Pas deklarimeve të të hënës të shefit të hetimeve të FIGC, Stefano Palazzi, se Interi kishte bërë mashtrime gjatë viteve 2004-2006, shtypi italian shpërtheu të martën duke diskutuar për skandalin që i kushtoi Juventusit marrjen e dy titujve dhe rrëzimin në Serie B.
Zbulimet e Palazzit do të thonë se Scudettoja e vitit 2006, sipas të gjitha gjasave, do t’i merret Interit, mirëpo duhet të pritet data 18 korrik për të pritur vendimin e FIGC.
Mirëpo, do të ishte e mirëseardhur për Interin nëse i merret vetëm titulli i pafituar në fushë, ndërsa të kënaqur duhet të jenë edhe tifozët e Milanit dhe Livornos që nuk do të ketë dënime të tjera për klubet e tyre pasi kanë kaluar pesë vite që është maksimumi i kohës që mund të iniciohen çfarëdo procedurash legale në lidhje me ndonjë çështje (sipas Statutit të Limitimeve të Italisë).
Krahas Juventusit, sipas Palazzit, në vitin 2006 Artikullin 1 të Kodit për Drejtësi Sportive e kanë dhunuar edhe: Campedelli (Chievo), Cellino (Cagliari), Corsi (Empoli), Foschi (Palermo), Foti (Reggina), Gasparin (Vicenza), Governato (Brescia), Meani (Milan), Moratti (Inter), Spalletti (Udinese).
Ndërkaq, Facchetti (Inter), Meani (Milan), Spinelli (Livorno)- e kanë dhunuar edhe Artikullin 6 të këtij kodi. Prandaj, sipas zbulimeve të shefit të FIGC, në vitin 2006 në Serie B është dashur të shkonin Interi, Milani dhe Livorno, e JO Juventusi.
Mirëpo, falë Statutit të Limitimeve nuk mund të ketë dënime për klubet që u përmenden. Prandaj, Juventusi do të dalë vetëm fitues moral pas pesë vitesh vuajtjesh për drejtësi.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, të gjeturat e Palazzit i ka quajtur “sulm të papranueshëm”, mirëpo do të duhet një mrekulli që Interit t’i mbetet titulli nga viti 2006.