Agim Vinca
Në këtë libër janë përfshirë shkrime që flasin, si thuhet në nëntitullin e tij, mbi fenomenologjinë kulturore të një kohe, të kohës që në hapësirën shqiptare, sikurse edhe në ish-vendet e tjera të Lindjes, mbulohet me fjalën tranzicion. Shkrimet e përfshira në këtë libër janë të natyrave të ndryshme: intervista, fjalë rasti dhe kumtesa (të mbajtura kryesisht në promovime librash ose në tryeza, sesione dhe konferenca shkencore), ndonjë parathënie a pasthënie libri; ndonjë ligjëratë a bisedë akademike; vështrime, ese, reagime, polemika dhe, madje, edhe letra e kujtime, por ato i përshkon një fill i përbashkët: këmbëngulja e autorit që edhe në këtë kohë lëkundjesh të mëdha morale t’i quajë gjërat me emrin e vet. Së këndejmi edhe titulli mbase pretencioz i librit: (Po)etika e fjalës, që mund të lexohet në mënyrë alternative si: etika dhe estetika (poetika) e fjalës, por edhe si pohim i së parës. Në shkrimet e këtij libri, siç mund të shihet, flitet për vepra, autorë e probleme të ndryshme me karakter letrar e kulturor (herë-herë edhe shkencor), por synim parësor i tij është hetimi i fenomeneve që e karakterizojnë këtë kohë, pra tranzicionin e stërzgjatur shqiptar jo vetëm në planin politik e shoqëror, por edhe në atë letrar, artistik dhe kulturor. Autorin e mban shpresa se çështjet e trajtuara në këtë vepër janë shtruar drejt dhe janë trajtuar ndershmërisht, në frymën e motos së vënë në krye të librit se “kush nuk i quan gjërat me emrin e vet, e rrit fatkeqësinë e botës". Bota edhe kështu është përplot fatkeqësi. Ajo që quhet “botë shqiptare” ka shumë më tepër telashe e mynxyra. Fjala e shkruar nuk është vetëm trill i fantazisë, por edhe një akt moral sui generis. Ajo ka edhe edhe një mision tjetër të rëndësishëm, përveç atij estetik: misionin etik. Të jesh i ndershëm me veten dhe të tjerët. Të mos shtiresh e gënjesh paturpësisht edhe atëherë kur mbreti mund të jetë lakuriq! Të mos heshtësh kur sheh se si gënjeshtra dhe injoranca, krahas korrupsionit dhe luftës për pushtet, po bëhen pjesë e kulturës dhe e institucioneve në shoqëritë posttotalitare, çfarë është edhe kjo jona. Si të ruhet dinjiteti i fjalës në kohën e babëzisë; të vrapimit pas kamjes, pushtetit, parasë, lavdisë? Kjo është çështja. Ç’do të thotë të jesh shkrimtar dhe intelektual sot? Ç’peshë ka dija dhe talenti në një kohë kur shkruhet shumë e lexohet pak; kur sistemi i vlerave është në krizë; kur ka inflacion titujsh, veprash, fjalësh, çmimesh, diplomash; kur çdo gjëje i dihet çmimi, por jo edhe vlera, siç do të thoshte ciniku Oskar Uajld? Akti i promovimit, i shndërruar gati në mani, është bërë shenjë dalluese e kulturës sonë të periudhës “post”. Lëvdatat e pakripë dhe lajkat e pacipë mbijnë si kërpudhat pas shiut në sallat e bibliotekave, teatrove, universiteteve, shoqatave dhe të restoranteve tona të shumta e luksoze. Hapësirën edhe ashtu të pakët të rezervuar për kulturë në mediat e shkruara dhe elektronike në gjuhën shqipe e zënë kryesisht raportet stereotipe nga këto salla, që shpeshherë shndërrohen në dafrunga. Gjithkush promovon diçka: firma, libra, ide, iluzione... Ndërkohë që vlerat e njëmendëta shpërfillen në mënyrë sa të trashë, aq edhe tinëzare. Preken jo rrallë edhe të ashtuquajturat shtylla të identitetit shpirtëror të kombit: tradita, gjuha, kultura, historia. Kërkohet zhbërja e gjuhës standarde shqipe ose krijimi i dy gjuhëve standarde; shpallen kryevepra veprat e dobëta, që mezi qëndrojnë në këmbë; mbulohen me dafina delfinët partiakë; bëhen anëtarë akademish njerëz gjysmanalfabetë, kurse kritika letrare (dhe shkencore) është pothuajse në agoni, në njërën anë dhe plotësisht në shërbim të klaneve, në anën tjetër. I befasuar me recensionin për librin e tij të parë, një poet i ri i shkruante kohë më parë autorit të këtij libri. “Kur një anëtar i klanit boton librin e radhës, miqtë e tij e mbysin me stërkala lëvdatash që shpërthejnë si shatërvan në një festë shampanjash. Dhe, pasi e kryejnë detyrën si është më së miri, mezi presin të nxjerrin në dritë librin e tyre të radhës, që t’u kthehet borxhi”. Ç’prestigj mund të gëzojë krijuesi në një mjedis ku Muza dhe Vizioni janë shfronësuar, kurse në piedestal janë ngjitur Politika e pashpirt dhe katekizmi i ri partiak? Na duhet një humanizëm militant, thoshte Tomas Mani në kohën e shkallëzimit të nazizmit në Gjermani, në vitet ’30 të shekullit XX, kur rifilloi rituali i djegies së librave si në mesjetë, për t’u pasuar nga përndjekja brutale e shkrimtarëve dhe intelektualëve disidentë në kampet e sistemit stalinist. E vlen të luftohet për nderin e fjalës, shëmbëllyeshëm korifenjve të mendimit njerëzor. “Me zjarr ju flas, me zjarr...”. Se, në fillim, na ishte fjala. Edhe në fund, ndofta. Fshehtësia dhe bukuria e saj. Etika e fjalës, prandaj, është poetika e saj: magjia e ligjërimit. Në këtë plan autori i beson plotësisht thënies së lashtë se stili është vetë njeriu (Byfoni) dhe priret nga urtësia biblike që thotë: “Ji i ftohtë akull; ji i nxehtë valë, por assesi jo i vakët!”. Shkrimet e këtij libri mund ta “ftohin” a “ngrohin” më shumë a më pak lexuesin, varësisht nga ndjeshmëria, formimi kulturor dhe nga interesat që ka, por nuk besoj ta lënë indiferent. Ç’të thuhet tjetër në këtë parafjalë? Parathëniet e gjata mund të bëhen fare lehtë të mërzitshme, kurse librat e mirë, ashtu si qytetet e bukura dhe muzetë e rregulluara me shije, nuk kanë nevojë për ciceronë fjalamanë. Gjërat (në kuptimin sartrian të fjalës) flasin vetë. Lexim të mbarë, të dashur lexues! Prishtinë, qershor 2010





