Nga Shaban MURATI
Gjeneroziteti i Antantës në fi llim të shekullit të kaluar për të kënaqur orekset e Serbisë me territoret e fqinjëve të saj, vazhdon të shkaktojë edhe në ditët tona hapjen dhe ndezjen e tensioneve dhe të problemeve, të cilat në pamjen e parë duken sikur tashmë i takojnë vetëm historisë ballkanike. Një rizgjim i tensionit të fjetur mes Bullgarisë dhe Serbisë ndodhi më 18 shkurt, kur ministria e Jashtme e Bullgarisë i dërgoi një notë proteste ministrisë së Jashtme të Serbisë, për ndalimin e hyrjes së qytetarëve bullgarë për në qytetin e Boshilegradit, i cili ndodhet në territorin e Serbisë. MPJ-ja e Bullgarisë thirri ambasadorin serb në Sofje për t'i dorëzuar notën e protestës, ndërsa ministri i Jashtëm bullgar, Nikolla Mlladenov, deklaroi në parlament se Bullgaria do të njoftojë autoritetet e Bashkimit Europian për këtë ngjarje.
Konflikti diplomatik lindi për shkak të ndalimit, që Serbia u bëri grupeve të qytetarëve bullgarë, të cilët dëshironin të shkonin në qytetin e Boshilegradit për të përkujtuar 138-vjetorin e heroit bullgar të luftës kundër pushtimit osman, Vasil Levksi, (1837-1873), bir i këtij qyteti, i cili pikërisht më 18 shkurt kishte ditën e ekzekutimit të tij. Serbia bllokoi kufirin me Bullgarinë me njësitë policore të armatosura rëndë dhe rreth 50 forca policore bllokuan pikën e kalimit kufitar, në të cilën zakonisht qëndrojnë vetëm dy policë. Sikurse deklaroi kryetari i Bashkisë së qytetit bullgar të Kystendilit, Petar Paunov, të cilin policia serbe nuk e lejoi të hynte, ishte një situatë "si një gjendje e jashtëzakonshme ushtarake".
Shtetasit bullgarë e kishin dokumentacionin në rregull, dhe Bullgaria dhe Serbia kanë një regjim të kalimit të lirë pa viza me njëri-tjetrin. Tensioni dypalësh arriti një pikë të lartë, kur disa shtetas bullgarë, të zëmëruar nga ndalimi, tentuan të prishin pengesat e ngritura nga policia serbe dhe të kalojnë me forcë.
Të dy palët manifestuan një sensibilitet të lartë diplomatik dhe shtetëror për ngjarjen dhe për datën. Thelbi i përplasjes përmblidhet në faktin, që siç shkruante gazeta bullgare "Novinite" më 18 shkurt "Serbia Lindore, që kufizohet me Bullgarinë, ka një popullsi të madhe etnike bullgare". Minoriteti bullgar në Serbi jeton në komunën e Boshilegadit dhe të Dimitrovgradit, (Caribrodi), por edhe në Nish, në Leskovac dhe në Vranjë. Ekzistenca e atij komuniteti në trevat, të cilat historianët bullgarë i emërtojnë "territoret perëndimore", i kujton Serbisë se ato territore iu dhanë asaj në fillim të shekullit të kaluar, dhe pikërisht për këtë ajo përpiqet që ta kufizojë dhe të minimizojë të drejtat e minoritetit bullgar ne Serbi. Situata e minoritetit bullgar, sipas përfaqësuesve të atij minoriteti, është e padurueshme. Bashkimi Demokratik i Bullgarëve në Boshilegrad, më 30 janar 2011, i dërgoi një letër të hapur gjitha mediave, duke shprehur shqetësimin për presionet e qeverisë së Serbisë mbi zyrtarët dhe personat me origjinë bullgare, të cilët ngrenë zërin për të drejtat e tyre të mohuara. Vitin e kaluar përfaqësuesit e minoritetit bullgar në Serbi i dorëzuan edhe një dosje me dokumente komisionerit të Bashkimit Europian për zgjerimin, Stefan Fyle, ku i shprehnin protestën kundër diskriminimit etnik dhe kërkonin ndërhyrjen e BE-së, për plotësimin e kërkesave të tyre për të drejtat e minoriteteve, që u takojnë sipas normave dhe standarteve të njohura të konventave ndërkombëtare, të cilat janë pranuar dhe firmosur edhe nga Serbia, por që qeveria serbe nuk i zbaton në territorin e saj. Diskriminimi i tyre është i shtrirë në të gjitha fushat dhe sidomos në fushën e arsimit dhe të gjuhës kombëtare kufizimet janë më të mëdha. Në vitin 2010, ministri serb i arsimit nuk dha lejen për hapjen e klasave në gjuhën bullgare për fëmijët e minoritetit bullgar në komunat, ku jeton ai minoritet. Çështja e komunitetit bullgar në Serbi është pjesë e dosjes së problemeve të marrëdhënieve mes dy shteteve. Serbia është përpjekur që t'i reduktojë të drejtat dhe ekzistencën e këtij komuniteti me metoda restriktive dhe me një politikë të shkeljes së të drejtave, siç ka ndjekur edhe ndaj minoriteteve të tjera si ato shqiptare, boshnjake, hungareze, kroate, maqedonase, vllahe etj. Karakteristikë e kursit të Serbisë ndaj minoriteteve është politizimi i qëllimshëm dhe satanizimi i minoriteteve dhe i kërkesave të tyre "si burim konfliktesh dhe trazirash". Ministria e Brendshme e Serbisë ndaloi ceremoninë përkujtimore, që popullsia bullgare e Boshilegradit kërkoi të organizonte në nderim të figurës së luftëtarit të madh për liri, Vasil Levski, me justifikimin se "mund të cenojë rendin publik dhe sigurinë e qytetarëve". Është një akuzë dhe pretekst klasik, që ministria e Brendshme e Serbisë e përdor ndaj çdo përpjekje të minoriteteve për të përkujtuar figura të historisë së tyre amtare, të cilët kanë lindur në trojet, që sot ndodhen brenda kufijve të Serbisë. Është për t'u theksuar se patrioti bullgar Vasil Levski nuk ka luftuar kundër serbëve, por kundër një pushtuesi, që në shekullin 19 ishte i përbashkët edhe për serbët, edhe për bullgarët, që do të thotë se në sensin historik kontributi i Vasil Levskit ka qenë edhe për çlirimin e popullit serb. Por Ministria e Brendshme e Serbisë e klasifikoi përkujtimin e figurës së tij si një rrezik për cenimin e rendit publik.
Konfliktin e ri diplomatik mes Bullgarisë dhe Serbisë e bën edhe më interesant fakti se Serbia është shteti, i cili ka aplikuar për statusin e shtetit kandidat të BE-së, dhe i cili pretendon që ta marrë aforfe këtë status, meqë në radhët e shteteve anëtare të BE-së ka disa lobistë të Serbisë, të cilët shprehin një entuziazëm të papërligjur për t'i falur Serbisë shumë defekte dhe mosrealizime në zbatimin e reformave dhe standarteve europiane, dhe t'ia japin sa më parë statusin e shtetit kandidat. Në dritën e këtij tensioni të ri në kufirin bullgaro-serb, në parlamentin e Bullgarisë u ngrit shqetësimi se si mund të gëzojë dhe t'i akordohet statusi i shtetit më të favorizuar ballkanik Serbisë, kur ajo bllokon me polici dhe me forca të armatosura lëvizjen e lirë të qytetarëve të një shteti anëtar të BE-së si Bullgaria. BE-ja i liberalizoi vizat Serbisë dy vjet më parë, pas vlerësimit se ajo i kishte realizuar standardet dhe kushtet, që kërkon sistemi i liberalizimit të vizave. Bullgaria ishte një nga shtetet, që dha pëlqimin për këtë liberalizim vizash të BE me Serbinë. Nëse Sofja do të kishte gjykuar se Serbia nuk plotëson kushtet dhe klimën e përshtatshme, mund të kishte vënë veton dhe të mos kishte dhënë konsensusin e saj. Por Sofja veproi drejt dhe e dha pëlqimin për heqjen e vizave me Serbinë. Siç deklaroi ministri i Jashtëm bullgar, Nikolla Mlladenov, më 18 shkurt në parlament, Bullgaria nuk bën provokime dhe pret të njëjtën gjë nga fqinjët e saj. Duket se në Beograd kanë parametra të tjera lidhur me qëndrimet për marrëdhëniet me fqinjët, dhe me minoritetet brenda shtetit serb, parametra që janë të ndryshëm nga ato të BE-së.
Çka e bën më intriguese situatën e konfliktit diplomatik mes Bullgarisë dhe Serbisë është edhe fakti se kryeministri i Serbisë, Mirko Cvetkoviç, pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare dyditëshe në Sofje më datën 21 shkurt. Është jashtë çdo logjike diplomatike që një shtet, i cili do të dërgojë për vizitë zyrtare kryeministrin në shtetin fqinj, të provokojë marrëdhëniet me një skandal diplomatik, dy ditë para vizitës së kryeministrit. Ky hap mund të shpjegohet në disa mënyra. Së pari, që Serbia nuk i vlerëson marrëdhëniet me Bullgarinë me rëndësinë, që u takojnë. Së dyti, që Serbia kërkon të bëjë presion mbi Bullgarinë, që të mos ngrejë çështjen e të drejtave dhe të kërkesave të minoritetit bullgar në Serbi. Së treti, që Beogradi planifikon të ndjekë një politikë edhe më restriktive ndaj minoriteteve në Serbi, dhe të japë sinjalin e një qëndrimi më të ashpër ndaj shteteve të Ballkanit, që kanë pjesë të popullsisë së tyre në Serbi.
Nuk është e qartë se si kryeministri i Serbisë do ta justifikojë apo emërtojë konfliktin diplomatik të shkaktuar nga qeveria e tij me Bullgarinë, por ajo që mund të thuhet me siguri është se kjo re e tensionit të ri do ta shoqërojë atë gjatë vizitës. Tensionet e fjetura ndërballkanike nuk zgjidhen as me neglizhime, por as me presione nacionaliste nga shtetet, të cilat i ka darovitur historia me tokat e të tjerëve. Ndryshe, tensionet e fjetura zgjohen si vullkanet e fjetura, siç pamë këto ditë në kufirin dhe në marrëdhëniet mes Bullgarisë dhe Serbisë.
Home »
» Tensionet e fjetura bullgaro-serbe