Hamilton: Gara për titull ka mbaruar

Lewis Hamilton ka pranuar se titulli i Formula 1 është jashtë duarve të tij, pasi ngasësi i Red Bull, Sebastian Vettel, shënoi edhe fitoren e gjashtë në tetë gara.
“Mendoj se vërtet ka përfunduar. Në kuptimin e kampionatit po thuajse gjithçka është e përfunduar”, ka thënë ngasësi i McLaren, i cili përfundoi i katërti në European Grand Prix që u zhvillua dje në Valencia.

Hamilton, i cili ishte kampion i Formula 1 në vitin 2008, mposhti Vettel në Kinë në muajin prill, por ajo fitore ishte arritur me një strategji më të mirë se sa me një veturë më të shpejtë. Ai tash rreshtohet i katërti edhe në renditjen e ngasësve me 89 pikë prapa Vettel.

Gjermani ka 77 pikë diferencë me pozitën e dytë, ku ndodhet ngasësi tjetër i McLarenit, Jenson Button, dhe tjetri i Red Bull, Mark Webber, me edhe 11 gara të mbetura të cilat në maksimum sjellin 275 pikë.