Shkruan: Prof. Dr. Ali PAJAZITI

Recension: Enis Sulstarova, Në pasqyrën e Oksidentit: Studime dhe artikuj, Logos-A, Shkup, 2010. (Panairi i Librit “Tiranë 2010”)
Ex Oriente Lux! “Drita vjen nga Lindja”. Një thënie që interpretohet duke u nisur nga fakti se dielli del nga lindja e deri te hermeneutika mistike që rëndë se shprehet me fjalë, meqë në rend të parë i vë sytë e zemrës. Një nga komente që ndërlidhen me këtë sintagmë është edhe ai se Lindja ka dhënë fetë abrahamike (hebraizmi, krishterimi, islami), qytetërime dhe kultura të mëdha (babilonas, sumer, hitit, egjiptian, hindu, budist) etj. Sot ligjëratë dominuese është ajo që përjashton, atakon Lindjen dhe lindoren, gjithnjë duke u nisur nga motoja West is the best!, kur kemi lëkundje nga westcentrizmi letrar-scientist-publicist (Kadare, A. Xhaferi) deri te ai patologjik (Myftaraj, Velo). Në këtë periudhë paskomuniste, ringjallet njëfarë historicizmi, në kuadër të të cilit intelektualët shqiptarë, e riinterpretojnë historinë shqiptare rrotull një njësie të quajtur “Evropë” apo “Perëndim”, që është nyja që përcakton pozitën e shenjuesve të tjerë në ligjërim (f. 398).
Sot, ndër shqiptarë Oksidenti dhe oksidentalizimi, çështja e arratisjes përfundimtare nga Lindja dhe ngjitjes në varganin e botës së parë, në atë që quhet Perëndim janë tema të rrahura me një dozë të subjektivizmit dhe njëanësisë, pra shoqërohen me një eufori të pop-kulturës masovike, ku të gjithë vrapojnë që të tregohen sa më westernistë, sa më pro euro-atlantikë, duke tentuar që të mbyllin sytë para identitetit të realtë, që nuk është produkt i hëpërhëshëm dhe as i njëanshëm. Për proksidentalët tanë Orienti është një kategori më pak gjeografike dhe më tepër politiko-ideologjike, një term që përshkruan një pjesë të botës që mendohet të jetë periferike, e prapambetur dhe për të mos e nxirë krejtësisht, edhe ekzotike. Megjithatë kjo pjesë e botës bashkë me kulturat dhe qytetërimet e krijuara ka ndikuar fort edhe në ngjizjen e botëkuptimeve dhe historive të Ballkanit në përgjithësi dhe të shqiptarëve në veçanti. Mund të thuhet se homo balkanicusi ka mbetur diku mes Lindjes dhe Perëndimit.
Enis Sulstarova, një studies i ndikuar nga qasja saidiane në mënyrë analitike, dhe kritike, shtron një problematikë me të cilën shqiptarët përballen ndër shekuj, atë të të qenët ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, çështjen e dilemës shumëshekullore, shpesh të banalizuar skajshmërisht sikur këto dy botë të ishin të ndara preraz mes vete. Ai i qaset identitetit shqiptar si një identitet shumështresor i mbetur mes ksenofilisë dhe vetëpëlqimit. Filozofia dhe antropologjia kulturore dhe politike që ndjek këtë libër është përpjekje për të lëvizur gurin në perceptimin mitik të vetes dhe filetizmit ndaj të tjerëve. Vepra në fjalë zbërthen vetëperceptimin e shqiptarëve, që sillet nga epërsia racore (miti i pellazgëve), të formësuar nga Rilindja Kombëtare Shqiptare sipas të cilit pellazgët janë nukleusi i qytetërimit evropian, mitin i vetëflijimit për mbrojtjen e qytetërimit evropian nga pushtimi osman e deri te dilemat identitare dhe tendencat për të krijuar tjetrin brenda vetes (kultura muslimane dhe islami, xhamia, mbulesa).
Sulstarova duke bërë një sociologji dhe filozofi politike kombëtare trajton koncepte si ndërgjegja kombëtare, ideali i shqiptarisë, osmanizmi, përfytyrimet fetare, afritë fetare, sistemet kulturore, besimet fetare, laicizmi, armiku publik (lindja), mënyra e jetesës, shteti islam, ymeti, programi kombëtar, mitizimi i atdheut, bosnizimi, trysnitë kulturore, helenizmi, greqizmi, osmanizmi, turkizmi, neoshqiptarizmi etj. Ai e trajton nga një perspektivë origjinale inxhinierinë politike dhe kulturore të shqiptarisë (Gellner, 2008: 72), duke u munduar t’i identifikojë çalimet konceptuale, që sjellin çalime aksionale.
Libri i Sulstarovës është i ndarë në tre kapituj, “Kombi dhe nacionalizmi shqiptar”, “Ideja e Evropës dhe orientalizmi” dhe “Kultura dhe politika në Shqipërinë komuniste”. Në të parin jepet një pasqyrë e ideve nacionaliste që nga Rilindja (Veqilharxhi, Naimi, Fishta) e deri te kultura postmoderne e OJQ-ve (Vetëvendosje, Albin Kurti) dhe ideja e bashkimit kombëtar ndërmjet vegimit dhe realitetit, ku autori kapërcen value-free sociology dhe del në atë normative, shprehet pro projektit gjithëshqiptar. Në këtë kontekst shqyrtohet treshi shteti osman, sistemi i miletit dhe nacionalizmi ortodoks grek në raport me shqiptarinë, rëndësia e gjuhës në zgjimin dhe ndriçimin e kombit, besën, barazinë politike dhe juridike e shqiptarëve pa marrë parasysh përkatësinë fetare.
Në kapitullin e dytë temë boshte është orientalizmi, i cili ndërlidhur me kolonializmin, paraqitet si një disiplinë që i ka shërbyer hegjemonisë intelektuale perëndimore, që ka veshur me një mbulesë “shkencore” paragjykimet perëndimore mbi Orientin dhe orientalët. Veprat e Katerina Fleming, Maria Todorovës dhe Norman Cigarit janë ekzemplarë të vështrimit orientalist të botura shqip. Ndërkohë ballkanizmi paraqitet si stigmë orientaliste në mikro plan për një rajon si Ballkani. Sulstarova analizon edhe ligjëratën e orientalizmit shqiptar të brendshëm. Xheladin Beu, si simbol i erosit oriental si të kundërt nga ai “perëndimor” dhe Ali Pasha, perversi dhe despoti oriental janë dy figura të fantazive, trillimeve dhe paragjykimeve për Orientin.
Dhe kapitulli i fundit është një restrospektivë e iluzionizmit dhe science fictionism-it komunist shqiptar, që parashihte një ardhmëri superinteresante, vetëpëlqyese, utopiste të shoqërisë shqiptare të së ardhmes. Aty autori përmes terminologjisë së Sertosë (ekonomia e shkrimit), të Fukosë (burgu si metaforë sociologjike) i qaset ndërgjegjes klasore propagandës dhe “krijimit të njeriut të ri”, marksizëm-leninizmit, për të cilën udhëheqësi ishte shprehur se ishte “shkenca e shkencave, revolucionit të vazhdueshëm” dhe “rrethimit imperialist-revizionist”, bajramit, kthimit të emërtimeve të vjetra, astronautëve shqiptarë, trurit elektronik, vitit 2044, “cilatipakëve”, (anagramë e fjalës “kapital”), teleologjisë socialiste.
Nga e tëra që del si porosi nga vepra në fjalë me rëndësi të madhe është sentenca se “duhet të lindë një elitë morale”, që do të bënte balancimin perceptimor dhe mendor si të botës akademike ashtu edhe të grigjës. S’duhet harruar nevojën për just memory: historia të mos shikohet vetëm nga një kënd i vështrimit! Kanti mes tjerash thekson nevojën për të përjashtuar paragjykimet, shmangiet dhe mashtrimet, me qëllim që të krijohet hapësira e njohjes së të vërtetës si e vërtetë.





