Romani “Nëse një natë dimri një udhëtar” ( “Se una notte d’inverno un viaggiatore”) i shkrimtarit italian Italo Calvino, botuar për herë të parë në vitin 1979 nga shtëpia botuese Einaudi është një nga librat më interesantë dhe më tërheqës të këtij autori. Është një libër mbi kënaqësinë e leximit, një aventurë plot të papritura në eksplorimin e ndjesive gjatë leximit të një libri, ku në qendër të romanit është vetë Lexuesi. Romani në tërësinë e tij ndërtohet prej 10 fillimromanesh, që për shkaqe të ndryshme nuk janë të përfunduar dhe Lexuesi në ndjekje të fillit të historisë së romanit të lënë përgjysmë, gjendet përballë një tjetër fillim romani shkruar nga tjetër autor dhe me një tematikë krejt tjetër. Në këtë “roman të teorisë së romanit” Lexuesi, që përgjithësisht është hallka e fundit e zinxhirit të krijimit, ai që parapëlqen historitë e përfunduara dhe kërkon të shijojë gjer në fund historitë e të tjerëve përmes përjetimeve të veta, gjendet përballë një Rrëfimtari apo Narratori anonim, që e shndërron atë vetë në personazh në kërkim të ethshëm të këtij leximi vazhdimisht të ndërprerë. Jo më kot, Lexuesi nuk ka emër, por përgjatë udhës ai do të hasë dhe Lexuesen, Ludmillën, e së bashku do të rreken të gjejnë vazhdimet e romaneve duke përfunduar në gjetjen e njëri-tjetrit.
Kuptohet që të dhjetë fillimromanet janë shkruar po nga Calvino dhe më bukur se ç’e përshkruan ai vetë përvojën e shkrimit të këtij libri, askush tjetër s’mund ta bëjë më mirë:
“Sipërmarrjen dhe orvatjen për të shkruar romane apokrife, pra romane që hamendësohet të jenë shkruar nga një autor që s’jam unë dhe që s’ekziston, e kam shpënë gjer në fund në librin tim “Nëse një natë dimri një udhëtar”. Është një roman mbi kënaqësinë e leximit të romaneve; protagonist është Lexuesi, i cili për dhjetë herë me radhë fillon të lexojë një libër, që për shkak të ndeshtrashave jashtë vullnetit të tij, nuk arrin ta përfundojë. Pra, më është dashur të shkruaj fillimin e dhjetë romaneve me autorë imagjinarë, të gjithë, në njëfarë mënyre, të ndryshëm nga unë dhe të ndryshëm nga njëri-tjetri; një roman plot dyshime dhe përjetime të turbullta; një tjetër me ndjesi të ngjeshura dhe të përgjakshme; një roman introspektiv dhe simbolik; një roman revolucionar ekzistencial; një roman ciniko-të dhunshëm; një roman mbi manitë idengulitëse; një syresh logjik dhe gjeometrik; një roman erotiko-pervers; një roman tokësoro-zanafillës; një roman apokaliptiko-alegorik. Më tepër se të identifikohem me autorin e secilit prej dhjetë romaneve, jam orvatur të identifikohem me lexuesin: të paraqisja kënaqësinë e leximit të një gjinie të caktuar, më tepër se tekstin si qëllim në vetvete. E megjithatë, ndonjëherë jam ndjerë si i përshkuar nga energjia krijuese e këtyre dhjetë autorëve që s’ekzistojnë. Por sidomos jam përpjekur të jap prova të faktit se çdo libër lind në prani të librave të tjerë, në marrëdhënie dhe në ballafaqim me libra të tjerë.”(Italo Calvino “Il libro, i libri, “Nuovi quaderni italiani”, Buenos Aires, 1984.)





