Përplasja e madh e shekullit 21 (Përse rritet soft power i feve ?)

Carlo Jean

Fetë janë një element vendimtar i jetës së shoqërive dhe i marrëdhënieve të pushtetit të brendshme dhe ndërkombëtar. Ndërveprojnë me politikën, i përbëjnë një instrument, por ndjekin edhe finalitetit të tyre, duke e instrumentalizuar politikën. Në periudhat e krizave dhe të ndryshimit, influenca e feve rritet. Shpallja e “vdekjes së Zotit” në histori ka qenë aq më pak e parakohshme. Ashtu siç ka qenë pohimi i Gilles Kepel mbi “kthimin” dhe mbi “hakmarrjen e Zotit”, që do të ushqente konfliktualitetin aktual. Kepel synonte në këtë mënyrë të shpjegonte shkaqet e konfliktit aktual midis modernizmit e identitetit apo midis globalizimit dhe copëzimit, pasi që në shekullin e XX-të, në periudhën e kombeve më parë dhe të ideologjive të mëdha më pas, fetë dhe besimi dukej se qenë përzënë nga politika. 

Përse rritet soft power i feve 

Influenca politike në rritje e feve është për tju ngarkuar faktorëve të ndryshëm. Në radhë të parë kolapsit të komunizmit, krizës së liberalizmit kapitalist dhe mbizotërimit të ekonomisë ndaj politikës. Globalizimi, me fituesit dhe humbësit e tij, ka provokuar reagimin e identiteteve, që janë elementë mbështetës të politikës: në forcimin e identiteteve, fetë kanë luajtur një rol thelbësor. Ideologjitë laike, nga komunizmi tek fashizmat e ndryshëm apo tek liberalizmi, kanë tentuar ta zëvendësojnë të shenjtën dhe transcendenten me një “shtet etik” dhe vlerat e tyre të konceptuara si universale. Por shekullarizimi ka përfunduar për të kontribuar në krizën e Perëndimit, të identitetit të tij dhe të vullnetit për dominim të tij. Në emër të laicitetit, nuk janë njohur as edhe rrënjët kristiane të identitetit evropian. Shumë e ndryshme nga ajo evropiane është shkalla e religjiozitetit të Shtetet e Bashkuara dhe në Islam, të dy forcat “revolucionare” dhe “misionare” të kohës tonë. Ato posedojnë një ndjenjë misioni, të cilën Evropa në fakt e ka humbur. Ortodoksia, e organizuar në kisha kombëtare autoqefale, është themelore për identitetin serb e rus: së bashku me pansllavizmin, është instrument dhe motor i politikës së jashtme të Putin, qyshkur Moska e ka vënë mënjanë projektin e saj fillestar të evropianizmit të Rusisë. 

Një faktor i mëtejshëm që më pas e ka shumëfishuar efikasitetin e soft power të feve: zhvillimi i ICT-ve (Information Communication Technologies). Komunikimet midis komponentëve të rrjeteve fetare janë bërë të zhdërvjellëta dhe ekonomike, duke mundësuar një mobilizim masiv, si “nga lart poshtë”, siç ndodh në Kishën Katolike, ashtu dhe nga “poshtë lart”, si për OJQ-të e dala nga sekte fetare. Fetë monoteiste, në veçanti kristianizmi, katolik, i reformuar dhe ortodoks, dhe Islami, sunit dhe shiit – kanë një vokacion universal (që i mungon hebraizmit). Ato politeiste, nga budizmi tek konfucizmi (duke pranuar që ky është një fe dhe jo një filozofi e thjeshtë), kanë një përhapje më të lokalizuar. Një element i tretë që e ka rritur shtytjen përpara fetares është copëzimi i feve të mëdha në sekte, shpesh agresivë dhe të pajisura me resurse të konsiderueshme financiare. Ato shprehin pothuajse gjithmonë tendenca radikalizuese dhe ekstremiste, në kontestim të hapur ndaj hierarkive të kishave të mëdha. Ndërlidhjet midis fesë dhe politikës ndryshojnë me kalimin e kohës dhe në funksion të tipit të shoqërisë e të regjimit në të cilin zhvillohen. As feja, as politika nuk qëndrojnë njëlloj. 

U përshtaten rrethanave, shpesh në mënyrë të paparashikueshme dhe të çrregullt. Në lashtësi, por edhe sot në shumë regjime, sidomos afrikane, ku kreu politik e shpall veten profet të dërguar nga Zoti apo njeri të Hyjnisë, marrëdhënia midis të shenjtës dhe profanes është shumë e ngushtë. Politikani forcon legjitimitetin e tij me fetare: është aleanca midis fronit dhe altarit e ancien régime. Fenomeni është më i rëndësishëm sa më shumë regjimet janë autokratike: është kjo ajo që është verifikuar në Evropë dhe në Amerikën Latine me konkordatet e viteve tridhjetë të shekullit të kaluar. Sot, me tendencat ndaj regresionit të demokracisë, duket akoma një fenomen në ekspansion në shumë vende, sidomos në shtete të goditura nga i ashtuquajturi “mallkim i naftës”: pasi që qeveritë e tyre nuk i nxjerrin resurset e tyre financiare nga taksat, por nga të ardhurat e naftës, nuk duhet tu përgjigjen me politikat e tyre qytetarëve, kontribues. Legjitimiteti i tyre, i nevojshëm, nga momenti që çdo rend kërkon një shkallë të caktuar konsensusi, mbështetet, në forma të ndryshme, në një simbiozë midis pushtetit politik dhe fetar. Disa besime fetare, nga ortodoksia tek katolicizmi, tek islami, shprehin lidhje të forta solidariteti transkombëtar, duke u bërë kështu aktorë të drejtpërdrejtë të marrëdhënieve ndërkombëtare. 

Si shtete, ato ndjehen të kërcënuara nga globalizimi dhe nga kompleksiteti, paparashikueshmëria dhe shpejtësia e evolucionit të botës. Veç kësaj, Kisha Katolike e percepton si kërcënim Islamin në Lindje të Mesme dhe misionet ungjillore në Amerikën Latine. Nga ana e tij, islami ndjehet i kërcënuar nga avancimi i modernizmit dhe nga amerikanizimi i botës. Kisha ortodokse ruse është e obsesionuar nga “komploti katolik” dhe nga misionet apo OJQ-të ungjillore, në përhapje të fuqishme në federatën e pafundme. “Ligjet anti OJQ” të dëshiruara nga Putini nuk kanë ardhur vetë nga frika e “revolucioneve me ngjyra”, por edhe nga presionet mbi kremlinin të patriarkatës së Moskës, e cila vuan një kompleks rrethimi të sajin. Rekrutimi masiv i priftërinjve të ardhur nga rangjet e KGB-së dhe përdorimi instrumental i ortodoksisë i bërë nga Putin janë duke e forcuar prestigjin dhe influencën e patriarkatit në vend dhe midis diasporave të ndryshme ortodokse. Kjo premisë demonstron nevojën për ta konsideruar faktorin fetar në çdo analizë dhe parashikim gjeopolitik e strategjik. Për këtë qëllim, do të shqyrtohen tri tema: 

a) transformimet e verifikuara në raportet midis politikës dhe fesë; 

b) rëndësia e marrë nga fetë në sistemin aktual të marrëdhënieve ndërkombëtare; 

c) kushtëzimi i ushtruar nga fetë mbi konfliktualitetin, në termat e shkakut dhe të menaxhimit të luftërave. 

Analiza që pason do të na çojë shumë herë të reflektojmë mbi pozicionet krejtësisht të veçanta të Vatikanit dhe mbi raportet midis Shteteve të Bashkuara, fuqi misionare, revolucionare, hobsiane dhe me nivel religjioziteti të lartë, dhe Evropës, kantine, konservatore, skeptike, e dorëzuar ndaj rënies dhe në mënyrë egoiste e prirur që të transformohet në një “Zvicër të madhe”, e prirur për të izoluar nga pjesa tjetër e botës pasurinë dhe mirëqenien e saj fal mbrojtjes amerikane. 

Rënia e shekullarizimit 

Rrënja e termit “religjion” (fe) është latinishtja relegare, domethënë të mbash së bashku, me vlera dhe parime që gjejnë themelin e tyre, përveçse tek e shenjta, në një vizion të përbashkët të historisë dhe të njeriut. Ndarja e vlerave të tilla përbën identitetin, burim kryesor i legjitimimit të marrëdhënieve të pushtetit të brendshme për çdo shoqëri. Në të kaluarën, shkenca politike është interesuar pak për studimin e impakti të feve, duke i vendosur në një hapësirë të ndarë nga disiplinat që studiojnë dinamikat sociale, ekonomike e kulturore, të konsideruara motorët e politikës. 

Kjo është mbi të gjitha derivat i paragjykimit që feja prek vetëm sferën e privates, që identifikohet domethënë në besimin individual. Shekullarizimi, i filluar me Westfalia dhe i përshpejtuar nga Revolucioni Francez, i ka hequr fesë rolin e legjitimimit politik. Ky i fundit, për tu çliruar nga funksionet e tij, duhet domosdoshmërish të krijojë një sistem hierarkik (etimologjikisht nga ieròs, “e shenjtë”, dhe arché, “komandë, dominim, drejtim”). Edhe ideologjitë shekullare të shekullit të XX-të, që kanë tentuar ta eliminojnë fenë nga jeta politiko – shoqërore ose (nëpërmjet konkordatesh) ta degdisin në aspekte të mirëpërcaktuara dhe tu sigurojnë pak a shumë mbështetjen në mënyrë implicite, kanë përdorur simbole, mite dhe ritualë krejtësisht të ngjashme me ato fetare. Me rënien e ideologjive, deshenjtërimi është thelluar, sidomos në Evropë. Është krijuar kështu një boshllëk. Janë dobësuar kohezioni kombëtar dhe ai social; janë humbur identitete dhe vlera. Sot është kuptuar se ato mund të zëvendësohen nga ato të “Zotit – treg”, se politika nuk mund të reduktohet në ekonomi, ashtu si njeriu nuk mund të reduktohet vetëm në dimensionet e prodhuesit dhe të konsumatorit. 

Konsumimi dhe fundamentalizmi i tregut gërryejnë kohezion, identitet dhe vlera pa të cilat nuk ka alternativë ndaj “frikës” dhe ndaj rënies. Në shkatërrimet që kanë pasuar kolapsin e komunizmit, zhvillimit të papërmbajtshëm të ICT-ve dhe të globalizimit, shtetet kanë hyrë në krizë. Kanë humbur aftësinë për të mbrojtur qytetarët dhe sipërmarrjet nga veprimi i forcave globale. Kufijtë kanë rezultuar të brishtë dhe porozë. Polis-i është dobësuar, ama pa një kozmopolit që ti zërë vendin. Është krijuar kështu një boshllëk, të cilin fetë po e mbushin. Në forma dhe mënyra të ndryshme, ato kontestojnë zgjedhjet e shteteve ose tentojnë ti forcojnë, duke konsoliduar identitete kombëtare për ti vënë në kushtet që të përballojnë sfidat si të hiperkonkurrencës dhe të turbokapitalizmit, ashtu dhe të “lidhjeve” dhe kishave” të ndryshme lokaliste e sektare. Rikthimi ose më mirë rëndësia më e madhe e faktorit fetar shpesh marrin forma radikale, të ushqyera nga një përhapje kapilare në shoqëri, nga sharmi që buron edhe nga rreptësia morale e tyre, nga aftësia për të siguruar asistencë dhe shërbime sociale (gjë që ndodh si për OJQ-të katolike, ashtu dhe për bamirësitë islamike) dhe nga aftësia për të përmbushur kërkesa të thella të shoqërisë, të tilla si solidariteti i grupit dhe dëshira për prozelitizëm, për të “rikristianizuar” Evropën apo për të unifikuar Umma-në. 

Shpesh është e vështirë të dallohen rivendikimet plotësisht fetare nga ato politike. “Rikthimi” i feve verifikohet kudo dhe nuk është një fakt i ri në histori. E kemi njohur edhe në Itali: për shembull, në vitin 1943 ishte dukshëm e pashmangshme që Italia e pushtuar do ti nënshtrohej influencës amerikane “kalviniste”, moderniste dhe konsumiste. Drejtori i atëhershëm i “Civiltà Cattolica”, At Messineo, shkroi një vëllim mbi kombin dhe identitetin kombëtar italian në të cilin, me tone maciniane, i rivendikonte rrënjët katolike, që ftonte për të forcuar, për të kundërshtuar atë që e mendonte rrezik. Donte të forconte mbrojtjet e identitetit italian ndaj influencës anglosaksone. Dhe akoma, në pas-Luftën e Dytë, Vatikani luajti një rol përcaktues mbi politikën si të brendshme, ashtu dhe të jashtme italiane. Boll të mendohet për rëndësinë e Papës Piu i XII-të për hyrjen e Italisë në NATO, për veprimin e komiteteve civile në zgjedhjet e vitit 1948 ose për peshën politike, të drejtpërdrejtë dhe jo, pak rëndësi ka, që ka luajtur dhe luan Konferenca Episkopale Italiane. 

Edhe në shtetet ku është më e prerë ndarja midis politikës dhe fesë, thirrja e kësaj të fundit shpesh është vendimtar. Mjafton të mendosh për rëndësinë e Christian Right në Shtetet e Bashkuara. Në ish-Jugosllavi, megjithëse diferencat fetare nuk kanë qenë shkaku u luftërave shkëputëse, fetë ortodokse, katolike dhe myslimane kanë luajtur një rol vendimtar për mobilizimin e masave dhe për ti transformuar në “të shenjta” luftëra të motivuara nga pushteti dhe nga pasuria, me ndërthurje shumë të konsiderueshme midis nacionalizmave dhe krimit të organizuar. Fetë janë instrumentalizuar për të justifikuar dhuna dhe masakra. E kanë bërë më të përgjakshëm konfliktin në vend që tia pakësonin intensitetin. Së fundi duhet kujtuar roli i fesë në shtetin hebraik apo në islam: jo vetëm në atë shiit (pas revolucionit khomeinist) në profilin e legjitimimit të pushtetit të klerit, por edhe midis sunitëve, në terma të legjitimimit të klaneve dominues. Në 6 republikat islamike ish-sovjetike, islami luan një funksion përcaktues për identitetin kombëtar dhe për të kundërshtuar një rikthim nën dominimin e Moskës, pse jo dhe për të legjitimuar satrapit në pushtet në këto vende. Në Pakistan, islami përbën vetë themelin e identitetit dhe të unitetit të një shteti që nuk ka rrënjë historike, por rrjedh nga inkorporomi i rajoneve të ndryshme. Vetë emri i tij është një akronim i germave të para të tyre (Punxhab, Afgani, Kashmir, Indus, Sindh dhe tan i Beluçistanit). 

Pse fuqitë nuk mund të jenë vetëm civile 

Fetë janë aktorë të rëndësishëm edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Veprojnë mbi to në mënyrë si jo të drejtpërdrejtë, duke qenë se pesha ndërkombëtare e një vendi varet nga kohezioni i brendshëm i tij dhe se, midis religjiozitetit, identitetit dhe patriotizmit, ekziston një lidhje shumë e fortë, ashtu dhe të drejtpërdrejtë, sidomos kur fetë janë të institucionalizuara në kisha. Ndikimi i parë është i dukshëm në Shtetet e Bashkuara, por rezulton edhe në vendet katolike evropiane, ku kanë regjistruar ecuri thelbësisht paralele kërkesat për të hyrë në seminare dhe në akademitë ushtarake. Kur ekziston një patriotizëm i fortë, opinioni publik është më i mobilizueshëm, politika e jashtme mund të jetë më aktive, është më i madh konsensusi ndaj përdorimit të forcës dhe më e rrënjosur bindja se u duhet imponuar të tjerëve ideja jote e drejtësisë edhe nëpërmjet përdorimit të forcës. Përdorimi i saj për pasojë më shumë i legjitimuar. Diplomacia pa forcë është e pafuqishme, ndërsa forca pa politikë është e verbër. Nuk mund të ekzistojnë fuqi vetëm civile. Katastrofa evropiane në konfliktin boshnjak ka qenë një rizgjim i hidhur për Evropën, por që nuk është përkthyer në veprime konkrete. 

Asaj sigurisht që nuk i mungojnë mjetet (bilancet evropiane të mbledhura përbëjnë rreth një të tretën e atij botëror): në të vërtetë mungon një identitet evropian që ti legjitimojë përdorimin dhe për këtë qëllim faktori fetar është i domosdoshëm. Kultura strategjike e Evropës është çmilitarizuar pas dy luftërave botërore me iniciativë si të Shteteve të Bashkuara, ashtu dhe të Bashkimit Sovjetik, të cilët donin të shmangnin luftëra të tjera në kontinent. Vullneti për paqe është ngatërruar me pacifizmin. Procesi ka ecur me hap të njëjtë me shekullarizimin progresiv dhe me reduktimin e nivelit të religjiozitetit të popujve evropianë. Ndërsa në rajone të tjera të botës, nga Shtetet e Bashkuara tek vendet islamike, “Zoti ka qenë gjithmonë i pranishëm”, në Evropë vazhdon të qëndrojë i fshehur. Është një element dobësie, që paragjykon aftësinë e Evropës si për të integruar baticën e emigrantëve, të domosdoshëm në një ekonomi në krizë demografike, ashti dhe për të reaguar ndaj dhunës “parateologjike” e apokaliptike, derivuese nga përhapja e “terrorit të shenjtë” në periferitë e afërta të Evropës dhe nga infektimi pasues i vetë trojeve të saj. 

Pesha e Manifest Destiny 

Ngjitësi fetar është i pranishëm në vende në të ADN-në kombëtare të të cilave ekziston një manifest destiny: nga Shtetet e Bashkuara tek Rusia, nga Kina tek India (me gjithë pluralitetit etnik e fetar të saj). Islami është një rast më vete. Ashtu si kristianizmi është i ndarë midis katolikëve, protestantëve dhe ortodoksëve, islami shikon të kundërvënë sunitë e shiitë. Me qëllim apo rastësisht, Shtetet e Bashkuara kanë arritur të krijojnë tensione midis tyre. Receta e eksperimentuar divide et impera përbën një kartë të rëndësishme si për stabilizimin e Lindjes së Mesme të madhe, ashtu dhe për demokratizimin progresiv të saj ose të paktën për dobësimin e autoritarizmit dhe për një pajtueshmëri më të madhe të rajonit me modernizmin, globalizimin dhe Perëndimin. Imponimi i demokracisë islamit has vështirësi të shumta jo dhe aq dhe jo vetëm të natyrës fetare e kulturore, sesa të lidhura me strukturën shoqërore, e mbetur klanore dhe tribale, e karakterizuar nga mbizotërimi i të drejtave kolektive mbi ato individuale dhe nga rëndësia e paktë që i njihet lirisë respektivisht drejtësisë. 

Samuel Huntington ka demonstruar se tri “valët” e më pasme të demokratizimit janë shoqëruar gjithmonë me evolucione të verifikuara në brendësi të kristianizmit. Demokracia liberale, e lindur me protestantizmin anglosakson, është përhapur fillimisht me fitoren e saj në konfliktin e dytë botëror dhe më pas në Gadishullin Iberik, në Amerikën Latine dhe në vendet katolike të Lindjes evropiane, edhe për efekt të Koncilit Vatikani i II-të. Ndikimi i Kishës Katolike ndaj integrimit evropian, i konsideruar përcaktues nga Jacques Delors, ka kontribuar në realizimin e një prej revolucioneve gjeopolitike më të rëndësishëm të historisë. Penetrimi i katolicizmit në Kinë dhe në diasporat kineze të përhapura në të gjithë botën mund të prodhojë impakte të rëndësishme. Vatikani është fort i vetëdijshëm: e demonstron maturia e tij, e ngjashme me atë të administratës Bush në komentimin e represionit kinez të Tibetit. Autoritetet e Pekinit sigurisht që e kanë vlerësuar. 

Fetë dhe “pushtimi” 

Religjioziteti vepron në fushën ndërkombëtare në mënyra të ndryshme. Nganjëherë ndjek qëllime të tijat, sidomos në rastin e kristianizmit, si katolik, ashtu dhe të reformuar, dhe të islamit; në raste të tjera, vepron nëpërmjet identifikimit të objektivave të vetat me ato të shteteve, siç ndodhi në kolonizimin e shekullit të XIX-të dhe sot në sektorin humanitar dhe të ndihmave ndaj zhvillimit. Së fundi, nganjëherë luan rolin e instrumentit të thjeshtë të shteteve dhe të politikës së jashtme të tyre. Këto tri tipe raportesh janë pothuajse gjithmonë të mbivendosura dhe, për pasojë, janë vështirë të dallueshëm, edhe pse fetarja nuk vepron në boshllëk, por integrohet me aspektet e shumta dhe komplekse të veprimit të jashtëm të shteteve. Modeli i parë dominon në prozelitizmin fetar. 

I dyti në “dialogun ndërfetar”, i prirur që të stimulojë bashkëpunimin dhe paqen midis shteteve. Modeli i tretë njihet për shembull në përdorimin që i bën Kremlini Departamentit Ndërkombëtar të Patriarkales së Moskës, i finalizuar për të promovuar solidaritetin midis kishave të ndryshme ortodokse në Perëndim. Misionet dhe OJQ-të katolike, ungjillore dhe islamike, bëjnë që konflikte të tilla, të cilat në rast të kundërt do të injoroheshin, të bëhen çështje ndërkombëtare në kuptimin e vërtetë të fjalës, siç ka ndodhur për Timorin Lindor, Bosnjën dhe Kosovën. Në rastin e Bosnjës, është verifikuar deri një “mrekulli ornitologjike” e çuditshme: “pëllumbat”, Vatikan dhe OJQ, janë transformuar në “fajkoj”, të cilët kërkonin ndërhyrjen e NATO-s. “Fajkonjtë” me profesion ose të paguar apostafat, domethënë ushtarakët. Qenë shumë më ngurrues për të ndërhyrë, duke pasur frikën e ngecjes pashpresë në “moçalin ballkanik”. Në Kosovë, përdorimi mediatik i OJQ-ve fetare nga ana e NATO-s ka kontribuar në ruajtjen e kohezionit të Aleancës për 11 javë të mirë bombardime. Fetë – individualisht apo në forumet e tyre transkombëtare (Organizatë e Konferencës Islamike, Këshilli Ekumenik i Kishave, dialogë ndërfetarë etj.) ose akoma, duke përdorur OJQ-të e lidhura me to – luajnë një rol si pajtimi, ashtu dhe konkurrence dhe në limit ashpërsimi të tensioneve e të konflikteve. 

Në fakt janë bartës të vlerave që kushtëzojnë fuqimisht perceptimet e opinioneve publike dhe, ndërsa lidhur me interesat ka kompromise të mundshme, me parimet nuk mund të luhet. Njëherë të mobilizuara emocionet e popullsive, çdo transaksion bëhet i vështirë. Duke demokratizuar luftën, fetë ia bëjnë më të vështirë kufizimin. Fetë janë përdorur edhe për të stabilizuar pushtimet, siç ka ndodhur jo vetëm gjatë ekspansionit kolonial evropian, por edhe në formimin e të gjitha perandorive. Shtetet i kanë eksportuar gjithmonë si zotat, ashtu dhe ligjet e tyre. “Kristianizimi i indianëve”, “barra e njeriut të bardhë” dhe “demokratizimi i botës” nuk janë thelbësisht të ndryshëm. Ndryshojnë vetëm teknikat dhe taktikat e përdorura. Në ditët e sotme ICT-të i japin rëndësi më të madhe soft power, për pasojë edhe faktorit fetar, atij kulturor e social. Pesha e feve në marrëdhëniet ndërkombëtare është e destinuar të rritet akoma në shekullin e XXI-të, edhe pse forca ushtarake është gjithnjë e më e kushtueshme dhe siguron gjithnjë e më pak. Territoret kanë humbur pjesë të mëdha të vlerës së tyre ekonomike. Gjeopolitika e flukseve ka zëvendësuar atë të hapësirave. Mallrat, duke filluar nga nafta, blihen, nuk pushtojnë. Nuk mund të mbrohet shfrytëzimi kundër rebelimeve “asimetrike” lokale. 


Influenca ka zëvendësuar pushtimin material; përdorimi i forcës shpesh është kundërprodhues, siç ilustrohet nga Joseph Nye, pasi dobëson aftësinë e soft power. Faktorët jomaterialë dhe njerëzorë, si puna e feve, posedojnë sot një fuqi më të madhe se ato fizike. Identiteti fetar është më i fortë se ai etnik: një njeri, siç është e natyrshme, mund të jetë gjysmë italian dhe gjysmë arab, por kurrsesi gjysmë katolik e gjysmë mysliman. 

Një fenomen me rëndësi vendimtare, edhe pse vetëm pjesërisht i ri, është ndikimi prepotent i faktorit fetar ndaj luftës. “Luftës së shenjtë” islamike të nisur nga islami, dhe shpesh në mënyrë të pasaktë e besuar sinonim i xhihadit, i është kundërvënë, jo vetëm nga ana e kishave, por edhe e përgjegjësve politikë perëndimorë, koncepti i “luftës së drejtë”, që ka zëvendësuar termin “luftë legjitime”, karakteristik i jus publicum europeum. Një zëvendësim i tillë është një fakt i ri sidomos për Evropën. Nuk është në fakt për Shtetet e Bashkuara, që e kishin quajtur “kryqëzatë” ndërhyrjen e tyre në Evropë në konfliktin e dytë botëror. Kishat, si ato katolike, ashtu dhe ato të reformuarat, kanë marrë doktrinat tradicionale agostiniane, atomistike lidhur me “luftën e drejtë”, të përsosura nga teologët katolikë të shekullit të XVI-të dhe laicizuara më pas nga juristët internacionalistë të shekullit të XVII-të. Një konfirmim i mëtejshëm i rëndësisë së faktorit fetar në përdorimin e forcës dhe në konfliktualitetin e shekullit të XXI-të. Fetë në vetvete, edhe islami, të paktën në “mesazhin e Medinës”, të ilustruar pikërisht në faqet e revistës “Aspenia” nga Princi Hassan i Jordanisë, nuk e predikojnë luftën për luftën. Janë përgjithësisht paqësore dhe tolerante, megjithëse me intensitete dhe tone të ndryshme sipas rrethanave. 

Midis Ungjillit dhe Kuranit, Krishti ka vdekur në kryq, ndërsa Muhamedi ka qenë një luftëtar dhe një pushtues i madh. Idetë lidhur me luftën e feve të ndryshme ndryshojnë me kalimin e kohës. Në Izrael, Zoti zëvendësonte “Zotin e ushtrive” deri kur “populli i zgjedhur” ishte rrethuar nga tribu barinjsh dhe fshatarësh të varfër, të cilët plaçkiteshin dhe skllavëroheshin pa vështirësi. Por lufta u bë më pas “kamxhiku i Zotit” kur Izraelit ju desh që të përballojë perandori të fuqishme që e mundnin. Në dy shekujt e parë të tij, kristianizmi ishte minoritar dhe i persekutuar. Thënia se “kush me shpatë plagos, nga shpata vdes” përfaqësonte jo vetëm një dënim moral të dhunës, por edhe një akt ngushëllues të dobësisë së vet. Pas Ediktit të Konstantinit të vitit 313, gjërat ndryshuan rrënjësisht. Në Koncilin e Nikeas të viti 314 afirmohej detyrimi kristian i mbrojtjes së perandorisë dhe dekretohej se jo vetëm ishte e drejtë që një legjionar dezertor të ekzekutohej, por edhe se duhej të shkishërohej. “Rikthimi” i Zotit në politikë dhe, për pasojë, në luftë, duket evident në diferencat midis “Kushtetutave të Kishës” (enciklika Gaudium et Spes) e viti 1968 dhe “Katekizmi i Kishës katolike”, shkruar në vitet tetëdhjetë. Në këtë të fundit, “realizmi katolik” dominon mbi “shpirtin profetik” të Koncilit, duke riafirmuar vlefshmërinë e doktrinës tradicionale të “luftës së drejtë” (veç të tjerash, shumë e ngjashme me teorinë klauzeviciane të “luftës së kufizuar”). 

Solidariteti midis anëtarëve të të njëjtit besim fetar nuk është vetëm ideal; zgjerohet në fushën e politikës dhe të konflikteve. Ndërsa në Luftën Civile spanjolle brigadat ndërkombëtare luftonin nën flamujt e ideologjive, në konfliktin boshnjak vullnetarë si islamikë, ashtu dhe ortodoksë, kanë luftuar për solidaritet fetar. Vullnetarizmi ushtarak fetar është më pak i përhapur midis katolikëve e protestantëve respektivisht myslimanëve. Të parët ia atribuojnë prioritetin impenjimit humanitar apo formave jo të drejtpërdrejta të presionit, të kryera nga organizata të tilla si Freedom House apo National Endoëment for Democracy, protagoniste të “revolucioneve me ngjyra” në Serbi, Liban, Gjeorgji, Ukrainë dhe Kirigizistan. 

Vullnetarizmi i kompanive ushtarake private është një zgjedhje profesionale, jo fetare. Influencë të madhe, sidomos në Afrikë, luajnë sektet ungjillore, të cilat u sigurojnë këshilltarë autoritarë qeverive vendore dhe luajnë një rol të rëndësishëm në vendimet për të përdorur forcën. E njëjta gjë ndodh në islam. Mjafton të mendosh rolin e luajtur nga bamirësitë në mbështetjen financiare ndaj terrorizmit, në propagandën “parateologjike” të kryer nga Al Qaeda dhe nga sektet palafite e aftësitë e rrjeteve të qendrave islamike për të rekrutuar, edhe midis emigrantëve apo të konvertuarve në Evropë, vullnetarë për tu dërguar në frontet e ndryshme të luftës, për të luftuar “kryqtarë” hebrenj dhe “renegatë”. 

Zoti amerikan dhe Evropa pasheorike 

Për konfliktet e shekullit të XXI-të feja është bërë një faktor më i rëndësishëm nga sa qe në epokën e mëparshme të luftërave kombëtare dhe ideologjike. Rezultati është zvogëlimi i nacionalitetit në politikë e në strategji, me tendencën për një dhunë më të madhe të konflikteve respektivisht të kaluarës. Kur janë në lojë fe dhe identitet, “arsyeja” politike nuk arrin që ta mbajë më nën kontroll luftën dhe dhunën. Kjo është e vjetshme kudo: nga Ballkani në Çeçeni, në Lindje të Mesme. Sipas Martin van Creveld, në konfliktet aktuale nuk do të ishte më e vlefshme teoria klazueviciane e luftës. Nuk do të ishin më të praktikueshme vlerësimet e krahasueshme të beneficeve, kostove dhe rreziqeve, tipike të çdo llogarie strategjike. 

Nga mjet, dhuna do të bëhej qëllim në vetvete. Lufta civile midis popujve, të dominuar nga pasionet e tyre, dhe jo midis ushtrive, të kontrolluara dhe të kufizuara nga politika, e nënkuptuar si “inteligjencë e shtetit të personifikuar”. Konfliktet tentojnë të jenë absolutë dhe permanentë. Nuk mendoj se teza e Van Creveld gjejnë qasje në realitet. Fetarë ose jo, mekanizmat dhe logjika e konflikteve janë gjithmonë të njëjtat. Për sa objektivat e tyre, të paktën ato të deklaruara, si puna e rivendosjes së Kalifatit, mund të duken të çmendura dhe metodat e tyre të papranueshme, krerët e terrorizmit transkombëtar sillen siç kanë bërë gjithmonë politikanët. 

U përshtatin objektiva dhe taktika raporteve të forcës ekzistues, duke vlerësuar faktorët kulturorë e socialë, pasi suksesi i tyre dhe mundësitë e rekrutimit e të financimit varen nga shkalla e konsensusit që arrijnë të sigurojnë nga popullsia. Konfliktet aktuale nuk janë luftëra fetare: të kujtojnë shumë më tepër luftërat e kolonizimit dhe të dekolonizimit. “Perdja e hekurt” midis ideologjive nuk është zëvendësuar nga ajo “e kadifenjtë” midis qytetërimeve dhe feve, e sugjeruar nga Huntington. Përdoret forca për të futur në dorë pushtetin e pasurinë dhe përdoret feja për të siguruar konsensusin e nevojshëm për të përdorur forcën. Edhe “terrori i shenjtë” apo “parateologjik” i një Bin Ladeni, të paktën për drejtuesit e tij, edhe pse jo për “dorasit martirë” të tij, ka finaliteti politike, siç është vënë në dukje qysh nga viti 2002 në studimin e Aspen Institute lidhur me konfliktet e shekullit të XXI-të. Feja është vetëm një instrument. Rëndësia më e madhe e saj buron nga aftësia e penetrimit në masa e mundësuara nga ICT-të moderne. “E shenjta” përfaqëson një çimento lidhëse; të rekrutosh Zotin (apo drejtësinë) nën flamujt tuaj përbën një çelës të rëndësishëm suksesi. Vërehet në Shtetet e Bashkuara, ku feja vihet sistematikisht në shërbim të manifest destiny të kombit. Propagandë dhe public diplomacy shpesh përdorin terma të huazuara nga feja. Kjo nuk ndodh në një Evropë thelbësisht të çmilitarizuar dhe pjesërisht të çkristianizuar, të paktën në elitat e saj politike dhe kulturore. Zoti i amerikanëve është i ndryshëm nga ai i evropianëve, ashtu siç është e ndryshme aftësia për tu sakrifikuar. Evropa është në kulm të “erës pasheroike”. Integrimi i saj është imponuar për të shmangur që të shpërthenin luftëra të reja dhe të kombinoheshin bela të reja. Por Evropa nuk ka identitet dhe pa identitet nuk mund të ekzistojnë as një vizion i përbashkët i së ardhmes, as vlera të ndryshme nga ato të një humanitarizmi gjenerik dhe të ndrojtur. Kështu që, pavarësisht pasurisë dhe ambicieve të saj në këtë fushë, Evropa nuk mund të bëhet një aktor gjeopolitik global. Hendeku i nivelit të religjiozitetit kontribuon për ta çmilitarizuar kulturën dhe zgjatur varësinë evropiane nga Shtetet e Bashkuara. 

Përplasja midis arsyes dhe obskurantizmit 

Në kundërshtim nga sa konsideronte shkenca politike tradicionale, fetë nuk veprojnë vetëm në sferën private, por edhe në atë publike, si grupe presioni, ashtu dhe si aktorë politikë në kuptimin e vërtetë të fjalës. Kështu që janë përcaktues për studimin e modalitetit me të cilin pushteti operon në shoqëritë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Rëndësia e tyre, siç është parë sipër, është theksuar sa nga zhvillimi i ICT-ve, ashtu dhe nga formimi i një “boshllëku” të buruar nga globalizimi dhe nga rëndësia e tepruar e atribuar dimensioneve ekonomike dhe teknologjike respektivisht atyre kulturore, shpirtërore e sociale. Përplasja e vërtetë e shekullit të XXI-të nuk do të jetë midis feve, midis liberalizmit dhe konservatorizmit, midis globalizimit dhe identitetit, as edhe midis liberist/merkatistë dhe neokolbertistëve; përplasja e vërtetë do të jetë midis forcave të arsyes dhe atyre të obskurantizmit, të integralizmit dhe të fundamentalizmit. Ato ekzistojnë transversalisht në të gjitha fetë dhe mund të shprehen edhe në forma të dhunshme. Fitojnë sot rëndësi më të madhe sepse teknologjia moderne u mundëson grupeve të vogla apo individëve të veçantë të disponojnë një aftësi shkatërrimtare që dikur ishte e drejtë ekskluzive e shteteve dhe kjo pikërisht kur shoqëritë e përparuara, edhe psikologjikisht, janë më të cenueshëm dhe më pak të afta për reagim nga sa qenë ato bujqësore apo industriale të së kaluarës.

Carlo Jean është Docent i Studimeve Strategjike pranë LUISS Guido Carli dhe President i Qendrës të Studimeve të Gjeopolitikës Ekonomike. 

Posted via email from Shkupi Press extra