“Foreign Affairs”
Struktura e Bashkimit Europian nuk mund të parandalojë, as të menaxhojë problemet fiskale në mënyrë efektive. Kjo nuk do të thotë se është shumë vonë të krijohet një tjetër më efektive. Përveç një bashkëpunimi më të mirë financiar, vendet e eurozonës duhet të thellohen në koordinimin e politikave mes tyre.
Kriza e thellë e Greqisë ka lëkundur euron, pikërisht në 10 vjetorin e përdorimit të saj. Kjo sfidë e fundit nuk duhet të vijë si një surprizë; do të kishte qenë një mrekulli, po të ishim të përjashtuar nga probleme të tilla. Eurozona është e unifikuar financiarisht, por jo e unifikuar mjaftueshëm politikisht. Kjo pamjaftueshmëri rri përfund problemeve të sotme të euros dhe e bën më të vështirë drejtimin.
Uniteti monetar imponon një shkallë më të lartë të unitetit politik, që e kanë kërkuar shumë komentatorë europianë, politikanë, akademikë etj.
Në një qark monetar, vendimet politike të marra në një vend të caktuar ndikojnë në ekonomitë e vendeve të tjera, në mënyra shumë të drejtpërdrejta dhe nganjëherë edhe dramatike.
Kjo do të thotë që shumë probleme kombëtare mund të zgjidhen më mirë bashkë.
Ekonomia greke llogaritet vetëm për 2% të GDP të eurozonës, por kjo krizë po shkakton lëkundshmëri në gjithë rajonin. Kjo duhet zgjidhur përmes vendimeve të forta politike si në Athinë, edhe në Bruksel; varet nga qeveria greke, nëse do të implementojë ndonjë program ekonomik të përshtatshëm duke financuar për këtë plan që është në dorë të Këshillit Europian.
Jeta politike në Europë është ende e brendshme në thelb. Politika evropiane është e krijuar individualisht dhe më së shumti me interesa kombëtare.
Ka pak organizata që ruajnë perspektivën e eurozonës, Banka Qendore Europiane është një prej tyre.
Ndryshe nga institucionet e tjera që e koordinojnë politikën me vendet e eurozonës, Banka Qendore Europiane ka detyrë të implementojë një politikë monetare të vetme – një kurs interesi – për të gjithë.
Ka pasur vështirësi për vendet që kanë nisur të marrin veten nga rënia ekonomike e vitit 2008 – ku përfshihej edhe Gjermania – për të shtënë në dorë degëzimet globale të problemit të borxhit grek, mundësisë për infektimin dhe rreziqet e taksapaguesve.
Në maj të vitit 2010 parlamenti gjerman i bëri thirrje Jean-Claude Trichet, presidentit të Bankës Qendrore Europiane dhe Dominique Strauss-Kahn, kreut të Fondit Monetar Ndërkombëtar të shpjegonin rreziqet e përhapura në Eurozonë, që u shoqëruan edhe me krizën në Greqi.
Berlini nuk pa asnjë rrezik të dukshëm, por Trichet dhe Khan bënë me dije se të gjitha vendet e eurozonës, ku përfshihej dhe Gjermania, do t’i ndjenin efektet e euros tashmë të dobësuar.
Nga ana e vet, Gjermania bashkë me Holandën dhe disa vende të tjera, sugjeruan që kreditorët privatë të financojnë për ristrukturimin fiskal të Greqisë. Kjo duket një ide e mirë në teori, por pse duhet që taksapaguesit e vendeve të ndryshme të eurozonës të nxjerrin nga balta bankat e papërgjegjshme greke?
Arsyeja ka të bëjë me strukturën e borxhit të Greqisë. Në ekonomitë e tjera, borxhi shpërndahet mes shumë kreditorëve të huaj dhe vendas, të cilët mund të përthithin humbjet e vogla. Por pjesa më e madhe e borxhit grek është marrë brenda vendit nga disa banka private. Ato nuk mund të mbanin mbi shpatulla një borxh të madh dhe mund të rrënoheshin njëherë e mirë. Në fund, Bashkimi Europian duhej të shpëtonte nga belaja bankat dhe ekonominë greke – një ofertë shumë më e shtrenjtë në kosto.
Pavarësisht nga kostot e larta, politikëbërësit në shumë vende besojnë se e vetmja mënyrë, ku mund të marrë mbështetje Greqia është nëse bankat paguajnë një pjesë të kambialeve.
Vendimmarrja në nivel kombëtar është problematik. Shumë nga vendimet e Këshillit Europian gjatë krizave, veçanërisht ato të lidhura me ndihmën financiare, kërkojnë unanimitet mes përfaqësuesve të shteteve anëtare.
Por, secili prej këtyre i përgjigjet një qeverie kombëtare, e cila i përgjigjet një parlamenti.
Secila nga këto parlamente ka një prirje të ndryshme ndaj synimeve, procedurave etj.
Në një kohë kur Gjermania kërkon që bankat greke të pranojnë humbjen, p.sh. Finlanda ka kërkuar kolateralet në shkëmbim të sigurimit të ndihmës. Përafrime të tilla të ndryshme mes vendeve anëtare të BE i paralizojnë përpjekjet e BE-së për t’iu përgjigjur krizave.
Me strukturën e tanishme, rreziqet e Këshillit të Europës paralizohen në një kohë kur edhe Federata polake-lituaneze, një këshill që ka pushtet mbi Poloninë dhe Lituaninë që nga shekulli 16-17, ku çdo pjesëtar mund të bllokojë ndonjë vendim.
Kjo federatë përfundoi me dobësimin ekonomik, me çrregullime politike dhe copëzime të mundshme mes perandorive austriake, prusiane dhe ruse.
Kështu, pra, si mundet që eurozona ta shmangë një fat të tillë? Ka 3 përbërës që e forcojnë kapacitetin e Bashkimit Europian për të marrë vendime kolektive: e para, të hedhë poshtë kërkesat për unanimitet në disa raste; e dyta, të forcojë rregullat që ndrydhin vendimmarrjet kombëtare; dhe e treta, të zbatojë më mirë të gjitha parimet e BE-së.
Forcimi i vendimmarrjeve kolektive do të kërkojë që BE të modifikojë rregullat e Stabilitetit Financiar Europian, në mënyrë që vendimet të mund të merren nga një maxhorancë e kualifikuar (si në rastin e Fondit Monetar Ndërkombëtar p.sh) në vend të unanimitetit.
Rreziku i paralizave dhe përkeqësimi i krizave mund të nxisë, që ky problem të analizohet sërish.
Përbërësi i dytë – forcimi i rregullave që ndrydhin vendimmarrjet kombëtare - është tashmë në rrugë e sipër. Paketa e reformave të BE për këtë vit përfshin propozime që kanë si trajektore procedurat për vigjilencën ekonomike dhe lejojnë sanksionet që të shkelen automatikisht, nëse një vend anëtar i eurozonës i thyen parimet e Paktit për Rritjen e Stabilitetit.
Por, këto plane nuk shkojnë shumë larg. Në veçanti, Pakti për Rritjen e Stabilitetit, i nënshkruar nga anëtarët e eurozonës për të shmangur deficitet e tepërta buxhetore, duhet modifikuar për të siguruar pëlqimin mes të gjitha vendeve.
Në ndonjë rast, Parlamenti Europian ka bërë progres lidhur me trajtimin e kësaj çështjeje. Mbetet për t’u parë sa të suksesshme do të rezultojnë këto përpjekje.
Edhe nëse struktura e BE mbetet e pandryshuar, qeveritë individuale duhet të bëjnë shumë më tepër për t’u pajtuar me parimet e thjeshta fiskale.
Masa të tilla do të ndalonin rritjen e borxheve, edhe para se të nisnin procedurat e BE-së.
Borxhi tavan, sidoqoftë, përmban një anësi të trashëgueshme në “kohë të mira”.
Shtetet anëtare të eurozonës nuk do të kenë më aftësi të japin borxh për të mbuluar shpenzimet mbi limitin e caktuar.
Po të kishte marrë të tilla masa edhe Greqia, as nuk do ta shpërndante borxhin e vet më 2009, as nuk do ta fshihte atë.
Duke refuzuar dhënien e borxhit për Greqinë, BE do ta kishte detyruar këtë vend të merrte masat e duhura në kohën e duhur. Në këtë situatë, Greqia do të siguronte burime financiare ose do të kërkonte mbështetje nga Mekanizmat e Stabilitetit Europian, që financon në të tilla raste sipas programeve strikte ekonomike.
Në të dyja këto skenare, dëmi për pjesën e mbetur të eurozonës do të ishte më i frenuar sesa ishte në vitin që kaloi.
Nën një sistem të frenuar borxhesh, thesari i shtetit përsëri mbetet i përgjegjshëm për borxhin e vet dhe për instrumentet fiskale, që ndryshojnë nga njëri vend te tjetri, por shuma totale e borxhit lejohet për çdo vend që pajtohet me BE – dhe vendimi mund të jetë imponues.
Përbërësi i tretë që nevojitet për politika më të mira të eurozonës, është më i fortë lidhur me parimet ekzistuese. Kësisoj, eurozona përballet me version e vet për trinitetin e vjetër të pamundur në ekonomi: se vendet nuk mund të kenë një normë burse fikse, lëvizje të lira kapitalesh dhe një politikë të pavarur monetare. Pra, eurozona nuk funksionon nëse te institucionet e Paktit të Rritjes dhe Stabilitetit (Këshilli i Ministrave, Komisioni Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar) nuk veprojnë siç duhet.
Eurozona ka nevojë për një mekanizëm të përforcuar, që të monitorojë politikat e brendshme dhe të sigurojë pajtueshmërinë e tyre me unionin.
Pjesa e dytë e trinitetit - vullneti i Komisionit Europian ndaj politikave – ka mundësi të jetë më e gatshmja për të marrë përsipër një rol më të fuqishëm.
Struktura e tanishme institucionale e BE-së nuk i menaxhon dot problemet fiskale në mënyrë efektive. Shumë qytetarë evropianë dëshirojnë të dinë përse vendit të tyre iu lejua përshtatja me euron, në një kohë që korniza e BE nuk mund të siguronte praktikat ekonomike të qëndrueshme. Është koha tashmë që unioni monetar të shndërrohet në një union më të fortë politik. BE kërkon një të menduar krijues e origjinal. Kërkon gjithashtu edhe kurajo të ngjashme politike dhe aftësi drejtuese.
Përktheu: Rudina Dahri





