Nga Domenico Mustilli
Origjina ilire e popullit shqiptar, sot është e provuar, pavarësisht nga kontestimet e mjaft studiuesve serbë. Këta të fundit kanë ecur në vazhdën e akademicienëve serbë, të cilët i bren në vetëdijën e tyre të indoktrinuar fakti që shqiptarët janë autoktonë në vendet që u vunë në kushtet e një kolonie, ndërsa ata vetë kanë zbritur nga Karpatet dhe nga Uralet në këto toka, në shekujt VI-VII pas Krishtit. Ilirët ishin në këto troje në shekujt VIII dhe VII para Krishtit, domethënë pesëmbëdhjetë shekuj para sllavëve, në kohën e hekurit! Megjithatë ardhacakët arrijnë të mohojnë edhe autoktoninë shqiptare!
Nëse themi se studime të tilla kanë aktualitet të mprehtë sot, kur Serbisë i qan zemra për lirinë e ëndërruar prej kohësh të shqiptarëve të Kosovës, duhet të shprehemi hapur se na zgjon habi dukuria kur edhe ndonjë analist i yni shprehet me dyshime për tema të tilla dhe “me pjekuri” për opinione absurde si ai i Dik Martit për transplante organesh njerëzore ndaj ushtarakëve apo popullatave serbe të kohës së luftës së 1999-s, në shtëpi të molepsura me mikrobe, si e ashtuquajtura shtëpi e verdhë e Abdulla Katuçit, në një fshat rrugë e pa rrugë, në krahinën e Matit. Kur Karla Del Ponte, një dhjetëvjeçar më parë, e ngriti këtë budallallëk të transplanteve, për të fshehur, mbase, se si kryeprokurore e Hagës dështoi plotësisht ndaj vënieve përpara drejtësisë ndërkombëtare të kriminelëve të luftës që bënë holokaust njerëzor, shtypi përparimtar zviceran protestoi për emërimin e kësaj zonje si ambasadore në Argjentinë, jo vetëm për shkak të marrëzisë së tezës së saj, por sepse duhej të ishte e depolitizuar, në funksionin e ri të diplomates. Sa nuk u tha copë, se ajo bënte lojën e serbëve! Tani, pas kaq e aq vitesh, pasi kishin dështuar edhe kontrollet në shtëpinë e verdhë të tetëdhjetëvjeçarit Abdulla Katuci, na del e njëjta tezë nga zëdhënësit e interesave serbe. Qysh në atë kohë doktori i nderuar i shkencave mjekësore shqiptare, personi i nderuar e modest Nestor Tereska, u skandalizua kur mori vesh sesi mund të bëhej transplant organesh në një shtëpi që ishte negacioni i anestezisë së transplanteve, édhe sikur të mund të bëheshin operacione të tilla në vendin tonë. Doktori i shquar tha se iu duk sikur t’i kishin thënë se do të bëhej një stacionim përtej Hënës, në Mars, nga astronautët shqiptarë!
***
Ky shkrim, siç del nga leximi i këtij studimi, është i vitit 1940. Autori i tij, D. Mustilli, ka qenë drejtor i misionit arkeologjik italian në Shqipëri në ato vite. Studimet arkeologjike e kanë konfirmuar besimin e patundur të autorit në origjinën ilire të popullit shqiptar, - siç është titulli i këtij studimi. Studimet arkeologjike të mëvonshme të Dysëlié-it, me themel në tabanin arkeologjik, nuk zgjojnë, tashmë, asnjë dyshim, në këtë tezë se shqiptarët janë të prejardhur nga ilirët. Mund të ketë studiues shqiptarë, madje edhe analistë, që janë ende skeptikë. Urojmë të kthjellohen më vonë, pas disa dhjetëvjeçarësh, nëse do të jenë gjallë!
Përkthyesi Kostaq Xoxa
Kaloi thuajse gjysmë shekulli kur Hahni vërente se, duke përjashtuar pushtimin sllav, mungonte çdo lajm për ngjitje-zbritjet e Mesjetës që mund të kishin rregulluar ose, madje, edhe shndërruar, strukturën etnike të Shqipërisë. Edhe sot ky pohim e ruan vlerën e vet. Nga të gjitha 400 fjalët me trashëgimí të sigurt indoeuropiane, të zgjedhura nga Gustav Mejeri në fjalorin e tij etimologjik të gjuhës shqipe, studimet e mëvonshme lejuan që t’u shtoheshin këtyre një seri e re e bollshme, duke mos marrë parasysh, natyrisht ato të origjinës latine, neogreke apo sllave. Zbulimi i kësaj bërthame të ngjeshur fjalësh që u mbajtën në rajon kur në rrethanat e kohës u vërejtën shndërrime të mëdha gjuhësore, - ky zbulim, pra, - lejon të mendohet që ajo bërthamë gjendet në vendin e saj origjinal dhe se shqipja është vazhdimësia e drejtpërdrejtë e një dialekti të folur, që paraqet fazën moderne. Këto përfundime janë konfirmuar në një artikull themelor, të botuar në këtë revistë (I, 1940, f. 114 e në vijim) nga F. Ribezzo (Ribeco). Këtij botimi nuk mund t’i shtoj asgjë për trajtimin interesant dhe, në çdo pikëpamje, asgjë për kah argumentimi. Takimet dhe përkitjet gjuhësore ndërmjet shqipes dhe gjuhëve të tjera ballkanike, e gjejnë shpjegimin e tyre në formimin e një sipërfaqeje të veçantë gjuhësore ballkanike ose ballkano-dalmate, të ndërtuar në kohën perandorake - romane dhe, në vijim, të copëzuar për shkak të pushtimeve barbare. Përkitjet ndërmjet ilirishtes dhe shqipes nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, ndërmjet shqipes dhe gjuhës thrake ; të qenët e fiseve si Peonët që quhen herë ilire, herë trakase; toponimet dhe bashkësitë etnike të përbashkëta, - të bëjnë të mendosh që Thrakët dhe Ilirët paraqesin emra të një etnosi të vetëm, të ndara vetëm politikisht dhe gjeografikisht . Në këtë trajtesë nuk përjashtohet hipoteza, të cilën e kam trajtuar edhe në një vend tjetër, se ndërlidhjet (konkordancat) thrako-ilire-shqiptare dëshmojnë dy shtresëzime të njëpasnjëshme etnike, që ngjanë në një epokë antike mbi truallin shqiptar. Shtrirja e toponimeve thrake, më të shpeshta në pjesën jugore të Ilirisë së hershme , prania e Brygoi- ve ose e Bryges-ve në afërsitë e Durrësit apo të Apolonisë (STRAB., VII, 326; APP., b. c., II, 39), ishujt e Adriatikurt, që quheshin Brygeides nga Apolon Rodio (IV, 330), hamendësia e ekzistencës së një popullate thrake në Istria (APOLLOD., H. G. ed. JACOBI, fr. N. 321; PS. SCYMN., 391 dhe përmendja e Erodotit (VI, 45) për prejardhjen Thrake në Adriatikun e ulët, mund të jenë premisat për këtë hipotezë, që kanë, nga ana tjetër, nevojën për një shqyrtim të gjerë dhe të ndërlikuar me të dhëna arkeologjike. Veçse, duke lënë mënjanë vetëm problemin e fundit, shqyrtimi i të cilit do të na çonte në ndërtimin etnik të rajonit ballkanik në një kohë të mëparshme se ajo historike, duke ndenjur vetëm në pikëpamjen gjuhësore, provat për të pohuar prejardhjen ilire të shqiptarëve nuk mungojnë. Por edhe në qoftë se elementi gjuhësor nuk mund të quhet i mjaftueshëm për disa, për të provuar vazhdimësinë e racës, besoj se përputhja e tyre me të dhënat e traditës historike, të arkeologjisë, të antropologjisë, ndonëse gjer tani nuk janë të shtrira në mënyrë të njëjtë, përbëjnë – megjithatë - një bashkësi provash përballë të cilave dyshimi i paramenduar do të duhej, sigurisht, të dukej i pajustifikueshëm.
***
Tashmë është mjaft e njohur se Shqipëria përbëhet nga një pjesë e truallit, të cilin në lashtësi e kuptonin me emrin Illyris. Dhe, nëse me këtë emër Romanët përcaktonin truallin që zotërohej nga portorium Illyricum, domethënë që bënte pjesë në distriktin doganor ilirik (APP., Ill., 6; SCRIPT. HIST. CL:, 15; SUET., Tib. 16) të shtrirë që nga Adriatiku gjer në Detin e Zi, Appiani, në vendin që sapo treguam, na informon se grekët e përcaktonin emërtimin e vendit, të përfshirë ndërmjet Maqedonisë dhe Kaonisë (pjesa jugore e Shqipërisë së tanishme), Thesprotisë, dhe duke folur për veriun, vendi i emërtuar arrin gjer në lumin Danub. Duke saktësuar këtë emërtim, Plini (n. H. III,144) dhe Mela (II,3), plotësisht dakord me të, përmendin Illyri proprie dicti, në jug të lumit Narenta . Unë nuk besoj se dallimi i bërë këtu, i detyrohet faktit, siç kanë menduar disa, se Illyris , fillimisht të ngushtuar në rajonet jugore, u shtrinë pastaj në ato qendrore që përfshihen ndërmjet Narentës dhe truallit të fiseve ilirike të veriut, në krahina të cilat, sipas këtyre hipotezave, nuk njiheshin nga Grekët; siç kam pas rastin gjetiu të vërtetoj, nuk ka ndodhur kështu. Por në rajonet jugore ishin përqendruar mbretëritë ilire të Enkeleive, Taulantët, Ardie-it, domethënë mbretëria e Gencit, që u quajt rex Illyriorum nga Livi (XL,42,I): Nga përkitja ose jo në këto mbretëri të këtyre fiseve, ka lindur dallimi plinian në të cilat fiset ilire të veriut, ato të Japidëve, të Liburnëve të Adriatikut të mesëm, por edhe të Dalmatëve - për të kujtuar vetëm më të mëdhatë, - nuk hynë kurrë e nuk qenë në mënyrë të qëndrueshme në këto njësi politike. Sidoqoftë për problemin tonë është e përshtatshme të shënohet se pjesa jugore e territorit, që quhej ilire nga Grekët dhe nga Romanët, e kishte më me saktësi emrin Illyris. Mund të vihet re se zona në jug të Drinit, Driloni i lashtë, në kohën romane bënte pjesë në Maqedoni, domethënë në një tokë që në atë kohë ishte plotësisht e helenizuar dhe se Kaonia duket se ishte e përjashtuar nga fjalët e Appianit për Ilirinë. Kufiri jugor i Ilirisë, sipas pseudoSkilacit (c. 27) ishte në lartësinë e Korfuzit, ku para sh. VIII ishin vendosur elementë ilirikë (STRAB. VI, 269): pak a shumë këtë e pranon edhe pseudo Skimni (v. 451), për të cilin Iliria përfundonte në lartësinë e vendit të Brygëve, të lokalizuar ndërmjet maleve Akroceraunii. Kaonët duken fillimisht si ilirë dhe, mandej, si të helenizuar, siç del edhe nga forma Chônes, që iu është dhënë atyre si edhe disa njerëzve italikë, që i përkisnin bregut të kundërt. Por deje ilire, dhe jo të mënjanuar ose të pakët, gjenden edhe në rajonet epirote, veçanërisht në pjesën veriore. Dhe këtë e pohon onomastika, emrat e fiseve dhe shumë toponime . Së fundi Epiri, edhe kur duket thuajse plotësisht i helenizuar, mbetet jashtë komunitetit helenik, siç e provon fakti se në konferencën panhelenike të thirrur nga Perikliu (PLUT, Per. 17), nuk mori pjesë asnjë qytet epirot, me përjashtim të Ambracisë. Dhe ky përjashtim shpjegohet lehtësisht. Gjendja nuk ndryshoi as në një kohë të mëvonshme: në sh. IV, për Eforin e Kumës, Greqia e ka fillesën nga Akarnania (pud STRAB., VIII, 333; H.G.., ed. JACOBY, n. 143) dhe Epiri nuk bën pjesë në ligën e Korintit . Në sh. II, në përçapjet për paqen para Cinosqefalit, Filipi e përjashtonte kombësinë greke jo vetëm të disa fiseve epirote, por edhe të popujve aty pranë. (POLYB., XVIII,5,8; LIV., XXXII, 34). Vetëm në përshkrimet e botës nga ana e Dionisit, shkrimtari i kohës adriane, Epiri (v. 399) cilësohet si arheja helene “Elladhos arhí” – me shkronja greke). Në qoftë se kjo vlen edhe për etnosin e popullsisë së Shqipërisë jugore, nuk mund të paraqesim një konsideratë tjetër për tokat në lindje të cilat, ndonëse kanë qenë gjer në mbarim të këtyre viteve të fundit të përjashtuara nga kufijtë politikë të Shqipërisë, janë banuar nga njërëz të racës dhe të gjuhës shqiptare dhe kështu kanë mbetur, me gjithë orvatjet, më shumë ose më pak shkombëtarizuese. Në të vërtetë këtu banonin Dardanët dhe Peonët. Të parët përgjithësisht quheshin Ilirë nga shkrimtarët e antikitetit (STRAB., VIII, 315; APP., Ill., 2, 5; b. c., V, 75) dhe emri i tyre dukej se ishte ilirik . Infiltrimet e shumta thrake shpjegohen me përzierjen natyrore të popullatave në një sipërfaqeje periferike të rajonit ilir. Për sa u takon Peonëve, prirja për t’i paraqitur ata si me origjinë greke, nuk ka pasur ndjekës , meqë onomastika e rajonit është ilirike mbizotëruese dhe mbase edhe emri i Peonëve na çon në të njëjtën origjinë.
Nga pikëpamja etnike tradita e lashtë nuk lë dyshime; më i vështirë është caktimi i kufijve tokësorë të mbretërive Enkeleje, të Taulantëve dhe të Ardieive dhe, sidomos, për çka na intereson tani, kufiri i tyre jugor. Të parët që u shtrinë gjer tek Ohri (POLYB,. V, 108,8), duket se e zotëruan Ilirinë n
ën udhëheqjen e Kadmit, varri i të cilit gjendej ndërmjet Drilonit dhe Aoosit, Vjosës së sotme (STEPH. BYZ., s.v. - -(1)- f.34) dhe toka e tyre arrinte gjer në Apoloni dhe në Orikum (PS:SCYMN., 439 ss. ) ku ishin brenda kufijve Dexaroi-t, banues ( – 2-) me një siguri të madhe të Tomorit. Një pjesë e tokës së tyre u pushtua nga Taulantët të cilët, në sh. V, i shohim pranë Epidamnosit (THUC., I, 24; PS., SKYL., c. 26). Këto njësi politike të kohëve shumë të lashta, i shohim nga sh. VII para K, në luftë me Maqedoninë , duke mëtuar nga Epirotët truallin në jug të zinxhirit të Akroceraunëve. Iliri Bardhyl e pushtoi (FRONT, strat., II, 5, 19) por duket se Epirotët e vunë përsëri në dorë tokën e humbur. Pirro mundi që ta shtyjë, mbase, kufirin e mbretërisë së tij gjer në Apoloni nëse, siç na tregon Plini ( n.h., III, 101), kishte projektuar ndërtimin e një ure ndërmjet Apolonisë dhe Italisë; por pushtimi nuk qé i qëndrueshëm. Në periudhën e turbullt helenistike, me pushtimin e këtyre tokave, maqedonasit u orvatën shumë herë që të dilnin në Adriatik; veçse, kur andej nga gjysma e dytë e sh. III, mbretëria e fundit ilire, ajo e Ardieive, mbase fis i agregatit liburnik filloi të forcohej, programi i zgjerimit drejt jugut filloi prapë të vihej në zbatim nga Agroni dhe më tej akoma, nën mbretërinë e tij, këtë punë e vazhdoi Teuta: Atëherë Epiri u gjend në kushtet thuajse të një protektorati ilir. Që nga koha që kemi lajmet për ndërtimet e para të mbretërive ilire, nuk kujtohet asnjë pushtim që të ketë mundur të ndryshojë thelbësisht etnosin (kurs. i autorit) e popullsisë, që banonte në Shqipëri. Pushtimi i Keltëve që kaloi nga Maqedonia në Greqi, domethënë në pjesën jugore të Ilirisë në fillim të sh. III, u ndalua këtu dhe u shpërbë (DIOD., XXII, 9,3; POLYB., IV, 45; sur. Edhe PAUS., X, 19, 6). Që në pjesën jugore të Shqipërisë së sotme kishte pasur vend një depërtim i fortë helenik, prej kolonive greke të brigjeve. Dhe këto ngjarje politike që janë vënë në dukje janë të padyshimta; por është po ashtu e padyshimtë se elementi origjinal ilir nuk u nënshtrua kurrë plotësisht, siç provohet, për shembull, nga onomastika që kishte pasur një zhvillim të madh në botimet e mbishkrimeve ende të panjohura në Butrint. Straboni (VII, 326) në kohët e para të perandorisë romane vërente se trualli i shtrirë nga Joni në Maqedoni përbëhej nga një komunitet i vetëm kulturor; por në këtë bashkësi ai nuk mungonte së kujtuari se mjaft banorë ishin njohës të dy gjuhëve. Ndryshimi i gjuhëve nuk ishte për maqedonishten dhe për greqishten, pasi gjuha e parë ishte zhdukur që në kohën e pushtimeve romane, siç e provojnë veçanërisht mbishkrimet; por ishte për greqishten dhe një gjuhë tjetër që, në këtë rast, duhet të ishte ilirishtja.
Pra, kemi parasysh afritë gjuhësore ndërmjet shqipes dhe ilirishtes, si edhe dimë që në trojet që sot përbëjnë Shqipërinë e tanishme, u formuan që në sh. VII para K., entitete politike ilire, u flashkën vetëm nga pushtimet romane. Duhen nxjerrë përfundimet, pra, që paraardhësit e shqiptarëve kishin zënë në kohë shumë të lashta vendet që i banojnë sot, gjithmonë duke njohur forcën e depërtimeve greke në pjesën jugore të rajonit.
Në një artikullin tim të mëparshëm në këtë revistë ( I, 1940, p. 279 ss.), shqyrtova materialin prehistorik dhe protohistorik të Shqipërisë: ky artikull përmban disa hollësi që nuk janë riprodhuar këtu. Gjurmëve të pakta të periudhave më të lashta, mund t’u kundërvëmë të dhënat eneolitike të Velçës, që mund të arrijnë gjer në mijëvjeçarin e tretë. Disa fragmente të qeramikës së pikturuar, paraqesin analogji me tipat e të dy periudhave tesaliote, që janë gjetur në Etoli dhe në Leukadë; të tjera, jo të pikturuara, kanë afinitete me qeramikën e Afionës në Korfuz, si edhe të H. Sotirisit në Leukadë. Këto afinitete tregojnë se në Velçë duhen njohur takimet e dy horizonteve kulturore. Hë për hë nuk është e mundur të pohohet nëse janë të njëkohshme ose jo. Dhe, për këto arsye, nuk po japim hipoteza për lëvizjet e popujve. Sipas disa studiuesve, në të vërtetë qeramika e pikturuar na jep mundësinë të pohojmë ardhjen e një populli drejt Ballkanit, që mbërriti në Itali dhe në Sicili nga perëndimi, si edhe në Cikladet dhe në Kretë, nga jugu ; ndërsa ajo e papikturuara tregon, sipas disa të tjerëve , për një popullatë të re e cila, duke zbritur nga Serbia në Maqedoni, u nda në dy grupe në sipërfaqen që u vendos këtu, popullsi që kishte arritur një fazë kulturore neolitike krejtësisht të zhvilluar. Par shkak të vështirësisë së problemit, nuk po përçapemi as të shqyrtojmë nëse vendi i Velçës mund të vihet në relacion me atë ardhje migruese të popullatës, e quajtur nga Krahe si protoindogjermane, që ishte paraardhëse e ilirëve mbi atë vend të cilin e zunë pastaj. Pa u ndaluar mbi reliket e pakta të kohës së bronxit, kujtojmë se koha e hekurit në Shqipëri, gjer në periudhën e së njëjtës kohë ( pa dyshim disa objekte të përpunuara arrijnë gjer në sh. IV dhe më parë), për formimin e atyre agregateve politike ilire, për të cilat kemi folur, tani dëshmohet nga varre në tumë (varre kodrash) dhe në varre në kasa. Në njërën nga këto varre u gjet një shpatë bronci që i takon periudhës së fundit të mikenës së vonë ; në një tjetër është gjetur një shtizë e një tipi të përhapur shumë në Bosnje, që mund të mendohet si e shekullit VI. Në varreza të tjera dherash janë gjetur objekte të kohës romane. Kështu në një varr në Laç u gjet një monedhë e Dioklecianit dhe ky rast nuk është i vetëm . Pra, ky lloj varrimi është dëshmuar për një kohë mjaft të gjatë. Material më të pasur japin varret në kasa: nga ato të Malaci-ve të sh. VI, u gjetën vazo dhe bronce, mjaft të ngjashme me objektet e varreve boshnjake të asaj kohe. Pajisja e këtyre varreve boshnjake të kujton elementet e varreve të Trebenishtit, që u përkasin sh. VI dhe që u gjetën në varre krejtësisht ilire . Në disa nga këto, fytyra e të ndjerit ishte e mbuluar me një mbulesë të praruar, si ata në varret e “agorasë” së Mikenës: përdorimi i këtyre maskave në kohën pasmikenase është i njohur në rajonin verior të Ilirisë, si për shembull në Stirinë e ulët, në Leibnizt, ku u gjetën të varrosur me fytyrën të mbuluar me një maskë bronci . Në periudhën, pra, në të cilën përvijohet historia e parë e mbretërive ilire dhe gjer në vitin 168 para K., kur mbreti i fundit i Ilirëve iu dorëzua Romës, takimet me veriun dhe me truallin që zakonisht mbahej si ilir, dukeshin të shpeshta, edhe në boshllëkun e materialeve, që kanë ardhur gjer te ne. Sigurisht ende jo i qartë na paraqitet problemi i popullit ilir dhe lidhjet e tij me civilizimin e Lausitz-it nga i cili pjesa më e madhe e studiuesve i nxjerr ilirët si të prejardhur: por bashkësia që civilizimi i hekurit shqiptar paraqet me atë të rajoneve ilire rrethuese tregon se përjashtohen ndryshesat ndërmjet etnos-ve. (Kurs. nga aut.). Nëse burimet historike heshtin për pushtimet që ndodhën gjatë periudhës në të cilën mbretëritë ilirike e ruajtën pavarësinë e tyre, po aq e heshtur është tradita e periudhës në të cilën Shqipëria hyri për të bërë pjesë në komunitetin perandorak roman, gjurma e së cilës qé, mbase, më e gjerë nga sa besohet zakonisht. Nuk mbetet, për të mbështetur ndryshimin etnografik ndërmjet popullit që banohej një kohë në Shqipëri dhe që banohet edhe sot, veçse t’i drejtohemi hipotezës së një pushtimi që ngjau në periudhën e turbullt, pas rënies së Perandorisë romane. Por për civilizimin e kësaj kohe mund të na kthjellojë nekropoli i Komanit. Par fat të keq mungon ende një studim organik për nekropolin mjaft të gjerë që shtrihet në luginën që laget nga Drini, si edhe për civilizimin në atë vend, që i përket jo vetëm Shqipërisë por, në mënyrë sporadike, edhe Greqisë dhe – më gjerësisht –Korfuzit . Shqyrtimet e kujdesshme të varreve të Afionës në Korfuz i kanë dhënë dorë Bulle-s që të pohojë, me argumente bindëse, se ato na çojnë në sh. VII pas K., por disa elemente na çojnë në një kohë edhe më të lashtë; për shembull, një kapitel i gjetur në truallin përreth nekropolit, nuk është më i vonët se i fundit të sh. V apo i fillimit të sh. VI; një kanë uji është mjaft e ngjashme për kah trajta me vazot e sh. IV, që u gjetën në rrethinat e Tebes, në Greqi, si edhe në qeramikat e Samos-it, që i përkasin shekujve IV – VI . Sipas Bulle-s nekropoli i Afionës paraqet një stadium më të hershëm se ai i Komanit që do t’i përkiste shekullit VIII. Mund ta pranojmë këtë nekrologji për një bërthamë më të shumtë varresh; por disa objekte të Komanit, për shembull varëset prej bronci (UGOLINI,1.c., p. 36) na çojnë në një kohë më të hershme dhe tregojnë vazhdimësinë e një tradite hallstatiane, civilizimi i së cilës ishte shtrirë së tepërmi në truallin ilir gjer në kohën e hekurit, të cilën disa studiues e quajnë si përfaqësuesen më të pastër të Ilirëve. Tipi i sëpatës së hekurt të gjetur në varret e Komanit ( Ë.M.B.H., XII, 1912, p. 198, f. 81), paraqet zhvillimin e një forme të njohur gjer në kohën e broncit në Shqipëri. Pra, çohemi të vërejmë, kështu, në civilizimin që paraqet ky nekropol, mbijetesën e një popullate të vendosur në rajon në një kohë shumë të hershme, që u mbajt e paprekur, në thelb, në kohën romane. Kjo provon shqyrtimet e shtizave: Nopçës ( l. c., p. 190) nuk i shpëton ngjashmëria e tyre me atë të Debele brdo-së. Ndonëse dallimi i shtresave të ndryshme të nekropolit të Debele brdo-së na çon në kohë mjaft të kaluara gjer në ato bizantine , paraqitet i vështirë , nuk ka dyshim se tipi i shtizës së Debeles është më i hershëm se ai i Komanit dhe i përket kohës së civilizimit roman. Por ky tip më i largët është i njohur edhe në Shqipëri në shtresa të cilat, sipas dëshmisë së Ugolinit, u përkasin kohëve edhe më të mëparshme se ato romane. Nga këto shqyrtime del se me shumë gjasa Nekropoli i Komanit i përket një hapësire kohore mjaft të gjerë dhe nuk është aspak për t’u përjashtuar se varret më të lashta, siç i duket Nopçës, i përkasin kohës romane: në të vërtetë Ugolini (o.c., p. 64) pohon se në disa varre janë gjetur monedha romane, ndonëse për ato nuk ka të dhëna shumë të sigurta e të qarta, siç do të dëshirohej. Megjithatë nekropoli provon zhvillimin e civilizimit romano-ilir krahinor dhe vazhdimësinë e elementit etnik; në këto përfundime kanë ardhur edhe shumë studiues, përveç Nopçës, edhe Träger dhe tanimë edhe Zeiss (Apud. BULLE). Përkitja e varreve të Komanit, -siç mëton Reinch-u (c.c., p. 667),- i popullatave sveve të sh. V, - është hedhur poshtë në mënyrë të argumentuar; megjithatë nuk mungon ndonjë element me prejardhje gjermane dhe, në përgjithësi, përjashtohet rasti që mund të bëhet fjalë për një popullsi gjermane. Bulle ngulmon, nga ana tjetër, se është fjala për një popullsi avare. Me siguri Avarët, në ushtrinë e të cilëve gjendeshin shumë sllavë, në sh. VI kishin pushtuar gadishullin ballkanik dhe në fillim të shekullit pasardhës e më pas, u dyndën pastaj sllavët duke lënë të paprekura vetëm qytetet dalmate, por jo Salonën e cila pjesërisht u shkatërrua; apo bregdetin e Egjeut, si edhe zonën e Konstantinopojës. Por, në qoftë se në zonën qendrore dhe pjesërisht në atë lindore u vendosën disa popullata sllave, ndërsa Avarët u kthyen në tokat e tyre, kjo vetëm pjesërisht u vu ré në zonat jugperëndimore. Gjuha shqipe doemos që mori elemente sllave si trashëgimí e kësaj gjendjeje; por këto elemente nuk provojnë aspak se shqipja rrjedh gjenealogjikisht nga një gjuhë sllave. Pikërisht në Bosnjen e afërt, në të cilën elementi sllav u fut më tepër, gjejmë objekte që shihen si prototipa të atyre të Komanit dhe këto objekte janë më të lashta se pushtimi sllav. Pra, qytetërimi i Komanit mund të quhet si një fazë kronologjikisht e mëpastajme se ajo që u vu ré në Bosnje në kohën romane. Edhe duke lënë pas dore, për mungesë të dhënash të sigurta, faktin se - siç e kemi vënë në dukje, - disa varre të Komanit mund të ishin gjer në kohën romane, nga kjo do të dilte nga sa kemi thënë më sipër që është për t’u përjashtuar mundësia që të ketë në varret e Komanit përfaqësues të një populli të ardhur nga shekujt VI dhe VII pas K. në Shqipëri. Logjika të çon,
si pasojë, se ata janë vazhduesit e një etnosi i cili në kohën romane banonte në atë rajon, ku kishin ardhur në fillimet e erës së hekurit, praninë e të cilëve e dëshmojnë të dhënat arkeologjike. Duke iu kthyer hipotezës së Bulle-s, vëmë ré se disa elemente, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, mund të kenë ngjashmëri me varret ávare, por kjo nuk mjafton për të provuar identitetin e civilizimit ndërmjet rajonit shqiptar dhe atij të pushtuar nga Avarët, ku nuk mungojnë elemente të ardhura nga jugu; për shembull kjo prejardhje mund të na detyrojë të pranojmë nga unazat që kanë monograme me shkronja greke, si ato që janë gjetur në Shqipëri, ndonëse nuk janë krejtësisht të njëjta . Mbetet vetëm që të shpjegojmë praninë në pjesën veriperëndimore të Korfuzit të një banese nga e cila nxjerrim një civilizim të njëjtë me atë të Komanit. Është e mundshme, nga ana tjetër, që një bërthamë e vogël popullate ( varret në Korfuz janë 18 dhe pjesa e banuar nuk është mjaft e shtrirë) në një pjesë të pakët, pra, të jetë larguar nga toka e plotë për në ishullin e afërt, për ndonjë arsye të panjohur nga ne.
Le të shqyrtojmë, së fundi, për problemin tonë, të dhënat antropologjike. Siç dihet, kërkimet antropologjike në Shqipëri janë ende në një nivel embrional; e njëjta e dhënë për kohën antike është ajo e dolikoqefalisë e një kafke të nekropolit të Komanit (Ugolini, o.c., p. 177). Duket si e provuar se ndër Shqiptarët e sotëm, zotërojnë njerëzit brakiqefalë të racës dinarike; por hetimet kraniometrike kanë nxjerrë që në të gjithë pellgun lindor të Adriatikut është vënë ré, që në kohët e lashta, përzierja e dy racave . Të hamendësuarit si paraardhës të ilirëve, para marshimit të tyre për në jug, sipas
studimeve të tanishme, paraqisnin përzierjen e të dy tipave racore ; për Ilirët, të dhënat e nekropolit të Glasinakut, të vetmet që janë të njohura prej nesh, kishin praninë e 29 % të dolikoqefalëve, 37 % të mesoqefalëve dhe 36 % të brakiqefalëve. Pra, duhet përjashtuar rasti që të dhënat e mbledhura gjer tani nga antropologjia mund të nxjerrin ndryshimin e racës ilire nga ajo shqiptare.
Duke përfunduar: studimet gjuhësore, të dhënat e traditës, të arkeologjisë dhe të antropologjisë, ofrojnë premisa më shumë ose më pak të largëta, për të zgjidhur në kahen pohuese prejardhjen e Shqiptarëve nga Ilirët antikë, të cilët duket se kishin mbërritur në tokat e Shqipërisë në kohën e hekurit, para shekujve VIII dhe VII para K. Është e padyshimtë se jo të gjitha unazat e zinxhirit historik paraqiten me të njëjtën qëndrueshmëri dhe në një mënyrë të njëllojtë qartësie. Por është po aq e padyshimtë që asnjëra (kors. i aut.) nga të dhënat e grumbulluara gjer tani nuk mund të jetë e aftë për një pohim të saktë të tezës së kundërt. Për zgjidhjen përfundimtare duhet shpresuar se Shqipëria, meqë sot ka marrë një hov të ri të ritmeve të jetës, mundet që së shpejti t’i hapë udhën një zgjerimi dhe thellimi të punimeve në fushën e gërmimeve arkeologjike, punime me anë të të cilave, në periudhën që drejtoja Misionin Arkeologjik Italian, u orvata të vendosja bazat e domosdoshme, sipas mendimit tim, që kërkimet në terren të ishin të frytshme. Sot vazhdimësia e hetimeve është në duar mjaft të mira dhe do të japë, pa asnjë dyshim, frutat e veta.