Nga Nuri PLAKU :Harilla GOGA: “Unë dhe ti në shoqërinë shqiptare”. Tiranë 2010




PSE-të  E  “TRISHTUARA” TE NJE DIPLOMATI



 Në librin “Unë dhe Ti në Shoqërinë Shqiptare”, diplomati Harilla Goga, vjen me një prurje të re për lexuesin shqiptar mbas 5 botimeve të mëparshëm të tij; 3 nga fusha profesionale; “Komuniteti Evropian, TPE”, “Njohuri mbi Bashkimin Europian”(bashkautor) e “Shqipëria mes zhvillimeve tësotme ndërkombëtare” dhe 2 romanet; “Pazari i madh” dhe“Diplomati”.
   Libri është një ese e gjatë ndërtuar mbi bazën e një koncepcioni pragmatik, ku gërshetohen eksperiencat dhe njohjet e drejtpërdrejta individuale me interpretimet e thella meditative. Midis këtyre dy poleve shtrihet një realitet i hidhët social mbi të cilin autori operon deri në qelizat më të imta të tij, për të zbërthyer një nga enigmat më të vështira; zhvillimet problemore në formimin e psiqikës shqiptare.  Pikërisht, për ta dhënë sa më të qartë e më të kuptueshëm këtë realitet, ai e konturon atë  mbi bazën e një diagrame psikologjike të mbështetur mbi dy segmente koordinatave; segmenti gjeografik dhe ai historik.
Segmenti gjeografik i një vendi ka të bëjë me fatin e tij mbi shtrirjen në hartën e përgjithshme globale. Ky fat e ka bërë Shqipërinë të ndodhet në udhën e kalimit të përhershëm midis lindjes e perëndimit, në një kufi luftërash, ku perandoritë e mëdha, mbretëritë e mëdha dhe fuqitë e mëdha, e kanë parë si një vend të skajshëm dhe objekt të kancelarive të tyre.
Ndërsa segmenti historik, në vështrimin analitik të këtij autori, përdoret si një referencë dhe ballafaqim midis kohëve, ngjarjeve dhe  rrethanave të caktuara në sisteme dhe kushte të caktuara, përmes të cilave ka kaluar dhe është farkëtuar ndërgjegjja jonë kombëtare.
Mbështetur ndërmjet këtyre dy segmenteve, diagrama  e psiqikës sonë aktuale, shfaqet me forma deformuese si rrjedhojë e trysnive të ushtruara mbi të, të kulturave të ndryshme në epoka dhe rrethana të ndryshme. Autori synon evidentimin kritik të tyre,duke ngritur trishtueshëm një nga pyetjet më preokupuese të ditës: Pse vonohet kaq shumë integrimi ynë në familjen e madhe europiane?
Kjo pyetje e ka bërë autorin e këtij libri të zhbiroi, përmes metodës krahasuese të fakteve dhe ngjarjeve, gjithë eksperiencat  e tij të punës, duke na i dhënë ato në nivelet e një rrafshi komunikues, që i ngjan më tepër një bisede të thjeshtë “gju më gju” me njerëzit, sesa një komunikimi akademik, mbushur me referenca dhe filozofira të larmishme e të vështira për t’u kuptuar nga kushdo. Kahu hulumtues i tij, fillon nga individi në drejtim të kolektivit, nga e veçanta tek e përgjithshmja. Nëpërmjet rasteve dhe ndodhive konkrete, ai argumenton mendimin e vet tek “unë” dhe tek “ti”, si pjesë përbërëse e shoqërisë shqiptare. Këtu qëndron edhe veçoria më e spikatur e këtij libri; komunikimi masiv, efekti masiv dhe interpretimi masiv.

Mjaft autorë në libra të tillë do të pretendonin drejt një stili “të lartë” shkencor, do vishnin “gëzofin akademik” dhe do hapnin portën e “minierave” të tyre kulturore, për ta bërë atë një libër elitar. Përkundrazi, Harilla Goga nuk synon këtu të nxjerri një libër “nga librat” dhe as nga dosjet e zverdhura të arkivave. Ai synon një prurje krejt origjinale, me ndodhitë dhe interpretimet e tij të gjalla e të drejtpërdrejta. Pra, në vend të një akademiku pozant e hijerëndë ai ka zgjedhur të jetë një “Shën Llazar” i popullit të vet, që di ta vendosi dorën në plagën e maisur të këtij kombi nga e cila, në vend të limfës së turbullt, rrjedh prej shekujsh, ulërima e prapambetjes së dhimbshme. Ai shfaqet kështu një intelektual sipëran e i përgjegjshëm i cili bën me ndërgjegje të pastër detyrën e interpretimit të kohës së vet.
   Në çdo rresht të librit ndihet prej autorit një psherëtimë e bardhë faji. Duket se ai nuk e ndan kurrsesi vetveten nga fati i përbashkët i shoqërisë shqiptare. Integrimi, ky term hipokrit mbarsur me  ëndrrat mashtruese të politikanëve tanë,  ka vite që endet në imazhet e shqiptarëve, si një “tokë e premtuar”, por e largët.
Kjo tregon se shqetësimi i autorit është sa emotiv aq edhe logjik. Duket që Harilla ka shkruar me ndjenjë të thellë përjetuese dhe ka derdhur mbi të pezmin e tij shpirtëror, konvertuar në dhimbje e stres. Dhimbja dhe arsyeja janë dy nga elementët bazë që e përshkojnë nga fillimi deri në fund dhe i japin nervin e duhur prozës së këtij autori.   
   Me enigmën e zhvillimit tonë, janë marrë në çdo kohë, bijtë më të shqetësuar të këtij vendi. Mjaft prej tyre e kanë konstatuar zgjidhjen e tij brenda “vetave tona”, brenda një psiqike të sëmurë.  “E keqja më e madhe e shqiptarëve vjen nga vet shqiptarët”, do të thoshte dikur Faik Konica. Pikërisht ky iluzion konfigurohet edhe tek autori i këtij libri. Ai rreket ta zbërthejë këtë enigmë nëpërmjet elementit historik të popullit tonë. Ky është një pozicion sa i vështirë aq edhe serioz sepse është udha e vetme e depërtimit analitik të fakteve.
“Të mos kuptuarit e të tashmes, lind në mënyrë të pashmangshme nga mosnjohja e së kaluarës” thotë studiuesi i mjeshtërisë së historisë, Marc Bloch. Në këndvështrimin e këtij libri synohet pikërisht ky vlerësim i tillë: Realiteti i vlerësuar në të gjitha kohërat dhe e sotmja vjen në mënyrë të pashmangshme si një rezultante e realiteteve të shkuara.
   Harilla Goga ndihet mjaft i shqetësuar për anën historike të problemit. Duket këtu se mendimi i tij përputhet me arsyetimin filozofik të Marin Barletit i cili thoshte se “Historia na tregon gjurmët që duhet të ndjekim në jetë”.
Këto gjurmë vijnë të përhumbura në shekujt e pushtimeve të huaja. Harilla e shikon këtë fakt si një devijato të psiqikës sonë, shkaktuar nga ndikimi i kulturave orientale mbi trashëgiminë tonë oksidentale. Është një faktor ky që ka ndikuar trishtueshëm në psiqikën tonë kombëtare.             
Krenaria e sëmurë, mburrja, egoizmi, xhelozia, thashetheme, mospranimi i më të aftit dhe më të ndershmit, përbëjnë “gurët e errët” në gjerdanin e kësaj psiqike.  Filozofia e interpretimit të tyre mbi krahasimin dhe digresionin kohor, “gdhend” në kujtesën e lexuesit edhe nevojën e madhe të korrigjimit të saj, në përputhje, me mënyrat e reja të gjykimit dhe kërkesat bashkëkohore të zhvillimit dhe edukimit me elemente të qytetarisë demokratike. Një nga këto nevoja aq të domosdoshme në jetën e shqiptarëve, është edhe toleranca.
   Toleranca, si një element i rëndësishëm i bashkëpunimit komunitar është ndërkohë edhe një etalon i vlerave të vërteta të një shoqërie demokratike, në relacion me zhvillimet  bashkëkohore të popujve të tjerë. Harilla Goga i mëshon pikërisht vullnetit të mirë të bashkëpunimit, kuptimit të konfliktit të pashmangshëm dhe domosdoshmërisë së tolerancës, aq të munguar tek shqiptarët. Kjo përbënë edhe një nga “shenjat” më të dukshme deformuese të psiqikës sonë, pasqyruar nëpërmjet diagramës së sajë, dhënë në faqet e këtij libri.
Parë nga ky kënd, libri përbën një shtjellë mendimesh që rrahin drejt një  vështrimi modern të së ardhmes.
   Gjithë diagrama e psiqikës sonë kombëtare dhënë nëpërmjet elementit historik, fatit të pashmangshëm gjeografik dhe trysnisë  primitive të robërimit shekullor, gjykohet nga autori dhe interpretohet prej tij, në shërbim të edukimit qytetar të shqiptarëve.
Kjo do të thotë se libri nuk ka në thelb vetëm zhbirimin e defekteve të psiqikës së njeriut dhe transparencën e saj mbi origjinat e hershme mesjetare, por edhe zhvillimet e reja të kësaj psiqike, në planet e kulturave integruese europiane.
Në këtë plan, ky libër është “udha e qumështit” në qiellin e vërejtur të zhvillimit social, në dritën e të cilit, shquhet udha e vërtetë e integrimit tonë europian.          
Në këtë kuptim, “Unë dhe ti në shoqërinë shqiptare”,me dritën kuptimore të përmbajtjes së vetë, përbën një prurje të re në bibliotekat tona, sa interesante, aq edhe të domosdoshme për njohjen e problemeve të mprehta politike dhe sociale të popullit tonë.


Related Posts: