Edhe lotët e ajrit po ngrijnë

Din Gjocaj- Mehmeti, poet me origjinë nga Gjakova. Poezia e tij është prezantuar në shumë antologji të poezisë shqipe dhe është përkthyer në mbi 8 gjuhë. Thelbi i poetikës së tij shprehet në konstruktet e tipit: dritë-terr, jetë-vdekje, që zbulojnë natyrën e subjektit lirik, njeriut me shpirt të trazuar e të përçarë më dysh. 


Botohen poezitë e fundit të Din Gjocaj- Mehmetit

Poezitë e fundit që poeti i njohur Din Mehmeti i ka lënë në dorëshkrim janë përmbledhur në “Vajet e shiut”, i cili ka dalë nga shtypi.

Ali Jasiqi, redaktor, dhe Halil Haxhosaj, recensent, janë përkujdesur për botimin e poezive të cilat Mehmeti i ka shkruar në kohën kur ka kaluar muajt e fundit të jetës.



“Kjo përmbledhje është dëshmi më e mirë se edhe në ditët e fundit të jetës Mehmeti ka shkruar poezi dhe ka skalitur vargje në momentet e fundit të jetës”, ka thënë Muharrem Kurti, kryetar i klubit letrar “Gjon Nikoll Kazazi” të Gjakovës, klub ky që është themeluar nga vetë Mehmeti,shkruan ''Koha ditore''.
Kjo është vepra e 17-të e poetit të njohur Din Mehmeti, i cili vdiq më 12 nëntor.






Din Gjocaj- Mehmeti lindi në fshatin Gjocaj afër Junikut më 7 maj 1929. Shkollën fillore e kreu në Junik, kurse të mesmen (normalen në Gjakovë). Studioi gjuhën e letërsinë shqipe në Universitetin e Beogradit, ku u diplomua në vitin 1959. Po aty regjistroi edhe studimet pasuniversitare dhe i dha të gjitha provimet, kurse punimin e magjistraturës me titull: “Nëna në strukturën e poezisë lirike familjare shqiptare” e mbrojti në Universitetin e Prishtinës në vitin 1976.


Din Mehmeti ka punuar si inspektor i shkollave në Lipjan në vitet 1952-1954, si gazetar i rubrikës së kulturës në gazetën “Rilindja” në vitin 1959-1962, si profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në normalen dhe gjimnazin e Gjakovës në vitet 1962-1967, kurse nga ky vit deri në pension punoi si profesor i letërsisë shqipe në Shkollën e Lartë Pedagogjike “Bajram Curri” në Gjakovë si dhe në Fakultetin e Edukimit në Gjakovë. Me shkrime letrare, me poezi është marrë qysh herët. “Të resë s’anë”, është poezia e tij e parë e botuar në revistën letrare “Jeta e Re” nr. 2, 1949.

Veprat e botuara në Prishtinë:

“Në krahët e shkrepave”, Prishtinë, 1961
“Rini diellore”, Jeta e re, Prishtinë, 1961
“Dridhjet e dritës”, Prishtinë, 1969
“Heshtja e kallur”, Prishtinë, 1972
“Ora”, Prishtinë, 1974
“Ikje nga vdekja”, Prishtinë, 1978
“Fanar në furtuna”, Prishtinë, 1981
“Zogu i diellit”, poezi të zgjedhura, Prishtinë, 1982
“Fatin tim nuk e nënshkruaj”, Prishtinë, 1984
“As në tokë as në qiell”, Prishtinë, 1988
“Gjaku që këndon”, Prishtinë, 1993
“Prapë fillimi”, Prishtinë, 1996
“Lumturia është mashtrim”, Prishtinë, 1999
“Mos vdis kur vdiset”, Prishtinë, 2001
“Verbim i bardhë”, Prishtinë, 2004
“Agu” (dramë), Prishtinë, 1982

Vitin e kaluar (2009) iu botua vepra Kompleti i veprave në pese (5) vëllime.

Veprat e botuara në Tiranë:

“Mallkim gjaku”, “8 Nëntor”, 1973.
“Poezi”, (Përzgjedhje) nga Fatos Arapi, “Naim Frashëri” Tiranë, 1985.
“Klithmë është emri im” , Përzgjedhje e poezive nga vet autori Din Mehmeti, botoi, “Ora”, Tiranë, 2004.
“Zjarri i këngës”, poezi, botoi, Botimet “Onufri”, Tiranë, 2007.
“Vaji i shiut” “Jeta e re” Prishtinë 2010
Në gjuhën serbokroate i janë botuar:

Pesme” (përzgjedhje) e të përkthyera nga Mirko Gashi, “Narodna Knjiga”, Beograd, 1976
“Vreme” (“Koha”), “Jedinstvo”, Prishtinë, 1982

Në gjuhën frënge i është botuar:
“Erdhi koha” (“Il est temps”) antologji përkthyer nga Elisabeth Chabuel, në botim të shtëpisë botuese “META-EDITIONS”, Paris, 2006

Din Mehmeti është autori edhe i shumë panoramave e antologjive në gjuhë të tjera:
“Dega e pikëlluar” (me Sabri Hamitin), Rilindja, Prishtinë, 1979 në gjuhën gjermane, frënge, angleze dhe arabishte (Kuvajt)
“Poeti albanesi in Jugoslavia”, La Battana, Rijeka, 1979
“La parole rinato” - (“Fjalë të rilindura”), (me Giasomo Sekoti), Rilindja, Prishtinë, 1970
Din Mehmeti është prezantuar në shumë panorama e antologji shqiptare në gjuhë të huaja:
“Shtigjet e qëndresës” - “Stazama otpora” (grup përpiluesish) Klubi i punëtorëve letrarë të Kosovës, Prishtinë, 1961
“Panorama e letërsisë shqipe në Jugosllavi” (grup përpiluesish) Enti i Teksteve, Prishtinë, 1964
“Për ty”, Poezi nga Kosova, Naim Frashëri, Tiranë, 1969
“Antologjia e lirikës shqipe” (akad. Rexhep Qosja, Rilindja, 1970 dhe Enti i Teksteve 1985)
“E di një fjalë prej guri”, Antologji e poezisë së Kosovës, Naim Frashëri, Tiranë
“Antologji e poezisë së sotme shqipe në Jugosllavi”, Jehona, Shkup, 1977
“Iz savremene albanske poezije” (Dr. Agim Vinca, Sarajevski Dani Poezije, Sarajevë, 1985)
“Antologjia e përshpirtshme shqipe” (Zgjodhi Anton Nikë Berisha), Prishtinë, 1999
“Poesia del Kosovo” (përgatitur Daniele Gianeane) italisht, 1999
“Antologjia e poezisë shqipe e shek.XX” (zgjodhi dhe përktheu: Kun Stasjens) flamange, Amsterdam, 2000.
“Antologji e poezisë shqipe” (Dr. Ali Aliu) Tetovë, 2000
Katër poetë (zgjodhi e përgatiti Xhevahir Spahiu), Tiranë, 2000
Antologji e poezisë shqipe: “Shqipet dhe malet”, në suedisht
“Sytë që shkrepin dashni” (Poezi të nëntëve), Jeta e re, Prishtinë, 1959
Aiers voix Albaneses dons La Niut chox de txtes presentes et traduits par Alexander Zotos, Paris
“Një gur i çarë”, antologji për Kosovën (përgatitur nga Ali Podrimja) Prishtinë, 2005
“A split stone” (Antologji e përgatitur nga Ali Podrimja) Translated from Albanian Avni Spahiu, Prishtinë, 2006
“Antologia poeziji albanskiej XX Ëieku” (Përgatitur dhe përkthyer në polonisht nga Mazllum Saneja), 2005

Din Mehmeti është prezantuar me panorama të veçanta dhe të përbashkëta në shumë gjuhë të botës të përkthyera nga Robert Elsie dhe Hans-Joachim Lankosh në gjuhën angleze dhe gjermane nëpër revista dhe gazeta.

Shpërblimet e fituara:
1972 - Shpërblimi i Dhjetorit për librin “Heshtja e kallur”
1978 - Shpërblimi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për librin “Ikje nga vetja”
1984 - Shpërblimi i “Rilindjes” dhe Mitingut të poezisë për librin “Fatin tim nuk e nënshkruaj”
2005 - Shpërblimi Kombëtar “Azem Shkreli” për vepër jetësore në krijimtarinë artistike iu nda nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës.

Për krijitarinë poetike të Din Mehmetit kanë shkruar:

Hasan Mekuli, Rexhep Qosja, Ali Aliu, Fatos Arapi, Ali Jasiqi, Adriatik Kallulli, Mensur Raifi, Robert Elsie, Hans-Joachim Lankosh, Ferkli Jorgoni, Drashko Rexhep, Emin Kabashi, Ibrahim Rugova, Agim Vinca, Elisabeth Chabuell, Mehmet Kraja, Basri Çapriqi, Halil Haxhosaj, Hasan Hasani, Jonuz Fetahaj, Besim Muhadri,Flori Bruqi, Pjetër Geci, Fatmir Terziu dhe shumë kritikë të tjerë shqiptarë dhe të huaj.

Din Mehmeti ishte anëtar i kryesisë dhe themelues i Klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi” i Gjakovës, anëtar i PEN Qendrës së Kosovës nga viti 2004.
Vdiq në Gjakovë më 12 nëntor 2010.


ZOG MENDIMI

Duke shprushur mendimin
Lindi një zog i bardhë

Shumë kohë me këngën e vet
Mbolli lule në rrudhat e mia

Shumë kohë syve m’u dha dritë
Rrugë hapave

Sa herë këndonte për mua
Mblidheshin rreth tij
Shpendët gjakatarë për ta ngrënë
Por zogu fshihej në honin
E thellë të Unit tim

Nuk këndonte duke ikur
Me frikë në palcë nuk jetohet
M’i lëshoi në veshë këto fjalë
Me një cicërimë

Dua të fluturoj lart në qiell
Të ndërroj formë
Këngë shiu të bëhem
E të bie mbi tokë

03.05.2010.



O INAT O INAT

O inat o inat
Farë e zezë
E mbjellë
Në gjakun tonë

Shtiresh se fle
E syrin e ndezur
Si të gjarprit në pusi
Duke e pritur gjahun
Për të zgrapua

Pikë e pesë na bëre
S’ke besë fe atdhe
Ngjyrë në fytyrë s’na le
Na nxive skuqe zverdhe
Tokë të djegur na bëre

Je shtrëngatë e zezë e shpirtit
Të përlyer nga urrejtja
Dhëmb i mprehtë bishe
Që kullon gjak mbi dhe

Gjakovë, 20.02.2010.

ËNDËRR E TRISHTË

Mesnatë
Kërcëllitje të egra dhëmbësh
Në shtratin tim

Në çarçafët e bardhë
Ujq të kërleshur

Shkoqnin nga një copë mish
Në trupin time ulërinin

I rrudhja këmbët
E fshehja kokën nën jastëk
Të mos më gjejnë

Bëhesha gjithnjë më hiç
Lutesha për ndihmë
Zoti ishte larg për mua ...

MENDIM KRAHËTHYER

Ku po më çon
Mendimi im krahëthyer

Më tërheq zvarrë
Si bisha sakrificën
E vet në pyll

E s’ më lë të klith
E të lutem s’ më lë

Ku po ma thyen qafën
Mendimi im krahëthyer

Më tërheq dhunshëm
Sikur mos të kisha shpirt

E s’ m’i lë sytë të rigojnë shi
Kur shikojnë të largëtat brigje

Të bardhat
Të nxirat ...

Gjakovë, maj, 2009.


THIRRJET E NËNËS

Rri mendueshëm si një bust
Në kodër të fshatit
Shikon diku në thellësi
Të më shoh
Ku jam e ku s’jam
Të më thotë diçka të shtrenjtë
Që e ruan vetëm për mua
Diçka që ia zë frymën
Që ia zbardhë flokun
Që ia futon jetën
Për ta shpallur zemrën nga e keqja
Për t’i shkundur lotët
Degëzuar fytyrës së zverdhur


ZËRI I NËNËS

Këtu nuk të ka kush mërzi
Të duan guri e druri
Gjethet bari bjeshka verriri
Të duan rrugët shtigjet
Lumenjtë gurgullues urat
Zogjtë cicërojnë për ty
Degëve të pemëve
Të duan ajri shiu dielli
Edhe çiftelia edhe fyelli të duan
Të do vendi e kuvendi
Të duan gurët e murit të shtëpisë
Trarët kulmi me strofuj lejlekësh
Eja birë të m’i bësh shpirtit dritë
Se jeta është sa çel e mbyll sytë
E nata është e pafund

ORA E VDEKJES
(Elegji me rastin e vdekjes së vëllait
tim Halit Gjocit)

1.

Ora tetë e mëngjesit Liti vdiq
Shkoi buzagaz në krahët e një përralle
Të pafund ishte vapë dielli shkrumbonte
Klithmat dhe gjëmat rreth tij e pastaj
Më bëhej shkretëtirë në dhomë shpirti
Sa digjej sa bëhej akull ora në mur
Sy i verbuar akrepat pikonin ngjyrë
Të zezë askush s’dinte ç’kohë ishte
Koha kishte dalë jashtë vetes jashtë
Njerëzve askush s’i përngjante vetes
Dhoma i fshinte lotët merrte frymë
Me vështirësi ndërronte ngjyrat herë
Të kuqen mbi të zezën herë të zezën mbi
Të kuqen mbi të verdhën të lulesën
Drita villte pikëllimin e pikëllimi
Bëhej akullnajë ishte ora tetë e
Mëngjesit Liti vdiq

2.

Kush të stërkeqi kështu Lit
S’jam mësuar të të shoh gojëmbyllur
Syngrirë ti më thoshe: plumbi i pushkës
Nuk më shpon s’ka zjarr që më djeg
S’ka lumë që më mbyt njeriu s’duhet
Të vdes për së gjalli pa i zbrazë të
Gjitha fjalët pa kënduar një këngë
Pa shkrepur asnjë pushkë pa e bërë për
Kosovën asnjë luftë na thoshe se
Jetën duhet ta fitosh duke ecur
Përpara për ta bërë shpirtin
Shesh të dritës dhe dashurisë
Vëllathi im i mirë më thuaj kush
T’i shkuli rrënjët që i kishe të
Përlidhura për eshtrat e trollit
T’i heshtë hidhëruar rreth teje
Edhe lotët e ajrit po ngrijnë

3.


Mos vajtoni për të lëreni të fle
Si shqiponja në çerdhen e vet
Është duke fluturuar në krahët
E ëndrrave përtej dritës territ
Për ta gjetur një tjetër jetë
Shikojeni sytë i ka drejtuar
Nga qielli për ta gjetur yllin
E vet që do t’i prijë rrugës së
Pafund nëpër natë mos klithni
Për të mos thoni kulla mbeti
Shkret shikojani ballin e ka log
Betejash sytë plot fitore duke
Luftuar kundër korbave që krrokatnin rreth
Djepave mos gjëmë se do t’ia
Merrni pahin do t’ia zverdhni
Burrërinë trimërinë është kalorës
I paepur furtunave lëreni të hyjë
Në përjetësinë e vet të papërlotur

4.

Pres të më flasësh ti heshtë ti ke
Çka të thuash pastroje shpirtin nga
Fjalët e liga o sot o kurrë bëhu
Ai që ishe. Mos jeta është sot
Në të sotmen shihet e shkuara dhe e
Ardhmja. Na jetojmë në të gjitha kohërat
Dhe me të gjitha vdesim nuk shkohet pa
U dëlirë nga myshqet e fjalëve pa lënë
Gjurmë nuk shkohet nuk vdiset për së gjalli
Kurrë s’të kam parë kështu vëllathi im
Të përmbytur me ngjyrë të zbehtë si tash
Me sy të ëndërrt të drejtuar kah retë
Kurrë s’të kam parë kaq të tretur kaq
Tjetër afër teje rri si një cung i zi
Po pres të më flasësh kot heshtja i jep
Heshtjes heshtje mbjellin gjëmë bluajnë
Jetën derdhin lot mbi gjithçkafën që
Shihet e s’shihet se jeta është pjesë
E dhimbjes buzëqeshje e mashtruar

5.

Mjegull e zezë mbi kokën tënde Lit
I verbon sytë fjalët mendimet ëndrrat
Zhgjëndrrat rrugët sheshet thyejnë qafën
Shtyhen e pështyhen shtrydhen e ndrydhen
Jeta bartë ngjyrën e vdekjes vdekja atë
Të jetës asnjë fjalë s’i jep shpresë
Fjalës asnjë këngë nuk zbret në shpirt
Mjegull e futuar mbi kokën tënde Lit
Afër teje jam e nuk po më sheh nuk e
Meritoj hidhërimin tënd unë të doja shumë
Ti e di këtë e tash je bërë tufan e
Më bëre të huaj jo jo i yti jam në
Gjinjtë e një nëne kemi thithë puthjet
E saj na kanë rritur mjegull e zezë
Mbi kokën tënde ka rënë Lit ke rënë
Pas shtatë kodrave të zeza në orbitën
E territ në atë botë të përjetshme
Ku vdesin edhe ëndrrat ku hi bëhet jeta


VAJET E SHIUT


DRUNJËZIMI I SHPIRTIT


Kur lufta e shkretoi fshatin tim
E njerëzit ikën e s’u kthyen më
Ndodhi një hata më tha miku im
Pylli i rrëqethur si një bishë e uritur
Iu vërsul fshatit dhe pasi e kafshoi
Egërsisht atje ku kishte mbetur
Gjurmë njeriu e futi nën Perandorinë
E vet të verdhë e fshati dhe shpirt
Tash sa herë shkoi atje për t’u çmallë
Shoh hije njerëzish nëpër drurë
Nuk dëgjoj as këngë as vaje
Vetëm varrezat atje në breg
Më flasin me duar të ngritura:
Na jemi këtu më thonë të lidhur
Për damarët e tokës sonë
S’kemi ku të shkojmë
Më vjen të qajë por të ngrirë i kam lotët
Ndjej se si pylli ma ngjyros
Shpirtin me trunjëzon ma lidhë
Për rrënjët e veta të mos i largohem më kurrë

Gjakovë, 2001


PËRJETËSI

Kur shkoj në fshatin e lindjes
Gjithçka zgjohet

Gjethet duke u rënë defeve
Përqafohen

Bari tregon ëndrrat e rritës së vet
Lumi i këndon burimit nën shkëmb

Njerëzit dalin të më përshëndesin
Nga zjarrishtat e këngëve të gjata
Që e lidhin jetën me vdekjen

Shkëmbinjtë flasin shkëmbese
Si njerëzit

Retë e futuara çmendurisht ikin qiellit
Zogjtë shfaqin koncert festiv

Toka m’i tregon bredhjet lojërat
Dashuritë zënkat e bëra

Ma kthen tërë jetën
Më bën të përjetshëm


SHKRONJAT

Një shkronjë e bardhë
Në letrën e zezë ngrirët

Një shkronjë e zezë
Në letrën e bardhë shkrihet

Si dy perandori armike
I shkëmbejnë vetëtimat

Në fund të ëndrrave të thara
Ku fillon hiri i jetës

E bardha e ngjyros të zezën
E zeza të bardhën

E shpirtëzojnë njëra- tjetrën
Para se të vdesin

2008


EC E DIJE KUJT I TAKON
JETA IME

Ec e dije kujt i takon jeta ime
Ndoshta zogut të agullimës

Që u dogj në pyllin e zi –
Zogut të shenjtë që la hirin

E krahëve të bardhë
Për kaltri e diell

Apo vajeve të shiut
Që shkruan simfoninë e pikëllimit

Për ditën e thithur
Nga terri i pafund

Ec e dije kujt i takon jeta ime

Ndoshta fërfëllizave dimërore
Që bartin hirin e oxhakut tim
Të vrarë nga rrufetë

Apo shkëmbit të çmendur mbi fshat
Që pëlcet përbrenda e nuk flet ...

ARTI I RËNIES SOLEMNE

Në parkun e qytetit
Gjethet e drurëve

Bien mbi kokën time
Të përdyllura

Të thara të rrudhura
Si fytyra ime

Bien krenarisht të pikëlluara
Duke shfaqë balet –
Artin e rënies solemne

Dikur ato hapnin pllaja të blerta
Shkretëtirave të shpirtrave
Të mos vdiste dashuria


TERRI MBRETËRIA E PËRJETSHME E NJERIUT


KARNEVALET E HIJSHME

Karnavalet mbaruan
Bota u qesh u përqesh
U bë u zhbë ndryshe
Pati të qeshura të zjarrta
Pati edhe aso të përlotura të ngrira

Një frymë e fortë u lëshua mbi dhe
Lëkundi gjithçka
Shkuli me rrënjë lisat legjendarë
Ranë edhe maskat e jetës së mashtruar
Ranë edhe ngjyrat e fytyrave
Rrugët e dritës u mbushen me baltë
Urat e kalbura mbi lumenjtë e kuq
Nuk i mbanin hapat
Mbeti vetëm shkretia e përdjegur nga rrufetë
Jeta e vdekja mesveti për t’i ushtruar dhëmbët

Njeriu zbriti në fund të njeriut
Me pishtarë të ndezur
Poshtë atje në fund të botës pa diçka
Dhe u kthye i tmerruar flokëzbardhur
E lanë edhe sytë


KJO KAFSHË E ZEZË

Kjo natë e tërbuar kafshon
Ku zemra pikon helm

Ku shpirti dhemb
Nga terri që ndrydh

Mihi thellë në vete
Për të gjetur shpëtim

Kot ... Ndjej se si përtyp
Se si i ngul dhëmbët e zi

Deri në asht deri në klithmë
Kjo kafshë e zezë

Që nuk vdes kurë ...


LULE DRITE
(Zeqë Shehut)

U nise nga etjet e përdjegura
Për të arritur në Bregun e Bardhë

Lumenj pa ura
Rrugë të gjarpinjtë
Krrokama korbash mbi kulla
Por ti nuk ndaleshe

Bëhej furtunë
Rrufetë vrisnin lisat e gjatë
E mbi ty qielli rigonte lot
Por ti nuk ndaleshe

Zemrën e bëre fanar
Rrugës së gjatë nëpër natë
Dhe kur e gjete veten e gjallë në vete
Mbolle lule drite në besimin tënd

Gjakovë, 15. 12. 2009.


LAVROVE KOKËN E LETRËS
SË BARDHË
(Ali D. Jasiqit)

Ku e gjete atë penë magjike
Që rrëshqet si rreze
Në tokën e letrës së bardhë
O Ali Jasiqi

Lëvron me të
Derisa prek në ujë
Derisa prek në zjarr
Derisa ndeshesh në lot

Mbolle farën e re
Atje ku s’e kalbin shirat
Atje ku s’e ngrijnë akullnajat
Për t’i dhënë jetës dritë

10.02.2010.


KOSOVA IME E VOGËL
(Mbesës sime Donika Gjocit)

Ti je ylber
Që ndriçon jetën
Dhe qiellin tim Donikë

Zi je valë kënge
Dritë zjarri

Ti je gjeth shpresash
Bulëz pranvere
Në shpirtin e gjyshit tënd

Ti je zogëz e bardhë
Që fluturon lart
Për t’u dhënë edhe yjeve dritë

Ti je gjithçka që i mbështjell
Ëndrrat e mia të mos ngrijnë

Të mbaj në shuplaka të duarve
Të rris në rrezet e syve të mi
Të ruaj në zemrën time

Donikë – Kosova ime e vogël
Donikë – Atdheu im


UNI IM

Shumë herë të munda
Betejave uni im

Ishte kohë e rrufeve

Shumë herë më munde
Furtunave të shpirtit

Ishte kohë e rënieve

Jeta ime terrishtë e pafund
Askund fituesi i fatit


E VËRTETA

Më mirë të bie të shikosh
Diku përtej brigjeve të zeza
T’i biesh në fund të fundit vetes
E të mos kthehesh më kurrë
Më tha miku im i vjetër
Sepse në këtë botë
E vërteta është gënjeshtër e bukur
Pështymë e njeriut të sëmurë
Nga ndyrësirat


DIMRI NË DHOMËN TIME

Qielli i mendimeve
Reshë borë

Toka e ndjenjave të zjarrta
E shkrinë

E herë akull
E herë flakë

Në dhomën time
Shtrëngatë

Gjakovë, 06. 01. 2010.


SONTE JAM I PAFAT

Sonte jam i pafat
Përkundem në njëmijë klithma
Në djepin e ëndrrave krahëdjegura
Që vdesin mizorisht në mua
Pa i dëgjuar askush

E hap dritaren jashtë natë mbi qytet
Një zë më vjen nga larg
Kthehu në dritën që krijove vet më thotë
Këndo gëzohu mos u përlot
Se gjithçka kalon shpejt
Vetëm terri mbetet mbretëria
E përjetësisë së njeriut


E SHI BIE

Kurrsesi të largohemi
Nga akullnajat e fjalëve

Kurrsesi t’i këpusim zinxhirët e territ

E shiu qan
E shiu qan

Qull e tashmja
Zjarrishtë e ardhmja

Është e mundur
Njeriu të bëhet gur

E mundur është
Të pshurrin idhujt
Në krahët e bardhë
Të lirisë


ASKUSH S’ NDALET

Të gjithë ecin
Kah brigjet e dritës

Tokë e plakur nga gjaku
Qiell i shkretë pa asnjë yll

Rrugët e përgjakta
E lumenjtë e tërbuar pa ura

Por askush nuk ndalet
Askush nuk kthehet prapa

Të gjithë e kërkojnë vdekjen e tyre përpara ...


ME VETMINË

Në dhomën time
Të zverdhur nga mërzia
I thashë vetmisë
Merri rrudhat e degëzuara
Të ballit tim
Që bartën shirat
E pikëllimeve të viteve
Shkreptimave të vetëtimave
Që të bëhem zog
Për t’i kapur kaltrit e qiellit
Këtë s’mund ta bëj kurrë
Ma ktheu e mërrolur vetmia
Sepse do të më shitonin
Retë e përbishura
Duke menduar se je ti
Po deshe fshehu thellë
Në heshtjen time të përjetshme
Lëre jetën të flet për ëndrrën e vet
Merr frymë lirisht
Zot bëhu ...


E KISHA NJË SHPRESË-JETË

E kisha një shpresë-jetë
Që m’i kishte hije jetës
Por kishte shumë zjarr në vete

E donte një botë tjetër
Një tjetër jetë

Ishte ajo mbi të gjitha shpresë-jetët
Që më mbështillte me dritën e vet
Kur më gërryente terri

Fytyrës m’i jepte pranverë
Kur zbehej

Mendimit guxim
Kur ligështohej

Erdhi një mjegull e zezë
Më e zezë se vet e zeza
E të gjitha të zezave

Dhe ma shitoi egërsisht
E ma bëri shpirtin gropë
Të zjarrit të fikur

Pa të gjuha më trokëllin
Si gur i mullirit në të thatë
Fjalët s’ më rrinë bashkë
As ndaras s’ më rrinë

Pa të jam lis që thahet në këmbë
Pa asnjë gjeth

Shpesh më shfaqet në ëndërr
Si një flakë
Vjen e ma ngrit kokën lartë
Për t’i parë mrekullitë e qiellit

Ma drejton shtatin e kërrusur
Për të ecur drejt kah brigjet ...

Gjakovë, 07. 05. 2009.


RRUGËT E MËRZITURA

Të shkreta janë rrugët e qytetit tim
Sepse ato i bren vetmia

Të përhirta të përmjegullta
Të përklithura të përvara

Dhe nuk të çojnë më te Urat e Bardha
Mbi lumenjtë e zi

Në mesnatë dëgjoj përtypje të egra
Janë ato që kafshohen mes veti nga mërzia

E dimri u tregon përralla mbi një hiç të zi
Që këndon mbi bregun e thinjur të një kodre


FJALA JOTE I JEP SHPIRT FJALËS

Fjala jote i jep shpirt fjalës
E bulëzojnë lulet

Me gazin e mendimeve
Mbulon shkretëtirën e njeriut

Retë ikin si bisha të plagosura
Kur ndeshën me ëndrrat e tua

Ti ndez pishtarë drite
Për ta përshkrumbur terrin
Që gërryen eshtrat e yjeve

Fjala i jep shpirt fjalës
E kalaja e së bukurës ngritët

Je rritës i kallinjve edhe në tokën e djegur
Që nxjerrin tufën
Edhe në sytë e njeriut

03.01.2010.


JETON NË MUA NJË NJERI

Jeton në mua një njeri i vetmuar

Herë e rrah gjoksin me grushte
Herë i shkul flokët

Në fytyrën e tij ngjyra të përziera
Është vështirë të nxjerrësh të bardhën

Në të zezën të zezën në të kuqen të kuqen
Në të verdhën të verdhën

Jeton pra në mua një njeri i heshtur
Që ua mbajti në shuplaka rrufeve zjarret


KARRIGE MBI KARRIGE

Në kafenenë e qytetit
Karrige të zbrazura

Shtiren të fjetura
Por sytë flaka shtigjesh

Rreth tyre hije të vdekshme njerëzish
Ulën në to ngritën

Rrëzohen çohen
Vrasin vriten

Mizorisht vdesin
Kthetrave të mprehta të lakmive

E karrigia mbi karrige –
Këngë e vjetër

E karrigia nën karrige –
Klithje e re


FSHATI I VDEKUR

As njerëz as kofshë
Vetëm gjethet frymojnë

As tinguj çiftelish
As ligjërime fyejsh

Vetëm kroi gurgullon pikëllim

As dyer të hapura për miq
As pritje as përcjellje

Vetëm bar i keq pragjeve

E livadhe të pakositura
E mollë të pavjela

Vetëm krrokama korbash
Mbi kulmet e shtëpive të shkreta


LOJËS I RAMË NË FUND

Lojës i ramë në fund

Kur shikohemi në pasqyrë
Na vjen t’i shkulin flokët

Të pështyhemi të klithim
Nga njëri-tjetri të ikim
Pa mend në kokë

Vetëtimat lapsa prej zjarri
Shkruajnë biografinë e territ
Të syve tanë

Tani s’kemi pse ankohemi
Edhe ne mësuam ta vrasim veten
Në mënyrë të re duke buzëqeshur

Njeriu i përbishur rri zgjuar ...


RECITAL DASHURIE

Sonte
Do të doja t’i shprushja
Furtunat e gjakut tim
Për t’i gjetur kockat
E dashurisë time të tretur
Më tha një miku im

Do të doja të digjem
Të futohem për të
Si thëngjilli i harruar
Në gropën e zjarrit të fikur

Sonte miku im sonte
Do të doja të bëja
Në gjumë sy në shtratin
E ëndrrave të hënës
Para se të vdisja


NË PRAG TË DIMRIT

Qielli i vrugët
Retë notojnë me nervozizëm hapësirës

Zogj shihen më rrallë
Pemët e zhveshura fishkëllejnë

Rrugët më të zbrazura
Njerëzit ecin më shpejt

Fytyrat më të zbehta
Më të rrudhura

Fjalët më të dhunshme
Më të ftohta

Parqet e zbrazura
Nga takimet ndarjet

Riga shirash e mërmërima
Po hyjmë në dimër


SI TË IK NGA TI

Si të ik nga ti
Kah t’ia mbaj
Si të shpëtoj

Nga vetja si të të shlyej

Më vjen pas si hije e lules
Më del përpara prapa
Më përvidhesh në mendime

M’i merr shikimet
Rrugët urat
Ëndrrat zhgjëndrrat

Më strukesh në rrudhat e ballit
Në zjarrishtat e ndjenjave

Të ndjej në gjak
S’kam si të të nxjerr

Të shoh me shpirt me gjuhë
Me duar me fjalë me heshtje
Me këngë me vaj
Të shoh me terrin
Me dritën time

Ma mban trupin drejt
Si kallinj plot fryte

E kur vdekja troket në derë
Më mbulon me rrezet e syve tu

Atëherë vdekja ulërin
Duke ikur nga unë


UNË E POEZIA

Dua të ik nga poezia
Të mos më gjejë më kurrë

Më zverdhi më rrudhi meit më bëri
Nuk më la as fjalë as pështymë në gojë

Më ndrydhi më shtrydhi
Nga unë bëri ngjyrë të zezë të kuqe të verdhë

Për t’i pështyrë idhujt e përlyer

Ajo shpirtin e vet e mbolli
Në shpirtin tim natën nëpër hënë

Në një trup për të bulëzuar
Dy shpirtra përgjithmonë

Por unë ndryshe marr frymë në të
Ndryshe ajo në mua frymon

Për çdo ditë më gërryen deri në eshtra
Për të jetuar e lirë pa mua
Në humnerat e letrës së bardhë ...

GJITHNJË MË LARG VETES

Gjithnjë më larg vetes
Më i përakullt

Fjalët s’ më rrinë në gjuhë
Në letër s’rrezatojnë

Ikin të ndërkryera e më lënë
Hambar të boshatisur

Gjithnjë e më shumë
Po më tërheq zvarrë vetmia

Nëpër një pyll të mërdhirë
Pa asnjë zog

Nëpër qiell të thinjur
Pa asnjë yll

Gjithnjë më i përhumbur
Me hiq


ARTI I RI I VDEKJES

Në botë ka festë
Ngritën zbresin
Flamuj të bardhë

Ushtrohet arti i ri i vdekjes
Vdekjes pa dhimbje
Pa lot pa klithje

Askush s’ka
Ku të fshihet
Nga vetvetja


VETMIA IME E SHKALLUAR

Mbi kokat tona të përdyllura
Mullinj të tërbuar bluajnë

Toka varrezë kolektive yjesh
Në qiell vriten mes veti rrufetë

Rrugët pështymë e zezë
Shpresat mizorisht japi shpirt

Vetmia ime e shkalluar

Maj, 1999.


GJAKU I DRITËS

As vet s’e di ku po shkoj
Në këtë natë që ulërin

Rrugët më çojnë zjarrishtave të mendimeve
E më kthejnë në hiçin tim të moçëm

Tash e di se humbjet
Nuk janë krejt humbje
As fitoret krejt fitore
As unë krejt unë

As vet s’e di ku po e thyej qafën
Në këtë natë më të zezë se korbi

Rrugët më çojnë në varrezat e shpresave
Ku pëlciti edhe shkëmbi
E më kthejnë atje ku shkelet gjaku i dritës

Gjakovë, 28.03.2010.


JETA JONË KOLLITJE

Kur flas me mikun tim
Në telefon ia përcjell
Fjalët duke u kollitur

Duke u kollitur
Më përgjigjet edhe ai

Telefoni mezi merr frymë
I fshin djersët
Edhe ai kollitet

Qielli ngjyrë hiri
Toka në buzë të dimrit

Jeta jonë kollitje ...


UNË DHE FJALËT

Herët fillova t’i bluaja
Fjalët e mia
E prej tyre të bëja hi

Rrugës vdisnin nga pagjakësia
E m’i braktisnin ëndrrat
Për një botë tjetër

Nuk gjenin dalje nga terri
As urë për të kaluar lumin e gjakut
As gacë në hi për ta ndezur zjarrin e jetës

Fat e pata të më gërryente nata
Si qeni i uritur eshtrat

Herët nisa t’i digjja fjalët e mia
E më flakën e tyre të shkruaja
Emrin tim në fletën e kaltër të qiellit
Të mos vdesin shpresat

Gjakovë, 2010.


PAMJE E TRISHTË

Qielli saç i nxirë
Toka pa ngjyrë

Mezi marr frymë
Ditët po ngrijnë

Frikë ...


EMRAT PA NGJYRË

Ëndrrat e fjalëve digjen
Xhepat e mendimeve ngrijnë

Emra pa ngjyrë


KUR VETËM ISHA

Një natë kur vetëm isha
Ndjeva një gërryerje në dhomë

U ngrita e shikova në çdo skutë
Rreth dritareve nën shkallë kudo
Kot asgjë

U shtriva në krevat
E fillova të mendoja
Kur papritmas përsëri zhurma
E gërryerjes edhe më e fuqishme

U enda nëpër dhomë si i çmendur
Derisa më në fund e kuptova
Se gërryente vetmia
Si qen i zi eshtrat e gjuajtura në rrugë


IKJE NGA VETJA

Shikime të gjarpërinjtë
Fytyra të akullta të përbishura
Buzëqeshje të egra
Dashuri të ftohta
Pa ngjyrë pa zjarr gjak
Urrejtje të zgjuara te secili
Ikje e vetes nga vetja


ASKUSH S’ DI CILI ËSHTË

Mendimet janë kthyer përmbys
Dhe vdesin mjerisht

Në Sheshin e Hyjnive
Dashuria vetëvritet
Pa lot pa klithmë

Njeriu tek njeriu
E sheh terrin e dritën e vet
Dhe nga vetvetja ik

Askush s’e pranon
Se është ai që është

Varrezat e mendimit
Po shtohen çdo ditë ...

Gjakovë, Mars, 2009.


MEDITIM I VERDHË

Shtëpia ime buzë rrugës kryesore
Natë vetëm në ballkon
Veturat shkojnë e vijnë
Me shpejtësi marramendëse
Njëra m’i merr duart
Tjetra këmbët
Pastaj mendimet gëzimet
E më lënë një zhurmë të egër
Që vdes shpejt
Nata derdhet ngadalë në gjumë
Ndërsa unë pres të më kthehen
Pjesët e marra
E në pritje tjetërsohem
E shikoj veten në pasqyrë
Tmerr ik nga vetja

ISHTE KOHË E RRUFEVE

(Zbrazët)

JETA

Nëpër dyert e spitalit D
Njerëzit hynë e dalin
Ditë e natë

Roja e portës si ushtar prej bronzi
E ka humbur durimin
S’do të flasë me askënd

Kur nata mbështjell spitalin
Me çarçaf të zi
Shfaqen hijet e të vdekurve
Nëpër pavijone nëpër dhomat e të sëmurëve
Shikojnë fytyrat e tyre zverdhake
Sytë e tyre të lodhur flasin përçartë

Hynë në sallat e ngrënies
Ngjiten në katin më të lartë
Zbresin shkallëve poshtë
Ndërrojnë emrat ngjyrat e fytyrave
Vendet kohërat
Grinden pështyhen shtyhen përshtyhen
Rrihen vriten për të bërat të pabërat
Për të mundurat e të pamundurat

Ndërsa plepat e gjatë përreth
Shkëmbejnë mesazhe si ushtarakët në front
Këndojnë këngët e furtunave të egra
Që zbresin nga malet si gjëmë e qiellit

Në mëngjes jeta zgjohet herët
Me një buzëqeshje të shndritshme
U jep frymë të sëmurëve
Derdh mbi ta gaz shpresa
Për të shpëtuar të mundurën

Gjakovë, 10.02.2010.


ART I BARDHË

Dimër deri në fund të shikimit tim
Heshtje e bardhë
Gjithçka fle në shtratin e bardhë

Drurët mbajnë mbi supe
Peshën e dhimbjes së bardhë
Ëndërrojnë këngët e blerta të gjetheve
Që kishin dikur

Njerëzit mbrëmjeve të gjata
Ecin me pishtarë në duar
Shtigjeve të legjendave
Për të mësuar si vdiset madhërisht

Sytë s’kanë ç’të bëjnë
Hapën dhe mbyllën bardh

Art i bardhë –
Mbi shkretëtirën e mendimit të zi

Gjakovë, Mars, 2010


KËNDOJMË E LUTEMI

Tinëzisht nga mjekët
Pimë duhan në dhomën e fjetjes

Nga zhgënjimet thurin ëndrra
Për të fluturuar diku larg
Për të mos u kthyer më

Kur fjalët lehin si qentë
E ulërijnë
Korridoreve të krisura nervash
Fillon përleshja mes nesh
Deri vonë

E pastaj ia shtrijmë duart
Miqësisë e dashurisë njëri-tjetrit
E ndajmë jetën dhe vdekjen
Në mënyrë të barabartë
Këndojmë dhe lutemi ...

Gjakovë,
Spital, 14.01.2009.


NJERIU NUMËR

I numëroj pllakat
E korridorit të spitalit
Derisa bëhem numër –

Një numër që shumëzohet
Me një zog të kaltër në hapësirë

Që mblidhet me shpresë të thyer
Që zbritët me një vetëtimë
Që pjesëtohet me një gjëmë

Motrat më shikojnë flasin diç mes veti
Zverdhën skuqën dhe ikin shpejt

Llambadhet e dhomave të të sëmurëve
I mbyllin sytë njëra pas tjetrës
E pastaj gjithçka i nënshtrohet
Perandorisë së ëndrrave

Gjakovë,
Spital, 18. 01. 2009.


E BARDHA NË TË ZEZËN

Të bardhë mjekët motrat
Hije zotash rreth meje

I bardhë korridori
Të bardhë muret muret e dhomave

Të bardha fjalët mendimet
Ëndrrat zhgjëndrrat

Të bardha ilaçet injeksionet
Antibiotikët diklofenët

Të bardha dhimbjet klithjet
Thirrjet ankesat lutjet lotët

Të bardha vdekjet nga të bardhat
Në prehrin e të zezës


MË E SHTRENJTA ËSHTË NGRËNË

O zhgënjim
I dritës së territ tim

Mos më gërryej në shpirt
Si qeni eshtrat në rrugë

Më e shtrenjta është ngrënë

Ma lë një dritare të hapur
Të më thithin sytë dritë

Të lirë ma lë një shteg
Për të arritur në Kodrën e Bardhë

Të më këndojnë fjalët
Të më rrisin lule mendimet

Më lë bile pakëz gaz në fytyrë
Më të hijshme të më duken rrudhat

Të mos thahem në këmbë si lis i vetmuar
Qiellit që po resh pikëllim

Më e shtrenjta është ngrënë ...


NJERIU I BARDHË
(Mikut tim Dr. Rifat Lilës)

Kur gjumi bën tortura mbi mua
Kur më klithin fjalët e më vajtojnë mendimet
E shpirti më bëhet zjarrishtë dhembjeje
Vjen tek unë
E zbret thellë në mua
Njeriu i bardhë
Që për të tjerët jeton
Për t’i shkrumbuar hijet e uritura të mortjes –
Hijet e futuara që gërryejnë mbi kokën time
Kur qielli pikon verdh zi
E toka bëhet shkretëtirë në sytë e mi
Vjen si një vetëtimë njeriu i bardhë
Duke qarë terrin e mllefosur
Me flakadan e ndërgjegjes
Dhe sjell shpresën e tretur të jetës
Fjalëve m’u jep gaz
Jetës këngë
Pranverës blerim
Qiellit dritë

Gjakovë, 2 Maj 2008.


HERË NË TË DJATHTË
HERË NË TË MAJTË

Në një dhomë të spitalit
Unë vet i gjashti
Të bërë shportë nga injeksionet

Shikoheshim në heshtje
Kur kthehesha në krahun e djathtë
Një i sëmur më shikonte
Me sy të përçartur

Kur kthehesha në të majtin
Më tmerronte një tjetër
I zverdhur si meit

Kur kthehesha në shpinë
E shikoja llambadhen
Se si skuqej
Se si futinë bëhej

I mbyllja sytë
Askund gjumi
Vetëm terri i uritur
Kafshonte diçka të shtrenjtë
Mbi mua ...

Gjakovë,
Spital, Janar, 2009.


KUR TË VISH TEK UNË

Motër moj
Kur të vish tek unë
Mos u bë akullnajë të lutem
Nxjerr nga vetja një buzëqeshje
Dhe më mbulo të mos ngrij

Motër moj
Mos më lë të klith
E të bëj gjëmë

Në sytë e tu
Pi dritë një yll
Që nuk fiket kurrë

Gjakovë,
Spital, 2009.


NJERËZ TË FLAKUR NGA RËNIET

Fjalët i kanë të përhirta
Nuk dinë cilën ta hedhin
Cilën ta ruajnë për ditën e fundit

Mbahen fortë për shtyllat e ëndrrave
Të mos rrëzohen

Janë njerëz të harruar –
Të plakur nga rëniet

Dhe s’i besojnë më as robit as Zotit
As dritës as territ

Të vërtetat i mbushin me gënjeshtra

Gjakovë,
Spital, Maj 2009.


PËLCITJE

Jashtë nata e tërbuar ulërin
Si bishë e uritur

Brenga unë në luftë të pafund
Me veten time

Të gjitha orenditë e dhomës
Më shikojnë pikllueshëm

Llambadhja herë ngrin herë pikon shi
Të ngrohtë mbi mua

E pastaj nga një flakë e brendshme
Bëhet copë – copë

(2008)





(Përgatiti për botim Flori Bruqi)