndvështrimi nga jashtë, por në fakt nuk kanë munguar shenjat e krisjeve në regjim. Një e tillë ishte edhe dorëheqja e ministrit të Mbrojtjes të hënën. Ajo çka tanimë dihet dhe është e sigurt ka të bëjë me faktin se Assad personalisht nuk ka ndërmend të dëgjojë kërkesat që i bëhen për të ndaluar vrasjet dhe për të realizuar reformat e nevojshme demokratike. Agjencia shtetërore e lajmeve citoi Assad-in të thotë se nuk do të tolerojë veprimet e grupeve terroriste, siç i cilësoi ai kundërshtarët e regjimit. Një deklaratë që u bë të martën pas takimit të tij me ministrin e Jashtëm turk. Ajo çka është logjikë dhe e kuptueshme ka të bëjë me faktin se Assad është i ndërgjegjshëm tanimë se, nëse u krijon sirianëve lirinë e zgjedhjeve, apo nëse ndalon së sulmuari ata, ai dhe regjimi i tij nuk do të mbijetojnë. Shqetësues mbetet fakti se reagimi i komunitetit ndërkombëtar, ndonëse në përmirësim të vazhdueshëm, duket se mbetet i paqartë. Turqia është një shembull tipik: Kryeministri i këtij vendi, Rexhep Taip Erdogan, ka dënuar Assad-in për aktin e të drejtuarit të armëve ndaj qytetarëve të tij. Turqia është treguar e hapur për të pranuar refugjatët që largohen nga Siria për shkak të represionit të regjimit, ashtu sikurse është përpjekur të ndalojë sulmet në Hamas.
Por Erdogan vazhdon të ofrojë hapësirë për një diktator të cilin e ka kultivuar deri pak muaj më parë. Të mërkurën ai tha se pret që Assad t’i japë fund dhunës për një afat 10 deri në 15-ditor dhe se do të ndërmarrë hapa drejt reformave. Duket se në këtë formë ai jep ende kohë për sulme ndaj qyteteve të tjera në Siri, ndërsa nuk specifikon se cilat reforma besohet se janë të nevojshme. Kjo është një lloj situate në të cilën historikisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përpjekur për të ushtruar lidershipin. Por në fakt, zoti Obama ka bërë pasivin ndaj krizës në Siri. Ai ka folur në publik për këtë çështje vetëm dy herë në pesë muajt e fundit, ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit ka lëshuar një retorikë torturuese e të paqartë. Ajo nisi me përshkrimin e Assad-it si një “reformator”, një muaj më pas retorika në më fund kaloi te cilësimi i këtij diktatori si “ilegjitim”. Thirrja e fundit që ai të largohet nga detyra e tij ende nuk është thënë. Koha për këto fjalë është tejkaluar dhe Obama duhet t’i thotë këto fjalë personalisht e në publik.
Home »
» Makina vrastare e Sirisë





