Dihet që Zimbabve është një nga vendet më të varfra të Afrikës. Në këtë vend, në 25 vitet e fundit, jetëgjatësia mesatare e njerëzve ka kaluar nga 61 në 47 vjeç. Për pjesën më të madhe të tyre, paraja është diçka e rrallë dhe në këmbim të saj njerëzit përdorim mjete të ndryshme shkëmbimi. E tillë është historia e “Chidamoyo Christian Hospital”, një nga spitalet ndoshta më të rrallë në botë që i kuron njerëzit në këmbim të pulave, dhive, misrit dhe lajthive. “Zakonisht njerëzit vijnë këtu nga të katër anët e vendit për t’u vizituar dhe në dorë mbajnë pula, dhi, lajthi apo misër. Në pjesën më të madhe të rasteve vijnë edhe me thasë të mbushur plot me kikirikë. Gjithsesi shumë prej këtyre ushqimeve përdoren për të ushqyer të sëmurët që gjenden nëpër spitale”, tregon një prej mjekëve. Spitali është konvetuar në një qendër shkëmbimi në vitin 2008, kur inflacioni në vend arriti pikun me shifrën 500 për qind, sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Vitin e kaluar, Zimbabve braktisi monedhën e saj dhe e zëvendësoi atë me dollarin amerikan dhe inflacioni nisi të ulej. Por nga një studim i fundit, i bërë nga Kombet e Bashkuara ka dalë se Zimbabve është një nga tre vendet e botës ku kushtet e përgjithshme të sistemit shëndetësor, edukimit dhe pasurisë për person janë përkeqësuar në krahasim me 40 vjet më parë. “Chidamoyo Christian Hospital” ka vetëm 2 mjekë dhe 14 infermierë që vizitojnë të paktën 6 mijë pacientë në muaj. “Njerëzit këtu trajtohen shumë mirë, kujdesen për ne”, thotë Monica Mbizo, një vajzë 22 vjeçe, e cila ka ardhur në spital duke sjellë edhe tre pula, në këmbim të kurës për dhembjet e stomakut. Spitali u hap 40 vjet më parë në veri të vendit nga një grup misionarësh amerikanë dhe është i vetmi që kërkon një dollar, ose çerek thesi me lajthi për një vizitë mjekësore. Zakonisht spitalet e tjera kërkojnë 4 dollarë dhe nuk pranojnë mjete të tjera shkëmbimi. Kjo strukturë arrin të mbijetojë falë financimeve që merr nga kisha amerikane dhe britanike, por mungesa e investimeve ndihet kudo. Vitin e kaluar për shembull, spitali nuk kishte para të mjaftueshme për të ruajtur në mënyrën e duhur flakonin e gjakut dhe nuk ishte në gjendje të kuronte disa gra që patën hemorragji pas lindjes. Shumë prej pacientëve në vend vdesin pasi nuk kanë paratë e nevojshme për të përballuar kurat. “Këtu kur sëmuresh është më mirë të vdesësh. Burri im vdiq vetëm 37 vjeç nga një temperaturë e lartë. Shkuam në spital dhe pastaj nuk kishim para të mjaftueshme për të blerë ilaçet. Pas dy ditësh në shtëpi, ai humbi jetën”, tregon një grua që ka ardhur në spital me vajzën e saj që ka shqetësime me kollën. Me vete mban një thes me kikirikë. “E kam mbushur plot, sepse mendoj se vajza ime do marrë një trajtim më të mirë mjekësor. Para nuk kemi, madje unë kam vite që nuk i kam prekur me dorën time”, thotë ajo. Në fakt praktika e shkëmbimeve, si pasojë e mungesës së parave, është e njohur në vendet e varfra. Edhe në Korenë e Veriut ndodh e njëjta gjë nëpër spitale. Shpesh mjekët janë të detyruar të bëjnë ndërhyrje të vështira pa anestezi, apo që doktorët shumë shpesh i kryejnë vizitat nën dritën e qirinjve në spitalet ku mungojë ilaçet, ngrohja dhe elektriciteti. Shërbimi shëndetësor është përkeqësuar me kalimin e viteve, në balancë me përkeqësimin e situatës ekonomike. Faktet janë vërtet tronditëse: gjatë ndërhyrjeje kirurgjikale, nëse janë me fat, pacientëve u injektohet narkozë, por shpesh jo aq sa të eliminojë të gjithë dhembjen. “Pa ilaçet e mjaftueshme, spitalet e vendit komunist e kanë të pamundur të kryejnë operacione pa vënë në rrezik shëndetin e pacientëve”. Një koreanoverior 24-vjeçar, i cili tani jeton në Korenë e Jugut, ka treguar se si një doktor vendas ia ka prerë këmbën nga pulpa e poshtë pa anestezi. “Pesë infermierë më mbanin fort. Dhembja ishe e tillë sa pas disa ulërimash, rashë në tokë pa ndjenja”. Qeveria e Pyongyang pranon se u garanton asistencë mjekësore falas të gjithë qytetarëve të saj. Por pacientët duhet të paguajnë nën dorë mjekët nëse duan të kurohen. “Koreanoveriorët e dinë mirë se është e kotë të shkosh në spital, nëse nuk ke para. Kush nuk paguan, vdes”, tregon refugjati Surnamed Rhee, nga provinca jugore e Hamkyong-it. Sipas të dhënave të disponueshme nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Koreja e Veriut është vendi që shpenzon më pak se 1 dollar në vit për shëndetin e qytetarëve të saj.Njerëzit nuk jetojnë më shumë se 47 vjeç dhe për pjesën më të madhe, paraja është diçka e rrallë. Ilaçet dhe mjekët paguhen me pula, lajthi apo fruta
Home »
» Zimbabve, aty ku është më mirë të vdesësh se të sëmuresh