Nezir Prokshi
SHENIM BIBLIOGRAFIK
Gjysmë dekada e katërt
Erdhi me një smundje të keqe
S’linte kope të plotë
E ngordhjet dukeshin kudo
Erë të rëndë kundërmonin
Po gjysëmbota jetonte në shpresë
Për një diell që do të ndriste errësirën
E zhurmshme ia behu dekadë e pestë
Atdheu kish veç ankth, gjemë dhe uri
Djajt zunë pritë, lëmsh i bënin ikonat
Dasmat, festëlindjet, ditët mortore
Vallet dhe këngët e çikave
Lojërat e burrave, këngën e vajin e fëmijëve
Gjithë festonin në ditët pa festë
Dhe liri i thoshin, kohës gjëmë, rrëmujes
Shiut, stuhisë erërave Shprese u thoshin
Dhe ia behu e gjashta dekadë me hije bjeshke
Në kërkim të një dielli ëndërrimtar
“ Kosovë Zog i Diellit “
Mërmëriste Din Mehmeti
Në do shkëndija valëvitëse
Aliu burrërohej e tha:
“Kosova është gjaku im që nuk falet”
Me fjalë e shpirt nëpër dhëmb
Demaçi nisë lojen me “Gjarpit e gjakut”
Dauti me “Plisat e Kuq”
Drenicë e Fazli Greiçevcit
U mbështoll Kuq e Zi
Mbeti përjetësisht nën qiellin yjeplot
Nga derdhej në shi
Ato mote seç u qullnin nga shiu i vjeshtës
Me dhëmbjen e ndryrë në kraharor
Ëndërrimtarë mbetëm
Me sy nga vetëtimat, përflakjet
Dhe s’kërkonim asgjë
Më shumë se dritë
Asgjë më shumë së frymëmarrje
Asgjë më shumë se Liri.
Po zjarri do të mbetet i ndezur
Po amaneti do të përcillët brezave
Derisa të shkrep një rreze -
NJË Diell tjetër në Çyçevicë
Një ADEM të lind
Në Drenicë
HESHTJE E MADHE
Të gjitha ngjyrat e bjeshkës
Peng syrit i mbeten
Rob u zu majeve të pehatura në erë
Kokë e copëtuar e zogut
Shekulli i shpresës durimit iku
Ti gomar i njëmbëdhjetë vjetëve
Ndal ëndërrat e liga
Zbrit në tokën ku bie shi borë ku bie
Ku rritet gjethi bari zambaku
Ku bjeshka merrë erë trëndeline
Atje maje majeve në krih Shqiponje
Në Lubotenin plisbardhë
Bëj një lutje nga tokë e Arbërit shqip
Freskohu me ujëkroi
Blegrimën e deleve dardane
Tingujt e këmbonave dëgjoji
Grykave gjëmë le të bëhet
Kënga që mbulon arkivole
Fushave le të zbresë
Se nata troket nëpër varre
Ndiz kandilat e lotëve se droj
Do ta plagosë orkestrën e qetësisë
Kaloi kohë e shekullit të egër
Një lutje për Kosovën bëje shqip
Le të shërohet ngadalë
Mbretëri e ëndrrës
Drenas, 31.07.2005
GJITHÇKA NË SHITJE
Gjithçka shitet
Dheu bari guri lulet buka ujë mishi
Me këngën me vain me shpresën
Mishi i gjallë shitet
Koka flokët syri buzët gjinjtë tambëlsore
Edhe zhurma shitet
Gjithçka gjithçka është hedhur në shitje
Toka shtëpia qielli retë
Oh edhe shiu shiu i diellt i përflakur
Vetëtima gjaku i gjithë trupi ijet dhëmbët dhe
Dhemballët Madhëri janë në shitje
Zoti qiejtë tensioni i lartë tensioni i ulët
Hidhërimi zemërimi stresi virtyti shpresa mjerimi
Rrena besa Oh edhe Besa fjala të gjitha të gjitha
Me krismat shiten
Fajdja këstët janë vënë në shitje
Mishi shitet mishi lopës mish i gomarit
Mishi i lepurit mish i dhelprës
Mish i breshkës gjarprit i gjallë shitet mishi
Mish Brazili, mish Kosove,Shqipërie edhe nga
Korpatet edhe nga…
Mish njeriu, mish derri mish qeni gjithçka gjithçka
Është në shitje
Lëkurë viçi lëkurë lope dhije deleje
Lëkurë kaprolli ketri lëkurë miu
Minjtë e arës minjtë e shtëpisë të shpellave minjtë e galerive
Lëkurë gjarpri hardhuce, lëkurë mace qeni
Lëkurë krokodili ujku lëkurë
Njeriu majmuni lëkurë pule vjedulle
Lëkurë djalli o zot edhe gjarper i gjallë
Më një sy me flok bollë e shtëpisë
Gjithçka shitet hapësira universi
Dallgët erërat stuhitë ciklonet
Deri edhe stuhitë diellore.
O Zot…
Tiranë,Gusht 2005





