Donald Ramsfeld, ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes, që mbajti deri në fund qëndrim arrogant dhe prej kapadaiu, madje edhe kur trupat e tij pësuan dëme dhe disfata në vitet e para të luftës së Irakut, i lejon vetes që të shprehet me grimca keqardhjeje. Janë fjali që ai i ka hedhur në librin e tij të fundit me kujtime, në të cilin deklaron se duhet të ishte dorëhequr pas plasjes së skandalit të abuzimeve në burgun famëkeq irakian të Abu Ghraib në vitin 2004.
Në librin e tij “E njohura dhe e panjohura” Ramsfeld, i cili u zëvendësua në detyrën e tij në fund të vitit 2006, tregon sesi ish-shefi i tij, ish-presidenti i atëhershëm amerikan, Bush, synonte që ta përmbyste Sadam Huseinin nga pushteti dy javë pas sulmeve të 11 shtatorit në vitin 2001, madje edhe kur i gjithë fokusi i përgatitjeve ushtarake ishte i përqendruar te lufta në Afganistan dhe te rrëzimi i regjimit të talebanëve. Në atë periudhë kohore Bushi i tha atij që t’u “hidhte një sy planeve ushtarake për Irakun”. Kështu shkruan Ramsfeld në libër. “Dy javë pas sulmit më të madh dhe më të rëndë terrorist në tokën tonë, të gjithë ata që punonin në Departamentin e Mbrojtjes ishin të zënë me punë”, thotë Ramsfeld. “Bush donte që opsionet tona të ishin kreative”. Në librin me 800 faqe, i cili është botuar pjesërisht në median amerikane, Ramsfeld thotë se ishin të shumtë sektorët dhe personat që duheshin fajësuar. Mosfunksionimi në çështjet e vendimmarrjes u krijua dhe erdhi duke u shtuar pjesërisht, për shkak të axhendave të ndryshme të agjencive të ndryshme konkurruese, përfshi Pentagonin. Megjithatë, sipas tij, ishte Bushi ai që duhej të vendoste. “Në timonin e drejtimit të situatës kishte shumë duar, çka përbën një formulë të sigurt për ta përmbysur ‘kamionin’”, shkruan Ramsfeld. Mes atyre që ndërhynin në këtë situatë, sipas Ramsfeldit, ishin Kolin Pauell dhe Kondoleza Rajs, respektivisht sekretari i Shtetit dhe shefja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë në kohën e përgatitjes së sulmit në Irak. “Dallimet thelbësore nuk u qetësuan kurrë dhe nuk morën zgjidhje kurrë me vendosmëri dhe përfundimisht në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Vetëm Presidenti mund ta bënte një gjë të tillë. Bush nuk i ka marrë gjithmonë dhe mund të mos ketë këmbëngulur për një marrje në konsideratë të opsioneve të tij para se të merrte një vendim dhe jo gjithmonë ai ka pasur një zbatim efektiv të vendimeve që ka marrë”, vazhdon Ramsfeld. Ndoshta nuk është krejt për t’u çuditur që Ramsfeld në asnjë mënyrë nuk jep ndonjë sugjerim në lidhje me faktin që lufta ishte në vetvete një gabim. Në një formulim që e ka publikuar diku tjetër ai i përmbahet teorisë, se sikur forcat e koalicionit të mos e kishin përmbysur Sadamin nga pushteti i gjithë rajoni sot “do të kishte qenë në një gjendje shumë më të rrezikshme se aktualisht”. Për sa i përket stilit të tij personal të prezantimit, për shembull, në dhomën e mbledhjeve dhe takimeve në Pentagon, Ramsfeld pranon se është fajtor për mënyrën sesi ndonjëherë bënte vërejte sarkastike për gjëra që ndoshta nuk duheshin thënë të tilla, si “gjëra që ndodhin” me referencë vjedhjeve që pasuan sulmin amerikan në Irak apo shprehjen “Europa e vjetër” me referencë ato të vendeve të Europës që ishin kundër luftës në Irak, pra Franca dhe Gjermania. Ai sot ka tërhequr edhe shprehjen që tha: “Ne e dimë ku janë” me referencë armët e dëmtimit në masë, që gjoja ishin në Irak dhe që ishin sebepi i luftës për amerikanët dhe aleatët e tyre, britanikët dhe që në fakt nuk ekzistonin. Ndaj librit të tij ka pasur reagime të menjëhershme si nga senatori Xhon Mek Kein, i cili e quajti mënyrën e të shkruarit një “tendencë të zhvendosjes së pozicionit të tij për të ndjellë median”. Këta dy burra kanë pasur përplasje të ashpra politike. Mek Kein ishte një nga njerëzit kryesorë në kërkesën për shtim të trupave amerikane në Irak, çka ndodhi në të vërtetë në vitin 2007 me rritjen e sulmeve nga ana e rezistencës. “Unë e respektoj Ramsfeldin. Unë dhe ai kemi pasur një dallim shumë të madh për sa i përket strategjisë që ai ndërmori në Irak, e cila, siç e kisha parashikuar, dështoi. Falë Zotit ai u lirua nga detyra, sepse përndryshe do të kishim pasur një situatë shumë të rëndë”, ka deklaruar së fundi Mek Kein për Ramsfeldin dhe strategjinë e tij të luftës. Ky i fundit, që deri më tani nuk është shfaqur në arenën politike, thotë se ia kishte ofruar Bushit dy herë dorëheqjen pas ngjarjeve të rënda të Abu Ghraib, në të cilat u shfaqën rastet e abuzimeve të amerikanëve ndaj të burgosurve irakianë. Dhe dy herë rresht dorëheqja nuk iu pranua. “Abu Ghraib dhe të gjitha pasojat e tij u shndërruan në një distraksion të madh”, thotë Ramsfeld. “Një nga gjërat për të cilat më vjen më shumë keq është se nuk u largova në atë moment.” Ndërsa në lidhje me personat që hartuan politikat ai akuzon Kondoleza Rajs, e cila nuk ia prezantoi Bushit situatën, ashtu sikundër ishte në të vërtetë. Ai përshkruan edhe një grindje që ndodhi mes Departamentit të Shtetit të drejtuar nga Pauell, dhe Pentagonit në lidhje me strategjinë e pasluftës. Pauell donte një tranzicion gradual drejt dhënies sërish të pushtetit në duart e irakianëve, ndërsa vetë Ramsfeld deklaroi se Pentagoni donte që të shihte krijimin e një qeverie të përkohshme në një kohë shumë të shpejtë. Paul Bremnen, që drejtoi Irakun e pushtuar përgjatë vitit të parë të luftës, nuk ishte dakord me Ramsfeldin. Ky i fundit e fajëson Bremerin për zvarritje në marrjen e hapave në transferimin e autoritetit tek irakianët. Një pjesë e librit i kushtohet Guantanamos. Ramsfeld thotë se Shtëpia e Bardhë duhet të kishte bërë më shumë në lidhje me përfshirjen e Kongresit në vendosjen e linjave të reja të veprimit. “Teksa kthej kokën pas shoh se ka gjëra që administrata duhet t’i kishte bërë më mirë në lidhje me burgosjen dhe ndalimin në kohë lufte.”





