Hasan Riza Pasha dhe mbrojtja e Shkodrës

artikuj
 












Kohët e fundit, autorë shqiptarë kanë dhënë më mire peshën dhe rolin që luajti garnizoni osman dhe në mënyrë të veçantë valiu dhe komandanti turk, Hasan Riza Pasha.



Autor: Prof. Dr. Gazmend SHPUZA

Historiografia shqiptare ka vënë në dukje, sipas saj, rolin vendimtar që luajti faktori shqiptar në mbrojtjen e qytetit të Shkodrës nga forcat malazeze dhe ka sqaruar prej kohesh rëndësinë që pati kjo luftë dhe pasojat që pati rinia e saj nga pushtuesit malazezë gjatë debateve për caktimin e kufijve veriorë të shtetit shqiptar. Kohët e fundit, autorë shqiptarë kanë dhënë më mire peshën dhe rolin që luajti garnizoni osman dhe në mënyrë të veçantë valiu dhe komandanti turk, Hasan Riza Pasha.
Po evidentohet këndvështrimi realist që ai pati për gjendjen dhe zhvillimet ushtarake në pjesën perëndimore të Perandorisë Osmane në prag, sidomos pas fillimit të Luftës së Parë Botërore. Në këtë kuadër ai vlerësoi realisht shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe mori qëndrimet përkatëse që qenë shumë realiste për momentin. Si komandant me vizion të qartë, jo vetëm ushtarak, por edhe politik, ai arriti të kapërceje hendeqet nga politika e gabuar e xhonturqve, kur ata erdhën në pushtet. Mbi baza të ndërsjella, u realizua aleanca luftarake shqiptaroturke në krye të cilës ishte për turqit komandanti, Hasan Riza Pasha dhe për palën shqiptare, kryetari i bashkisë së Shkodrës, Muharrem Gjylbegu. Mbrojtësi i Shkodrës u dëshmua me qëndrimin e tij, jo vetëm si një strateg i shquar, por edhe një komandant trim.
Qëndrimi për pak kohë pro-malazez i malësorëve të Mbishkodrës, kryesisht katolikë dhe qëndrimi konsekuent gjatë luftës Ballkanike pro-osman i mjaft personaliteteve të lëvizjes kombëtare anti-osmane, qofshin edhe të krishterë edhe klerikë si Fan Noli e Gjergj Fishta, flet për vlerësimin e drejtë të tyre për rrezikun vdekjeprurës të agresionit ballkanik ndaj tokave shqiptare. Ky qëndrim nuk mund të shpjegohet dhe të motivohet nga studiues dhe historianë të ndryshëm më frymën orientale të veprimtarëve shqiptarë që e paska lënë Shqipërinë jashtë rolit dhe pjesëmarrjes së saj në luftërat Ballkanike. Marrëveshja në mes të Hasan Riza Pashës dhe atdhetarëve shkodranë për ngritjen e flamurit në kala, krahas atij turk, u sabotua me vrasjen e pabesë të Hasan Riza Pashës nga Esat Pasha. Të gjitha rrethanat, si për sa i përket vendosmërisë së garnizonit turk dhe qytetarëve të Shkodrës, raportit real të forcave ushtarake në front, qoftë edhe ato pak rezerva të mbetura ushqimore, nuk e përligjin aktin kapitullues të Esat Pashës për t'u dorëzuar Shkodrën malazezëve.
Nga të gjithë tashmë dihet se çfarë pasojash pati në caktimin e kufijve veriorë të shtetit shqiptar tradhtia e Esat Pashës. Lufta e aleatëve ballkanikë në brendësi të trojeve shqiptare nuk ishte një luftë për të evropianizuar Ballkanin, por synonte deorientalizimin e tij. Lufta e padrejtë pushtuese e Malit të Zi ndaj Shkodrës nuk mund të quhet e drejtë në emër të qëndrimeve euroatlantike, duke menduar se në këtë mënyrë mund të zhduken mendimet orientale, duke përligjur politikat aneksuese dhe shoviniste të fqinjëve tanë ballkanikë ndaj vendit tonë, të cilat nga ana tjetër do ta gjakosin Ballkanin deri në shekullin e XX me masakrat që u bënë në ish-Jugosllavi. Lufta për mbrojtjen e Shkodrës do të mbetet një nga faqet më të ndritura të atdhetarizmit shqiptar dhe të vendosmërisë së popullit shqiptar për mbrojtjen e trojeve të Atdheut. Kjo luftë e viteve 1912-1913, në mbrojtje të qytetit të Shkodrës, do të mbetet gjithashtu një dëshmi e bashkëpunimit ushtarak në mes të popullit shqiptar dhe atij turk, bashkëpunim që është prezent edhe në ditët e sotme, kur një repart ushtarak shqiptar është i inkuadruar në komandën e trupave turke në Afganistan. Qëndrimin pozitiv ndaj zhvillimeve në Shqipëri në ato momente, komandanti turk e shprehu qartë, kur e kuptoi se në këto momente historike interesat në mes të shqiptarëve, që ishin ndarë, tashti duheshin të bashkoheshin përballë një armiku të përbashkët që ishte shovinizmi malazes ndaj trojeve shqiptare..
Duke pas parasysh realitetet e reja, komandanti trim turk nuk interesohej vetëm për fatin e garnizonit turk, që kishte në komandë, sepse këtë mund ta kishte bërë lehtë duke u marrë vesh me forcat malazeze. Në një letërkëmbim me deputetin e Dibrës në Parlamentin xhonturk, Basri bej Dukagjini, ai është dakord që të sigurohen rrugët për të shpëtuar Shqipërinë. Për Hasan Riza Pashën,mbrojtja e Shkodrës kishte të bënte me çështjen e zgjidhjes së çështje shqiptare në mbështetje të vendimeve të Kuvendit të Vlorës dhe të njohjes së autonomisë së Shqipërisë nga Konferenca e Londrës. Komandanti i garnizonit turk i kishte kërkuar Gjergj Fishtës të shkruante një marsh për ushtarët shqiptarë, në shumicë muslimane, që ata ta këndonin këtë marsh në gjuhen shqipe në stërvitje dhe beteja luftarake. Është po ky Hasan Riza Pasha që do ti kërkojë komandantit të armatës Perëndimore Osmane, Mahmut Hajret Pasha, që me forcat e tij ushtarake të angazhohej kundër forcave serbe që po marshonin drejt Shkodrës, thirrje që ai ia bën këtij komandanti në emër të shqiptarizmit dhe të osmanizmit. Angazhimin e Hasan Riza Pashës në mbrojtje të shqiptarizmit e ka kënduar edhe poeti popullor. Sipas këngës popullore, Hasan Riza Pasha kishte menduar që të vihej në shërbim të kësaj toke për ta shpëtuar këtë komb dhe se rruga e vetme për të shpëtuar Shkodrën ishte ''Ta çojmë bajrakun''dhe se komandanti trim turk flamurin shqiptar e kishte bërë edhe flamurin e tij. Forcat për mbrojtjen e Shkodrës ishin të ndara në dy pjesë. Në njërën ishte Hasan Riza Pasha me garnizonin e tij dhe luftëtarët shqiptarë të cilët ishin nën komandën e Valiut të Shkodrës. Interesant është fakti se këngët kushtuar mbrojtjes së Shkodrës kanë një shtrirje deri në Çamëri, të cilat e përshkruajnë me simpati komandantin turk duke e paraqitur si hero legjendar që martirizohet për Shqipërinë. Kur u shtrua çështja e kandidaturës së një princi të Shqipërisë që sapo u njoh ndërkombëtarisht, kleri katolik parapëlqente një princ musliman që ishte Hasan Riza Pasha.
Në vitin 1936, eshtrat e Hasan Riza Pashës u çuan në varrezat e Komaneve. Gjergj Fishta do ta vlerësonte komandantin e famshëm turk duke thënë se Hasan Riza Pasha do të kujtohet si atdhetari më i mire për shpëtimin tonë nga kthetrat e malazezëve, ai meriton të lavdërohet baras me heronjtë e kombit shqiptar dhe se ai kishte qenë mik i shqiptarëve dhe i Shqipërisë. Kurse Zejnel Prodani, kryetari i Bashkisë së Shkodrës do të deklarojë se populli i Shkodrës nuk e harron kurrë…..Edit Durhami do ta vlerësojë duke thënë se një gjë është e vërtetë. Hasan Riza Pasha ishte një ushtar i shkëlqyer, sepse ai e shpëtoi Shkodrën me planin e tij ushtarak Mund të thuhet me të drejtë se mbrojtja shqiptaro turke e Shkodrës në vitet 1912-1913 u kurseu popujve të Ballkanit një luftë të katërt ballkanike dhe banorëve të Shqipërisë veriperëndimore gati një shekull shtypjeje nga një gjenocid fetar-etnik të cilin e pësuan shqiptarët e viseve të tjera veriperëndimore, lindore dhe jugore. Sot, në Shkodër lartësohet një memorial madhështor para prefekturës së qytetit në shenjë nderimi për këtë mik të shqiptarëve dhe të Shqipërisë sepse ai ka mbetur një urë solide për lidhjet e hershme dhe në vazhdim në mes të popullit shqiptar dhe atij turk, të cilët patën bashkëqeverisur Perandorinë e Famshme Osmane.