Një vit pa Bekim Fehmiun
Kujtesë për artistin shqiptar me famë botërore Bekim Fehmiu
Nga Namik Selmani
Po të jetonte, në datën 15 qershor do të ishte 75 vjet. Po ai e këputi atë vetë
në një vit më parë. Duke ecur në buzë të Lumëbardhit të Prizrenit me kolegë
poetë shqiptarë e të huaj nga shumë shtete të botës, në një Festival
Ndërkombëtar të Poezisë “ Drini poetik”, më lindi një dëshirë e veçantë. Do të
doja një çast të ndalja valët e qeta të këtij lumi fjongoblertë për të parë pak
hi nga ai trup artisti që pas qindra dëshirave të realizuara e të parealizuara
pati edhe një dëshirë të findit që hirin e trupit të tij ta hidhnin në valët e
këtij lumi, në këtë qytet që ka bashkuar sa e sa poetë luftëtarë, njerëz të
dashuruar ..Ai jetoi disa kohë në këtë qytet e ka ende disa prizrenas të moshës
së tij që e kanë patur shok klase dhe shok mëhalle, si thonë vetë ata
Një rastësi e dhimbshme. Lindi në qershor e vdiq po në qershorin e 74-t të
jetës së tij. “Nëna më ka lindur me pëlhurë në ditën e hënë pasdite në orën 6 e
30 , më 1 qershor 1936 “Nova mëhalla” ( Mëhalla e Re) –shkruan për veten e tij
vetë aktori Si për të sfiduar të gjithë dimrat që ia prekën ditët e tij, herë
të vrullshme e herë të misterta Të asaj jete me aq lëvizje, pasion, zhgënjime,
lavdi të merituar që vjen nga aftësia e tij e pakundërshtueshme. Një shqiptar i
mirë, edhe pse vdiq me një peng të madh të deklaruar shumë e shumë vite më
parë: “Ah, sikur të mësoja më shumë shqip”
Shikoni stacionet e jetës bekimiane! Sarajevë, Beograd, Francë….Aq sa ne, por
edhe të tjerë që kërkonin që të mësonin edhe për paskuintën e jetës së tij, nuk
e dinin se ku banonte saktësisht pa thënë se informacioni për të në atë pakëz
dritare informative që na jepej, mungonte tmerrësisht, dhembshurisht,
tragjikisht.
I ardhur nga Sarajeva, ai do të ishte në Beograd mishërimi më i mirë i
shqiptarizmës. Do të bëhej aktori më i miri i ish Jugosllavisë. Më i miri në
Ballkan e, më tej, një ndër personalitetet më të spikatura të artit filmik
evropian e botëror. Një aktor i pëlqyer dhe i tejkërkuar nga regjisorët më të
mëdhenj të kohës kur ai ishte në kulmin e talentit të tij aktorial. E kurora
më e ndritshme e këtij shqiptarizmi është “sakrifica‘ e tij e mosaktrimit që
ishte shenja më e spikatur e rebelimit ndaj atyre që merrnin më këmbë interesat
e Kosovës. Dikur, në një gazetë ai ka thënë “Kam dashur në jetë që të ndryshoj
njerëzit.”. Nuk ka shprehje më të qartë të misionit për një aktor. Një moto që
do të ishte model udhëpërshkrimi edhe për shumë e shumë profesionistë, duke
përfshirë të parin ata të politikanit. Po, ashtu si edhe te filmi i njohur
“Odieseja“ që kërkon pa fund mes sa e sa peripecive Itakën, ai ka kërkuar më
parë e më pas një “Itakë “ tjetër, atë të dashurisë për njerëzit e, mbi të
gjitha, atë të të qenit shqiptar. Dhe ku, në mes të Beogradit. Aty ku nuk
ngurron që të mbrojë të drejtat e kosovarëve nga një kohë ku, si thotë ai,
“mbizotërojnë tanket”. Një ballkanas i mirë dritëlargët në shikimin e tij
kulturor dhe misionar i antiluftës, Bekim Ibrahim Fehmiu. Një sfidant i madh si
asnjë tjetër i asaj shprehjeje se “Balkani është fuçi baroti”. Ka patur një
grua serbe si për të krijuar atë hartë sociale që edhe sot e kësaj dite duket
paksa utopi. Pa harruar që njërit nga djemtë e tij ta quajë “Uliks”. Në kërkim
të një Itake të pagjetur kurë ky Bekim Fehmiu. Me dëshirën e madhe që dikush
t’ia bekonte lumturisht ditët e jetës së tij , të kombit të tij aq të
përvuajtur. Mbase atë që ai nuk po e gjente jo vetëm në atë kohë, por edhe
nesër, ku ai do të ecë në ca shtigje të tjera hyjnore me një pistoletë pranë
shtraiti dhe me një trup të gjakosur në një dhomë. Diku në një lagje beogradase.
Ai nuk e ka gjetur akoma Itakën e artit të tij, të ndjenjës së tij të mbushur me
aq përbotshmëri. Ndoshta do ta quanim atë jetë një paralelizëm edhe me rolin e
parë të ciganit që ai luajti më 1966 e që quhej “Unë nuk kam parë një cigane të
lumtur”
Me këtë rast m’u kujtua një ngjarje që atij i ndodhi para se të luante një nga
filmat e tij për ciganët. Në rininë tonë të këndejkufirit shqiptar kur Kosova
ishte me telat e klonuar, të gjithë informacionet për të ishin shumë të
gjymtuara po aq sa edhe tani, edhe pse ka shumë mundësi për të bërë të kundërtën
nuk është bërë aspak e mjaftueshme.
Iu desh që gati një vit të jetonte fizikisht me ciganët , me mënyrën e tyre të
jetesës, me ritualet e tyre njerëzore. Dhe kur një ditë ai kthehet në shtëpi, e
prish bukurisht ritin e një njeriu të edukuar duke ngrënë me duar.
-Ç’po bën? - i kishte thënë gruaja e tij Branka Petriç
- Mos më fol e mos më shiko se çfarë po bëj. Jeto edhe ti me lumturinë time.
Jam më i lumturi i botës që për shumë kohë duke qëndruar te romët kam marrë atë
që më më kërkon një film për ta. Edhe vetë jeta e tij familjare por edhe
artistike i ngjane një jete të romëve duke lëvizur gjithkund.
Bekimi ynë me gjak nga Gjakova, me genin më të mirë të një babai shqiptar si
Ibrahim Fehmiu. Me një frymë shkodrane që e shoqëroi gjithë jetën do të
ndërprste rolet e tij aty rreth vitit 1990. Të mbetet në sy ai emocion që ai
pati në vizitën e tij në Shkodër mes shkrimtarëve dhe aktorëve shqiptarë të sj
kohe.Po bëhej vizitor në shtëpinë ku kishte jetuar për pak kohë. Ai dhe
prindërit e tij.
Në atë kthim më shumë se nostalgjik ai kthyer në legjendë me të gjithë rolet e
tij në një periudhë prej rreth 30 vitesh në skenat më të mëdha të botës. Ishte
dhe mbeti një nga gurët më të rëndë të artit kombëtar shqiptar.
Me 20 filmat e tij ai u radhit ndër më të njohurit e kontinentit. Duke ndjekur
arkivin fotografik të Bekim Fehmiut më bën përshtypje një foto ku ai ka dale në
pranë një monumenti kushtuar artistit të madh Aleksandër Moisiu. Të vendosur në
dy kohë njëri në gjysmën e parë të shekullit XX e tjetri në të dytën e këtij
shekulli, e dërguan artin shqiptar të aktrimit në maja të larta.
Ai ishte vetëm 55 vjeç në atë kohë kur para një gazete serbe në Beograd pa asnjë
droje do të bënte një deklaratë që do të ishte në një farë mënyre edhe “një
pasaportë e përjetësisë së tij: “Jeta e njerëzve në këtë rajon dhe në Kosovë,
sidomos, vetëm e lehtë që s’është. U bënë vite që refuzoj të luaj dhe e mendoj
se do të vazhdoj të refuzoj. Për shkak të gjithë këtij ferri e kam humbur
kuptimin e profesionit, dhe përderisa aktrimi për mua nuk ka kuptim, nuk kam
dëshirë që të huaj”
Ishte koha kur në ish Republikën Federative të Jugosllavisë po shpërbëheshin
shtetet përkatëse dhe në Kosovë u bë një shpallja e Pavarësisë së saj.
Po përsëritej pikë për pikë tragjedia e e mungesës së artistit të vërtetë në një
kohë kur ai ishte më se i nevojshëm për skenën e për kombin tonë. Para 20
viteve do të befasoheshim me Lasgushin e madh që takonte jetën e përditshme në
vetmi të plotë ku në vend të njerëzve ai do të ndiqej nga një qen besnik si
Guci.. Kështu do të heshtëte edhe Bekimi ynë i madh, pa harruar që të bekonte
të tjera maja lavdie për vete e për kombin tonë. Deri sa na dha në kujtesë të
dhimbshme një aktori të madh trupgjakosur me një pistoletë grykënxehtë në afërsi
të tij.
Nëse kërkon që të gjeni Itakën e ëndërruar të Bekim Fehmiut në këtë kohë moderne
ka shumë sekeunca filmike. Me plot gojë prej shumë kohësh ajo do të na mungojë.
Le të flasë më mirë për këtë fjala e loti i mikut të tij Enver Petrovski, të
aktorit Çun Lajçi, por edhe të një aktori shumë të njohur nga Gjakova, aq të
njohur për atë periudhë mbi 60-vjeçare në skenën e teatrit e të filmit, Sulejman
Lokaj, të aktorëve të brezit të tij në Teatrin tonë Kombëtar, por edhe te brezi
më i ri i aktorëve shqiptarë në të gjithë trojet shqipfolëse.
Edhe vetë libri i tij për jetën që kishte kaluar është me një titull që i bën
saktësisht jehonë dritëhijeve të viteve që ka kaluar “E shkëlqyeshme dhe e
tmrreshme”. Si duket , edhe këtu ai ka profetizuar pasjetën e tij që është në
një farë mënyre edhe pjesa e kujtesës së brezave që do të vijnë.
Në Prizren, pikërisht shumë afër vendit ku është derdhur urna (hiri) i trupit të
vdekur të aktorit takojmë albanaologun shumë të shquar të kombit tonë Sadri
Fetahun. Ai na jep një hollësi që na hedh më shumë dritë për Bekimin. Na tregon
se vitet e fundit Bekimi shkonte shumë herë në Prishtinë dhe Sadriu kishte
folur shumë herë me të. Kishin pirë kafe së bashku me muaj të tërë.. Flet edhe
për miqësinë që Bekimi kishte me dhëndërrin e tij Milazim Salihu, që punonte në
kinemanë “ABC”. Madje ai na thotë se Bekimi ia kishte ngarkuar së gjalli vetë
Milazimit hedhjen e urnës në Lumëbardh. Ashtu si ndodhi në të vërtetë
Në moshën 31-vjeçare do të merrte Çmimin e madh “Palma e Artë” me një rol cigani
në filmin “Mbledhësi i puplave” Do të emërohej pak kohë më vonë në Çmimin
“Oskar” Do të shkëlqente me filmat “ Aventurieri” , “Përgjithmonë Julia”. Për të
arritur kulmin me filmin artistik “Aventurat e Uliksit” ku ai do të ishte
rolin e Odisësë. I lidhur fort pas direkëve të anijes së lashtë, ai do të na
shfaqet si një Odise i përjetshëm duke kërkuar Itakën e vet të ëndërruar, Itakën
e mrekullueshme të artit, kërkonte Itakën e një jete të lirë me harmoni të
bashkëjetesës mes kombeve. Dhe ne këtu, të malluar për fytyrën e tij shumë të
bukur, për magjinë e fjalës dhe të interpretimit të tij, e kuptonim aq qartë se
sa shumë do të na mundonte kjo mungesë. Një jetë që njësohej aq saktësisht me
vetë skenat e mbushura me aq shumë konflikte, por edhe me një antiharresë që i
shoqëron shumë e shumë kohë të pajetuara tërë artistët e vërtetë të kombeve në
të gjithë botën.. Ndërsa ne, ne do të kërkojmë një Itakë-Fehmi të përjetshëm.
Një Itakë që mbeti e pagjetur deri sa ai frymonte mes nesh. Një Itakë që shpesh
e kemi brenda vetes e nuk po e gjejmë dot. Aty ku detet e oqeanet me dallgët e
kërleshura na provojnë forcën tonë të gjykimit, forcën tonë të bashkimit edhe
pse gjëmbimi i tyre mund të na gjakosë duart, zemrat. Jeta e vepra fehmijane
është një Libër i veçantë. Një libër që duhet lexuar me vemendje, por që
asnjëherë nuk duhet që të na thajë krenarinë dhe dhimbjen tonë se dikur e patëm
brenda nesh, u bëmë pjesë e magjisë së zërit të tij.
…. Tani po jetojmë magjinë e mungesës .
Kontakti
namikselmani@yahoo.ca
Home »
» Kujtesë për artistin shqiptar me famë botërore Bekim Fehmiu





