Joorabchian: Tevez do ta respektojë Cityn

Carlos Tevez do ta 'respektojë' Cityn nëse largimi i tij aq i dëshiruar nga klubi dështon këtë verë, thotë agjenti i lojtarit Kia Joorabchian.
Transferimi i propozuar i Tevez te Corinthians dështoi gjatë të mërkurës, me Cityn që tha se klubi brazilian nuk kishte arritur të sigurojë garanci bankare për 40 milionë funte.

Joorabchian ka mohuar se garancitë kanë qenë problemi, por ka thënë se Tevez do të mbetet i qetë edhe pse dëshiron që e ardhmja e tij të zgjidhet.

"Mendoj se Carlos është një person shumë i qetë. Ai as nuk është i dëshpëruar e as i kënaqur. Ai është shumë i qetë. Ne pritëm të shohim se si marrëveshja do të strukturoret dhe ai u përpoq të qëndrojë jashtë, në aspekt të insistimit për diçka".

"Tash ai do të shkojë në pushime pas Copa America dhe do të shohë çfarë do të ndodhë. Ka pasur një ofertë konkrete në tavolinë dhe ishte shumë afër të negociohet dhe të arrihet një marrëveshje, por fatkeqësisht kjo nuk funksionoi".

"Nuk ka ndonjë spekulim nga ana jonë [se çfarë mund të ndodhë më pas]. Ai ende është lojtar i Cityt dhe do ta respektojë këtë. Ne do të vazhdojmë kështu derisa të ketë diçka konkrete në tavolinë", ka thënë Joorabchian.