Skenari arab për Izraelin

“Al Haaretz”

Kryeministri izraelit, Beniamin Netanyahu e vlerësoi revolucionin mbarëpopullor në Tunizi  si shëmbëlltyrë të destabilitetit në rajon. Ndërkohë që udhëheqësit e vendeve perëndimore( ashtu si edhe ata të vendeve arabe) e vlerësuan si një arritje të çmuar të betejës për liri dhe të përmbysjes së një despoti mizor, Beniamin Netanyahu nuk e shquan “si arritje” revoltën masive tuniziane. Ai dëshiron vetëm “të rikthehet stabiliteti”, bashkë me apo pa lirinë, kjo nuk ka fort rëndësi. Ndoshta ai e kupton mirë thelbin e dukurisë, prandaj edhe nuk thotë asgjë më shumë. Dr.Daniel Zisenwine, është një studiues e kërkues shkencor në Qendrën Studimore “Moshe Dayan” për Lindjen e Mesme dhe Afrikën. Në një intervistë të tijën, ai shpjegon se nuk ishte opozita tuniziane ajo që rrëzoi nga pushteti presidentin e vendit Zine al-Abidine Ben Ali: “Janë vetëm disa fraksione partiake dhe në pozita jo të shëndosha politike, ku qëllimi kryesor mbetet kërleshja e grupimeve me njëri-tjetrin”. A tingëllon kjo si diçka e njohur për ne? Faktorët më të fuqishëm në Tunizi janë, sipas Daniel Zisenwine, sindikatat dhe OJQ-të, të cilat “papritur u zgjuan dhe mund të zgjojnë edhe jetën politike në vend. Ndoshta kjo është arsyeja që kryeministri izraelit Netanyahu mbështet qëndrimet dhe vërejtjet e ministrit të Jashtëm, Liberman në lidhje me organizatat e të drejtave të njeriut. Organizatat izraelite të shoqërisë civile kanë grumbulluar në vetvete shumë pushtet gjatë këtyre viteve të fundit; jo vetëm të ashtuquajturat organizata majtiste, por kryesisht ato që kanë në qendër të vëmendjes çështje si varfëria, të drejtat e punëtorëve dhe denoncimit të dhunës së ushtruar ndaj grave e të miturve. Të gjitha këto organizma janë krijuar me qëllim që të mbushin boshllëkun e krijuar nga politikat e mangëta qeveritare, që nga ana e saj fërkonte duart prej kënaqësisë kur dikush tjetër ia hiqte nga shpina këtë barrë të rëndë. Shkujdesja ishte e përmasave të atilla, sa “sektori i tretë”- OJQ, organizatat humanitare dhe ato vullnetare – janë sot nga më të fuqishmet në botë. Prandaj ky sektor gëzon pushtet e fuqi të tillë. Ndërsa tani ndodhi përplasja. Parlamenti dhe kabineti qeveritar papritur zbuluan fuqinë e përfituar nga këto organizma, prandaj duan që ky pushtet t’u rikthehet. Tani për tani, lufta zhvillohet mes grupimeve “politike”, por mund të parashihet se do të kryhen përpjekje të pareshtura që këto organizata humanitare të vihen nën kontroll, pasi edhe ato nga ana e tyre janë organizma politike. Ato janë përfshira edhe në të drejtat e njeriut, qoftë për gratë, qoftë për të miturit, apo etiopianët dhe të vobektët. Por, në këtë luftë-betejë kabineti qeveritar dhe parlamenti kanë zgjedhur rrugën e injorimit të arsyeve të fuqizimit të këtyre organizmave. Ato mund të lëshojnë edhe deklarata të rrejshme se janë pikërisht fondet financiare jashtë vendit shkaktaret kryesore, por ky nuk është ky thelbi i pushtetit dhe fuqisë që tashmë gëzojnë këto organizma. Burimi i fuqizimit të tyre është boshllëku i krijuar nga mosqeverisja dhe politikat kriminale të ndjekura nga qeveritë izraelite gjatë gjithë këtyre 40 viteve të fundit. Burimi i pushtetit të organizatave humanitare dhe joqeveritare është shmangia nga përgjegjësia dhe detyrimet që një qeveri mbart e duhet të përkujdeset për qytetarët e saj dhe ç’është më kryesorja, t’i japë fund këtij uzurpimi, si edhe një parlament që mbështet thjesht e vetëm kabinetin qeveritar në vend që të ushtrojë funksionin e tij. Puna e këtyre organizmave merr shtysë nga shkalla e angazhimit, prekja me dorë e problemit, si dhe përmbushja e nevojave të subjekteve që ato trajtojnë. Dhe çka është më kryesorja, për shkak se vetë qeveria izraelite ndjehet gjithnjë e më e papranishme, duke braktisur përditë e më shumë qytetarët e saj. Prandaj edhe këto organizata kanë dalë e po dalin gjithnjë e më në pah. Fatkeqësisht, këto organizata shërbejnë edhe si valvule shkarkuese. Siç është shprehur edhe profesori Yagil Levy, nënproduktet e veprimtarive të “grupimeve majtiste” shërbejnë si ‘prezervativ’ i pushtimit. Në të njëjtën mënyrë, organizata të tilla si “Latet”, “Elem dhe Bizchut” i lejojnë apo mundësojnë pushtetit t’u shmanget përgjegjësive që kanë ndaj qytetarëve. Sipas Dr.Zisenwine, pas revolucionit të Tunizisë qëndron “një popullatë e arsimuar dhe properëndimore, gërshetuar me ngërçin ekonomik në vend, shkallën e lartë të korrupsionit, si dhe arsyeja që tashmë dihet nga të gjithë, sundimi me dorë të hekurt i ish-presidentit. Nëse Ben Ali do të kishte kërkuar ndonjë këshillë para se të ndodhte revolucioni, do ta kisha këshilluar të lehtësonte paksa trysninë pushtetare, t’i jepte pak më shumë liri medias dhe përdorimit të internetit”, thotë Zisenwine. Kështu, duke u kthyer në vend, vetëm qëllimet e mbrapshta të kryeministrit Netanyahu dhe ministrit të Jashtëm, Liberman, për të ngushtuar hapësirat e lirisë së individit dhe cenimi i të drejtave themelore të njeriut, do të kishin sjellë rezultat të kundërt. Ndoshta, nëse ata nuk heqin dorë nga shtypja e trysnia që ushtrojnë, revolucioni aq i nevojshëm, më në fund, do të marrë udhë edhe këtu, në Izrael. 

Posted via email from Shkupi Press extra