Në fund të dhjetorit 2010 Instituti Albanologjik i Prishtinës ka botuar kompletin e veprave letrare e shkencore të akademik Rexhep Qoses, që është kurorë e veprimtarisë së tij krijuese gjysmëshekullore.
Krijimtaria letrare e shkencore e akademik Rexhep Qoses kap një spektër fushash e formash të diturisë albanologjike, që nga eseja, kritika, tregimi e drama deri te sintezat historiko-letrare, historike e tipologjike dhe strukturat moderne e postmoderne romanore.
Krijimtarinë e Qoses e integron stili origjinal dramatik, erudicioni intelektual dhe imagjinata krijuese artistike e shkencore.
1. Veprat historiko-letrare: “Vazhdimësi”,” Panteoni i rralluar”, “ Asdreni – jeta dhe vepra”, “Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne”, “Anatomia e kulturës”, “Nocione të reja albanologjike”, “Historia e letërsisë shqipe - Romantizmi 1”, “Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi 2”, “Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi 3”, “Porosia e madhe”, “Tri mënyra të shkrimit shqip” dhe “Semantika e ndryshimeve historiko-letrare”.
2. Veprat letrare: “Antologjia e lirikës shqipe”, tregimi satirik “I ringjalluri i penduar”, dramat “Mite të zhveshura” dhe romanet “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “ Një dashuri dhe shtatë faje”, “Nata është dita jonë”, “Bijtë e askujt 1” dhe “Bijtë e askujt 2”.
3. Veprat historike dhe historiko-dokumentare: “Çështja shqiptare – historia dhe politika”, “Programet serbe për shpërnguljen e shqiptarëve”, “Paqja e përgjakshme”, “Tronditja e shekullit 1”, “Tronditja e shekullit 2” dhe “Rilindja e dytë”.
4. Veprat publicistike: “Populli i ndaluar”, “Strategjia e bashkimit shqiptar”, “Ligjërime paravajtëse”, “Fjalor demokratik”, “Demokracia e shpërdorur” dhe “Intelektualët, etika dhe politika”.
5. Veprat polemizuese: “Morfologjia e një fushate”, “Ideologjia e shpërbërjes”, “Realiteti i shpërfillur” dhe “Të vërtetat e vonuara” .
Në krijimtarinë e Qoses shquhet vetëdija kritike jokonformiste ndaj tradicionalizmit, dogmatizmit dhe pushtetit autoritar.
Liria, e drejta dhe vërteta janë parime të vetëdijes së tij filozofike e etike.
Në shkrimet e tij ai ka theksuar: “E vërteta është mënyra e dashurisë sime për popullin tim dhe për kulturën e tij.”
Kompleti i veprave të akademik Rexhep Qoses është një monument i rëndësishëm kulturor i albanologjisë.
Akademik Rexhep Qosja konsiderohet sot një klasik modern i kulturës shqiptare. Veprat e tij shkencore e letrare kanë hapur përmasa të reja të emancipimit dhe modernizimit të vetëdijes historike, artistike e kritike shqiptare.
Krijimtaria letrare e shkencore e akademik Rexhep Qoses e ka begatuar kulturën shqiptare me vlera, vizione, ndjeshmëri, forma artistike e metodologjike të vetëdijes moderne.
Vepra letrare e shkencore të Qoses janë përkthyer në disa gjuhë botërore.
“Botimi i kompletit të akademik Rexhep Qosjes është ngjarje e shënuar kulturore e përmasës gjithëkombëtare. Kultura jonë – e përfaqësuar në këtë vepër unike, edhe si studim shkencor, edhe si shprehje e veçantë e saj – pasurohet me punën gjysmëshekullore diturore e krijuese të njërës ndër figurat më emblematike të botës bashkëkohore shqiptare. Është shenjë e identitetit tonë kulturor vepra e historianit të letërsisë, e kritikut letrar, e romancierit, e tregimtarit, e dramaturgut, e autorit të historisë sonë kombëtare, e eseistit, e publicistit, e polemistit, e dëshmitarit, e akademikut Rexhep Qosja”.- theksohet në parathënien e kompletit, shkruar nga drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, prof.dr.Hysen Matoshi.
Prishtinë, më 3 mars 2011 Abdyl Kadolli





