Borderline




http://tejkqyra.blogspot.com/

Llërët, që Maria Z. i fsheh nën mëngët e gjata
me kopsat e kyçeve të çelura, për t’i patur gati
kur nata bie e maçoku kthehet i uritur, mjaullin,
mbushur me vizat e gërricura vetë dhe damkat,
si trungje a stola ku anonimët lënë emra e data,
a mure qelish a vëcësh me shkrime të verbërish,
me brisk e gjak, janë rritur edhe trashur tashmë,
si mjekra ime faqeve të librit pa shkronja përballë,
pasqyrës ku shihem, që më përgjon kur rruhem;
ato llërë pra më kujtojnë, trembin që jam akoma
gjallë e frigohem si kalama, mbyll sytë e rrudhem...

1.

Anijet, që prisnin në breg, ngjanin në terr
sikur qiellit t’ia paskëshin prerë një copë,
t’ia paskëshin rreshtuar yjet siç duhej,
si begsat që ruanin bashkë me plepat,
rrugën automobilistike Tiranë-Durrës,
me automatikë në krah, jashtë, heshtur,
përzishëm, njëri pas tjetrit, 40 kilometra
herë dy, herë 10 plumbat në karikator...

Shuma ish numër i frikshëm,
i frikshëm si plumbi i dritës
kur na pushkatuan së pari
fotografët me blic para murit,
për pasaportat për ja’shtetit,
me lëkurë të kuqe natyrisht,
s’kishim ngrënë, ose fare pak,
fjetur jashtë, me fat: ish korrik,
kur erdhën autobusët natën,
nga tarracat qanin e klithnin
emra të shkurtuar të afërmit,
me fat: s’na vranë të gjithë,
s’u futën brenda me tanke,
nuk na ndaluan në rrugë,
s’na zbritën me përdhunë,
nuk na dërguan në Spaç,
s’na varën, s’na shembën
në dru, torturuan, veçse
na përzunë, bënë hasha,
na shanë, na ndanë,
na varrosën të gjallë
në anije djepesh, Jonat
natën, ata që na bënë,
tanët...

2.

Britma, ninulla e zhurmë,
ofshama, dënesa e sherre,
biseda, klithma e parulla,
në pazarin e përditshëm,
meshën pa prift, në ajër të hapur,
ku predikon grigja urinë, mëkatin,
gjallë shesin e blejnë njeri-tjetrin,
të dobëtin, të vdekurin, të varfrin,
gratë, fëmijët dhe veten.

Kur i zoti merr dhe e hedh mallin,
mishin në njërën anë të peshores,
s’pyet më kush pse duart s’janë si sytë,
pse duart e këmbët s’lëvizin sinkron,
pse janë simetrikë ca organe,
pse zemrës binjaku i mungon,
pse përdorin vetëm të djathtën disa,
e pse mëngjarashë të tjerë janë.

Një mollë e kafshuar përgjysmë
në degën që prehet të dorës
Djathtas një fushë e gjelbër mbi zjarr
Majtas një pjatë supë e hollë, e kafenjtë,
Sipër tavani i qelisë...qielli i kaltër,
Muret gjakojnë mbishkrime
Peshorja jam unë, djepi...

Ku paskëshim qenë? Të burgosur e roje,
Gjahtarë e njëherësh pre, njerëz në një...
Peshq në qiell, zogj në ujë, krijesa kudo,
E megjithatë, megjithatë, vetëm. Ku është
vrima në mur? Dera është vrima e murit,
Por dera është mur, mur mobil. Ku është
vrima e derës? Ku janë sytë o i verbër?...


Related Posts: