“Fataliteti Ynë” është një përmbledhje e një pjese të publicistikës së gazetarit dhe diplomatit të njohur, Skënder Shkupi, ish Ambasador i Shqipërisë në Turqi gjatë viteve 1992- 1997. Ky është vëllimi i parë i një serie prej tre vëllimesh të cilat pasqyrojnë një periudhë tejet të ndërlikuar të historisë sonë të re. Duke qenë dëshmitar i afërt i ngjarjeve të vrullshme të pas-Diktaturës ai jep një pasqyrë interesante, nga këndvështrimi i tij, të ecurisë së shndërrimeve të mëdha që përjetoi Shqipëria në 14 vitet e fundit..
Vëllimi ndahet në dy pjesë: Editoriale dhe artikuj të shkurtër apo të mesëm analizash për probleme konkrete që në momente të ndryshme të historisë së re të Shqipërisë Demokratike kanë tërhequr vemendjen e opinionit publik. Disa prej këtyre shkrimeve siç e pranon edhe autori në parathënien e librit ndofta stonojnë me vitet e para të mijëvjeçarit të ri. Megjithatë lexuesit mund t’i duket jo pa interes të njohë edhe ecurinë e ndryshimeve në mentalitetin dhe pikëpamjet e shqiptarëve duke e vënë veten në mjedisin shqiptar të atyre viteve të vrullshme kur u shkruan editorialet apo analizat e dukurive të reja aq befasuese. Rrëfimi ka puls dhe gjuha e stili i autorit e bëjnë librin të pëlqyeshëm për lexuesit e interesuar për ngjarjet politike.
Botimet OMBRA GVG, kolana Vizione
Redaktor : Xhevdet Shehu
Format 61x86/32
406 faqe
ISBN: 99927-805-0-9





