Mourinho, tani menaxher i Realit

Jose Mourinho do të ketë pushtet shumë më të madh se sa të tjerët para tij te Real Madridi, pasi është emëruar edhe drejtor sportiv, që së bashku me rolin e trajnerit të klubit, e bën atë menaxher sipas modelit anglez.
Bordi i Real Madridit ka aprovuar një numër ndryshimesh që e shohin portugezin me fuqi shumë më të madhe kur vjen deri te interesat e ekipit.

“Drejtorati i Real Madridit, që është takuar të enjtën, ka aprovuar strukturën e re organizative që e përfshin një drejtor të përgjithshëm unik në Jose Sanchezin, Manuel Redondo do të jetë përgjegjës për presidencën, ndërsa Jose Mourinho është emëruar drejtor sportiv i klubit”, shkruan në një komunikatë nga klubi mbretëror.

Pas ndryshimeve të bëra, Jose Mourinho pritet të ketë më shumë ndikim në vendim marrje dhe në transferimin e lojtarëve.