Ese për librin “Orfeu nga Vendenisi” të autorit Kadrush Radogoshi

Ankthet e një poeti kohëtar



Vasil Vasili



Kadrush Radogoshi lindi më 15.9.1948 në Gjakovë, ku historia s’ka mbaruar së shkruari ende. Punoi në arsim… për “propagandë (pro paganë) armiqësore” u burgos. Tani që e kemi në kohën e shkuar kohën kur për… u burgos ai dhe të tjerë që ndienin ndryshe, ia kuptojmë më qartë mjetet shprehëse e veçmas të pakrahasueshmen e saj, propagandën optimiste, që ishte një artific për të pasqyruar një asgjë që duhej ta besoje dhe ta shikoje si jetë të re, ndryshe Kadrush Radogoshi e të tjerë, shkuan ta shikojnë për metodë në burgjet e propagandës dhe në burgjet e huaja jetën e re… “Kur policët bëhen poetë/ Poetët bëhen policë”. Është marrë dhe merret me artin e të shkruarit të bukur dhe me kritikë letrare. Libri i fundit (i njëmbëdhjeti), “Orfeu nga Vendenisi” në psikikën time lexohet edhe “Këngëtari nga Vendenisi” ose edhe “Këngëtari nga Pellasgjia”. Njeriut Kadrush Radogoshi i kanë mbetur edhe pak troje shqiptare pa i shkelur, po poeti Radogoshi trojet shqiptare, ilirike dhe pellasgjike i ka përshkuar dhe ka ndalur në të gjitha kohët e tyre. “Fillova të përmbush porosinë/ Pashë se të gjithë emrat Vjosë / Mbiemër kishin nga një lumë”. Pasqyra e kohëve pellasgjike dhe ilirike është shumë e madhe, sot ajo është një mbetzë, prandaj poetin e sotmja s’e magjeps se e shikon veten të mrrolur. Pa thirrma majekrahu, me art, ai kërkon të vendos njeriun e sotëm të Vend e Nisit kundruall problemeve qenësore.





Kohëtar

Megjithëse paganizmi si sistem besimi ia ka lënë vendin feve të mëdha, ai ende gjallon i harlisur në arte e në letërsi dhe poezia e sotme është një mitologji moderne. Shpirtëzimi ka mbetur i pandryshueshëm si një gjetje e pazëvendësueshme për ta shtyrë kohën e njeriut përpara dhe për të bërë një lidhje shpirtërore me pemët, gurët, diellin, lumenjtë. Poetët janë paganët e dikurshëm me liri mitologjike, pavarësisht trysnive të besimeve të tjera të mëdha ose në bashkëjetesë edhe me sistemet e besimeve të mëdha, po gjithsesi përfytyrimi, çelësi i artit, është në fondin e papranguar të fillesës njerëzore. Në shpirtin e poezive të Kadrush Radogoshit frymon një pagan kohëtar.



Përqasje kumtesh artistike

Shumë poezi të librit” Orfeu nga Vendenisi” janë ndërtuar me trysninë e ankthit.

Ndihet në to ankthi nga tagri i shtetit, nga gërryerjet e trupit nga luftrat, nga kohërat dhe edhe nga e sotmja jo e qashtër. Ato janë pjesë të shpërbëra të psikikës kombëtare që ka ende ankthe për qenien dhe për rrjedhojë poezia ende s’është tingull i pastër , po është edhe mision. Serembe dhe Poradeci kanë qënë luks për kohërat kur shkruan e vijojnë të jenë të tillë, ndërsa Naimi dhe Fishta ishin domosdoshmëri. Nga domosdoshmëri të tilla ende s’jemi shpranguar. Një nga ankthet, ndoshta më i thelli i poezisë së Radogoshit është mospërmbushja ende e të gëzuarit të fatit kolektiv parak. “Ty s’të rrihet pa këngë / Po unë nuk dua të jem këngë pikëllimi”. Ankthi i ka dhenë dhe i ka shërbyer strukturës së ndjenjës, të të menduarit të poezive si njëra gjymtyrë. Ky ankth s’është i sotëm, po i shtresëzuar nga kohërat dhe merr pjesë në paradoksin e mospërmbushjes. Ankthi të tkurr, të trondit, të pikëllon, lirizmin ta vesh me kostum kombëtar, çastit i jep histori, s’e lë të lire me vetveten. Brënda këtij qerthulli psikoartistik i shikoj poezitë e Kadrushit. Ato më shëmbëllejnë si një gjëndje pas goditjes shkëndijuesee mbi një pasqyrë që e kthen figurën të tjetërsuar, po në brendësi të saj (poezisë), është pamja që s’e ka humbur thelbin. Detaji në një fare shkalle është në simbiozë meankthin dhe prapë, në një fare shkalle, poezia është e parapërgatitur dhe e kushtëzuar nga ankthi i poetit dhe ai kombëtar. Vendosjet kohore, vendore si struktura

detajore i japin thellësi poezive dhe ndihmojnë në krijimin e gjuhës së dytë, gjuhës së nënkuptuar. Me ndërgjegje artisti, poeti i është larguar realizmit të ashpër duke përdorur nënkuptimet. Ai ka ngritur qëndresën moderne në trojet e poezisë dhe ruan një përkorje për të mos dalë nga vetvetja, herë- here poezinë ia përshkon një nerv popullor i kontrolluar. Unik poetik e shpërfaq me gjithëfarë mënyrash, po spikatin lulet, lisat (e shenjtë), pasqyrat, sytë, dielli, po dhe dy kohë: e shkuara dhe e tashmja.

Kadrushi është poet i kohëgjeografisë sonë, i lidhur me vetveten si poet modern dhe i zgjidhur nga vetvetja për t’u lidhur me fatet e bashkësisë si poet i misionit.



Nga poezia e Kadrush Radogoshit


TANI MUND TË FLEMË REHAT

Policët krijuan emra e mbiemra

Për njerëz e kafshë

Pastaj i burgosën gjuhëtarët



Vizatuan harta rrugësh

Piktorët i shndërruan

Në shenja trafiku.



Krijuan definicione

Për të gjitha gjërat

Filozofët i burgosën paafat.



Në fund thanë:

Tani mund të flemë rehat.



KUSH KA DËSHIRË T’IA FALË NJË KAIN?

Të gjithë paskan dëshirë t’u falësh diç! Nuk

mund të kontestohet fakti se juve ju mungon së

paku një Kain, prandaj për dëshirën time e tuajën,

këtë rradhë, vendosa të jua dhuroj Kainin tim.

Kaini im është po ai i lashti dhe nuk njeh

kurrëfarë kufiri. Është krijesë universale, shumë e

përshtatshme për erotikën globale. Vëllau i tij

nuk quhet më Abel. Mund ta ketë emrin e cilitdo.

Mund të komunikoj në shumë gjuhë. Mund ta

ketë shqipen gjuhë amtare, ndërsa anglishten

zyrtare. Abeli i sotëm është i ndryshëm, tërësisht

i ndryshëm nga Abeli i lashtë, por vetëm fatin e

ka të njëjtë, ndonëse çirret duke bërtitur: “Rroftë

vëllau im i dashur! Rroftë i dashuri vëlla!”

Britmat e tij përplasen në veshët e shurdhër të

erës.



ARVANITASI LIS I VJETËR

Është lis i vjetër

Po s’thahet dot

Gjethet e reja

I reshin lot…



Është Gjergj Elez

Me njëmijë e një plagë.



Në çdo plagë

I çel nga një lule

I këndon nga një zog.



Binjakë me Drurin e Jetës

Është…



KËNGA NGJALLI GURË E DHE

Inva Mulës

Hapin tënd në Gjakovë

E njohën të gjitha rrugët.



Qielli i qytetit

I njohu dy copat e veta

Të vendosura në sytë tu.



Asnjë bilbil nuk e duroj mallin

Të gjithë u futën në gojën tënde

E ia filluan këngës…



Kënga ngjalli gurë e dhe

Në atdhe…



TY

Ty s’të rrihet pa këngë

Po unë nuk dua të jem

Këngë pikëllimi…



Nëse në mëngjes

Të duhet pika e vesës

E rrezja e parë

Ja ku më ke

Të tërin vesë

Të tërin rreze…



Ty s’të rrihet pa shikuar

Mund ta shikosh

Kokën time të lodhur

Të mbështetur mbi atë disk

Të hënës së zbehur

Mund ta shikosh

Edhe atë yll

Që mi ka rrëmbyer

Peizazhet e kaltra

Nga sytë.



MASAKËR MBI FJALËT

Dikush tha se fjalët janë lule. Erdhi dora e

tregtarit të luleve dhe i këputi për t’i nxjerr në

tregun skaj rruge. Një polic i bleu për t’ia dhuruar

përkthyeses së dashurisë nga gjuha amtare në atë

të huaj. Ç’ndodhi më tutje rrëfimtari nuk e pa. Ai

pa diçka tjetër. Një këngëtar i verbër ishte duke

kënduar një rapsodi së cilës i dihej fillimi e

asnjëherë fundi. Rapsodi filloj të kollitej sikur t’ i

kishte mbetur diç në fyt. I humbi zëri.

Instumenti me tela, emrin e të cilit s’arrita ta

mësoj kurrë, i ra nga dora. Për habinë time e të

tjerëve Rapsodi i hapi sytë. Gjëja e pare që pa

ishte e tmerrshme. Ishte bërë masakër mbi fjalët

që kishin guxuar të ecnin vertikalisht si njerëzit.

Rapsodi vdiq aty për aty. Pastaj, në vëndin e

masakrës, në majë të bregores mbi qytet,

rrëfimtari pa të rreshtuara varrezat e asaj, që një

dëshmor e pat quajtur dashuri, në kohën kur të

gjithëve u mungonte goja.



METAMORFOZA

Kur policët bëhen poetë

Poetët bëhen policë



Fjalët shndërrohen në pranga

Po nuk e di

A mund të shndërrohen në lule

Prangat…



Libra të Kadrush Radogoshit

“Në mes të heshtjes dhe këngës”, (poezi), Rilindja, Prishtinë, 1981

“Në udhëkryq” (poezi), Rilindja, Prishtinë, 1984

“Nekrologji për Sodomën” (poezi), Zëri, Prishtinë, 1991

“Jeta artistike e Ilir Shkretës” (roman), Rilindja, Prishtina, 1993

“Interpretime” (kritikë, ese, studim, Rilindja, Prishtinë, 1993

“Heraldika e pikëllimit” (poezi), Rilindja, Prishtinë, 1997

“Homo Dardanicus” (roman), Rilindja, Prishtinë, 2000

“Adem Jashari dhe Vdekja” (dramë), Rilindja, Prishtinë, 2001

“Nëpër universin letrar” (kritikë, ese, studim), Rilindja, Prishtinë, 2003.

Ky libër mori Çmimin “Pjetër Bogdani” (Çmimi më i lartë për letërsinë në Kosovë):