I dashur Flori,
Ju rekomandoj ta ribotoni këtë material mjaft interesant, në të cilin hidhet dritë mbi të kaluarën diktatoriale të Kiço Mustaqit.
Përshëndetje.
Eshref Ymeri
**********
Kur qeshim dhe tallemi me të vërtetat
Nga Gëzim Zilja
Më 24 prill 2011 ma dërgoi nga Miçigani me internet zoti Qerim Vrioni
“Zonë e lirë” nuk është nga emisionet e mia të preferuara megjithëse është nga më të shikuarit. Hera-herës e kthej kanalin andej, duke parë se me çfarë po merret drejtuesi i emisionit. Të ftuarit e zakonshëm janë analistë, poetë, politikanë, shkrimtarë, kryetarë partish, qeverish, “ishër”, veprimtarë të ndryshëm, këngëtarë, fallxhorë madje edhe nga “ato” që ushtrojnë atë zanatin e vjetër. Në datë 15.04.2011 ishte i ftuar dhe një ish-ministër mbrojtjeje, i kohës së diktaturës, Kiço Mustaqi, lidhur me një libër për jetën e tij.
Marrja në intervistë e figurave të njohura të diktaturave, e terroristëve, kriminelëve madje edhe e hajdutëve të mëdhenjë, kudo në botë është një praktikë e njohur e gazetarisë botërore. Veçse nuk është kollaj të intervistosh e operosh në studio me figura të tilla. Rrallë ata pranonjë se janë të tillë, por gazetarët profesionistë, me faktet e grumbullura, drejtojnë me mençuri pyetje që i bëjnë ata të rrëfehen, duke zbuluar fytyrën e vërtetë, si njerëz të botës së krimit apo të diktaturave. Kuptohet që këta të fundit nga ana e vet duan ta shfryrëzojnë median për të shpalosur “jetën e tyre të pastër”, se thjesht janë zbatues të ligjit, se nuk kanë të bëjnë direkt me atë që akuzohen etj etj. Kërkojnë si të thuash, të kryejnë një pastrim të figurës së tyre. Është një ndeshje elegante alla kobra–mangustë, midis profesionistësh ku secili ka qëllimin e vet, njeri demaskimin e tjetri pastrimin e figurës.
E vërteta është që analistët apo gazetarët që marrin në intervistë tipa të tillë duhet të gërmojnë gjatë për grumbullimin e fakteve. Në rastin e Çanit, me Kiço Mustaqin ose ka një nëvleftësim ose ka një shtirje “ustai” që di mirë se ç’bën dhe pse e bën. Sepse nuk mund të qeshet e bëhet gallatë në ekran me ish-antarë të byrosë politike, me një ish-ministër mbrotjeje me të kaluar (faktet do t’i rendisim më poshte) të errët. Nëse Çani, e ka thirrur për gallatë siç bën me shumë njerëz të tjerë, ajo intervistë me K. Mustaqin, për mendimin tim nuk duhej të ishte e tillë. Ajo dhemb dhe kushton shumë në ndërgjegjen e shqiptarëve.
U bënë njëzet vjet që në disa gazeta e TV-ra ish-ministrat, ish-gjeneralët e diktaturës dhe vet Ramiz Alia, jepen si prurës dhe bartës të pluralizmit, na jepen gati-gati si heronj, duke shtrembëruar kështu të vërtetën dhe historinë. Shpesh në këto emisione të duket sikur të qëllojnë pa pushim me një çekan në kokë për të të kallur me zor në ndonjë pjesëz të trurit informacionin e pavërtetë se ata janë ashtu si flasin vetë dhe jo ndryshe.
Unë e kuptoj problemin shumë më ndryshe nga ata gazetarë që i shtrëngojnë dorën Ramiz Alisë dhe krerëve të tjerë të ish-diktaturës, që iu luten për një fotografi, që pranojnë gjithë gënjeshrat dhe hipokrizinë e pështirë të tyre, duke menduar se po bëjnë ndonjë gjë të veçantë. Aty jo vetëm që nuk thuhet e vërteta, por shtrembërohet historia ekstremisht, deri sa ndërrohen rolet e viktimës me kriminelin. Dhe po u vazhdua kështu, mund të ndodhë një ditë që në tekstet e shkollave diktatura 40-vjeçare, të na jepet ashtu si nuk ka qenë, si një kohë e mirë me udhëheqës të mirë, trima e patriotë. Kjo për mendimin tim përbën një krim ndaj kulturës dhe historisë së Shqipërisë. Jo vetëm. Nëqoftëse i hedhim një sy ajkës (vetëm ajkë nuk janë dreqi e mori!) së njerëzve që pushtojnë sot ekranet televizive: analistëve, politikanëve në pushtet dhe jo në pushtet, bisnesmenëve të fuqishëm, pronarëve të TV-ve (atyre të vërtetë jo atyre që hiqen për të tillë) do të mësojmë lehtësisht se një pjesë e konsiderueshme janë bijë, bija, nipër e mbesa, të njerëzve më të zinj të diktaturës. Ata sot kanë para dhe pushtet sa të duash. Ata diktojnë sa majtas-djathtas, nderohen e dekorohen nga presidentët, dhe shumë njerëz të ekranit dhe medias së shkruar, janë gati t’u puthin duart, madje edhe prapanicën në këmbin të ndonjë favori a leku. Deri këtu ata janë në rregull me të gjitha, madje edhe me rendin demokratik!
Por këta njerëz të fuqishëm që ndikojnë jo pak sot në jetën shqiptare i mundon e kaluara e gjyshërve, prindërve, xhaxhallarëve, dajallarëve, tezeve dhe hallave të tyre, që i kanë duart të lyera me gjakun e shqiptarëve të pafajshëm. Prandaj me metodat e tyre të stërholluara duan, t’i zbukurojnë, t’i paraqesin të mençur, humanë, trima, dhe natyrisht atdhetarë të mëdhenjë. Madje edhe të bukur fizikisht! Por si thuhet në këtë rast: e kaluara as shitet e as blihet. Ajo nuk mund të ndryshohet, është përherë aty, sado dhe sido ta trukojnë.
Këtë “pastrim” e bëjnë nëpërmjet televizioneve, revistave, gazetave, librave me kujtime, shpesh tepër të shtrenjtë e që i promovojnë si festa të vërteta në salla luksoze, shoqëruar me meze e pije të shtrenjta. Mjerisht jo rrallë ia dalin. Jo me me brezin tim, por me ata që nuk e jetuan diktaturën dhe e kanë me të treguar e me të lexuar. Kjo sjell që rruga plot kthesa drejt demokracisë të bëhet edhe më e mundimëshme dhe e gjatë sa ç’është sot; urrejtja midis shqiptarëve dhe ndarja ende në kampe armiq, të vazhdojë pafundësisht.
Po le të kthehemi te ajo intervistë e dyshimtë e datës 14.04.2011 e Mustaqit, tek “Zona e lirë”. Nuk prisja që Kiço Mustaqi, të kërkonte falje për krimet e diktaturës si një nga përfaqësuesit e lartë të saj edhe sikur Çani t’ia bënte atë pyetje. Asnjë nga krerët e diktaturës, edhe ata që kanë ikur me të shumtit, edhe ata që janë ende gjallë nuk e kanë bërë atë gjest human dhe as nuk kanë për ta bërë: thjesht të kërkojnë falje. Të kërkojnë falje se nuk e dinin, se ashtu ishte ligji, se ishin të paditur, se u vjen keq për atë që ndodhi, se i detyruan etj etj. Le të kërkojnë falje si të duan. Ata mijëra e mijëra njerëz të vrarë, të burgosur, të internuar e sakatuar nga ata, janë të faktuar. Më shumë se kushdo në Shqipëri, ata, ishët e diktaturës kanë nevojë të lajnë e pastrojnë shpirtin. Kështu trashëgimtarët e tyre që sot i gjen gjithandej, do të qetësohen e nuk do të mundohen me mijëra mënyra të na i japin ndryshe nga çkanë qenë. Por sido që të bëjnë e vërteta nuk mbytet dot as në një det gjaku e as në një det genjeshtrash dhe mashtrimesh.
Prisja që libri për Kiçon (e kuptoni, dikush i bën libër në gjallje, monografi, si i thonë, ministrit të mbrojtjes së diktaturës dhe antarit të byrosë politike, duke i ngritur lart figurën!?) të ishte lexuar nga Çani dhe ai të bënte zbritjen midis librit dhe asaj që kishte ndodhur në të vërtetë. U duk ashiqare që libri as që ishte lexuar, megjithëse kryezoti i “Zonës së Lirë” pa u lodhur na grishte ta blinim si një libër interesant për jetën e një njeriu interesant.
Çani, si një njeri i kënduar, duhet ta kishte kuptuar që Kiçua donte të pyetej veçanërisht për vitet 90-91 dhe vitin ’97. Ndoshta dhe e kuptoi po nuk ka dashur.
I kërkoi Kiçua pyetjet “interesante” sepse sipas tij aty kishte dhënë kontribut të veçantë. I donte ato pyetje ish-ministri i diktaturës se donte të pastrohej dhe t’i shkruhej emri në njerëzit që sollën demokracinë, ndoshta ta bënin edhe hero. Meqënëse kjo nuk ndodhi atëherë po jap nja dy fakte për “ndihmesën” e Kiços në ardhjen e demokracisë në Shqipëri dhe veprimtarinë patriotike në vitin 1997.
Dy fjalë për kriminelët që nuk kanë vrarë asnjë njeri.
Një nga rastet me të spikatura është ai i kriminelit nazist Adolf Ajhman. Ai u kap gati gjashtëmbëdhjetë vjet pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore diku në Argjentinën e largët. U soll në Izrael dhe u akuzua për pesëmbëdhjetë krime, duke përfshirë edhe atë për krime kundër njerëzimit. Gjatë gjyqit u vërtetua se Ajhmani nuk kishte torturuar, nuk kishte vrarë, nuk kishte dhënë ndonjëherë urdhëra për vrasje, nuk kishte goditur as me kamxhik ndonjë njeri. Ai nuk shikonte dot gjak dhe ishte një familjar i mirë. Madje i mori me vete gruan dhe fëmijët në Argjentinë. Të gjithë fqinjët në kuartierin ku banonte e njihnin si një njeri të regullt e të sjellshëm.
Por ky njeri që edhe në gjyq dukej paqësor, kishte qenë bashkëpuntor i Hitlerit. Kishte ndihmuar në vrasjen e rreth 4 (katër) milion hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore, ishte një nga zbatuesit kryesor të Holokaustit dhe pati në dorë jetën e miliona njerëzve, që i çoi drejt vdekjes.
Në gjyq iu vërtetuan të pesëmbëdhetë krimet për të cilat akuzohej. Ajhmani deri në fund nuk pranoi fajësinë për asnjë krim. U dënua me vdekje dhe u ekzekutua më 31 maj të vitit 1961.
Detyra e Ajhmanit ishte e thjeshtë: Të kapte, të grumbullonte e transportonte në kampet e përqëndrimit drejt vdekjes së sigurt, hebrenjtë kudo ndodheshin. Dhe ai këtë e kreu me besnikërinë e një fanatiku. Kur eprorët e tij e panë që lufta ishte e humbur, i dhanë urdhër ta ndërpriste “punën”. Por ai vazhdoi deri në fund me devizën: “nderi im është besnikëria ime.” Por ama e theksoj, ai me dorën e tij nuk vrau asnjë njeri.
Maskra në kufijtë e Shqipërisë në vitin 1990.
Në gazetën “Panorama” një ditë pas Çanit (le të besojmë që është rastësi) ka një intervistë të Ramiz Alisë. Midis të tjerave ish-sekretari i parë i k.q.p.p.sh-së thotë: “… kishte ardhur momenti për t’i hapur rrugë demokracisë pluraliste (viti1990. Shën im) dhe ekonomisë së tregut. Ne ishim të ndërgjegjshëm që duheshin bërë ndryshime … Atëherë shqetësimi i vetëm ishte që kalimi drejt demokracisë pluraliste të realizohej duke evituar pasojat që mund të dëmtonin interesat e vendit…”Panorama” 16.04.2011”
Çfarë ironie, gjakftohtësie dhe cinizmi i pashoq. Po ky njeri në vitin 1990, deklaronte: Edhe bar do të hamë, edhe gjak do të derdhim, por pushtetin nuk e dorëzojmë. Gjithsesi Ramizi, nuk është në fokusin e këtij shkrimi.
Në vitin, 1989, doli ligji ku kalimi i paligjshëm i kufirit nuk quhej tradhëti e lart ndaj atdheut, por vepër penale dhe dënohej jo me pushkatim por me shtatë vjet burg. Kiço Mustaqi, atë vit ishte ministër i mbrojtjes dhe antar i byrosë politike. Të joshur nga ndryshimi i ligjit, qindra shqiptarë mëtuan të kalonin kufirin.
Por atje në kufi Ramiz Alia president dhe Kiço Mustaqi ministër i mbrojtjes, kishin lënë në fuqi ligjin e vjetër, dhe lejuan oficerët e kufirit ( ndoshta dhe i kanë urdhëruar fshehurazi) të zbatonin ligjin e diktaturës, ku çdo njeri që kalonte kufirin të qëllohej, të vritej.
Gjashtëmujorin e parë të vitit 1990, u vranë nga plumbat e rojeve kufitare 31(tridhjetenjë) djem të rinj që guxuan të kalonin kufirin.
Trupat e disa prej tyre, ashtu të masakruar u shëtitën fshatrave kufitarë, mbi karroceri makinash, duke përhapur terror e frikë në njerëzit e thjeshtë. Dhjetëra trupa të tjerë u gjetën në malet e Gramozit të ngrirë nga dëbora ose të shqyer nga egërsirat. Emrat e atyre tridhetenjë fatkeqëve mund t’i gjej kushdo, në muzeun historik, tek stenda e ngritur për masakrat e diktaturës. Janë të gjithë: me emër, mbiemër, atësi, datëlindje, vendin dhe datën e vrasjes.
Natyrisht Ramiz Alia dhe Kiço Mustaqi ashtu sikurse edhe Ajhmani nuk vranë asnjë me dorën e tyre. Por Ajhmanin gjykuan dhe e dënuan, madje i dhanë dënim kapital, kurse ish-byroistët tanë i marrin në TV për gallatë?!
Kjo duhet të ishte pyetja e parë e zotit Çani, për “barba Kiçon”, që u përpoq të na japë ndryshe të premten. Krahas librit duhet të kishte në dorë edhe atë listë megjithë fotografitë e disave prej atyre djemve të bërë shoshë nga plumbat. Por ai këtë pyetje ai nuk e bëri dhe unë jam midis: Nuk e dinte këtë fakt apo nuk donte.
Historia e anijes “Kanina”
Në librin tim “Drejt perëndimit”, fq.69, kam përshkruar me hollësi arratisjen e anijes 500 tonëshe, “Kanina”. Kam qenë dëshmitar okular si qindra skelarë të tjerë, që nga çasti i rrëmbimit (mars 1990), mbushjes me njerëz, në molin e Skelës e deri sa ajo kaloi mezokanalin dhe nuk shihej më. Sipas komandantit dhe komisarit të bazës detare të Vlorës, Muharrem Kuçana dhe Halil Leli, ata u urdhëruan me telefon nga ministri i mbrojtjes Kiço Mustaqi, ta godisnin anijen me silurë dhe ta mbytnin ashtu të mbushur me njerëz. Në anije ndodheshin gjithsej (sipas RAI-it) 104 njerëz. Atë urdhër ata nuk e zbatuan. Për këtë veprim me një urdhër tashmë me shkrim të Kiço Mustaqit u përjashtuan (i zhveshën) nga ushtria. Sipas Kiços shkruar në gazetën “Panorama” disa ditë më parë, ai dha urdhër që anija jo të qëllohej me silurë por të përmbysej?! Se cili është ndryshimi midis përmbysjes dhe mbytjes me silurë vetëm Mustaqi e di. Gjithsesi nga një katër silurues, që e ndoqi si qen i egërsuar nga prapa “Kaninën” e stërmbushur me njerëz, u godit me mitraloz kabina e timonierit. U vra njeriu që ishte në timon dhe u plagosën dy të tjerë. I vrari quhej Agron Xhelili, ishte rreth të tridhjetave dhe la pas gruan e re me dy fëmijë. Natyrisht që atë nuk e vrau “barba Kiçua” me dorën e vet por ja që është dhënë një urdhër nga ai, është qëlluar nga një anije luftarake, kur Kiçua ishte ministër. Dhe të gjithë autorët dhe aktorët e atij krimi janë gjallë me përjashtim të atij djali guximtar nga Skela, që e vranë atje në kabinën e timonierit.
Edhe këtë pyetje po të kishte gërmuar për jetën e Kiços, duhej ta kishte bërë zoti Çani.
Roli i Kiços në ngjarjet e vitit 1997.
Në vitin 1997 Kiço Mustaqi, pasi kthehet nga Greqia ( me se u mor në Greqi vitet e mërgimit oficeri i lartë!?) përmendet si një nga udhëheqsit e kryengritjes së armatosur të atij viti jo pak herë. Shumë njerëz në Jugun e Shqipërisë e kanë parë gjeneneralin në ato kohë midis formacioneve të armatosura të komiteteve të shpëtimit publik. Të bën përshtypje që edhe shtypit të huaj i ka rënë në sy veprimtaria e ish- ministrit në ato ditë. Çani për hir të së vërtesë në këtë drejtim e “kruajti’ pak me një nga ato metodat e tij “midis”, por si duket kur pa që fytyra e “usta Kiços” nga e kuqe filloi merrte ngjyrën e tebeshirit e la rehat. Faktet flasin se ai ishte një nga ata që përpunoi planet për një sulm mbi Tiranën dhe rrëzimin e Berishës, por sidomos për çlirimin e “Epirit të Veriut.”
Po le tu refererohemi fakteve. Më datë 05.03. 1997 gazeta ultranacionaliste greke “Stohos” shkruante midis të tjerash: ... Oficerët vorioepiriotë drejtojnë kryengritësit e Kiço Mustaqit, ish ministër i mbrojtjes i Shqipërisë. Ngrihet flamuri dhe shpallet autonomia në Himarë dhe në Tepelenë. Në duart e autonomistëve grekë prapë “Epiri i Veriut”Për më shumë shih librin “Skaner 1997” fq.316.
Nuk mendoj se kjo gazetë po shpifte dhe e ka pasur ‘armik” Kiçon” që kishte disa vjet që rrinte në Greqi si në shtëpi të tij. Nuk mendoj as se ata shpifin për Kiçon ashtu “kot e kot”. Ata thonë që Kiço Mustaqi ka në komandë kryengritësit e Jugut, që nga ana e tyre po drejtohen nga oficerë voriepirotë dhe po ngrejnë flamujt grekë e po çlirojnë Vorio Epirin.
Gjashtë ditë më vonë në gazetën prestigjioze italiane “La Republika” gazetari italian Renato Kaprile, midis të tjerave do të theksonte:
... Atëherë kush i drejton rebelët? Një vështrim në hartën e kryengritësve (praktikisht janë të gjitha qendrat më të rëndësishme nga pikpamja strategjike) të bën të dyshosh se nuk bëhet fjalë për një protestë spontane, por më tepër për një plan ushtarak. Kthehet kështu makthi i Epirit të Madh.... dhe atëherë nxjerrin kokën skenarë shqetësues të shërbimeve sekrete të huaja të interesuara për këtë projekt dhe mbi të gjitha dallon një emër, ai i Kiço Mustaqit, ish ministër i mbrojtjes i Enver Hoxhës... Ka mundësi që të jetë ai regjizori i revoltës së Jugut...
La Republika 11.03.1997, “ Skaner 1997”. fq.290
Nuk mendoj se dalja e emrit të Kiço Mustaqit në disa gazeta të huaja (jo vetëm në ato të cituara më lart ) dhe sidomos në TV-të greke të asaj kohe është rastësi. Kiçua në ato ngjarje të zeza për Albaninë tonë të dashur, e ka pasur një rol që duhet ta sqarojë.
Kisha besim te Çani, te mendja dhe atdhetarizmi i tij i kulluar. Mendova që do ta zhbirilonte pak ”heroin” që kishte thirrur, t’i tregonte se çfarë përfaqëson ai vërtetësisht, se vetë qënia hierark i lartë i diktaturës e jo vetëm bëmat e tij në vitin 1990, dhe në vitin 1997, përbëjnë krim. Por u kjo nuk ndodhi, përkundrazi. Prandaj shkrova këto rreshta, ca nga dëshira që kam për të vërtetat e ca nga mërzia e trishtimi që më sjellin emisione të tilla.
Gjithsesi e di përgjigjen: Nëse s’të pëlqen ndërro kanal. Ashtu bëra por këto rreshta nuk mund të rrija pa i shkruar.
ziljag@yahoo.com
(Gëzim Zilja ka qenë kryebashkiak i Vlorës)





