nga Flori BRUQI
Rexhep Ferri, piktor, profesor e shkrimtar , u lind në Kukës (Shqipëri) në vitin 1937. Më 1958 mbaroi shkollën e mesme të Artit në Pejë. Më 1962 botoi poezitë nga cikli Shëtitësit e lodhur në revistën letrare Jeta e re në Prishtinë. Në vitin 1966 u diplomua në Degën e Pikturës Monumentale në Akademinë e Arteve në Beograd. Në vitin 1970 mbaroi studimet pasuniversitare në Akademinë e Arteve në Beograd. Më 1971 mori çmimin e Dhjetorit të Kuvendit të Kosovës. Në vitin 1974 zgjedhet pedagog i Akademisë së Arteve Figurative në Prishtinë. Më 1975 fiton çmimin e Sallonit Pranveror për pikturë të Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës. Në vitin 1999 zgjedhet sekretar i Seksionit të Arteve në ASHAK dhe në vitin 2000 zgjedhet anëtar i rregullt i ASHAK. Kritika i ka vlerësuar lartë veprat e tij në aspektin artistik. Ka botuar edhe disa përmbledhje të poezive, si dhe disa romane.
Tituj të veprave
* Ndoshta ishte dashuri, Prishtinë: Gazeta "Rilindja", 1997
* Atdheu im Torzo, Prishtine: Rilindja, 1998
* Kuartet për harqe : partiturë, Autorët" Rauf Dhomi, Rexhep Ferri. Prishtinë, 2001
* Frikë nga Guernika: roman, Tiranë: Onufri, 2004
* Njeriu po kush tjetër: roman, Tiranë: Onufri, 2005
* Shapo Albane: roman, Tiranë: Onufri, 2006
* Humbës i lumtur, Tiranë : Toena, 2007
“Një ekspozitë që s’do të duhej të ndodhte” është përshkrimi i parë që jep kuratori. “Director’s Cut: Rexhep Ferri” (Prerja regjisoriale: Rexhep Ferri) është titulluar ekspozita e radhës e realizuar në kuadër të projektit “Kthimi në të ardhmen”, e cila do të hapet sot (e martë) në qendrën për art bashkëkohor “Stacion”.
Ekspozita është përmbledhje e procesit të hulumtimit të punës së akademik Rexhep Ferrit, duke pasqyruar krijimtarinë e tij në një tjetër hapësirë, kohë dhe kontekst. Prapa pikturës, e cila është përzgjedhur të ekspozohet në “Drector’s Cut: Rexhep Ferri”, fshihen shumë pyetje, që do të zbërthehen në bashkëpunim me vetë piktorin, poetin e mendimtarin.
“Cili është imazhi i punës së Rexhep Ferrit gjatë gjithë këtyre viteve? Qysh gjeti vend ky kompleksitet social në pikturën moderniste të Rexhep Ferrit dhe të piktorëve të tjerë modernistë?”- janë disa nga pyetjet që parashtron kuratori i ekspozitës Albert Heta.
Për piktorin Rexhep Ferri, “Director’s Cut…” është një ekspozitë krejtësisht më e veçantë dhe më e ndryshme sesa ato që ka pasur gjatë karrierës së tij.
“Sinqerisht kjo është diçka krejtësisht ndryshe”, ka thënë Ferri, teksa ka shpjeguar në pika të shkurtra përmbajtjen e ekspozitës.
“Krahas ekspozimit të veprës, do të ketë të pranishëm artdashës të cilët mund të pyesin për çfarëdo shpjegimi që kanë nevojë”, ka thënë ai.
Ferri ka paralajmëruar disa prej temave që do të preken në kuadër të ekspozitës, të cilën e quan interaktive.
“Do të flas për zhvillimin e krijimtarisë sime, formimin e personalitetit krijues, për ngjarjet e rëndësishme të shekullit të kaluar. Është diçka shumë sfiduese”, ka thënë ai.
Në kuadër të projektit “Kthimi në të ardhmen” deri më tani janë realizuar katër ekspozita. Petrit Halilaj, Agim Çavdarbasha, Nysret Salihamixhiqi, Kadër Pagarusha, kanë qenë disa nga personazhet e ekspozitës “Kthimi në të ardhmen”.
Në kuadër të fazës tjetër të këtij projekti, në ditën e shtatë të këtij muaji do të mbahet simpoziumi “Kthimi në të ardhmen” dhe diskutimi me panelistët Zdenka Badovinac, drejtore e “Moderna Galerija” të Lubjanës, Mehmet Behluli, artist dhe anëtar i këshillit drejtues të Galerisë së Arteve të Kosovës, dhe Shyqri Nimani, ish-drejtor i GAK-ut.
Ai e ka ndjeshmërinë dhe dhuntinë për të përdorur kështu një gjeometri skajshmërish të kuptueshme, ku ndeshen, do të thoshim, gravitacionet e tokës dhe të materies…
Rexhep Ferri ecën drejt të qenësishmes brenda baraspeshës së masave, të elipsave, të lëvizjeve që kryqëzohen. Ai e ka ndjeshmërinë dhe dhuntinë për të përdorur kështu një gjeometri skajshmërish të kuptueshme, ku ndeshen, do të thoshim, gravitacionet e tokës dhe të materies… Duke u shkëputur nga rrethanat, Rexhep Ferri ka ditur mjaft mirë të sigurojë universalitetin e tij dhe kjo të lë mbresën më të qëndrueshme.
Mr.sci.Flori Bruqi
**********
Gjithmonë më ka interesuar ku e merr piktori ynë Rexhep Ferri frymëzimin, për t’i krijuar figurat e tij, herë pa kokë, e herë pa gjymtyrë. Vallë kanë ato gjë të përbashkët me Venerën e Milosit të pa duar, apo me Nike Samotrakën (Ngadhënjimtaren ) të pa kokë, ose krejt kjo lind nga qenia kreative e piktorit, e cila shtegton vijimisht nëpër kohë e nëpër hapësirë, përtej të pamundshmes, përtej ylberit transparent dhe yjësisë fluide. Jo, frymëzimet e piktorit R. Ferri vijnë nga qenësia jonë, sepse edhe ajo pati bukuri të gjymtuara e ngadhënjime piro-ate, edhe ajo kaloi nëpër ankthe e makthe për të ekzistuar, për të mbijetuar, për ta ruajtur tërësinë dhe identitetin e vet. Dhe pikërisht tërësia dhe identiteti i qenies kombëtare bëhen motive me të cilat më së tepërmi do të përpëliten pena dhe peneli i Rexhep Ferrit.
Piktori, pedagogu dhe akademiku ynë, REXHEP FERRI u lind në Kukës të Shqiperisë në vitin 1937. Shkollën e Mesme të Artit e mbaroi në Pejë, kurse Akademinë e Arteve Aplikative dhe studimet posdiplomike i përfundoi në Beograd. Në indeksin e tij biografik, gjenden shumë ekspozita individuale e kolektive, si dhe mjaft shpërblime. Në fillim të krijimtarisë, por edhe më pas, krahas pikturës R, Ferri u muar edhe me disenjimin aplikativ të librit. Përgatiti dhe ilustroi ballinat e shumë librave zhanresh dhe përmbajtjesh të ndryshme.
Dy dashuritë pasionante të artistit
Rexhep Ferri gjendet midis atyre krijuesve që krijuan traditën tonë artistike, që e profilizuan dhe e begatuan atë me vokacione e me vizione të reja. Si artist dhe si pedagog, dekada me radhë Ferri u angazhua në aftësimin e krijueseve të gjeneratave të shumta, ca nga të cilët tashmë janë bërë emra të njohur, të skenës së artit tonë pamor, e madje edhe të asaj ndërkombëtare.
Qenia kreative e Ferrit është e ngarkuar me një tension të cilin e nxjerr jashtë përmes ngjyrës dhe fjalës, pra nëpërmjet të pikturës dhe letërsisë poetike, tregimtare e romaneske. Janë këto dy dashuri pasionante, të katarses intelektuale e estetike të artistit tonë, me të cilat me dekada të tëra ai ndërton dhe sendërton boten e tij krijuese. Dhe duke u katandisur midis dy arteve, shpirti krijues i artistit, frymon midis dy poleve të një universi kreativ ku nuk dihet deri ku shtrihet njëri, e ku përfundon tjetri, që nuk kuptohet dot ne është kjo punë gjaku, punë ndjenjash pasionante, apo punë e mendjes intelektuale.
Midis të Bardhë e të Zezës
Filozofi dhe esteti i njohur gjerman, Shelingu, thotë se vetmja mundësi e objektivizmit të filozofisë, pra edhe e së vërtetës, është arti. Në mënyrën e vetë, këtë e provon edhe arti i Rexhep Ferrit, nëpërmjet të asaj që sjell dhe aktualizon në artin e vet. E vërteta, vërtetësia në veprat e tij, është e vërtetë filozofike nga se shtron po atë pyetje fundamentale që shtroi Albert Kami, kur pyeti: ka apo nuk ka kuptim të jetohet; është pastaj e vërtetë ekzistenciale si ajo e Sartrit, nga se paraqet paradigma të pareshtura për të dëshmuar se jeta megjithatë duhet të jetohet të përjetohet dhe të mbijetohet. Në këtë aspekt, profesori Rexhep krijon njeriun, personazhin, Sizifin e Bjeshkëve të Nemura, të ballafaquar me kontrastet më ekstreme të jetës, me të Bardhën dhe të Zezën e saj. Duke jetuar midis të Bardhës dhe të Zezës, ky Sizif jeton midis shpëtimit dhe frikës, midis këngës dhe lotit, midis besës dhe gjakut, midis të Mirës dhe të Keqës.
Ku gjendet kuptimi i individit, njeriut, për të cilin Platoni tha se është shtet në vete. Çfarë synon individi, figurat vertikale në imazhet pikturale të artistit tonë. Çka përjetuan këta të gjorë në të kaluarën, nëpër çfarë mynxyrash e ankthesh kaluan ata që u karbonizuan, u shndërruan në fantazma, në hije, cilën kohë e projektojnë ato? (“Me hije, pa hije”, “Te guri i hijeve,” “Historia e hijeve”, “Mjeshtri i hijeve”), Nëse janë hije të së kaluarës që ende klith në nderdijën tonë, atëherë e kemi vështirë të hapërojmë përpara, sepse siç tha një poet francez, me peshën e së kaluarës mbi supe, nuk ecet dot përpara Apo janë halucinacione profetike që projektojnë njeriun e së nesërmes. Dhe pa dyshim krejt kjo që shohim në portretet, piktura, në ciklet dhe tërësitë e shumta të Rexhep Ferrit është edhe dëshmi më tepër se arti nuk mund të ndërtohet nëse nuk përligjet edhe me historinë, filozofinë, epin, mitin, (“Miti për gruan dhe burrin””Miti i Pandorës, “,“Mitoepikë” ,“Gati Legjendë”, etj) si dhe me ligjet e shpirtit estetik.
Zgjimi i poetit me ndjenjë dionisiste
B. Kroçe thotë se poezia i referohet ndjenjës, kurse proza mendjes, atëherë kujt i referohet piktura e Rexhep Ferrit, ndjenjës apo mendjes, ose edhe njërës edhe tjetrës njëkohësisht, Dhe në çdo rast përsëritet ajo pyetja e kamotshme: si të komunikohet: me zemër apo me kokë, në mënyrë estetike apo logjike? Dhe të rrallë janë ata krijues që krijojnë vepër të realizuar me harmoni të plotë estetiko-refleksive, të unifikuar në formë dhe në përmbajtje. Piktori ynë sakaq, krijon formë të bukur kompozicionale, e simetrike, harmoni koloristike, linearizem të matur, përmbajtje të artikuluar dhe funksionale. Përmbajtja, përkatësisht dimensioni imanent në pikturën e tij, është horizont, apo strukturë me shumë pyetje e përgjigje, me shumë plane e shtresa, siç do të thoshte Hartmani.
Krijimtaria pikturale e Rexhep Ferrit ka koherencë si në unitet, po ashtu edhe në larmi, ka për më tepër timbër kombëtar të përmbajtur, të qetë e ndonjëherë madje edhe melankolik. Melankolia është cilësi e shpirtrave të mëdhenj dhe të vetmuar thotë Niçe.
Lindja e një poetike të re
Si plan që bie në sy në pikturën e Ferrit, është ngjyra, e cila është faktor i rëndësishme konstituiv i artit të tij, është për më tepër, zëdhënëse e intonimeve estetike-përmbajtjesore. Viteve të fundit ndodhë diçka në qenien estetike të autorit, sikur zgjohet në te një poet me ndjenjë dioniziste. Krijon ai një pikturë me akorde të çiltra, me kolorit të hareshem, më të guximshëm. Dhe për ne që pikturën e R. Ferrit nuk e njohim ndryshe veçse si pikturë të surme, të heshtur, të ftohtë, asonante të dhënë në mol-akord, e atë, si koprrac ngjyrash,- siç tha shkrimtari ynë Anton Pashku, - ky shpërthim koloristik është sihariq që tregon se në artin e piktorit tonë po lind një poetikë e re, e cila gjatë i ka munguar pikturës së tij.
Vertikalet, atdheu-torzo
Figura e njeriut me mënyrën vertikale të paraqitjes së saj, mbetet si obsesion, të thuash tradicional i artit të piktorit. Ajo në vijimësi ballafaqohet me dandallat e jetës: lëvizë, shtegton e lodhur mbi tokën e përgjakur, herë e vetmuar, herë e shoqëruar me dy e tri figura tjera, për të arritur në ishullin e vetmuar të muzave, që ekziston vetëm në ëndrrat e krijueseve. Megjithatë, njeriu i Rexhep Ferrit, nuk është ëndërr shajnisëse, por figurë e gjallë e pikturës së tij, rreth të cilit jeton dhe frymon çdo element kompozicional. Kjo figurë, pret dike, pret diçka, si personazhet e Beketit, hapëron në vend, apo bën ndonjë hap përpara, sfilitet e pedantet në mynxyra të ndryshme, por përherë mbetet vertikale. Vertikale mbetet edhe atëherë kur fanitet nëpër ëndërra, kur paraqitet si kariatidë, siç e hasim në ciklin “Atdheu im torzo” Dhe në këtë figurë të projektuar kështu: herë pa kokë, herë pa gjymtyrë, të ndrydhur, të deformuar, njeh njeriun tonë të cilit kancelaritë evropianë ia prishen tërësinë, e ndan në dysh, në tresh: kokën ia plandosen në një anë, zemrën në anën tjetër, gjymtyrët anekënd këtij Ballkani të mallkuar. Dhe kështu mbeti njeriu trung pa degë, lis i vrarë reje, por për çudi qëndroi pipë në këmbë – vertikalisht, dhe vertikalisht do të ngadhënjejë. Dhembja e piktorin për atdheun e tij të shndërruar në torzo, është dhembje njëkohësisht dinjitoze, dhe groteske, si ajo e Sizifit të Bjeshkëve të Nemuna, i cili në jetën e tij përlotë sfida e gracka, nuk lëvizi ndryshe veçse sizifçe.
(nga MUSTAFA FERIZI:Rexhep Ferri, piktor i njeriut Sizif-ian)