Shtëpia e ëndrrave…
(Tregim nga Namik Selmani)
…Kur mbërriti në Arpicë ishte drekë. Një drekë qershori. Ishte vapë dhe ullinjtë
kishin lidhur kokrrat. Plot e plot. Ia vuri syrin shtëpisë që ishte ndërtuar
pranë një kroi nga më të mëdhenjtë e fshatit. Ishin vitet e para që po hapeshin
kufinjtë dhe Lutfiu bashkë me disa shokë, po ndjenin një lloj mikpritjeje nga
grekët që banonin në këtë fshat. Para se të shkonte në Arpicë, kishte punuar
edhe në disa fshatra të tjerë. I duhej që të mësonte edhe pak greqisht se e i
dinte që pa gjuhën nuk mund të bëje punë, po edhe para nuk mund të fitoje. I
zoti i shtëpisë që iu drejtua quhej Jorgo. Edhe ai i bëri të njohur emrin e tij.
I tha se quhej Stavri. dhe i duhej që ta bënte një gjë të tillë. Kështu po bënin
të gjithë. Nuk e dinte se si do të sillej i zoti i shtëpisë po qe se rregullohej
për punë, por një gjë ishte e sigurtë. Po qe se ai do të paraqitej me këtë emër
do ta kishte më të lehtë.
Me greqishten që e njihte edhe më mirë e nisi vetë bisedën me Jorgon. Iu duk një
burrë i qetë dhe me një lloj burrërie për të ndërtuar një bisedë, një Pazar, si
i thoshte shqiptarisht.
Shtëpia ishte jo e mbajtur mirë. Kishte ca mure që ishin vjetëruar shumë. Në
bahçen para shtëpisë nuk ishte e vështirë që të shihje se duhej punë, shumë punë
për të mbjellë lule, perime. Jorgua ishte moshuar dhe si i tha më vonë kishte dy
djem që kishin shkuar në Gjermani prej vitesh e nuk po kujtoheshin më për
shtëpinë që kishin lënë në Arpicë. As për prindërit që po plakeshin edhe më
shumë se mosha që kishin mbi supe
Shtëpia ishte dykatëshe. Kishte tetë dhoma, por Jorgua jetonte vetëm në katin e
dytë që shihte edhe nga deti. Dhomat e katit të parë i mbante për zahiretë. Për
të vënë vajin e ullirit që nxirrte nga një kodër e tërë me ullinj. Vinte një
makinë që ia kishin lënë djemtë kur kishin ikur në kurbetin e Evropës. Dhe ai e
përdorte rrallë, shumë rrallë.
Kur nisi bisedën me Jorgon u njoh edhe me Evdhoksinë, një grua që rrinte shumë
herë me të zeza. Ishte shumë fetare e herë pas here bënte kryqin për të mirë e
për të marrë bekimin e Krishtit si thoshte ajo. Për të bekuar rrugën e jetën e
djemve që kishte kohë pa i parë. Nganjëherë në bisedë futej edhe fjala shqipe.
Jorgua e njihte mirë atë, por nuk dinte të fliste në shqip dhe Lutfiu ishte i
detyruar që të bënte një gjë të tillë.
Në Greqi akoma ishte në fuqi marka, në Shqipëri marka po binte me lekun po u
gjet pazari. Ai do të rregullonte të gjithë shtëpinë. Do të suvatonte të gjitha
dhomat e katit të parë. Në katin e dytë do të ndërtonte një banjë moderne se
shtëpia nuk kishte një të tillë.
Jorgua i porositi të gjitha qerestetë në Janinë. Njihte disa tregtarë dhe
thoshte shumë herë që ai besonte se do t’i jepnin mall nga më të mirin. I dhanë
një dhomë në katin e parë që ai e rregulloi. Mori edhe një shtrat vuri një
televizor të vogël po nuk e shihte dhe aq shumë. Lodhej shumë. Dritaret e vogla
i prishi dhe i ndërtoi disa dritare të mëdha. Në të gjithë dhomat shtroi pllaka
nga më të mirat, ndërsa dhomën e miqve e bëri më dysheme prej druri. E pastroi
mirë dhe e bëri për merak. Kur bënte ndonjë pushim të vogël Lutfiu merrej edhe
me lulet. Aty në oborrin e shtëpisë që ishte i madh ndërtoi një lulishte. Lulet
i vuri ca në vazo e zca në tokë. Ato nisën që të buisnin një nga një. Jorgua
gëzohej për këtë punë. Sa herë që banorët e Arpicës takonin afër shtëpisë së
Jorgos dhe shihnin në muret e saj tek punonte kaq i heshtur dhe ballëdjersitur
një burrë rreth të dyzetave me emrin Stavri, ata çuditeshin se si mund të
punonte kaq shumë një njeri. Edhe ata ishin punëtorë, Kishin bërë vreshta pa
fund. Kishin hapur kanale vaditjeje për të vaditur perimet e arat, po ky djalë
ia kalonte edhe atyre. E nuk ia thonin në sy, por e mbanin në mendje. Lutfiu i
shihte vështrimet lakmitarë të tyre dhe bënte skur nuk i shihte. Sikur nuk i
interesonte aq shumë se çfarë thonin ata për të, për punën e tij. Në shtëpi në
mbrëmnje vinte edhe fqinji i tij Kosta. Vinin përpara nga pak uzo dhe thërrisnin
edhe Lutfiun që të pinte me ta. Ai nuk i kundërshtonte, por nganjëherë, kur
kishte lënë ndonjë punë në mes nuk i shoqëronte, po ashtu i heshtur vazhdonte të
punonte. Asnjëherë nuk ishte dehur para atyre burrave që pinin vazhdimisht
mbrëmjeve dhe që këndonin edhe këngë pa fund për dashurinë. Rrobat i lante vetë
dhe i hekuroste me një hekur që e kishte blerë që në ditët e para. Do të ishte
mirë që të kishte aty edhe Linditën, nusen e tij që e kishte marrë nga një
familje çame nga rrethinat e Filatit. Zakonte të njëjta, por edhe Lindita ishte
shumë nikoqire
Për tre muaj sa punoi në Arpicë, shkoi vetëm një herë në Vlorë. E kishte të
vështirë që të shkonte se edhe shkresat nuk i kishte bërë. Po ta kapnin në kufi
do të mërzitej se nuk do ta mbaronte punë që kishte nisur. Edhe Jorgos do t’i
dilte ng fjala, por edhe vetes. Nuk kishte gënjyer kurrë. E nuk donte që të
gënjente as veten, as Jorgon.
As Kostën që e shikonte me kaq zili tek punonte. As ata banorë të tjerë të
Arpicës që kishin ardhur nga malet për t’u vendosur në këtë fshat me kaq shumë
ullinj, me kaq shumë legjenda, me kaq shumë këngë, me kaq shumë histori.
Një ditë Jorgua i tha që të shkonte në një vend jasht fshatit. I tregoi tri gurë
të gjatë që rrinin në këmbë, tamam si tre bojë njeriu. Ia tregoi edhe se çfarë
historie kishin këto gurë-njerëz. Ishin tre motra që po ecnin në rrugë. Një
udhëtar që po kalonte rrugës u dha një lajm të keq. Tre vëllezër kishin shkaur
në luftë kundër turqve dhe ishnin vrarë në betejë me ta. Fshatin e zunë turqit
dhe familja e tyre ishte nisur me varkë drejt Italisë. Aty kaloi Zëra (zana) e
Malit të Arilës. Për të mos i zënë turku, Zërja i bëri gur këto vajza.
… Luftiu dëgjonte po nuk kishte edhe kaq shumë kohë që të shetiste. Shtëpia me
oborrin e saj , me dritaret, me portën e madhe e të zbukuruar me gdhendje me
lule druri, një pus që ai e hapi në mes të oborrit, po e gëzonin shumë. Flinte
pak. Më shumë ëndërronte. Si një djalë i ri që e kishte të tërë botën në duart
e tij të bëra tashmë të argasura me kallo. Edhe bisedat që bënin ishin me një
temë të ngushtë. Më teëpr flisnin për kohën, për sportin, për ndërtimin e pak
shaka. Nuk nxitonte dhe Jorgua edhe po çuditej për këtë gjë. Në punën e tij
kryesore ishte vetëm cilësia.
..Një ditë mbaroi. Nuk kishte gjë më të bukur. E vendosur në mes të shtëpive të
tjera të Arpicës, shtëpia e ndërtuar dukej edhe më e veçantë. Edhe Arpica tani
ishte më e bukur se tre muaj më parë. E kishte nisur vetë e po vetë e mbaroi
këtë punë. Një punë që po gëzonte të gjithë. Nuk kishte peshë që ta peshonte
këtë gaz . Doemos Jorgua si zot shtëpie nuk mbahej atë ditë nga gazi kur Stavri
mbylli punën. I tha që drekën e shtëpisë së re ta bënte në një lokal ku të
thërriste edhe miqtë e tij, por Stavri nuk pranoi.
“Jo-i tha,- është më mirë që të gëzojmë në shtëpinë që ngritëm. Ja, në këtë
ballkon që sheh nga ullishta”
Jorgua thirri Kostën, disa të afërm të tij që vinin nga Janina, nga Agjia, nga
Margëllëçi pranë Bozhurit. Ishin bërë në tavolinë 10 burra. Vera ishte zgjedhur
nga më e mira. Një qengj i pjekur u soll që të ndahej aty në tavolinë.
-Të lumshin krahët, mjeshtër, - e nisi urimin Jorgua, duke u ngritur në këmbë e
duke ftuar edhe miqtë që të ngriheshin në këmbë për këtë usta të paparë në këto
fshatra.
Pas tij u ngritën edhe burrat e tjerë Kosta, Spirua, Vangjeli.
Për ta gëzuar edhe më shumë mjeshtër Stavrin ai nxorri markat dhe i vuri në
tavolinë.
- Dëgjo, Stavros (i shtonte përherë një sos emrit që kishte vënë Lutfiu). Më
gëzove për punën që bëre, ndaj unë po të jap edhe 1000 marka të tjera nga
llogaria që bëmë në fillim. T’i gëzosh me të gjithë fëmijët e të dashurit e tu!
Lutfiu dëgjonte i heshtur. Ata që e shikonin ashtu jo edhe aq të gëzuar,
mendonin se mbase ishte më i lodhur nga puna që kishte bërë, apo edhe pse ishte
i gëzuar për paratë që po merrte. Dikush mund të kishte menduar se ai po
emocionohej për ndarjen nga një mjedis që nuk ishte dhe aq i egër. Vendosi më
në fund të fliste. Patjetër që do të fliste. Vetë fjala ishte “paraja” që po
merrte në këtë tavolinë. Mbase të uronte do të thoshte dikush. Jo, nuk do të
uronte, si ndodh në të gjithë botën e madhe. Dhe kishte një arsye të madhe që të
mos uronte dhe për këtë nuk ishte i marrë.U ngrit në këmbë.
-Besoj se puna të ka pëlqyer Barba Jorgo. Edhe djemtë që do të vijnë pas pak
kohësh besoj se do ta pëlqejnë. Unë punova me ndershmëri, po dua të të them se
unë nuk i marr paratë. Po ta përsëris se unë nuk i marr paratë.
Lugët dhe pirunjtë u ndalën. Nuk po tringëllinin më. Jorgua ndërroi fytyrën. I
preku pak paratë të vëna në tavolinë. Ai ishte besimtar i devotshëm i fesë
ortodokse. Në një kishte pranë fshatit ishte kunguar që në moshën 5 vjeç.
-Çfarë thua more Stavros? Ti punove. Cili punëtor mund të mos marrë paratë e
punës së bërë? Ti ke fëmijë, ke grua. Ke një jetë që kërkon para.
Lutfiu e priste këtë reagim të Jorgos. Pak rëndësi kishte për të. Ai herë pas
here i hidhte sytë shtëpisë së ndërtuar gati nga e para, luleve, pusit me ujë
të freskët, dritareve, kurorës së ullinjve, përrenjve që gurgullonin pranë.
-Po, e di se puna duhet paguar. Edhe kur është bërë me djersë të ndershme, edhe
kur bëhet shkel e shko. Po unë nuk mund të marr paratë e tua, more Jorgo. Nuk
mundem. Sikur edhe një kafshatë buke të vetme të kem në shtëpi. Për tre muaj me
radhë unë nuk kam ndërtuar shtëpinë tënde, po kam ndërtuar shtëpinë e gjyshit
tim, Madanit, të babait tim Servetit. Shtëpinë time e të vëllait tim Ilirit që
është në Shqipëri. Është shtëpia e fëmijëve të mi Blerinës dhe Hajriut. Unë nuk
jam Stavrosi. Nuk kam këtë emër që ma thatë për kaq kohë që isha këtu. Nuk më
kanë vënë këtë emër prindërit e mi. Asnjë njeriu në botë nuk mund të paguhet kur
ai ndërton shtëpinë e tij. Kjo është shtëpia e të parëve të mi. Unë e kam
ndjerë frymën e tyre për tërë kohën që kam qenë këtu. Kur kam fjetur e kur kam
qenë zgjuar. Kur kam punuar e kur jam shplodhur. Kur kam parë nga deti e kur kam
parë nga mali. Kur kam kënduar nën zë e kur jam lutur për shpirtin e tyre. Mbaji
paratë, Barba Jorgo. Janë shumë e mund të të duhen për halle të tjera se shtëpia
asnjëherë nuk ngopet me para se i ngjan një deti.
Jorgua mbeti edhe më i ngrirë se më parë. A mund ta mallkonte këtë njeri?? A
mund ta denonconte në polici? A mund ta ndalte atë njeri që të mos ikte dhe ta
ndëshkonte për atë që po thoshte? A mund.. ?
Lutfiu iku menjëherë. Kishte mbetur pas ajo, Shtëpia e Ëndrrave, që ai kishte
nisur që ta ndërtonte që kur gjyshe Ildizja i këndonte në shtrat: “Ta ta ta
djalën/ku do veç me nanën /do vemi me ta ta ta /do vemi te dajua/nani nani
djalën/ku do veç me babën”. Që kur hodhi hapat e parë rrugën që të dërgonte
drejt detit që i dukej si një dorë e stërzgjatur që e dërgonte më shpejt se
duhej në Çamëri. Që kur mësoi vetë këngën e parë ku kishte aromë manxurani që
gjyshja nuk harronte asnjëherë ta mbillte në një vazo bashkë me borzilokun.
Vërtet ku e kishte shtëpinë e vjetër dajkua i tij? Ku e kishte shtëpinë gjyshi
madan? Xhixho Dauti? Xhixho Serveti…? Hamiti?…Besimi?….Ku ta gjente një hartë të
stërmadhe që ua kaonte edhe atyre më të saktat që të bënte një hartë të madhe të
këtyre shtëpive që ishin bërë si skelete të rrëzuara gurësh rrëzë ullinjve..
Kishte mbetur pas shtëpia, për të cilën Gjysh Madani i kishte folur një jetë të
tërë derisa kishte vdekur e ishte varrosur në Kodrat e Babicës me amanetin e
parealizuar për t’u varrosur në Arpicë, buzë detit. Gjyshi që i kishte dhënë në
dasmën e tij urimin e ngrohtë: “U bëfsh i mirë, more bir, për shtëpi e për
Shqipëri. Për Shqipëri e për Çamëri!”. Tani që ishte rritur e kujtonte edhe
mësuesët që e kishin mësuar deri në shkollë të mesme. Lutfiu mendonte se gjyshi
Madani ishte një mësues shumë i mirë i gjeografisë. Të paktën asaj të Çamërisë.
Nuk kishte nevojë që të tregonte në tavolinë apo në mur një hartë të kësaj
krahine. Jo, çdo fjalë e tij ishte si një këngë, e ai dukej saktësisht si një
cicëron i pagabueshëm.
Kishte mbetur pas Arpica me ullinj. Kur frynte era e detit, atij i dukej sikur
këndonin. Sikur këndonin një ninullë të vonuar për gjyshe Ildizen e për baba
Madanin. Ajo, Arpica, e mbushur e legjenda që ai i dinte të gjitha, por që nuk
mundi t’ia thoshte Jorgos që rrinte atje në atë tavolinë me paratë të shtrira si
jetimë që kërkonin dyert e vërteta që t’i merrte e t’i dërgonte atje ku donte
djersa e derdhur. Qëndronte të memecëruara një shuk me marka në tavolinën e
mbushur me ushqimet më të mira që mund të kishte një sofër, një festë shtëpie,
një tavolinë miqsh. Një vatre që do të ishte më e ngrohtë këtej e tutje. Më e
bukur. Më madhështore. Pavarësisht se kë kishte pronar në atë ditë e se kë do të
kishte pas pak kohësh. Një gotë verë e papirë, një mish i pjekur që po ftohej e
nuk kishte duar që të merrnin e të shijonin shijen e malit.. Lutfiu po ikte duke
lënë pas një shtëpi të bukur. Kur të vinte një ditë si pronari i vërtetë i këtij
kulmi shtëpie me shokët, me vëllezërit, me kushurinjtë, ai do të mburrej pak me
veten. Ata, të tjerët, që do të vinin duke puthur pragjet e gërmadhave atë ditë
do të shihnin Lutfiun që do ta kishte të re shtëpinë e tij, të babait, të
gjyshit e të stërgjyshërve që nuk i njihte me emër. Të gjitha shtëpitë që ai
shihte e që nuk mundi që t’i ndërtonte dot, ishin të vëllezërve të tij. Nuk
kishte më Stavri. Ishte Lutfiu, djali i Ziniut dhe nipi i Madanit, ishte djali i
Shelesë dhe nipi i Ildizesë. Të dyja e kishin varrin në Babicë, po do t’i donte
që ta kishin atje ku ai kishte ngritur një shtëpi të re. Shtëpinë e Ëndrrës së
tyre. Një ëndërr që nuk ishte më ëndërr. Dhe as që do të ishte më kështu. Jo, e
kishte lënë pas atë emër atje, në ditët e mbushura me djersë. Me pagjumësinë më
të bukur që mund të provojë një njeri, një minator, një kërkues sekretesh , një
..
Gjyshja e mirë Ildize asnjëherë nuk i këndonte të njëjtën këngë kur ai flinte .
Shumë prej vargjeve të tyre ai kishte dëshirë që nganjëherë edhe t’ua tregonte
shokëve dhe shoqeve të klasës. Me shokët e bënte në gjë të tillë kur luante
pasdite apo edhe në bregun e Plazhit të Vjetër të Vlorës. Vetëm disa minuta e
ndanin shtëpinë e tij nga ky plazh e lojërat që bënte me shokët ia rrisnin edhe
me shumë dashurinë për gjyshen që e priste te dera apo edhe e përcillte me një
copë bukë në duar për ta ngrënë atje para lojës. Nëna e tij shkonte në punë dhe
gjyshja e bënte po kaq mirë edhe detyrën e saj, por edhe të nuses. Po gjyshja
nuk jetonte më kur ai mori rrugën e Greqisë. Edhe gjysh Madani. Ai shkonte
shpesh dhe i vinte nga një tufë me lule në secilin varr. Rrinte i menduar para
tyre, kujtonte në nga një të gjitha fjalët, porositë, këngët, gjellët që gjyshja
gatuante. Vdiqën?
Jo, Lutfiu i kishte të gjallë me të gjithë ditët që kalonte, me ditët që priste
në mëngjes apo i përcillte mbrëmjeve. Edhe vete gjale ishte gjale qe te ngrinte
edhe shtepi te tjera . Kulla te tjera si i thone ne Kosove. Te hapte puse e te
mbillte ullinj. Tw krasiste deget e tyre te thara, te stiste muret e oborreve.
Te mblidhte sheget e pjekura ne vjeshte. Te rregulonte luturvine e vajit qe do
te behej.
Kishte mbetur pas Shtepia e Endrrave, por ai e kishte para sysh . E kishte marre
ne duar, ne sy, ne zemer, tek e kishte perkedhelur ngadale çdo gur, çdo fije
bari, çdo strehe.
Qershor, 2011