Politologu i njohur flet për fushatën dhe situatën politike në vend tre ditë para zgjedhjeve
Fushata elektorale për zgjedhjet e përgjithshme vendore të 8 Majit, vjen sot në një skaner të politologut të njohur, Afrim Krasniqi. Në një intervistë për “Tirana Observer”, Krasniqi analizon fushatën, incidentet, platformat e partive, dhe të kandidatëve. Por, mbi të gjitha flet dhe për skenarët që do të ndodhin pas këtyre zgjedhjeve. Krasniqi nuk le pa kritikuar strategjitë e palëve por dhe problemet që Shqipëria kalon sa herë ka një palë zgjedhje. Si një njohës dhe ekspert i çështjeve të zgjedhjeve në Shqipëri, Krasniqi nuk nguron ta quaj vendin ende në tranzicion.
Zoti Krasniqi si ju duket fushata elektorale për zgjedhjet e 8 Majit?
Një fushatë që i shkon më shumë një vendi ende në tranzicion sesa një vendi me demokraci të konsoliduar. Shqipëria e vitit 2011 dhe anëtare në NATO meriton më shumë; sidomos një fushatë më të qetë, më qytetare, më programore dhe më transparente në të gjitha etapat e saj. Siç duket, tradita politike e përjetimit të fushatave si zgjedhje midis të gjithave ose asgjësë, po përsëritet edhe pse kemi të bëjmë vetëm me zgjedhje lokale, me një konstilacion koalicionesh të lidhura me interesa politike joideologjike, dhe me një test të rëndësishëm aftësie e maturie për Shqipërinë në raport me aspiratat tona për ftesën e anëtarësimit në BE. Zgjedhjet vijnë pas dy vitesh krizë politike dhe sidomos pas ngjarjeve dramatike të janarit, gjë që ka lënë pasoja tek vetë sjellja dhe strategjia elektorale e aktorëve kryesorë politikë. Kur dy palë e akuzojnë njëra tjetrën për vrasje, për qëndrime antikombëtare, për korrupsion dhe lidhje kriminale, është e pritshme që gara e tyre elektorale të dominohet nga retorika të tilla konfliktuale dhe që militantët ta shohin fushatën si një garë finale. Në fakt nuk duhet të jetë kështu sepse palët nuk kanë shumë dallime programore e ideologjike midis tyre, dhe vetë rezultati i zgjedhjeve 2009 tregoi se palët kanë edhe diferencë minimale votash midis tyre. Pra nuk kemi të bëjmë me një Shqipëri në qeveri dhe një në opozitë, me popull në qeveri dhe në opozitë, por me dy gjysma politike që gabimisht mendojnë e sillen sikur janë fitues apo humbës absolutë.
Opozita këto zgjedhje i shikon si thellësisht politike, ndërsa mazhoranca kërkon ti shohë vetëm si administrative për bashki dhe komuna. Si ju duket strategjia e të dyjave, a mund të zgjidhen problemet lokale pa ndihmën e qeverisë qendrore?
Kemi të bëjmë me strategji elektorale jo me sjellje të vetëdijshme politike. Institucioni i zgjedhjeve nuk është asnjëherë proces teknik, ka të bëjë me përzgjedhjen, programet, partitë dhe garën politike të kandidatëve. Nëse zgjedhjet do të ishin vetëm teknike atëherë pse duhej që disa ministra e deputetë të braktisnin mandatet politike për të kandiduar në bashki apo pse duhej që e gjithë pjesa politike e qeverisjes të shpërndahej në të gjithë vendin në fushatë elektorale? Nga ana tjetër, nëse zgjedhjet do të ishin tërësisht dhe vetëm politike atëherë cili është mekanizimi i leximit të votës, janë votat për kandidatët apo ato për partitë? Më tej, nëse do të ishin tërësisht dhe vetëm politike pse kandidatët kryesore të bashkive (përjashto Tiranën) po zhvillojnë fushatë të dukshme teknike dhe jo politike? Zgjedhjet janë zgjedhje, janë test politik por me 8 maj më shumë sesa qeverisja qëndrore votohet për kryetarët e bashkive dhe të komunave. Palët kanë të drejtë ta lexojnë më pas politikisht rezultatin nëse ky lexim u duket si mbështetje për qeverinë qëndrore apo mosbesim ndaj saj, - kjo është një fazë e sjelljes politike postzgjedhore. Sa për premtimet në fushatën elektorale shohim një zhvillim të ri dhe njëherësh paradoksal: palët kanë nisur një fushatë premtimesh jashtë çdo logjike dhe limiti administrativ e financiar. Ato premtojnë gjithçka pavarësisht nëse e kanë kompetencë apo nëse kanë potenciale reale për mbajtjen e premtimeve. Kjo ndodh sepse niveli i reagimit qytetar është ende minimal, militantët dominojnë fushatën, media është shndërruar në tribunë e propagandës së palëve dhe se diferenca midis kandidatëve është minimale, ndaj ata luftojmë për çdo votë dhe për me çdo mjet politik. Qeverisja lokale në Shqipëri ka pushtet të kufizuar, ajo ka nevojë për reforma të thella, kurse ajo që aktualisht po shohim është e kundërta: premtimet në emër të një mbipushteti që nuk ekziston. Qeverisja qendrore mund të ndihmojë pushtetin lokal në vepra publike, por në thelb, sidomos në qytete si Tirana, ato kanë qënë e janë në konflikt për shkak të rivalitetit për burime financiare, burime pushteti dhe kontroll të potencialeve.Incidentet që kanë ndodhur thuajse çdo ditë vijnë si rezultat i një tensioni real mes palëve apo janë të inskenuara? Në memorien tuaj a ka një fushatë tjetër në këto 20 vite që të jetë kaq e dhunshme?
Nuk besoj se kemi të bëjmë me fushatë të dhunshme, kemi të bëjmë me incidente të dhunshme që ndikojnë në klimën e fushatës. Shumica e incidenteve nuk kanë pasur direkt lidhje e synime politike, por kur ndodhin në periudhë fushatash ato kanë indirekt ndikim tek politika, vëzhguesit dhe vetë qytetarët. Ka pasur incidente, kryesisht për shkak të klimës së polarizuar e konfliktuale që trashëgojmë nga viti 2010 ose janari 2011, për shkak të rolit të kandidatëve të caktuar si dhe për shkak të garës për pushtet më të madh midis aktorëve kryesorë politikë. Në çdo zgjedhje deri tani në Shqipëri kemi pasur incidente edhe më të rënda, deri edhe vrasje me sfond politik (komisionerë, vëzhgues, shoqërues apo kryetarë degësh – psh edhe më 2005 në Tiranë u vra një komisioner, në 2007 pati gjithashtu një vrasje, më 2009 pati një politikan lokal të vrarë në Shkodër dhe një incident tragjik në Durrës, etj). Ky krahasim nuk vlen për 2011 sepse sot Shqipëria është tjetër vend, është anëtar në NATO dhe synon anëtarësim në BE, pra ka pretendime për standarde të tjera më të larta sesa më parë. Në këtë mision palët politike kanë rol thelbësor për distancim nga aktet e dhunës, distancim nga militantët dhe kandidatët që përfshihen deri edhe çregjistrim të tyre nga partia apo lista elektorale. Sistemi ynë zgjedhor është sistem bipartizan, pra kërkon me çdo kusht rol të matur e të përgjegjshëm të partive kryesore politike, që ai të funksionojë.
Në këtë fushatë është vënë re një fenomen që nuk ka qenë më parë, dhe që lidhet me fushatën virtuale. Ju e keni kritikuar deri diku këtë, mund të na thoni cilat janë arsyet që nuk shkojnë me këtë rrugë të ndjekur nga partitë dhe kandidatët?
Fushata virtuale është pozitive nëse ajo tregon zhvillim teknologjik, rrit transparencën publike, ballafaqon kandidatët e partitë dhe rrit rrethin e publikut të interesuar për zgjedhjet. Ajo që kam kritikuar dhe e quaj dobësi të ndjeshme është keqkuptimi i madh i fushatës virtuale, keqpërdorimi i teknologjisë për të kaluar nga mitingu në sheshe në mitingun në internet. Psh, një kandidat në perëndim e përdor internetin për tu konsultuar me anëtarët, për të korrigjuar e plotësuar programin e tij, për debat profesional e politik. Kurse tek ne të gjitha faqet e paguara në internet janë shfaqje amatoreske e kronikave propagandistike të lajmeve, të shoqëruara me ulërima mbështetëse nga militantët si dhe fyerje e akuza ndaj kundërshtarëve politikë. Për më tepër modeli ynë virtual gabimisht tentoi të zhvendosë median dhe lirinë e informimit, duke prodhuar kaseta e kronika të gatshme, duke shmangur debatin publik midis kandidatëve dhe duke evituar publikimin e një programi real elektoral me premtime dhe afate konkrete. Rendja pas imazhit elektronik mund të jetë zgjidhja e duhur në një vend ku fushatat janë garë luksi dhe jo për një vend si Shqipëria ku problemet madhore mbeten ende papunësia e lartë, varfëria, problemet e mbijetesës ekonomike, mungesat e mëdha sociale e arsimore, mungesa e infrastrukturës dhe problemet e korrupsionit kapilar. Këto tema nuk përmenden dhe nuk trajtohen nga asnjë kandidat, ndërkohë që të gjithë flasin për një botë virtuale, me tramvaj e fusha aviacioni, me punësim të qindra e mijërave të rinjve dhe shkurtim drastik të taksave, me qytete – metropole që i krahasojnë me simotrat perëndimore. Asnjë nuk jep detaje mbi kapacitetet reale financiare të këtyre projekteve, asnjë nuk bën publike burimet e financimit të vet elektoral dhe të gjithë bashkë, kush e më shumë e kush më pak, bëhen shkelës të ligjit duke përdorur asete publike (universitete, studentë, shkolla, kopshte, institucione publike deri edhe ato fetare) për qëllime tërësisht elektorale.
Në gjykimin tuaj çfarë do të sjellë post 8 Maji për politikën shqiptare?
Ka disa skenarë por mendoj se dy kanë propabilitet më të lartë. Ai pesimist është vijimi i traditës së incidenteve dhe kontestimeve postzgjedhore, leximi bardh e zi i rezultateve, si fitore apo humbje absolute. Kjo do të kishte një kosto të madhe për vendin, një vit tjetër të humbjes së shanseve të integrimit dhe të vonesave në zhvillimin e reformave. Skenari i dytë është ai optimist, palët administrojnë dhe e pranojnë rezultatin duke pranuar përgjegjësitë e votës, - pjesëmarrje në institucione, më shumë vendime e politika konkrete e transparente, më shumë dialog e bashkëpunim për reformat kryesore që lidhen me integrimin. I pari është në interes të ngushtë të selive dhe liderëve politikë, i dyti është në interes të publikut të gjerë. 8 maji është dita e qytetarëve dhe jo e liderëve, ndaj shpresoj shumë që palët të gjejnë forca, maturi e mençuri për të tejkaluar objektivat elektorale personale për një interes më të madh, interesin publik dhe të demokracisë shqiptare.
Si e shihni rolin e medias në këtë fushatë? Veprimi i partive për të mbuluar vetë aktivitet vjen si rezultat i paaftësisë së medias apo nga pushteti që forcat politike ushtrojnë mbi televizionet dhe gazetat?
Shqipëria ka shumë media ditore, vizive e të shkruara, por nuk ka asnjë kompani mediatike në kuptimin dhe konceptin organizativ perëndimor. Media ka interesa politike, si e tillë, e shfrytëzon fushatën elektorale për të përfituar vetë prej saj shumë me tepër sesa publiku. Lidhjet e medias me politikën janë të dukshme sa hera herës nuk kuptohet dallimi midis debateve mediatike elektorale dhe vetë debateve politike midis kandidatëve. Kjo është zgjedhja e tyre dhe një arsye specifike pse media në Shqipëri ka auditorin më të pakët në numrin e lexuesve dhe të shikuesve në të gjitha vendet anëtarë në NATO apo anëtare e kandidate për në BE. Një shembull i thjeshtë, të gjitha mediat e shkruara shqiptare kanë tirazh të njëjtë me vetëm dy gazeta në Kroaci, një vend me popullsi dhe histori tranzicioni të krahasueshme me ne. Gjithsesi media ka meritën sepse ka ndikuar për të sjellë ato pak ndryshime sjelljeje politike që kanë ndodhur në vend edhe për shkak se Shqipëria, ndryshe nga vendet e tjera, vijon prej mëse dy dekadash të dominohet nga të njëjtët aktorë politikë.





