Thembra…!

Petrit Nika 

“Thembra e Akcilit”, shkruar nga shkrimtari dhe filologu Agron Tufa, polifoni rrëfimore me tejkalim zhanri; tek libri mund të gjesh mjaft aspekte për të teorizuar mbi rrëfimin si akt dhe krahas kësaj për ta analizuar tekstin si përmbajtje. Libri në fjalë përbëhet nga ca rrëfime specifike që autori i quan miniatura. Këto rrëfime mirëfilli nuk janë në fakt as ditar, as memoar, as letërsi, as gazetari dhe ndërkohë janë të gjitha bashkë të shkrira në një. Ngjarjet janë të vërteta. Rrëfimi është i vërtetë. Autori është i vërtetë. Areali historik është i vërtetë


1.
Rrëfimi është akt i gjallë me të cilin janë marrë gjerësisht teoricienët e letërsisë në kohë dhe në vende të ndryshme. Një ndër konstatimet interesante është përcaktimi i tregimtarisë si shenjë e identitetit njerëzor. Në vazhdën e këtyre konstatimeve që lidhen me aktin e rrëfimit, një ndër përkufizimet më poetike dhe lakonike për rrëfimin e jep dhe formalisti rus Tzvetan Todorov tek “Poetika e prozës”, kur thotë se rrëfimi është jetë, kurse mungesa e tij mund të konsiderohet baras me vdekjen. Dhe referohet në aktin e rrëfimit tek “Odiseja”, e cila është një vepër me rrëfim shumëplanësh, sipas tij vepra e parë mirëfilli tregimtare.
Në fakt, ajo çka e bën të paharrueshëm Odisenë si personazh, sidomos për një filolog, janë pikërisht procedetë rrëfimore të tij, të cilat përgjatë udhëtimit të stërmundimshëm ku heroin e përplas dallga, vijnë duke u shtuar me histori të reja, që në fakt janë përvoja të ngjarjeve më të fundit në humbëtirën e panjohur përplot me qenie mitologjike.
Gradualisht, duke ia dalë të përpijë interesin e receptuesit, Odiseu me rrëfimet e tij fiton supermaci pothuajse dhe mbi vetë Homerin. Rrëfimtari “pretendon” të identifikohet me vetë autorin. Madje gjakon të jetë më shumë se autori. Aq shumë ndihet pushteti i këtij rrëfimtari në vepër, saqë s’është çudi që për një moment çdo lexuesi t’i ngjajë se veprën e ka shkruar vetë Odiseu.
Nga fillimi në fund vepra është e mbushur me rrëfimet e Odiseut mbi përvojat dramatike të përditshmërisë së tij fantastike. Përmes këtyre rrëfimeve ai bëhet “analist” dhe “publikues” i përvojave të tij, pa harruar asnjëherë dhe ngjarjet tragjike të Trojës. Rrëfimet e tij shfaqen si miniatura me temp narrativ mjaft dinamik, të cilat vijnë duke u shtuar dhe pasuruar bashkë me përvojën jetësore të rrëfimtarit.
Ndoshta pikërisht këtu duhet ta vendosim kufirin kohor të miniaturës si zhanër. Tek Homeri. Pra, tregimtaria për përditshmërinë. Dhe sado që duket si sakrilegj fakti i dominimit të rolit të rrëfimtarit mbi rolin e autorit në planin e rëndësisë së veprës, Odiseu në këtë vepër është më i rëndësishëm se sa vetë Homeri. Vepra flet për Odiseun. Homeri s’thotë asgjë për veten e tij. Aty, edhe Homeri, edhe Odiseu flasin për Odiseun, vuajtjet e tij, përballjet e vështira gjatë udhëtimit të tij të gjatë në një botë pothuajse aspak miqësore, të mbushur citazi me brenga, rreziqe e dredhi.
Duket, këtë ka patur ndër mend dhe Tzvetan Todorov-i kur e konsideronte Odiseun si të parin “rrëfimtar” të letërsisë botërore.

2.
Tek libri “Thembra e Akcilit” (Tiranë, 2009), shkruar nga shkrimtari dhe filologu Agron Tufa, mund të gjesh mjaft aspekte për të teorizuar mbi rrëfimin si akt dhe krahas kësaj për ta analizuar tekstin si përmbajtje. Libri në fjalë përbëhet nga ca rrëfime specifike që autori i quan miniatura. Këto rrëfime mirëfilli nuk janë në fakt as ditar, as memoar, as letërsi, as gazetari dhe ndërkohë janë të gjitha bashkë të shkrira në një. Në ndryshim me “Odisenë”, këtu nuk gjakon të shfaqet rrëfimtari “rival” karshi autorit, ngase rrëfimtari është vetë autori dhe s’ka asnjë pretendim për maskimin e zërit narrator. Ngjarjet janë të vërteta. Rrëfimi është i vërtetë. Autori është i vërtetë. Areali historik është i vërtetë. Pothuaj gjithçka është e vërtetë dhe vërtetë e vërtetueshme. Teksti është rrjedhojë e përvojave praktike. Përcaktimi i gjinisë është një polifoni e vërtetë zhanrore, e cila duke qenë e tillë, i jep liri rrëfimtarit-autor të mos krijojë tek receptuesi idenë e monologut narrativ, por atë të një bashkëbisedimi intim autor-lexues. “Thembra e Akcilit” është një prurje e veçantë në letërsinë shqipe, me organizim rrëfimor e artistik, me ngjarje të strukturuara në formë panoramike e analitike, me përcaktime kronotopesh të gjera, ku përvoja e autorit është pasuruar në aspektin konjitiv dhe emotiv, bash me materien specifike që e karakterizon librin.
Të gjithë akumulojnë përvoja të caktuara, të ngjashme, ose jo, në lektisjen e gjatë të qenies në përballje me realitetin, por jo të gjithë munden t’i kthejnë në rrëfime paravolike përvojat e tyre. Ky privilegj i takon vetëm shkrimtarit. Dhe fatmirësisht tek shkrimtari Agron Tufa s’mund të ndodhte ndryshe. Misioni është përmbushur. “Thembra e Akcilit” është thembra e Akilit të secilit. Është sfida e pashmangshme e qenies vetmitare, përballë pluralitetit të verbër dhe nervoz të kësaj bote të pangopur që kërkon të konsumojë gjithçka. Me babëzi. Deri në asgjësim.

3.
Në një bisedë midis shkrimtarëve latinoamerikanë Mario Vargas Llosa dhe Gabriel Garcia Marquez, (të kthyer në shqip nga vetë Tufa), Marquez në një moment nënvizon idenë se për një shkrimtar gjëja më kryesore është të ndjekë misionin e vet të shkrimtarit. (G. G. Marquez & M. V. Llosa; Dialog për romanin latinoamerikan, Onufri, 2001, f. 30). Miniaturat e Tufës në aspektin e rrëfimit estetik i binden zgjedhjeve letrare ndërzhanrore, duke filluar me bejten-ese, që të kujton letërsinë pak të njohur të bejtexhinjve shqiptarë të shek. XVII, kur u krijua tradita e parë e tematikës sociale dhe autobiografike në poezinë tonë; duke vazhduar më pas me miniaturat e tipit tregimtar; tregim dhe tregim-ese; etyd (struktura të ndryshme mikrominiaturash të kompozuara në sfondin e kornizës së të njëjtës miniaturë); miniatura të tipit mirëfilli ese, pa harruar në fund dhe shtojcën metatekst mbi natyrën e miniaturave në përgjithësi dhe me përgjigje të gatshme për receptuesin mbi “psehet” kryesore të miniaturave të këtij libri.
Pra, forma e shpërfaqjes rrëfimore-zhanrore është pothuaj në kërkim të vazhdueshëm të risisë, evokuese e historisë së zhanreve dhe tejkalim i suksesshëm i tyre; ndërthurje dinamike e ligjeve gjuhësore, semantike, stilistike, nga njëra anë, me ligjësitë epistemologjike dhe psikologjike që burojnë nga idetë e tekstit, - nga ana tjetër.
Tufa ndjek pareshtur pikërisht misionin e shkrimtarit edhe në prezantimin e këtij zhanri, për herë të parë në kulturën e shkrimit shqip. Vetëm se lë të nënkuptohet tërthorazi se shkrimtari i vërtetë nuk vetëmjaftohet me formatin e ngulitur të specifikave të zhanrit, por është gjithnjë në kërkim të një formati të ri, me specifika të reja, të panjohura, të cilat për një shkrimtar të pamësuar, ose mediokër përbëjnë rrezikun më të madh, ngase jo vetëm nuk i sigurojnë atij suksesin, por e nxjerrin nga kanali i komunikimit me turpin e dështimit.
Natyra e miniaturave tek “Thembra e Akcilit” nuk shtron nevojën e perceptimit përmes praktikash të diferencimit të lëndës në pjesë përbërëse; gjuhë eseistike, zhargonesh, dialektesh, neologjizmash; me përmbajtje të theksuar evokuese - poetike, apo përshkruese - narrative nga njëra anë dhe specifikave zhanrore të veçuara nga ana tjetër, ngase ato janë të gjitha bashkë aty, të dukshme dhe të ngjizura në mënyrë të pazgjidhshme.
Lënda artistike është një lëndë me përzierje të pasur për nga llojshmëria e materies, e pastër dhe e veçantë nga ana e zgjedhjes dhe e mbrujtur me finesë duke ruajtur arsyen e masës dhe të rendit logjik në tërë procesin alkimik, i cili si njëherë, ndodh vetëm njëherë.

4.
Libri i Tufës përbëhet nga një vijimësi ngjarjesh të cilat shpërfaqen gradualisht përmes një stili profirik (i ngjeshur), pa stërhollime narrative dhe pa teprime sugjeruese apo sugjestive. Këto ngjarje ndërtojnë, ashtu krejt natyrshëm, bash panoramën e botës shqiptare të vëzhguar nga syri i shkrimtarit në kohë të ndryshme, që ndoshta përfshijnë harkun kohor të tridhjetë vjetëve.
Bëhet fjalë për një panoramë, e cila bart në vetvete kumtin e papranueshëm të një peizazhi të shëmtuar social, ku gjërat nuk funksionojnë ashtu siç duhet. Bota dominohet e tëra nga forca destruktive në aksion. Shkrimtari është përherë i ndjeshëm ndaj energjisë negative që çlirohet nga këto raporte të forcave destruktive. Në këtë realitet ai ndjehet i pamundur, pothuajse i tepërt. Si “I huaji” i A. Kamysë. Duke e shpjeguar filozofinë e këtij pozicioni ekzistencialist, Sartri, tek libri i tij autobiografik “Fjalët” thotë se shkrimtari, duke qenë i pamundur, ndryshon nga të tjerët vetëm prej misionit të tij, që ka për qëllim ta tregojë këtë pamundësi, e cila sakohë ndodh kështu, transformohet në mënyrë të madhërishme duke u kthyer në mundësinë më intime. (Zh. P. Sartër; Fjalët, Fan Noli, 1995, f. 225).
Panorama e këtyre miniaturave gjakon në thelb pasqyrimin e kumtit të së pamundurës. Personat - personazhe të këtyre historive, sa kohë që janë kështu, e kanë të pamundur të jenë ndryshe. Studentët hip-hopistë të part time, punonjëset e bankës dhe bankomatët e tyre “hajdutë”, politikanët, gazetarët që blihen fare lirë nga politika, persekutuesit dhe të persekutuarit, poetët mediokër me xhaketa të vjetra, të cilët si të pamundur për të qenë të tillë, e kanë të pamundur të rrinë pa u përfshirë në kooperativa krijuesish.
Të gjithë e kanë të pamundur, ngase asnjëri nuk është në rolin që i takon të jetë. Të gjithë e kanë të pamundur ngase këtë mundësi iu afron pamundësia.
Në këto kushte vetëdija intelektuale rrezikon të kthehet në armën më të rrezikshme kundër vetvetes. Pavetëdija bën të kundërtën; përshpejton dinamizmin e zhvillimit të realiteteve dramatike. Për pjesën e pamundur në pavetëdije kultura është thjesht mall tregu. Vlera e saj kushton aq sa shitet. Vlera e çdo gjëje sot varet pikërisht nga çmimi i tregut. Sekreti i suksesit qëndron tek vlera e gjërave. Tek kjo vlerë rrjedhimisht sulen të gjithë. Të gjithë sipas mundësisë në pamundësinë e tyre. Shkalla e mundësisë në pamundësi është thembra e secilit.
Nga ana tjetër, dështimi nervoz përcakton dhe atmosferën e zymtë të këtyre zhvillimeve, ku kultura popullore kërkon të ruaj hegjemoni solide ndaj kulturave elitare, në një botë tranzitive në të gjitha sferat e jetës. Si revokues i kësaj panorame problematike, libri i Tufës, përveç pamjes panoramike të këtyre realiteteve sociale, jep dhe një pamje vertikale analitike të fakteve, faktorëve dhe faktuesve që bëhen prodhues apo trashëgues të këtyre realiteteve. “Thembra e Akcilit”, është historia e rrëfimtarit në raport me personazhet, është historia e autorit dhe historia jonë në raport me botën e madhe, përgjatë dekadës së fundit të një shekulli në mbarim dhe përgjatë dekadës së parë të këtij shekulli të ri.