Trazirat e periudhës postkoloniale (era e ndryshimeve)

 Nga James D. Le Sueur (Foreign Affairs)

 

Egjipti dhe Lindja e Mesme në të kaluarën

 

Hosni Mubarak nisi të plakej kur liderët në botën postkoloniale panë një shtet të fortë, shtypës që kishte nevojë të siguronte lirinë kombëtare. Kjo epokë, gjithsesi, ka kaluar. A do të kenë të njëjtin fat edhe autokratët e tjerë të rajonit? Gamal Abdel Nasser ishte zotuar ta fuste Egjiptin në zonën postkoloniale të vitit 1952, kur mori kontrollin e qeverisë prej monarkisë egjiptiane dhe Perandorisë Britanike. Ashtu siç ka shkruar edhe në esenë autobiografike, të titulluar “Çlirimi i Egjiptit”, “revolucioni shënoi realizimin e një shprese të madhe nga populli i Egjiptit, që kur ata nisën, gjatë kohëve moderne, të mendonin për vetëqeverisje dhe të kërkonin të drejtën për përcaktimin e të ardhmes së tyre”. Për fat të keq, pothuaj 50 vjet më vonë, egjiptianët janë ende duke u përpjekur të përcaktojnë të ardhmen e tyre.
Tashmë, me presidentin Mubarak të shkarkuar, aspiratat e popullsisë edhe njëherë tjetër mbeten në duart e ushtrisë. Mubaraku ishte vetëm 24 vjeç, kur Nasser erdhi në pushtet. Ai ishte pjesë e një brezi liderësh në botën e zhvilluar, i cili, ashtu si Nasser, e kishte hegjemoninë nacionaliste të nevojshme dhe e përdori ushtrinë për të siguruar unitet kombëtar dhe liri qytetare. Kur Mubaraku nisi punën pasi u vra Sadati, iu kthye reformave politike të brendshme dhe shtypi kundërshtarët e vet politikë, veçanërisht Vëllazërinë Myslimane.
Shumica e protestuesve që mbushën sheshin Tahrir kishin një pikëpamje të përbashkët për nacionalizmin, ushtrinë, teknologjinë, ideologjinë dhe më e rëndësishmja, për epokën.
Mubaraku, sidoqoftë, u pajtua me ideologjinë e vjetëruar që nuk i toleronte diskutimet demokratike dhe refuzonte çdo ndryshim në qeverisje. Për Mubarakun kishte gjithmonë kohë, kështu që protestuesit bënin thirrje për ndryshim.
Gjithashtu, propaganda e shtetit ksenofob egjiptian i prezantoi protestuesit si pjesë e një komploti të huaj, pothuaj neokolonial, komplot që do të asgjësonte kombin. Si rezultat, ushtria – që fitoi autokracinë dhe ndihma nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës - e gjeti veten të pushtuar nga e kaluara dhe e ardhmja, teksa përballej me udhëkryqet e para të vërteta që prej vitit 1952. i duhej të merrte një vendim për pozicionin e vet në kohë.
Shumë liderë brenda dhe jashtë Lindjes së Mesme vuajnë nga e njëjta gjë si Mubaraku. Si rrjedhojë, ata nuk janë në gjendje të ecin me tempin e duhur me popullsitë disi më të reja, që kërkojnë reforma politike.
Muajin e kaluar, aktivistët në Tunizi e detyruan Ben Aliun të mërgonte, gjë që i dha guxim egjiptianëve që ta hiqnin qafe Mubarakun. Me të dy këta burra larg pushtetit, edhe liderët nga Algjeria dhe Libia në Jemen kanë marrë një paralajmërim.
Ashtu si Mubaraku, edhe presidentët e tjerë i kanë parë sfidat popullore te shtetet autoritare si joautentike dhe konspirative.
Ata vuajnë nga ajo që mund të quhet trazira e periudhës poskoloniale apo PTD, që do të thotë se ende pajtohen me filozofinë e qeverisjes, sipas të cilit autoritarizmi është e vetmja kurë për sfidat e brendshme dhe të jashtme politike.
Ata kanë një pazotësi të pashoqe për të menduar jashtë logjikës së pushtetit të totalitarizuar.
PTD e ka origjinën nga përpjekjet e vendeve për të ndryshuar historinë e tyre gjatë lëvizjeve kombëtare antikoloniale për liri para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur perandoritë e mëdha europiane vazhduan demonstrimin dhe i vunë vulën lëvizjeve demokratike.
Dekolonizimi dhe periudhat postkoloniale ishin aq të rënda, saqë shtetet pretendonin se vetëm autoriteti i tyre pa kontroll do ta parandalonte kthimin tek e kaluara.
Në rrugë të ndryshme, PTD ka ndikuar tek liderë të tillë, si presidenti algjerian Abdelaziz Bouteflika, lideri i Libisë Muammar al-Gaddafi, presidenti Iranian Mahmoud Ahmadinejad, presidenti i Zimbabvesë, Mugabe etj.
Të gjithë këta liderë kanë debatuar për pushtetin e pakontrolluar që mbron popujt e tyre nga rreziku i botës neokoloniale.
Mubaraku ishte një prej pushtetarëve më të fundit të dekolonizimit që ishte ende në fuqi. Tashmë që ai ra, ka shumë mundësi që paradigma e pushtetit të pakontrolluar – që parandaloi ecjen përpara dhe bllokoi të drejtën e votës – gjithashtu do të shpërthejë.
Tashmë që ora mbeti për Mubarakun në Egjipt, shtetet e tjera në rajon vuajnë nga PTD që u prek nga revolucioni.  Algjeria – një vend rajonal, aleat i Amerikës dhe prodhuesi më i madh i energjisë – ndodhet mes tyre. 
Protestuesit aty, të cilët rrinin nëpër rrugë më 12 shkurt në numër më të vogël sesa Tunizia dhe Egjipti, shpresojnë shumë nga fqinjët përreth.
Pas trazirave masive që e bënë shtetin me një parti të rrënohej më 1988, Algjeria dështoi të fitonte demokracinë dhe pushtetin e mori ushtria më 1992.
Më pas nisi lufta civile algjeriane, që zgjati një dekadë. Shoqëria civile algjeriane duhej thjesht të merrte veten nga trauma  e asaj lufte, që shkaktoi 200.000 të vdekur.
Edhe sot, ky mbetet konflikti më i dhunshëm i rajonit midis ushtarakëve dhe shtetit.
Ashtu siç ndodhi në Egjipt, protestat publike në Algjeri janë të ndaluara nën masat e emergjencës, që kanë lejuar qeverinë të ketë më shumë censurë dhe abuzim të lirive civile.
Ashtu si Mubaraku, duke ndjekur revolucionin në Tunizi dhe ndezjen e protestave në Algjeri, Bouteflika u zotua të marrë masa emergjente për shtetin ekzistues.
Ai ende nuk e ka vënë në jetë zotimin, gjithsesi.
Një nga momentet kyçe të dekolonizimit erdhi pikërisht në shkurt të vitit 1960, 4 vjet pas nacionalizimit prej Nasserit, të kanalit të Suezit, kur kryeministri anglez Harold Macmillan shpërndau fjalimin e tij “për erën e ndryshimeve” në parlamentin e Afrikës së Jugut në Kape Toën.
Fjalimi nënvizonte që Mbretëria e Bashkuar ishte e gatshme të pranonte humbjen e kolonive të saj dhe prirjen për dekolonizimin. Sot, Lindja e Mesme duhet të jetë duke përjetuar një tjetër “erë ndryshimesh”, me popullin që nuk i pranon regjimet që nuk janë në sinkronizim me kohën, që kanë në themel korrupsionin dhe që duan të mbeten në pushtet me të gjitha kushtet.
Në raste të tilla sytë drejtohen kah elita ushtarake. Për Egjiptin, çështja është se si ushtria do ta lehtësojë procesin e demokratizimit të vendit dhe nëse do të mbetet, siç thuhet shpesh, ushtria e popullit.
Në Afrikën e Jugut, na duhet të kujtojmë këtu, se fjalimi i Macmillan i dha shtetit të apartejdit justifikimin për tërheqjen nga kritikat e huaja dhe i la Kombet e Federatës të krijonin Republikën e Afrikës së Jugut, më 1961.
Vendi po ecte në drejtim të kundërt me kohën dhe i duheshin edhe 30 vjet për ndryshime rrënjësore, lidhur me liderin që e udhëhoqi prej kaq vjetësh vendin.
Pas rrënimit të Mubarakut, ka ende dyshime nëse ushtria egjiptiane do t’i rezistojë përpjekjeve për të përmirësuar shtetin policor me një parti.
Le të qëndrojmë me shembullin e Afrikës së Jugut; Nelson Mandela e ka thënë shumë herë se kur ishte në burg, pa shumë liderë postkolonialë që erdhën në fuqi vetëm për të abuzuar me popullin e vet dhe për t’ plaçkitur ato me premtimet e lirisë. Në këtë kuptim, Mandela është një prej liderëve që i kuptoi më së miri rreziqet e PTD dhe ruajti veten nga ndikimet duke përqafuar pajtimin kombëtar dhe demokracinë, pasi u zgjodh president më 1994.
Kjo ishte një strategji krejt e lehtë për t’u zbatuar. Megjithatë, ai e kaloi zemëratën dhe vendosi për Afrikën e Jugut një program pajtimi kombëtar. Mbikëqyri gjithashtu edhe krijimin e kushtetutës më liberale në botë, që siguronte konkurrencën me shumë parti.
Nëse Egjipti, madje edhe qeveritë e tjera në rajon, duan të ecin përpara, liderët e tyre të së ardhmes duhet të jenë të sigurt të mos trashëgojnë PTD nga liderët e së kaluarës.
Në mësymjen perëndimore për të paragjykuar lëvizjet e ndryshme që duhet të përfshinin qeverinë e re në Egjipt, ka shumë vlerë të kujtohet edhe Ronald Reagan, edhe Margaret Theçer, të cilët insistonin që Mandela ishte një komunist “terrorist”.
Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar po mbështesnin islamikët radikalë, duke përfshirë Osama bin Laden, kur aleatët antikomunistë luftonin në Afganistan kundër rusëve.
Fakti që Mandela u bë njeriu më i rëndësishëm për paqen dhe bin Laden u bë terroristi më i madh është shkak i skepticizmit dhe durimit.
Trashëgimia e pushtetit shtypës të Mubarakut do ta bëjë të vështirë për egjiptianët, që të ndalin dëshirën e tyre për hakmarrje. 
Për ta harruar këtë impuls, ushtrisë i duhet të japë siguri, në një kohë që egjiptianët kanë nevojë të marrin parasysh reformat konstitucionale, ashtu siç bëri Afrika e Jugut, që mbrojti liritë civile për të gjithë qytetarët. Shteti i riformuar egjiptian duhet të lejojë edhe gazetarët, aktivistët dhe historianët të bëjnë punën e tyre, duke qenë se Afrika e Jugut tregoi vetëdije historike dhe aktivizimi i demokracisë është jetësor për çdo shtet që të ecë drejt përparimit, pas dekadash mosbesimi.
Nga të gjitha të dhënat deri më tani, aktivistët egjiptianë duket se ndodhen në pozicionin e duhur për të ndjekur progresin e ushtrisë drejt reformave.

Përktheu Rudina Dahri

Posted via email from Shkupi Press extra