Nga Flori Bruqi:Sofër e shtruar me lule

Frrok Kristaj.jpg




Frrok KRISTAJ (1944) u lind në fshatin Zym të Hasit të Thatë, komuna e Prizrenit. Shkollimin fillor e filloi në Zym dhe e kreu në Rakosh të Istogut. Shkollën Normale e kreu në Prizren, kurse Akademinë Pedagogjike në Gjilan. Vijoi studimet në Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Fakultetin Filologjik, sikurse edhe ato të Gjeografisë në Fakultetin e Shkencave të Universitetit të Prishtinës. Punoi në arsim në Planejë, Mazrrek, Gjonaj e Zym, pastaj në Akademinë Pedagogjike në Prizren, kurse nga viti 1978 ishte gazetar i të përditshmes “Rilindja” në Prishtinë. Në vitin 1986 u emërua arsimtar i Shkollës me mësimit plotësues në gjuhën shqipe në Hamburg të Gjermanisë. Në vitin 1991 kthehet përsëri në “Rilindje” (atëbotë botohej “Bujku”), pas luftës në Kosovë përsëri punon në “Rilindje”, kurse nga viti 2003 ishte gazetar i të përditshmës “Bota sot”, si dhe tash së fundi ishte redaktor i kulturës në te përditshmën ‘Iliria Post’. Është bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit Albanologjik të Prishtinës, themelues i SHKA “Katarina Josipi” në Zym (1970), Klubit letrar “Shtjefën Gjeçovi” në Zym (1971), manifestimit letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Gjeçovit” në Zym (1971), Kuizit të diturisë të Shkollës (me mësim plotësues në gjuhën) Shqipe në Gjermani (1991), i manifestimit kulturor “Ditët përkujtimore Nëna Tereze” në Prishtinë (1998), manifestimit letrar e kulturor “Gjurmë të Gjeçovit” në Janjevë (2001) etj. Me krijimtari letrare merret që si nxënës i shkollës fillore dhe se pjesë nga krijimtaria e tij është botuar në të gjitha gazetat dhe revistat në gjuhën shqipe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Kosovën Lindore dhe në Shqipëri, por edhe në SHBA, Zvicërr e Gjermani. Do përmendur se herë pas here punimet e tij janë përkthyer në gjuhën serbe në Kosovë, në gjuhën kroate (në “Oko” të Zagrebit), në gjuhën turke në Kosovë, si dhe në gjuhën suedeze e gjermane (nga Ana Maria Schertel).
 Është mbledhës i pasionuar i folklorit.

Deri më tash ka botuar:

ISHULLI I PRITJES (poezi), "Rilindja", 1978, Prishtinë
NJERIU I PENËS DHE I ARMËS (monografi me bashkautor S. Zogaj), KL “Sh. Gjeçovi”, 1980, Zym
PËRSHËNDETJE VENDLINDJES, KSH "Kosova", 1988, Hamburg (Gjermani)
TROJET E SHQIPEVE I (tekst-test me bashkautor M. Reçica), KSHA, 1993, Rottweil (Gjermani)
SHTETËSIA E KOSOVËS (publicistikë me bashkautor K. Devaja), PSHDK, 1995, Prishtinë
ZYMI I HASIT (me bashkautor N. Kërhanaj), KL “Sh. Gjeçovi”, 1996, Zym
TROJET E SHQIPEVE II, KASH, 1997, Wuppertal (Gjermani)
SOFRA E NËNËS (monografi), SHHBK "Nëna Tereze", 2000, Prishtinë
KATARINA JOSIPI - KATI (monografi), SHB "Anton Pashku", 2004, Prishtinë
ASHTI YNË FERISHTE NË GUR (poezi), SHB "Anton Pashku", 2004, Prishtinë
SHKA “Katarina Josipi” (me bashkautor), SHKA “K.Josipi” – Zym, 2005, Zym
ANTON PASHKU – GJENIU I MODERNES, SHB “A. Pashku” – Prishtinë e KL “A.P.” Kukës, 2005
IMZOT NIKË PRELA (monografi), Shoqata HEKAS “Nikë Prela”, Ferizaj, 2006
MËSUESI GJON (monografi), SHB “Anton Pashku”, 2007, Prishtinë
MONOGRAFIA kushtuar manifestimit “Takimet e Gjeçovit 1971-2006” etj.

Ka përgatitur për botim almanakët që janë botuar:

GJURMË TË GJEÇOVIT 2001
GJURMË TË GJEÇOVIT 2002
GJURMË TË GJEÇOVIT 2003-2004

Ka përgatitur numrat tematikë të revistave:

TRIBUNA (kushtuar Nënës Tereze me rastin e vdekjes), nr. 3-4, 1997, Prishtinë
IDENTITETI (kushtuar pesëvjetorit te vdekjes së Nënës Tereze), nr. 2, 2002, Prishtinë

Ka botuar revistat:

ZËRI I HASIT, Klubi letrar “Shtjefën Gjeçovi”, Zym - Has
KOSOVARI, Klubi i shqiptarëve “Kosova”, Hamburg (Gjermani)


Etj.

Me Kosovën në besë


Kosova është më e madhe se dashuria
Orë fati ndër dallgë e dhembje
Sofër e shtruar me lule
Oqean psherëtimash mbytur në valë
Vesë gjithmonë mbi lule
Amshim-me Kosovën në besë



Shenjtrimi i Kosovës


Kosovës po i shënjeronimet bekimi
Kosovës po i shënniketet himni
Kosovës po i shëngjergjet flamuri
Kosovës po shënnënëterezet shpirti

Shenjtrimi i Kosovës


Kosovës po i shënjeronimet bekimi
Kosovës po i shënniketet himni
Kosovës po i shëngjergjet flamuri
Kosovës po shënnënëterezet shpirti

Shtëpia me Zot


Themel i qëndresës
derë e bujarisë
odë e burrërisë
log i trimërisë
fushë e pjellërisë
sot
e përmot
Shtëpia me Zot


http://www.kosovarimedia.com/home/albakos/138-biografi-te-ndryshme/2680-kush-eshte-frrok-kristaj-1944-jeton-ne-prishtine-flori-bruqi.html


Martir i shkollës dhe i çështjes kombëtare

Mëhilli apo Hili i Vogël, siç e quanin Shtjefën Gjeçovin moshatarët në Janjevë, plot 26 vjet, krahas detyrës së priftit, ia kushtoi edhe arsimit dhe edukimit kombëtar. Në Zym të Hasit Gjeçovin e vranë serbët. Gjeçovi ishte shkrimtar, arkeolog, kodifikues i normave të kanunit, folklorist, poet dhe patriot

Shkruan Frrok KRISTAJ

Studiuesit e jetës dhe veprës së Atë Shtjefën Gjeçovit e kanë konsideruar figurën e tij si njërën ndër më të ndritshmet e më të shquarat e historisë dhe kulturës sonë kombëtare. Në fakt, Gjeçovi është konsideruar dhe konsiderohet edhe tash, njëra ndër shëmbëlltyrat më të shkëlqyera për t'i ruajtur, rigjallëruar dhe për t'i bërë të pavdekshme visaret popullore që kanë vlera të jashtëzakonshme. Ai - Gjeçovi ishte në radhë të parë prift i ritit françeskan, ishte mësues, arkeolog, mbledhës i palodhshëm i folklorit, krijues letrar, poet, dramaturg, përkthyes, publicist dhe atdhetar i përkushtuar.Atë Shtjefën Konstantin Gjeçovi - Kryeziu (Janjevë, 12 korrik 1874 - Zym i Hasit, 14 tetor 1929) jo vetëm që jetën e vet ia kushtoi mbledhjes së folklorit, vjeljes së vjetërsive, arkeologjisë e etnografisë, letërsisë, përkthimeve të veprave letrare, sociologjisë familjare, atdhetarisë, por për 33 vjet pune të plota, sa punoi gjatë jetës së vet, 26 sosh ia kushtoi arsimit e edukimit kombëtar. Andaj, ai edhe zë një vend të nderuar edhe në historinë e pedagogjisë shqiptare për idetë pedagogjike që dha në veprimtarinë e shumanshme arsimore e kulturore si prift e mësues.

Të hapim shkolla shqipe!

Atë Shtjefën Gjeçovi - Kryeziu gjatë jetës së vet nuk shkroi ndonjë vepër të veçantë pedagogjike, madje nuk i regjistroi as kujtimet e tij si mësues, megjithatë problemet e arsimit dhe të edukimit të popullit shqiptar, në veçanti të brezit të ri, i trajtoi në shumë studime, artikuj, libra e publikime të tjera, që i shkroi e disa prej të cilave edhe i botoi sa ishte gjallë.Se vërtet do të bëhej arsimues i popullit Mëhilli apo Hili i Vogël, siç e quanin moshatarët e tij Shtjefën Gjeçovin në vendlindje para plot 135 vjetëve kur edhe u lind (Janjevë, 12 korrik 1874), sinjalizoi që në ditën e parë të shugurimit në detyrën e shenjtë të priftit në Zllakuqan (të Klinës), më 25 korrik 1896. Atë ditë, siç thonë edhe Rrok Zojzi e Ruzhdi Mata, autorë të monografive kushtuar Gjeçovit, nuk lejoi t'u bihej kambanave të kishës, siç ishte edhe zakon e rregull kishtar, por lëshoi një kushtrim tjetër në fshat: "TË HAPIM SHKOLLA SHQIPE!" Pas një kohe, në vitin 1897, në këtë fshat me angazhimin e Shtjefën Gjeçovit u hap shkolla shqipe dhe mësues u bë ai vetë. Kështu, ai veproi edhe në vende të tjera, kudo që jetoi e punoi. Gjatë 26 vjetëve, sa ia kushtoi arsimit shqiptar, punoi në 11 shkolla, kurse në pesë vendbanime ku qëndroi, hapi shkollat e para, të cilat funksionuan në kushte shumë të vështira. Për veprimtari arsimore që e zhvillonte pa lejen e qeverisë së atëhershme Gjeçovit iu tërhoq vërejtja. Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit në Shkodër, më 1916, ia dërgoi një shkresë Gjeçovit se "nuk do të shpërblehej për punën e bërë nëpër shkolla" e ai u përgjigj se "nuk shërbej për para e shpërblim, por për ta vleft popullin". Bile, Gjeçovi është themeluesi i bibliotekës shkollore - e hapi bibliotekën e parë shkollore në Shkodër, por edhe i ekskursionit shkollor.



Monumenti i Atë Shtjefën Gjeçovit në Zym të Hasit
Intelektual i denjë i kulturës kombëtare

Atë Shtjefën Gjeçov - Kryeziu u lind në Janjevë të Kosovës 12 korrik 1874). Mësimet e para i filloi në vendlindje e më pastaj shkollimin e vazhdoi në Troshan të Shkodrës, në Kolegjin Françeskan. Më vonë i vijoi mësimet fetare për teologji e filozofi në Dërventë, në Banja Llukë, Fojnicë, Kreshevë e në Livno të Bosnjës e Hercegovinës, të cilat edhe i kreu me sukses të dalluar. U shugurua meshtar në Zllakuqan të Klinës, kurse shërbeu në Laç, Kurbin, Theth, Prekalë, Vlorë, Zarë (Dalmaci), Livno (Hercegovinë), Gomsiqe, Pejë, Gjakovë, Zym e vende të tjera. U vra nga dora serbe në Zym të Hasit të Thatë, më 14 tetor 1929 dhe u varros në oborrin e Kishës së Shën Prenës në fshatin Shëngjergj afër Zymit të Hasit të Thatë.Shtjefën Gjeçov - Kryeziu duke qenë intelektual i denjë i kulturës kombëtare shqiptare u mor me shumë veprimtari të preokupimit intelektual e të hulumtimit shkencor. Figura e ndritur e kombit tonë - Shtjefën Gjeçovi, kontribut të çmueshëm dha sidomos në fushën e teologjisë, arsimit, historisë, etnografisë, arkeologjisë, sociologjisë familjare, mbledhjes së folklorit, në krijimtari, përkthime e kështu me radhë. E gjithë kjo dëshmohet me shkrimet e tij të botuara e të pabotuara - në dorëshkrim. Veprat më të rëndësishme të tij janë: "Një argëtim arkeologjik" (1902), "Agimi i gjydetnisë" (1910), "Dashnia e atdheut" (1901), "Jeta e Shën Luçisë" (1904), "Sebast s'Armeni apo n'Arbëni" (1921), "Trashëgime thrrako-iliriane" (1924), "Kanuni i Lekë Dukagjinit" (postmortum, 1933), "Shëlbuesi i botës ase jeta e Jezu Krishtit" (postmortum, 1994), "Shqyptari ndhadhnjyes" (postmortum, 2002) e të tjera.Bile, për veprën "Kanuni i Lekë Dukagjinit", i botuar pjesë-pjesë në revistën "Hyllui i Dritës" dhe për veprën "Trashëgime thrrako-iliriane", vepra këto që u përkthyen edhe në gjuhën gjermane, Universiteti i Lajpcigut (në Gjermani) Gjeçovin e nderoi me titullin e nderit "Honoris caussa".

Luftoi me penë e me pushkë

Atë Shtjefën Gjeçovi krahas luftës me penë që bënte kundër armikut, si famullitar edhe pse në kundërshtim me normat kishtare, ai rroku edhe pushkën kur e kërkoi nevoja në mbrojtje të atdheut, që e ilustron edhe thënia e tij: "atdheu është mbi të gjitha edhe mbi jetërat!". Kurdo herë që e kërkoi puna ai e vëri pushkën dhe krapërkrah me luftëtarët shqiptarë u fut në flakën e luftës. Luftoi në Vlorë, por edhe në viset tjera etnike shqiptare.Njëherësh, Gjeçovi bashkë me bashkëkohës të tij organizuan Kuvendin e Bajrakut në Kurbin, Kongresin e Lushnjës, Luftën e Vlorës e kështu me radhë, por edhe pas ngritjes së Flamurit Kombëtar Shqiptar në Vlorë, Gjeçovi ngriti Flamurin Kombëtar në Kalanë e Dejës.Duke shpalosur figurën e Atë Shtjefën Gjeçovit, shpalosim aspekte të identitetit tonë kombëtar dhe rrënjët e thella të kulturës sonë, që po ashtu përkujton kapitujt më tragjik e më krenarë të historisë sonë.