TI s ' mungon asnjë ditë....

ÇDO PËRËNDIM MË VDES NGA PAK‏


Nuk kam hedhur mbrapa gurin,
As me kënd s 'kam lënë mëri.
Bukurosheve u shkelja syrin
Dhe kjo ishte çapkënlli.

Çdo perëndim më vdes nga pak,
Ditët treten një nga një.
Njëlloj e vitet... Atje larg,
Pyllit tim i shtojnë gdhënj.

Nëpër ëndrra zbardh dëbora,
Rënkojnë trarët nën çati.
Lëshon lotët pjergull' gjora,
Kra-kra-kra një korb i zi...

Nga përtej më bën ca shenja,
Flokëlëshuar, ç' më ngacmon?
Ç' djall t'i shpleksa ato krela,
Dhe gërshetat si vargonj?!

Mbrapa gurin nuk kam hedhur,
Një mëri unë s' lashë atje.
Veç meraku më ka brejtur,
T' ishim thinjur në Atdhe.


PEISAZH DIMRI PAS MESNATE

Krëk-krëke dërgon thellësi e pyjeve,
Dimri rëndon edhe trarët ankohen.
Spërkatur gjithësia me kristalet e yjeve,
Gjer tej, ku malet me qiellin takohen.

Thik’ e erës skalit pirgjet e bardha,
Dëborën e ngjesh dhe mbi gjerdhe e hedh.
Përmes skalizmave si kafshë të gjalla,
Një dhelpër e hutuar rrugicave sonte bredh.

Çati dhe oxhaqe mbuluar nga dëbora,
Perëndeshë e virgjër shëtit shpate e kodrina.
Pemët nusërojnë dhe se ç’ bëjnë ca nojma,
Pagjumë lënë vajzërinë që përgjon nga kortina...

Befas, zëplotë ja mori këndesi i parë,
Oxhaqet frymojnë me gushet e tymit.
Mbi trungun e vjetër cak-cuk një sëpatë,
Dhe amvisat e fshatit nxitin zjarret e dimrit...

1970

MBRETËRIA-MËMËDHE

Sikur të mos kisha marë rrugët e kurbetit,
Në vëndlindjen time mbretërine do t’a ngrija.
Gjoksin të nxirrja e të mburresha si mbretërit,
Te isha zot i asaj vatre me prush e shkëndija.

Të isha mbret i pyjeve dhe mbret i maleve,
Asnjë burim nuk do t’a lija pa e puthur.
Me mikun do të hapesha kur të kisha halle,
Në mbretërinë e tij, askush nuk ka humbur!

Mbret i kodrave dhe mbret i fushave të isha,
I vlagës magji në brazdën e porsahapur.
Femijeria, princ i korijeve me dushqe e lajthishta,
Dhe dashnor i natyrshëm me ato që kam dashur.

Mbreti nuk ka frikë kur vjen ver’ e thatë,
Me mbretërit e tjerë, aty ku buron Devolli.
Lumit famëmadh, t’i ngrinim tjetër sfrat
Dhe askush mos mërzitej për arat që mbolli.

Qejflinjte do t’i mblidhja atje, ku pikon rakia,
Zëlartë t’ja marim këngëve tona të vjetra.
Princave tanë t’u themi se c’ligj bën dashuria,
Dhe ç’janë iluzionet dhe ç është e vërteta.

Kontinenteve të largëta, tej oqeaneve të kripur,
Për mbret e për princ nuk gjëndet një këmbëdhe.
Mbretëri e paqësisë është ku je lindur dhe rritur,
Dhe kjo mbretëri, shqiptarçe, quhet Mëmëdhe!

HËNA PLOT PESËMBËDHJETË


Shkau mesnata, hëna pesëmbëdhjetë
Edhe hijet e natës i spërkat me flori.
Sofatet e drunjta s’kanë mbetur shkretë,
Bijen kitara dhe këndojnë ca të rinj.

Trishtuar ri plaku. I ve ai ka mbetur,
Duart pleksur mbi harkun e bastunit.
Vështrimin pleqëror në qiell e ka tretur,
Për hatër të hënës, ka shtyrë orarin e gjumit.

Rrezaton florihëna dhe kthjellon sytë e tij,
Mbi kulmin e catisë sonte ka qëndruar,
Soditmë, sikur i thotë, nga larg për ty po vij,
Dikur ke qënë capkën, o plak i vetmuar!

Nënqesh pleqërishte dhe zemra i troket shpresë,
Sa vite, muaj, a ditë, i kanë mbetur akoma?
Nën hënë ka lindur dhe hënë do kur të vdesë,
“ Si sonte, o Zot, -psherëtin- mos harro, dërgoma!...”

Florizon hëna mbi harkun e bastunit,
Yll’i Mëngjesit u tret në sytë e tij të mekur.
E plotë, pesëmbëdhjetë, kjo ishte hën’e fundit,
Ndërsa kitarat tingëllonin me telat e dredhur...

MAGJIA E KËNGËVE TË SERENATAVE

... mos pandeh se s'gjej një tjetër...
Shigjeta dashurie nga serenatat vijnë,
Gërvishtin koren e plagës së vjetër,
Kryqëzohen shikimet dhe aty ngrijnë,
Lulebardhat e dimrit të qelqtë.

...që t'a ketë syrin e zi...
Bebëzat errëson nën të lagurit qerpikë,
Dyshimet gjurmohen marrëzisht!
Yll'i mekur afrohet dhe lëshon drite,
I harruar n'errësirë, cuditerisht!

...veç buzëqeshja jote e ëmbël...
Mbi buzl cel lulen e vonuar,
Magjilulja kthen femrën në ëngjëll,
Flladon dhe ndez thëngjijte e shuar
Dhe vatrën e ngrohtë t'a sjell në prehër...

E TRISHTUARA

Përherë e trishtuar, kështu e mbaj mend
edhe flokët porsi vurbulla reje.
Në zemrën e saj s'pati një copëz vënd,
për një tingull kitare prej meje.

Përherë e trishtuar. Ajo s'qeshte kurrë,
as ditëve e netëve pranverore.
Në lojën dritëfikur " grua dhe burrë",
ish m'e ftohta stinë dimërore.

Përherë e trishtuar, herë vinte dhe ikte,
mjegulla asnjëherë s'ju nda.
Ca vorbulleza më ndjekin mua ndër vite,
nga trishtim'i cuditshëm i saj.

HERËS TJETËR S'DO TË MUNGOJ

Kur unë mungoj disa orë,
diku do të jem penguar,
klubit plot tym, me hamejte e gjorë,
pi raki me cironka fërguar.

Kur unë mungoj edhe një ditë,
patjetër dergjem diku,
i dehur të vij, nga unë ti ke frikë,
këndoj e flas kuturu.

Mbase s'mund të vij dot as sonte,
njëmijë dyshime mbaj ti,
rrodhe, gjithë veset e kësaj bote,
i jane qepur të dashurit tim.

Përgjon errësirën dhe pret drithëruar,
kërcitjen e portës së vjetër,
ti s'ke pse t'a gdhish më natën e zgjuar,
une s'do të mungoj heres tjeter.

SHKEL PELLGASHET SI DHËNDËR I PRAPË

Hëna pellgasheve është shumuar,
kalldrëm i pafund me pogaçe.
Unë dhëndr'i varfër, eci menduar,
s'kam as dollibash dasme.

Përmbi pellgashe dredhoj kokëulur,
mbase sonte e gjej një gjerdhan.
Për gishtin tënd, unazën më të bukur,
por s'kam flori asnjë gram!

Hëna gremiset atje lart mbi kodrina,
e florinjta pemëve ka ngecur.
Hajdutçe e ndoqa, qiellit u kacavira,
dhe hënën e ngjesha nën sqetull.

Leshoj pllazin n'errësir , as dua t'ja di,
pogace s'më duhen këtë natë.
Nën sqetull shtrëngoj hënën e nxehtë flori,
shkel pellgjet si dhëndër i prapë!


ËSHTË NJË NATË SI GJITHË TË TJERAT

E padurueshme mbërritja në shtëpi,
Ditëgjata tërhiqet llastikë,
Lodhja kërkon prehje e qetësi,
E njëtrajshmja shfaqet cdo ditë
Dhe hënorja blasfemi.

Sërish turbullira për ata që i kërkuan,
Mbikoha paguan haraçin e tërbimit,
Në daç per te rindërtuar,
Formulën e ozonit drejt shkatërimit,
Planeti në blu tjetërsuar.

Tymos cigare në oborrin e pasmë,
Shqetësimet i lë në thithjen e natës.
Kështu dhe euforizmin e një dasme,
Dhe klithmën briskprerese të gatës,
Mes vringëllima metalesh.

Lodhja m’i kthen sytë nga shtrati,
Prehet shurdhërimi me pakëz naivitet,
Vecoj ëndrrat sfondblu, ku fati
Gjahtar i regjur në natën që shket.

2006

NENA

Më pret gjithnjë tek prag’i portës,
Duart nën përparëse sikur fsheh dicka,
Njëlloj si nënat në mëhallet e botës,
Nëna ime, e plakura.

Ndodh që kthehem vonë nga puna
Pret dyshimzëmërdredhur.
“Mbasi im bir pi raki me cunat,
dhe sonte vjen në shtëpi i dehur”.

Njëmijë këshilla mban në gjuhë,
Pret sa të kaloj pragun e portës,
Por, oh, sa shpejt i kalon ai duf!...
Njëlloj si nënat e mëhallëve të botës.

1980

HESHTJA ËSHTË ZOTËSI E GRUAS SË HESHTUR


Ndarja e punëve gjymton ato dëshira,
Ndër vite iluzive me kotësi mbuluar.
Në fillesën e ëndrrës shpërrthen dashuria,
Në konusin e rritjes gjithnjë ka kërkuar
Largimin e anemisë që sjell errësira,
Me pluhur dekadash ngarkuar.

Hije të heshtura përqark venë e vijnë,
Janë kuajt e kaltër në vrahun e jetës,
Bukën e përditshme në vrahe shijnë,
Përzgjedhin majanë me instiktin e bletës,
Mes lulesh dimërore, ku shpesh ngrijnë
Kotësitë e të vërtetës.

S’ka pse t’i lësh dëshirat në harresë,
Rizgjimi yt vjen me cicërima sqepverdhësh,
Shpalosja e flatrave përreth folesë
Me të parën krenari imitim shpendësh,
Endet velloja e padukshme në rrathë dehëse
Me fije të magjishme shprese.

2006


ENIGMA E MADHE

Ç’prill marroz bën në Alaskë!
Bardhesi vrastare. Mbi gjigantin ajsberg,
Trupin e akulluar ma ndez një kuqalashkë,
Mulrlan i tërbuar mbi ne dëbore hedh.

Me duart e saj me thuri mokasina,
Të etur ramë pas gjurmëve të Londonit.
Me harta të vjetra kërkonim nëpër humbëtira,
Jatakun iluziv mbi flori cdo natë e shtronim.

I lodhur, mërdhirë, mbështjelle me lekurë,
Londoni inatçor më shkul veshin e thërret fort:
-Me Ethet e Floririt mos u bëj dhëndër kurrë,
Në jatakun e gënjeshtërt nuk zgjohesh dot!

Plasaritur është qielli, me ca yje të cifluar,
Thërmohet Kasht’e Kumtrit diku mbi Dauson.
Habitem: “Kaq larg, o Thani, ç’dreqin ke kërkuar!”
Dhe hëna anemike mbi kokë më mërmëron....

2007


MËNGJES I FLORIZUAR

Thëllëzkat e n’cuara ia morën këngës,
Firon nata nëpër korijet.
I përhimti agim shtrin drapërin e hënës,
Kosit pllajave dritëhijet.

E kaltra qiellore po shkrin e venitet,
Yjet treten porsi thëngjij.
Hën e gjysmuar lëkundet e përdridhet,
Florizon mbi kashtë dhe kallinj.

Florizon çatitë dhe kalldrëmet e fshatit,
Përmes kortinave shkon e vjen.
Dhe kur dielli drtitëson kokën e shtratit,
Dalt’ e qerpikëve ëndrra gdhend.

1972

MANTELI MË I BUKUR NË BOTË


S’përgjova diellin kur u fsheh pas shpatit,
Muzgu grizoi pyllin dhe me nxit për rrugë.
Si fshatar i regjur unë gjej rrugën e fshatit,
Mar rrjedhën e lumit mbi zhavorre dhe gurë.

Pllaq-plluq nëpër ujra dhe mes lumit ndal,
Kur do t’ia dëgjoj sërish zërin fëshfërimës?!
I mbërthyer mbeta brenda guaskës – metal,
Zhgënjimpërzhitur nga stina e brymës...

Ndjeva se ky cast ishte gjumi im më i gjatë,
Klithma e mëllënjës nga hutimi më shkund!
Ngadalë muzg’i mbrëmjes po zbriste mbi fshat,
Më të bukur mantel nuk kisha parë kund!

2007

SHËTIS RRUGICAVE, FSHATI SHKRETË

Shëtis rrugicave, fshati shkretë,
Çapitem mbi kalldrëme porsi plak.
Hëna përndjek dhe syri i saj nga retë,
Shënja më bën dhe mbas reve fshihet prap.

Paqtia – braktisje, fshatin ka mbuluar,
Asnjë qen nuk leh. Gjithësia pipëtin.
Rrugicave të njohura dikur kam lodruar,
Edhe gurët ua kam dashur, njëlloj si vajzërin.

Sa shpejt u rritën djemtë edhe vajzat sa shpejt!,
Pleqtë e dikurshëm, (ehu!), janë tretur qëkuri!
I përlotur shëtis në fshatin tim mbetur shkret,
Braktisja më bren mua dhe sofatet prej druri...

Leviz nje hije...mbase është koti vizion,
Një plakë dërdënge, me gjuhën shpoti.
Në xhepat e përparëses arra dhe oshafe kërkon,
Cinglamingla dhe... gjithe fëmijëria futur aty!

U shfaq dhe një siluetë me ecje drenushe,
Nallënet e drunjta trokuan mbi gurë.
-Ndiqe!- më pëshpërit plaka djallushe,
Dhe bëje atë nuse, bëju edhe ti burre!

Prisni!... Mu bë se pas xhamave dikush përgjon,
Njoha gërrshetin e asaj që kam adhuruar!...
Lëvizin kortinat...Mos gjë hëna sonte frymon?
Dhe tallet nga qielli me yje arnuar?!...



Miku im,shkrimtari i mirënjohur shqiptar z. Thani Naqo ka lindur ne vitin 1953, ne Ziçishtë te Korçës. Ka mbaruar fakultetin e lartë Ekonomik si dhe kursin pasuniversitar,pranë Institutit të Arteve Tiranë në degën e skenarit të filmit artistik.


Tregimet e para i ka botuar qysh kur ishte në bangat e shkollës së mesme.
Ka botuar dhjeta  vepra letrare: Vëllime me tregime dhe novela “Shtëpia e përgjumur”-1977,”Kabina e kuqe”-1985,”Vatra njerëzore”-1987, skenarin e filmit artistik ”Përseri pranverë”-1985, vëllimin me lirika “Fate paralele”-2006, romanin “Përgjumje iluzionesh”-2006, vëllimin me lirika “Sinfonitë e stinëve”,romanin "Murmashët","Çapkënet e mëhallëve të botës"  Thani Naqo ka emigruar ne SHBA dhe jeton në Florida, se bashku me familjen e tij.


Përgatiti për botim:Flori Bruqi




http://floripress.blogspot.com/2011/01/kumbimi-i-kembanave-ndodh-qe-vononapo.html
http://www.gazetakritika.net/literatur/naqo/murmashet.html