Nga David Clark
Në shumë prej vendeve të Amerikës Latine më të ardhura të ulëta për frymë, mundësitë financiare për të blerë ushqime janë të pakta. Pjesa më e madhe e vendeve të Amerikës së Jugut shquhen si vende të botës së tretë. Për shkak të burimeve të pakta ekonomike, këta popuj nuk e kanë për zakon të shkapërderdhin ushqimin. Në të vërtetë, shumë prej tyre shkojnë deri atje sa të hanë pjesë të mishit të lopës, kaut, viçit a diç tjetër, çka amerikano-veriorët as nuk e çojnë nëpër mend t’i vënë në gojë. Pasi jetova për dy vite me radhë në Amerikën Latine dhe iu përshtata mënyrës së tyre të jetesës, mbeta shtang kur u ktheva përsëri në SHBA dhe hëngra darkë në gjirin e familjes sime, po atë natë që vura këmbë në shtëpi. Nuk mundesha ta besoja faktin se sa ushqim çohej dëm. Nëse nuk mundeshin apo nuk donin të hanin gjithçka që u shërbehej, s’kishte pse ta çonin dëm, por ta përdornin kur t’u vinte për të ngrënë. Interesant është fakti se unë veproja po në këtë mënyrë me vaktet e ushqimit përpara se të kaloja dy vite të plota të jetës sime në gjirin e popujve të Amerikës Latine. Atje, për shkak edhe të kushteve ekonomike dhe mënyrës së jetës, ata hanin edhe lugën e fundit të ushqimit dhe mblidhnin edhe dromcat e fundit të bukës. Në një farë mënyre, do të dëshiroja që gjithkujt nga vendet e zhvilluara t’i jepej rasti të vizitonte vendet e Amerikës Latine dhe të jetonte në gjirin e këtyre popujve të varfër. Nëse do të vepronin kështu, do të ndryshonte diçka brenda vetes së tyre. Mendoj se njerëzit do të bëheshin më pak grykës dhe do të vlerësonin bollëkun që gëzojnë. Njëherazi, mendoj se tek vizitorët do të lindte ndjenja e përdëllimit për ata që përballen përditshmërisht me betejën për të siguruar bukën e gojës. Mendësia e mos-çuarjes dëm të ushqimit është bërë pjesë e pandashme e jetës sime. Ka raste kur jam duke ngrenë bashkë me bashkëshorten time, dhe kur ajo i jep fund ngrënies, ka gjithnjë ushqim të pambaruar në pjatën e saj. Kështu, jam unë ai që i jap fund të gjithë ushqimit në pjatën e saj, ngaqë, pasi kam shpenzuar dy vite të jetës sime në Amerikën latine, e kam të pamundur të çoj dëm qoftë edhe një grimcë ushqimi (Për pasojë, më duhet të kryej shumë ushtrime gjimnastikore për të tretur ushqimin me shumë kalori, aq më tepër kur konsumoj si pjatën time ashtu edhe një pjesë të së sajës. Në shtëpi kam një biçikletë palestre që e përdor në raste të tilla). Në disa zona të Amerikës Latine më zinin sytë fëmijë të vegjël që rrëmonin në dyshemetë e papastra, duke futur në gojë guralecë apo ndotje të tjera, duke shpresuar që të ishte diçka ushqyese. Kam rastisur me boll njerëz të uritur deri në palcë. Sa përvojë pikëlluese është ajo e qenies i pranishëm në mjedise ku njerëz prej mishi e gjaku, apo edhe të mitur, të vdisnin për bukën e gojës. E kam të zorshme të shpjegohem më tepër se ç’do të ndjente gjithkush prej jush nëse do të përballej me rrethana të tilla. Jeta ime ndryshoi kryekëput pasi kalova një pjesë të jetës sime pranë këtyre qenieve që mbijetonin në rrethana të tilla. Kur isha i vogël, “mami” më këshillonte ta haja të gjithë ushqimin, pasi kishte fëmijë në Kinë që vdisnin nga uria. Asokohe nuk ia merrja të gjithë kuptimin kësaj shprehjeje të “sikletshme”, gjersa mbërriti çasti kur u përballa vetë me një situatë të tillë ku fëmijët vuanin nga uria në vendet e botës së tretë. Morali i tregimit: Si të veprojmë? Ka një sërë projektesh humanitare që u vijnë në ndihmë fëmijëve që vuajnë për bukën e gojës. Shumë prej nesh kanë boll për të ngrënë. Përse vallë të mos u ofrojmë ndihmën tonë të vobektëve? Personalisht njoh mjaft organizata e shoqata që i janë përkushtuar kësaj veprimtarie. Po personalisht, do t’u ofroja ndihmën time të gjithë atyre që do të më drejtoheshin, e që kanë për qëllim t?u vijnë në ndihmë qenieve në nevojë.





