Aktiviteti fizik nga nxënësit e shkollave, ndër më të ulëtit në Europë



Ato orët e fizkulturës edhe jashtë mësimit, apo ndeshjet ku konkurrohej mes shkollave janë harruar. Nxënësit e shkollave 9-vjeçare kryejnë pak aktivitet fizik .Vetëm 21% e nxënësve të moshave 13-15 vjeç bëjnë më shumë se një orë aktivitet fizik të moderuar ose të sforcuar çdo ditë të javës. Rreth 3% e tyre nuk kryejnë aktivitete fizike. Të dhënat vijnë nga Instituti i Shëndetit Publik në studimin e kryer së fundmi për sjelljet e shëndetshme në fëmijët e moshës shkollore. “Duhet të pranojmë se këto shifra nuk janë fort të kënaqshme, po të kemi parasysh se në shtetet e tjera europiane shifrat lëvizin nga 15% që është më e ulëta dhe që i korrespondon Zvicrës deri në 46%, që është shifra më e lartë dhe që i korrespondon Sllovakisë”, konstatojnë specialistët e Institutit të Shëndetit Publik. Sipas tyre, duhet të pranojmë se shoqëria shqiptare në përgjithësi ka një prirje të uljes së numrit të individëve fizikisht aktivë, gjë që përbën një problem në rritje për shëndetin publik, ashtu sikurse përbën edhe një shqetësim të vazhdueshëm për të gjitha strukturat shtetërore. “Në këtë drejtim ndikojnë faktorë objektivë dhe faktorë subjektivë. Ndër faktorët objektivë mund të përmendim sidomos mungesën e terreneve sportive nëpër qendrat e banuara. Eshtë një fakt tashmë se në qendrat ekzistuese të banimit terrenet sportive që kanë qenë janë “pushtuar” nga ndërtimet shumëkatëshe dhe nuk ekzistojnë më si të tilla, duke i privuar fëmijët nga mundësia për të luajtur në ambiente të lira”, thuhet në studimin e specialistëve të ISHP. Sipas tyre, nuk mund të mohohet edhe një e vërtetë tjetër “e hidhur”, që edhe në qendrat e reja të banuara që janë ngritur, pothuaj në të gjitha qytetet e mëdha, është menduar vetëm për banesat por jo edhe ambientet shoqërore, përfshi këtu edhe terrenet sportive.” Në këtë mënyrë, neve na mungojnë terrenet sportive, si në blloqet e vjetra të banimit, ashtu edhe në ato të reja. Në këto kushte fëmijët duhet të lëvizin në distanca shpesh të konsiderueshme nga banesat e tyre deri tek terrenet e përqendruara sportive; por edhe në këto terrene, në raste të caktuara ata duhet të paguajnë, për t’i shfrytëzuar”, vërejnë specialistët.

Prindërit ngarkojnë fëmijët

Sipas ISHP, ka edhe faktorë të tjerë që ndikojnë në uljen e numrit të fëmijëve që kryejnë aktivitete fizike gjatë javës. “Ndër faktorët subjektivë mund të përmendim ngarkesën e madhe të fëmijëve me mësime dhe me kurse të tjera, gjë që nuk i krijon hapësira të kohës së lirë fëmijëve për të luajtur lojëra të ndryshme”, thuhet në studim.