Nga Cigdem Bugdayci /"SETimes"
Popullariteti i serialeve televizive turke, nga Ballkani në Lindjen e Mesme, i ka sjellë Turqisë një audiencë dërkombëtare, dhe është duke transformuar imazhin e Turqisë jashtë vendit. Që nga viti 2001, jashtë vendit janë shitur 65 seriale televizive turke, duke e çuar në mbi 50 milionë dollarë industrinë në lulëzim të televizionit turk. Aktorët turq dhe personat e famshëm tani janë figura të njohura në disa vende dhe skenat e Stambollit kanë tërhequr dhjetëra mijëra turistë.
Sipas Izzet Pinto nga kompania e shpërndarjes së filmit Global Agency, serialet turke janë gati një risi për një publik të mësuar të shikojë vetëm prodhime televizive amerikane ose të Amerikës Latine. "Serialet televizive janë një mundësi e madhe tregtare për Turqinë," thotë Pinto. Megjithatë, më shumë se milionat e dollarëve nga shitjet, është po aq e rëndësishme shfaqja e Turqisë si një markë e njohur. Në Ballkan dhe Lindjen e Mesme, rajone tradicionalisht të ndikuara nga Turqia, mesazhi i butë i televizionit mban pushtetin e vendit për të ri-marketuar veten.
Sipas një raporti të kohëve të fundit të Fondacionit turk për Studime Ekonomike dhe Sociale me titull "Perceptimi i Turqisë në Lindjen e Mesme 2010", 78% e të anketuarve thanë se kanë parë një serial televiziv turk. Raporti thekson se serialet janë bërë një pjesë e rëndësishme e fuqisë së butë të Turqisë, duke krijuar një ndikim të përhershëm në imazhin e Turqisë në rajon. Edhe pse e paplanifikuar, përhapja e televizionit turk bie mjeshtërisht në strategjinë e fuqisë së butë të ministrit të jashtëm turk Ahmet Davutoglu siç përcaktohet në librin e tij të vitit 2001 "Thellësia Strategjike". Davutoglu mbështet një politikë të huaj pro-aktive dhe shumëdimensionale që e sheh historinë dhe kulturën e përbashkët të Turqisë me tokat ish-otomane si një avantazh strategjik -- duke krijuar një degëzim të strategjisë së fuqisë së butë të Turqisë. Megjithatë, joshja e televizionit turk, përzierja emocionale e imazheve të pasura me një ndjenjë të mirëmbajtur tradicionalizmi, ka marrë edhe kritika nga disa konservatorë në Turqi që ndjehen se baza e familjes është duke u kërcënuar nga imazhet e puthjeve të zjarrta, historitë e tradhtive bashkëshortore, vrasjet dhe krimet. Sipas deputetes të AKP nga Stambolli, Halide Incekara, serialet televizive turke nuk përfaqësojnë familjen dhe moralin turk. "Serialet televizive dëmtojnë imazhin e Turqisë jashtë vendit pasi ato janë plot histori të papastra dhe sjellje të papranueshme," tregon ajo. Nga ana tjetër, Orhan Tekelioglu, një profesor i telekomunikacionit i Universitetit Bahçesehir të Stambollit, tha se nuk është e mundur të bëhen pretendime mbi popullaritetin e serialeve televizive pa hulumtime shtesë. Megjithatë, ai thekson se në fakt ekziston një tendencë e fortë për "mbrojtjen e familjes" në këto seriale, e cila i ka rrënjët e saj në procesin turk të modernizimit.
Tekelioglu gjithashtu interpreton lajmin për përhapjen ndërkombëtare dhe suksesin e serive televizive në shtypin turk në një mënyrë të ndryshme, duke thënë se"shitjet nga seritë televizive përshëndeten me 'brohoritje fitoreje' sikur të vijnë nga 'një fushatë ushtarake' -- kjo duhet të jetë ajo që ata e quajnë Otomanizmi i ri".
Home »
» Fuqia e butë e Turqisë





