Dështimi ndaj ekstremizmit, s’është alternativë, as në Greqi e as në Norvegji

“Irish Times”


 

Nga Greqia në Norvegji duket se janë duke dalë gjithmonë e më në pah parti politike të bezdisshme. Ato më të suksesshmet, janë një nakatosje e nacionalizmit ekstrem me forma të devijuara të parimeve liberale. Ligjërimi ynë politik nuk e ka gjetur ende festen që u shkon për shtat kokës së tyre. Në një farë mënyrë, etiketimet e përdorura deri më tani për to, si për shembull “ekstremiste” a “populiste”, janë sa të papërshtatshme aq edhe të debatueshme. Etiketime të papërshtatshme, ngaqë disa prej tyre, të tilla si “Partia e Lirisë” në Holandë që ka marrë 15.5% të votave në zgjedhjet e vitit 2010, janë liberale të skajshme mbështetur te politikat progresiste në lidhje me liritë individuale. Etiketime që ngjallin debat, ngaqë në një farë mënyre të gjitha partitë politike duhet të jenë populiste - sipas përcaktimit që jep fjalori për këtë term politik- në shpalosjen e interesave të qytetarëve të thjeshtë. Përdorimi i termit “populist” në formë përkeqësuese u vjen pas midesë thirrjeve të lëshuara në publik po prej këtyre partive, të cilat ngulmojnë te hipoteza se udhëheqësia jonë politike ka shpallur divorcin me zgjedhësit e saj. Mund të hiqen paralele edhe me shpërfaqjen e fashizmit të shek.XX, por këto parti nuk mund të vulosen thjesht si “neo-fashiste”, ndonëse disa prej tyre kanë përthithur në gjirin e tyre grupime neo-fashiste. Ushqimi i tyre bazë është mbjellja e frikës, ofrimi i zgjidhjeve thjeshtëzuese - e në disa raste edhe djallëzore - për një sërë problemesh të koklavitura. Megjithatë, duhet thënë se të gjitha këto kanë pese elementë përbashkues: 1)anti-emigracion/ ksenofobe, 2)pro-izraelite, 3)anti-Islame, 4)kundër anëtarësimit të Turqisë në BE, dhe 5)ultra-nacionaliste. Ato shfrytëzojnë frikën instiktive njerëzore ndaj të huajit, veçanërisht prej të varfrit e të huajit që i përket një race tjetër. Ndërkohë që dje partitë fashiste të Evropës e shihnin problemin te judaizmi dhe hebrenjtë, pasrendësit e tyre kanë shënjestruar sot Islamin dhe myslimanët. Qysh kur Izraeli iu kundërvu myslimanëve arabë, kjo çështje është shndërruar në pararojë të “përplasjes së qytetërimeve” midis Krishterimit “perëndimor” dhe Islamit “shtypës” e “të prapambetur”. Ky qëndrim pro-izraelit të ndihmon t’i zhveshësh këto parti nga shprehja e anti-semitizmit. Marinne Le Pen, udhëheqësja e re e Partisë së “Frontit Nacional” në Francë (10.4% mbështetje popullore në zgjedhjet e vitit 2007) po përgatitet të kryejë një vizitë zyrtare në Izrael. Këtij qëndrimi njëherazi anti-mysliman e anti-emigrant i shtohet edhe një interpretim i veçantë i elementëve të lirisë vetjake të liberalizmit. Qasja e Islamit ndaj grave dhe pozicioni ndaj homoseksualëve janë përvijuar si kërcënim për liritë e fituara më mund e sakrificë prej shoqërisë sonë. Armiqësia ndaj anëtarësimit të Turqisë në BE vjen si arsyetim në vazhdë, si dhe përbën thelbin e të dikurshmes liberale “Partia e Lirisë” në Austri (subjekt politik që përftoi 17.5% të mbështetjes popullore në zgjedhjet e vitit 2008). Një përcaktim i ngushtë ndaj nocionit komb, thuajse gjenetik, gjeti vend edhe në masakrën e Oslos. Sipas tyre, kombin e përfaqësojnë vetëm një grup i paracaktuar dhe thuajse i veçuar njerëzish. Për shembull, “Finlandezët e Vërtetë” (19% në zgjedhjet e vitit 2011) që e shpalosin këtë koncept qysh në emërtesë. Nëse ata përfaqësojnë “finlandezët e vërtetë”, i bie që pjesa tjetër, sipas cilësorit të përdorur, të jenë “finlandezë të rremë”. Si “Demokratët Suedezë” (6% në vitin 2010), ashtu edhe “Partia Norvegjeze e Progresit” (23% në vitin 2009) janë kundër funksionimit në vendet e tyre respektive të strukturave autonome të popullatës “Sami”. Shtetit të mirëqenies sociale në Evropë i mbetet vetëm të mbijetojë - argumentojnë këto parti - nëse përjashtohen të huajt e varfrit. Për shkak se myslimanët përpiqen të krijojnë familje sa më të madhe në numër, ky kërcënim sistematik vjen e shtohet vit pas viti. “Demokratët Suedezë” përdorën një video-klip ku tregohej se si një myslimane me hixhab shtynte më bërryl një të moshuar suedez në radhën e ndihmave sociale. Qasja e moçme “të tërheqim lart urën e lëvizshme” shërben si mbulojë e qëndrimeve nga më të ndryshmet. “Partia Norvegjeze e Progresit” dhe “Partia Popullore Daneze” (13.8% në vitin 2007) kanë gjetur shtrirje të gjerë popullore duke e mbështetur politikën e tyre tek ulja e taksave. “Partia e Progresit” argumenton se Norvegjia duhet të përdorë naftën e saj për të ulur apo madje edhe për të hequr taksat, se sa përdorimi i tyre për të investuar për brezat e ardhshëm. Formacioni politik “Vlaams Belang” (7.8% në zgjedhjet e vitit 2010) kapet te problemet gjuhësore që hasin emigrantët që nuk flasin gjuhën e flamandëve, duke dashur t’i përzënë nga Brukseli. “Partia Kombëtare Sllovake” (5% në vitin 2010) e ka të përqendruar veprimtarinë e saj politike vetëm te çështja e minoritetit hungarez në Sllovaki. Partia e “Asamblesë Popullore të Ortodoksëve Grekë” (LAOS -5.6% në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në vitin 2009) ka në qendër të vëmendjes së saj prirjet fetare. Sakaq, në terren, gjërat qëndrojnë ndryshe. Studimet e kryera tregojnë se ka rreth 4 milion myslimanë në Francë, apo 6.5% e popullatës. 20% e tyre janë frekuentues të rregullt të faljes së ditës së premte. Ndërkohë që nga 51% e francezëve që deklarojnë besimin e tyre katolik, rreth 10% e tyre janë frekuentues të rregullt të meshës së të dielës. Norvegjezët japin të dhëna se ka rreth 100.000 myslimanë në Norvegji, apo 2% e popullsisë në vend. Në sfidën e përzgjedhjes midis realitetit e paragjykimit, paragjykimi shpesh parapëlqen t’i zërë vendin reales. Djegia e Bibliotekës Kombëtare të Sarajevës në vitin 1992 ishte një orvatje për t’i vënë zjarrin trashëgimisë kulturore ndërshekullore të Bosnjës. Polici i thjeshtë i PSNI-së, Ronan Kerr, u vra prej atyre që nuk mund të pranonin faktin se dikush mund të jetë edhe lojtar i “Gaelic Games” dhe njëherazi polic irlandezo-verior. Anders Behring Brejvik vrau adoleshentë norvegjezë për shkak se ata punonin për një Norvegji të ndryshme nga ajo çka atij i vegonte. Rritja e mbështetjes popullore të partive të tilla përbëjnë njëherazi sfidë e kërcënim për shoqëritë tona. Duhet të marrim në shqyrtim shkaqet e mbështetjes që ato gëzojnë nëse duam ta shohin në sy rrezikun që e kemi në prag të derës. Dështimi nuk është alternativë. Ndryshe, kjo do të përbënte një shpërfillje të guximit të shfaqur prej veprimtarëve të “Pranverës Arabe”, që luftojnë për liri demokratike nga Maroku në Siri. Njëherazi, do të ishte edhe moskokëçarje ndaj përkushtimit të shpalosur nga opozitarët iranianë që po përballen me “Autokracinë”, që ashtu siç u shpreh për “Der Spiegel” edhe veprimtari 25-vjeçar, Kouhyar Goudarzi, “frytet e lirisë herët a vonë do të korren edhe në vendin tonë”. Por, nuk i duhet lënë mundësi paragjykimit që t?i zërë vendin realitetit.