Osama Bin Laden në videot e fundit, i thinjur, i kërrusur e i dobësuar




Osama bin Laden nuk ishte njeriu i fortë që të gjithë kishin parasysh kur përmendnin emrin e tij.Gjatë viteve të fundit, në jetesën në vilën e tij në Abutabad ai shfaqet me mjekër dhe flokë të thinjur, me pak kurriz të dalë dhe i dobësuar. Ndërkohë, SHBA ka kërkuar nga Pakistani që ta lejojë të marrë në pyetje tre të vejat e Bin Ladenit, duke e konsideruar informacionin e tyre kyç për të zbuluar çfarë dinin qeveria pakistaneze dhe shërbimet e saj sekrete mbi fshehjen e Bin Ladenit. Pentagoni publikoi videot e gjetura në vilën e kreut të Al Kaedës, ndërkohë që ai ishte ende gjallë, ku shfaqet duke admiruar veten në televizor dhe duke parë se si përshkruhet në edicionet e lajmeve. Në një nga pesë videot e marra nga forcat speciale amerikane rreth një javë më parë, gjatë blicit që vrau Osama bin Ladenin, ai shfaqet duke u përpjekur të sistemohet në shikim dhe qëndrim për të gjetur pozicionin e duhur, kur bën gati mesazhet me urrejtjen ndaj Perëndimit. Ai ka veshur një rrobë ngjyrë floriri në njërën video dhe e ka mjekrën e lyer me bojë për të mos u shfaqur i thinjur në kamera për të mbrojtur imazhin e tij publik. Në një tjetër video, shihet i ulur këmbëkryq në dysheme, duke parë veten në TV me foton e ndëshkuesit të tij, Barak Obama, duke u paraqitur bashkë me imazhe të sulmeve të 11 shtatorit. Ai ka një batanije mbi supe dhe mban një kapelë të zezë të leshtë. Në dhomë është një tryezë e vogël me një kuti të dyshimtë satelite mbi të. Afër një kompjuteri Osama kishte një set me shumë kufje, ai e kalonte para dhe prapa lajmin e regjistruar kur fliste Presidenti amerikan. Ai po planifikonte sulme të tjera kur u vra. Shënimet dhe materiali i gjetur në kompjuterin e tij konfirmojnë se banesa në Abutabad shërbente si një qendër komande dhe kontrolli nga larg për Al Kaedën. Një rrjet korrierësh i shërbenin atij për të dërguar mesazhet, sepse ai nuk kishte telefon dhe as internet për të evituar lokalizimin. Mes imazheve të pamjes së tij të tjetërsuar, aty kishte edhe një mesazh të ri kërcënues, të quajtur “Mesazhi për Popullin Amerikan”, i cili do të shfaqej së shpejti me figurë, edhe pse Bin Laden kishte që në vitin 2007 që nuk jepte mesazhe me video. Nuk dihet pse ky material nuk ishte shfaqur ende, edhe pse ishte i përfunduar. Të gjitha videot e Osama bin Ladenit janë publikuar pa audio, sepse autoritetet amerikane të sigurisë menduan se audioja e tyre mund të provokonte sulme të tjera terroriste. Në një mesazh të ri të regjistruar pak para se të vritej nga aksioni i forcave amerikane, Bin Laden kishte paralajmëruar se nuk do të kishte siguri në Shtetet e Bashkuara, pa pasur siguri në Palestinë. Mesazhi u nxor në rrjet nga një adresë islamike ekstremiste. Mesazhi i drejtohet Barak Obamës, ku Osama e paralajmëronte se “Amerika nuk mund të ëndërrojë të jetojë në siguri, deri kur të jetojë në siguri Palestina, sepse nuk është e drejtë që ju të jetoni në paqe, ndërsa vëllezërit tanë në Gaza jetojnë në pasiguri”. Themeluesi i Al Kaedës shton se “sipas vullnetit të Allahut, sulmet tona do të vazhdojnë deri kur ju të vazhdoni të mbështesni Izraelin”. Mesazhi përkon me atë që përcolli numri dy i Al Kaedës, Ayman al Zauahiri, kur ai pohoi se Osama bin Laden kishte vdekur dhe se Al Kaeda do të hakmerrej dhe nuk do të kishte paqe në SHBA deri sa të kishte në Palestinë.

“Vrite edhe ti”

Krijuesit e lojërave kompjuterike rindërtuan aksionin e forcave speciale amerikane në shtëpinë sekrete të Osama bin Ladenit, vetëm një javë pasi ai u vra. Në një krijim super të shpejtë, ata imituan kompleksin e kreut të Al-Kaedës, ku lojtarët mbërrijnë me helikopterë “Black Hawk”. Episodi 107, “KumaWar” u reklamua më shpejt për të tërhequr vëmendjen. Aty vritet Osama bin Laden. Tashmë gjithkush mund ta vrasë atë virtualisht.

Obama: Osama, bashkëpunëtorë në qeverinë pakistaneze

Barak Obama ka rritur presionin mbi Pakistanin duke kërkuar hetime nga qeveria, nëse njerëzit e saj ishin përfshirë në një rrjet për të mbrojtur Osama bin Ladenin në kompleksin e tij në Abutabad. Komentet e Presidentit amerikan ishin më të drejtpërdrejtat që ka bërë deri tani administrata amerikane mbi mundësinë e bashkëpunimit të autoriteteve pakistaneze me terrorizmin. Ai tha në “CBS”, në emisionin “60 Minuta”, se Bin Laden mund të ketë pasur “ndonjë lloj rrjeti mbështetës” brenda vendit. “Ne nuk e dimë nëse kanë qenë njerëz brenda qeverisë, apo jashtë saj, kjo është diçka që duhet ta hetojmë dhe, ajo që ka më shumë rëndësi, qeveria e Pakistanit duhet ta hetojë”, tha ai.