KRISTAQ TURTULLI
LIQENET...
Poemë
E dashur e trishtë dhe e brishtë ishe atë mbrëmje
Mbështjellë me pallton e kuqe,
Ne të lëbyrta trotuare ecje
Si një lulesë vese.
Ora e fshehtësive trokëllinte.
Nuk e di në e ndjeve,
U brejt shkalla e argjëndë
Prej dhëmbëve të natës.
U thyen shkallinat një nga një,
U pre shpresa të ngjitesha në liqenet e hënës,
Siç më the, të gjeja lëngun e pavdekësisë.
Më beso, po të mos isha mbajtur në të tuat qerpikë,
Do isha dërmuar, thyer duar dhe këmbë.
Përsëri trishtimi dhe brishtësia jote më mundonte,
Mjaft te lutem hidhe tutje.
Gjithe fshehtesi dhe dliresi më pëshpërite:
Hëna është e pabesë,
Të fshehtat liqene le ti gjejmë këtu në tokë
Pse jo dhe pavdekësinë...
Eh e dashur nuk është e lehtë
Ti e di ia rrëmbyen erërat Odisesë pavdekesine.
Ku ti gjesh të kthjellëta liqene,
Në këtë botë të çmendur,
Te mbushur me helme dhe mistere.
Ngulet me veshtrove,
Më beson mua, hë më beson?
Gati sa nuk klithe.
Heshtazi kryet luajta.
Pëllëmbë më pëllëmbë kërkova,
Larg shumë larg shkova,
Deri tek Japonia.
Aty ku ndodhin tërmete masive,
Përmbytje dhe shkatërrim gjeta,
Trishtimin, lotimin, përmbytjen e liqeneve
Të syve të nënave dhe fëmijëve,
Të prekur prej rezeve atomike.
I turbulluar u tërhoqa prapa,
Me frikën e përpirjes prej erërave dhe dallgëve.
E dashur,
Lumenjtë ndryshuan shumë shpejt rrjedhë,
Një rrip i gjerë toke u fut në sqetullën e oqeaneve.
Qytetet janë përmbytur prej morisë së makinave,
Prej maleve te togjeve të hedhurinave,
Gradaçielat rrëgjuar janë prej viteve
Nuk pastrojnë më sklepat e yjeve,
Helm pikojnë centralet e krisura atomike.
Floriri i zi ka vënë botën në zgjedhë.
Përdridhet, lëpihet Evropa plakë,
Si dhe krenarja Amerike,
Nuk ka naftë.
Çmimet thyejnë harkun e marrëzisë.
Lindja e mesme është në flakë.
Dielli nxjerr dhëmbët e zjarrtë,
Në shtegun e qerbelasë
Karvanët shtegtojnë,
Era e shkretëtirës ka ngecur nëpër oaze,
Çingenetë këndojnë,
Imamët predikojnë.
Kriza etjen kërkon të shuajë
Revolucione të zgjojë,
Apo të zhduket prej asgjësë.
Diku vendin e heleneve
Në një qytet në Greqi
Jeton im vëlla, zemërarti,
Yjet numëron çdo mbrëmje
si në tespihe,
Për të sjellë Korçën pranë.
Nuk ka punë,
Veç të vjetrën kitarë.
Nuk ka me se të paguajë qiranë.
Ëndrra u zhgërrye rrugicave.
Hamejtë thërresin pazareve,
U ra, u dermua hunda vendasve.
Shkuan për dreq, u këputën telat serte te buzukëve.
Në hale të venë!
Iu thyen kokallat kuajve të drunjte,
te lashtë.
Grehinat rane perdhe...
Ndaj e brishta ime,
Vuajta dhe mezi i gjeta.
Ti ishe aq larg dhe aq pranë!
Një hop frymën ndala nga e papritura.
Ndryshe nga sa mendoja,
Liqenet e syve të tu
Janë vërtet kaq të kaltra, të kaltra!
Imazheve duhej tu besoja?
Pafjalë prita,
Tinëzisht më ftonte joshja.
Flladi, jeta.
Plogështinë tutje flaka,
Hutueshëm u zhvesha...
E dashur,
Mendon se është më mirë të bjerë dëborë,
Të bëjë ciknë,
Ngricë,
Liqenet e tu të bukur të ngrijnë,
Vetëm fëmijët të shkasim me patina.
A mund të mpaket jeta!
Je e bindur për çfarë thua?
Njëherësh beson se bulëza e vesës së ëndrrës
Pikon mbi karafila, tulipanë dhe zambakë?
Gurgullima e burimeve ngop liqenet e syve.
Nuk ka gjë e dashur, nuk ka gjë,
Mbaje besimin si të vërtetë.
Për të mos të fyer i shkujdesur kërceva,
Notova,
Paçka se ishte ftohtë,
Mërdhiva
U drodha,
Disa gllënjka të mëdha me ujë piva.
Por nuk u ngopa.
E dashur, të besosh bën mirë,
Në liqenet e syve të tu,
Është freskët dhe endet një puhizë e lehtë.
Rruga është e hapur, nuk ka hone dhe gropa,
Peshkaqenët kanë ikur oqeaneve,
Balenat u thanë brigjeve.
Nuk i pëlqejnë ujërat e ëmbla.
Dita nuk ngjan e mugët
Horizontet sigurisht janë të hapura,
Të kthjellëta.
Unë shikimin tutje mbërtheva,
Atje ku lartohen selvitë
E hijshme të qerpikëve.
Lart, në kurorën e qiellit
Shume shpendë dallova,
Lejlekë, thëllëza, bilbila,
Pëllumba të bardhë,
trumcakë.
Dhe një shqiponjë
Fluturonte ngadalë, hijerëndë,
U fërgëllova.
E dashur e dëgjon, nanurisjen e lashtë,
Të ujërave të qeta,
Përplasjen e krahëve të zogjve shtegtarë,
Të pulëbardhave
dhe këngën e zvargur të peshkatarëve?
Mbi ta endet mjegulla e përhimë.
Dëgjoje llapashitjen e butë të lopatave.
Simfoninë e breznive.
Ishujt e shumtë,
Lundrojnë si anije të mëdha e të vogla,
të gjelbra.
Në ishujt e syve të tu ka kaçube të dendura,
Ku fshihen lepuj, dhelpra dhe ketra.
Ndoshta luanë dhe tigra.
U drithërova.
Nuk e di ku fshihet fshehtësia...
Në liqenet e syve.
Lëbyra diellore
Pasqyrohet thellë
Në ujë,
Ku dallohen gjurmët e varkave të mbytura.
Armët dhe veshjet e piratëve.
Skeletet e botës antike.
Si dhe reflekset hënore.
Dritë hijet e marrëzive,
Kryqëzohen dhe priten skajeve,
U shtanga.
Nuk e di ku gjendet pavdekesia...
Pulëbardhat përplasnin krahët,
Krakërijnë dhe gjuajnë
Peshqit e artë.
Delfinët besëplotë flenë,
Në tarracën e pasigurisë.
Besojnë se nuk ka më furtunë,
Uragane, tërmete.
Dhe lenë fëmijët me ta të luajnë.
Edhe te riturit behen femije naive,
Verberisht besojne se cdo gje qe thuhet dhe shfaqet eshte e vertete.
E dashur u turbullua vala
Në kalin e ujit është shaluar dinakja sirenë,
Këndon këngën e lashtë të kodoshëve.
Ujërat janë të thella
Doja të kthehesha,
Dhe heshtas shpresova.
Se nuk do jenë larg
Ditët me diell dhe me trëndafila.
U nxeha,
Në shpinë u rrotullova.
Jashtë ëndrrës pulsonte jeta.
Bulëzat e vesës pikonin mbi selvitë
E larta të qerpikëve.
Po më ndalej fryma.
Ujërat e syve të tu ishin
Të nxehta, të nxehta, të nxehta...
E dashur palltoja e kuqe eshte e holle,
Vetem krahet ke mbeshjelle.
Dhëmbët e natës vazhdojnë të gërryejnë,
Nuk ka më shkallë për tu ngjiture në hënë.
Më kot kërkuam pavdekësinë...
E dashur trishtë dhe e brishtë ishe atë mbrëmje
Dhe ora e fshehtësive trokëllinte...
Prill 20011 Toronto