TEODOR LAÇO
Duke e çmuar këtë thënie si një nga urtësitë më të vyera të shoqërisë njerëzore, në këto ditë kur pas një deklarate arrogante të konsullit grek në Korçë, ka një sensibilizim të mirëpritur të opinionit intelektual kundër fosileve të një mendësie që fle dhe zgjohet të Korçës “greke”, mendova disa nga rastet e ndeshjes sime me këto mendësi. 1. Si t’ia bëjmë që ëndrrat të mos i shohim shqip? Fshati im, Dardha e Korçës, ndodhet jo më larg se 5-6 kilometra nga kufiri grek. Ka qenë një fshat historikisht ortodoks, madje sipas gojëdhënave, është themeluar rreth fundit të shekullit të XVII nga ata që kundërshtonin ndryshimin e fesë. Sipas Enciklopedisë greke Pirsos, vëllimi 10, ai përcaktohet si “fshat shqiptar në veri të Kosturit. Shkolla greqisht është hapur në vitin 1773”. Shkolla të tilla janë hapur më vonë edhe në pak fshatra të tjera të zonës së Devollit. Deri në vitin 1917, kur u hap shkolla shqipe, në periudhën e shkurtër të Republikës Autonome të Korçës që shpalli Themistokli Gërmenji. Për rreth 150 vjet, dardharët mësonin greqisht por… vazhdonin me kokëfortësi që fëmijëve që në djep dhe vetë deri në frymën e fundit, të flisnin shqip. Greqishtja iu duhej pak a shumë siç iu lypset shkollarëve të sotëm anglishtja. Sepse shqipja ende nuk shkruhej dhe dardharët e mi, përveç që iu duhej ajo gjuhë sepse si druvarë me nam (jo qymyrxhinj), ata kishin “pushtuar” me sharrat e tyre me ujë, më të mirat për kohën, gjithë pyjet e Greqisë Veriore ku përgatisnin qereste për kantieret e anijeve dhe deri tek drutë e zjarrit. Nuk mund të quheshin mërgimtarë sepse gjatë dimrit ktheheshin pranë grave e fëmijëve të tyre. Ishin fise zanatçinjsh sezonalë. Gjyshi im, që quhej Todo si unë, e kishte sharrën në Karafer, siç quhej në kohën e Perandorisë Osmane Veria e sotme. Pasi punëtorët mëditës maqedonas ia rrëmbyen të dy djemtë, në pyllin ku i mbanin lidhur, im atë që ishte vetëm 16 vjeç, arriti t’iu ikë gjatë natës, kurse vëllai la sharrën dhe u kthye. Ndërkohë, koha e sharrave dardhare në Grepi po perëndonte. “Sëpata” proverbiale e dardharit s’ishe më punë. Ishte hapur kurbeti i Amerikës, që brenda 30 vjetësh, nga një fshat me rreth 1500 frymë, e rrudhi atë në 500 frymë. Por është pak të thuhet se dardharëve dhe fqinjëve të tyre në Sinicë e Qytezë, greqishtja iu duhej vetëm si gjuhë për profesionet e tyre. Ishte shumë më tepër se kaq. Shkollën ata e donin, greqishtja ishte gjuhë e kulturës, kurse mësuesit e saj, midis të cilëve ka bërë emër Isidor Glozheni (paraardhës i familjes së mirënjohur për tre breza të mjekëve me këtë mbiemër), ishin po nga Dardha, të mësuar në Zosimea apo gjetiu. Megjithëse në shkollë u mësonin fëmijëve “allfavita”, në shtëpi, në kishë, në kafene vazhdonin ta mbanin të pastër shqipen e tyre me ato trajtat kl dhe gl (klishë, gluhë, etj.} të ngjashme me dialektin që flitej në Kaoni apo Çamërinë e sotme. Prej Sulit të saj e kishin prejardhjen disa fise të fshatit. Gojë më gojë tregojnë se njeriu më i zemëruar nga kjo “kokëfortësi” gjuhësore ishte dhespoti i Kosturit, apo i Kastorias, siç e quajnë ata qytetin e famshëm për prodhimin e peliçeve, dioqezë prej së cilës varej kisha e Dardhës. Të mos harrojmë se kjo ndodhte në kohën kur Greqia e Veriut si dhe Shqipëria ishin nën Perandorinë Osmane. Përvit, më 15 gusht, për festën e Shën Mërisë dhespoti vinte e meshonte në kishën e Shën Gjergjit dhe përvit iu thoshte burrave të fshatit të njëjtat fjalë: “Sa herë iu kam porositur të hiqni dorë nga kjo gjuhë e mallkuar dhe të flisni në gjuhën e Perëndisë, në greqisht”? Atëherë plaku Makri Vishnja, një burrë vigan që qe kryeplak sa ish i gjallë, i pati thënë: “Mirë e ke Hirësi, po s’i t’ia bëjmë që ëndrrat i shohim shqip? E bën dot që edhe ato t’i shohim greqisht?” Kjo përgjigje e thekur me një ironi të hidhur, i pat djegur keq dhespotit dhe ai i pati nëmur: “Plaçi në vend kur s’doni të bëheni njerëz!”
2.”Ushtria greke
çliroi qytetin e saj…”
Ishte një synim i shprehur qartë. “Sot më datën 22 nëntor 1940, ushtria greke çliroi qytetin e saj të Korçës”. Kështu fillonte komunikata që komandanti i garnizonit që mbeti në qytet, iu kërkoi ta firmosnin këshilltarëve të Bashkisë, të zgjedhur në vitin 1938. Kishte ndodhur kështu: Pas rreth tri javë nga sulmi italian kundër Greqisë, sulm që nga trupat tokësore u bë nga territori ynë, grekët arritën ta stabilizojnë frontin e jugut në brigjet e lumit Kalamas dhe u hodhën në mësymje në zonën verilindore, në Korçë e Kolonjë, ku terreni malor ishte në favor të tyre. Brenda një jave, fronti italian u thye dhe grekët u gjendën në portat e Korçës. Italianët u tërhoqën drejt zonës malore të Pogradecit dhe në lartësitë e Ostrovicës. Grekët hynë në qytet dy ditë pas tërheqjes së italianëve, çka duket se e la të pakënaqur komandën e tyre, meqë s’pati ndonjë informator që t’i njoftonte se në qytet nuk kishte trupa. Në dy ditët e mbetura pa pushtet, këshilltarët e Bashkisë morën në dorë mbajtjen e rregullit në qytet. Sapo u vendos komanda e garnizonit, komandanti i saj, nënkoloneli Theodhoraqis, i mblodhi këshilltarët dhe u kërkoi të firmosnin bashkërisht komunikatën që e citova. Këshilltarët kundërshtuam prerë. “Që kur u bë Korça qyteti juaj? Tre vjet më parë, në festimet e 25-vjetorit të pavarësisë, konsulli juaj na përshëndeti, (dhe ç’konsull paska qenë ai! Seferisi, poet që mori Nobel! Sigurisht, kishte një minus: xhupin). Pra pavarësia ishte festë edhe e qytetit tonë. Ne mund ta firmosim, por pa atë përemrin “e saj”. Thjesht, çliroi qytetin e Korçës, meqë fashizmin e kemi armik të përbashkët. Këtë fakt e kam hasur së pari në një revistë të Studimeve Historike të vitit 1961 me autor V. Meksin. Më vonë, takova njërin nga protagonistët, Vasil Balli quhej. Vasili ka qenë një personazh i veçantë. Fill pas vendosjes së pushtetit të nacionalçlirimtarëve, e nuhati që hapi i parë që do bënin komunistët ishte shtetëzimi i pronës dhe e dorëzoi vetë fabrikën e tij të lëkurëve. Për këtë veprim e morën me sy të mirë dhe e lanë kryeinxhinier të saj. Ndonëse kish bërë shkollë në Greqi, ai ish një dardhar i mëkuar me shqiptarizëm. Në fillim të viteve ’70 më tundonte fort si terren për një roman, pikërisht lufta italo-greke, prej së cilës ishin fiksuar në kujtesën time si fëmijë, bombardimet e fshatit tonë, në malet e të cilit ishin bërë përleshje trup me trup, aq sa tregonin se përrenjtë ishin plot me kufoma. Trillimi artistik, ndër të tjera, do të mpiksej edhe me ngjarje të vërteta, prej të cilave episodi me etiketimin “qytetin e saj”, ishte një nga më intriguesit. Por… ku i dihej nëse kjo kujtesë nuk cenonte konjukturat politike të momentit? Pyeta dhe më thanë që kjo nuk qe e pranueshme. U pezmatova dhe e lashë të vegjetonte brenda meje këtë temë deri në vitin 2007, kur isha ambasador në Moskë. Lexuesi kureshtar mund t’i gjejë këto ndodhi në romanin tim “Mjegull”, fq 261 e më tej, botim i “Tirana Times”, 2009.
Është e kuptueshme përse po e përmend. Për fat të keq, mëtimet shoviniste shpesh kanë përfshirë edhe qarqe zyrtare.
3. Tregtari i televizorëve
dhe mbishkrimet në qoshet e mureve.
Historinë e dhespotit dhe kryeplakut të Vishnjës ia tregova në verën e vitit ’93, një tregtari grek që ma solli për vizitë ekonomisti Viktor Hykollari, me të cilin kishim punuar në Kinostudio. Atë vit, ai kishte hapur një dyqan në Rrugën e Durrësit, ku tregtonte elektroshtëpiake, kryesisht televizorë, dhe greku ishte furnizuesi i tij. Më pyeti në telefon nëse mund ta sillte për një vizitë në Dardhë dhe unë s’kisha ndonjë arsye për ta refuzuar. Qëllimi i tij kuptohej lehtë: ai desh t’i tregonte ortakut të vet se kishte edhe miq që ishin deputetë. Greku shoqërohej nga i biri, i cili mbante varur në qafë një aparat fotografik profesional. Sa nisëm ecejakun tonë nëpër rrugët me kalldrëm, atij i ranë në sy figurat e shenjtorëve, rozetat dhe mbishkrimet në gurët e qosheve të shtëpive të vjetra, shumica prej një shekulli dhe me shenja gjoja të fshehta, i tha të birit t’i fotografonte. Bëra sikur nuk vija re. Djaloshi ishte entuziast për zbulimin e t’et, por meqë s’bënte dot pa rënë në sy, më pyeti nëse mund t’i fotografonte. Sigurisht,- i thashë. Bile, do të çoj tek një çezmë lugu i së cilës - shurupuq i themi këtej - është greqisht. Po të kishit ardhur një vit më parë, do të të çoja në varrezat e fshatit dhe aty kishte goxha kryqe greqisht të atyre që kanë vdekur rreth njëqind vjet më parë, por tani varrezat i kemi shpërngulur, familjet kanë vënë kryqe të reja. Megjithatë, varrezat do t’i vizitojmë, aty kam gjyshin dhe gjyshen. Kryqin nuk ua kam ndërruar, por ai është në shqip, se ata kanë vdekur rreth vitit ’30. Në varreza, ne të shoqërisë “Shpresa”, kemi bërë një memorial në formën e një flete të hapur, ku janë shkruar gjithë mbiemrat e familjeve dardhare, sepse kur bëmë shpërnguljen, shumë fise ishin të shuara ose të humbura në kurbet. Memoriali është goxha i madh, zotëron gjithë varrezën. Greku u bë kureshtar dhe unë nisa t’ia lexoja mbiemrat me zë: Boçi, Gjino, Konda, Laço, Thimo, Zengo, Llaci, Velo, Melovano, Kolovano, Skëndi, Suljoti, Gjerazi, Comi, Poro… Ai dëgjonte i heshtur dhe pak nga pak, ngrysej.
-Sa mbiemra të ngjashëm me tuajt gjetët?- e pyeta.
-Një duket,- tha.
- Një në 121 mbiemra,- i thashë. Unë nuk fola fare kur fotografonit gurët e qosheve, megjithëse e kuptoj qëllimin. Shkaku është i thjeshtë: ata gurë janë gdhendur kur shqipja nuk shkruhej dhe gjuha juaj ishte e vetmja me të cilën fshatarët e mi mund të shkruanin muajin e ndërtimit dhe kushtime të tjera për shenjtorët. 150 vjet këtu e mësuam deri në përfundim të shkollës fillore gjuhën greke sepse nuk mund të mbeteshim qorra, pa libra e pa tefterë, por nuk u bëmë grekë, siç e pe edhe nga mbiemrat. U ndamë miqësisht, fundja për biznesin atij nuk i duhej fare Vorio Epiri!
4. Pse m’u zemëruara mikpritësi.
Në verën e vitit 1986, hyra për herë të parë në tokën e Elladhës. Sipas një marrëveshjeje kulturore, në Athinë do të bëhej një javë e filmit shqiptar. U dërguam bashkë me aktorin Bujar Lako, që asokohe ishte në shpërthimin e talentit të tij. Dilja jashtë shtetit pas 13 vjetësh, ndoshta i parë si i pasigurt sepse edhe leja nga Ministria e Brendshme (më thanë se kish vajtur një letër për “pasigurinë” time), m’u dha pas ndërhyrjes dhe garancisë së drejtorit Viktor Gjika. Në mungesë të një institucioni të centralizuar shtetëror për kinematografinë siç ishte Kinostudioja jonë, organizator dhe mikpritës ishte Arkivi i Filmit, që drejtohej nga Theodhor Adamopullos. Zyrtarisht ishte nëndrejtor sepse formalisht drejtore a presidente ishte një plakë e pasur që jepte donacione të majme. Filmat tanë shfaqeshin në një kinema modeste, por në afërsi të qendrës. Kureshtja ishte e madhe, por komentet fare të kursyera. Vetëkuptohej përse. Politizimi në filmat tanë ishte i pakuptueshëm për ta. Më të afruar e dashamirës u treguan 3-4 arvanitas nga periferia e Athinës, ku jetonin në ngulitje të vjetra dhe që, çuditërisht, flisnin një toskërishte më të kthjellët sesa arbëreshët e Italisë. Pritja ishte e ngrohtë, bujare mund të them, sepse për natë jepeshin darka zyrtare, ku shpenzoheshin pa kursim paratë e shtetit nga 15 a 20 kineastë e gazetarë. Ne rrinim deri në orën 12, pastaj me një shenjë të ambasadorit Ksenofon Nushi, çoheshim. “Mikpritësit” dukej se e gdhinin, kurse ambasadori ynë na ruante nga ndonjë lajthitje prej recinës që pinim. Në darkën e përcjelljes, ajo ishte më e madhja, befas Adamopullosi, me të cilin kishim mbajtur marrëdhënie të hapura e miqësore, që rrinte në tryezë përkrah meje, dora-dorës që shkonte ora, zymtohej e bëhej i heshtur. Më kot përpiqesha ta shkëputja nga ajo apati dhe ftohje. Kishte ndodhur kështu: Gostijarët atë natë ishin tepër kureshtarë për Shqipërinë dhe artin e saj dhe bënin pyetje pas pyetjeje. Unë kisha përkthyes një punonjës të ambasadës që quhej Agur dhe që ishte aty prej 7 vjetësh. Pyetjet i kuptoja pa zor, fundja ato lidheshin me emra konkretë si Kadare, etj. dhe përgjigjesha pa pritur përkthimin e Agurit, të cilit i mbetej të përkthente vetëm përgjigjet e mia. Ky informacion i imi për gjuhën, i huajtur më shumë nga këngët greke që i këndonim pa dert, ishte ai që e pat ngrysur mikpritësin Adamopullos. Më në fund, vendosa ta shkokloj këtë sjellje dhe e pyeta mos vallë kishim bërë ndonjë gabim? “Sigurisht, Theodhor, sepse tërë këtë kohë ti më ke gënjyer”, tha. “Ku, si?”, e pyeta i befasuar. “Sepse ti je grek nga Vorio Epiri, por të kanë urdhëruar të mos e pranosh”. “Po pse beson se qenkam grek?”, i thashë. “Po ja, vetë më the se je nga një fshat 5 kilometra larg kufirit. Greqishten e di, por nuk do ta flasësh. Je ortodoks si unë dhe kemi të njëjtin emër, që i përkthyer nga greqishtja, do të thotë dhuratë nga Zoti”.
“Greqisht kuptoj pak, nga këngët që më pëlqejnë, kurse sa për emrin… edhe Dostojevski kishte këtë emër, kurse në Amerikë ka qenë Teodor Drajzeri dhe një president i shquar, Teodor Ruzvelti. Mos vallë edhe ata kanë qenë grekë?”, iu përgjigja. Nuk e di në u bind, prirem të besoj që jo, por e kujtova për të thënë një të vërtetë të hidhur. Ndonëse rrallëherë ka ndodhur që të artikulohet si politikë zyrtare, të paktën kjo s’ka ndodhur në gjysmëshekullin e shkuar dhe marrëdhëniet e dy shteteve kanë qenë pa të çara serioze, ëndrra e Megalidhesë, Vorio Epirit dhe pasionet shoviniste jetojnë jo vetëm tek qarqe të caktuara ekstremiste, të majta e të djathta - kujtojmë vetëm mësymjen vrastare në Peshkëpi nga pjesëtarë të organizatës terroriste Mavi - por rri e tulatur edhe në ndonjë mendje intelektuali.
Këtë histori, pata rastin t’ia tregoj komisionerit për minoritetet të KiE, Van der Shtul, në vitin ‘93. Në ato vite, ai vinte shpesh në Shqipëri. Na kishte ftuar për një bisedë me të paharruarin Ali Spahia, Namik Doklen dhe unë, si kryetarë të tre grupeve parlamentare të legjislaturës së viteve ’92-’96. Mua më takonte të flisja i fundit, si kryetar i grupit më të vogël. Për të mos përsëritur ato që thanë Spahia dhe Dokle, që bënë vlerësime të njëjta për gjendjen e minoritetit, thashë: “Më lejoni ta devijoj pak bisedën. Si shkrimtar, nuk më pëlqen të përsërit kolegët. “Me kënaqësi”, tha ai. I tregova ndodhinë e darkës së përcjelljes me Adamopullosin. “Oh! Kam dëgjuar plot histori të tilla,- qeshi ai. Një politikan grek donte të më mbushte mendjen se gjysma e Europës është Greqi, po s’duan ta pranojnë”. Gjithë sa tregova, të vërteta të hidhura po e përsërit, nuk lëshojnë asnjë hije mbi respektin dhe vlerësimin e madh që kam për popullin helen dhe kulturën e tij të madhe. Që nga vitet e studimeve, kam miq dropullitë dhe jam i detyruar të sjell në memorien e gjithë atyre që kanë qenë protagonistë në politikë deri në fillim të këtij shekulli, mikun tim, njeriun me mendje të kthjellët, tolerant e realist, Vasil Melon, që drejtoi për afro një dekadë me urtësi e mençuri PBDNJ. Gjej rastin t’iu drejtohem drejtuesve aktualë të kësaj partie të ndërhyjnë tek aleati i tyre në bashki, që së paku një rruge të Tiranës, t’i vihet emri i tij.
5. Vllehët, sipas meje.
Konsulli grek në Korçë, me pamjen e një rondokopi të vetëkënaqur, për dreq adash me mua edhe ai, kur tha që askush mos ketë frikë të deklarojë kombësinë, duket se shpresën më të madhe e ka tek popullsia që quhet “vllahe”. Në të vërtetë, do të qe më e drejtë të quheshin arumunë, sepse ata kanë gjuhën e tyre që e lëvrojnë dhe shoqatat, këngët e vallet e tyre (kohët e fundit më ra në dorë një libër në arumanisht dhe shqip i të ndjerit Dhori Fallo që jetoi e punoi si mësues në Voskopojë), por fjala arumun për dreq i afron më shumë me Rumaninë dhe kjo nuk lë shijen e dëshiruar. Historia e arumunëve, që thuhet se janë mbi një milion, të shpërndarë në Maqedoni, në Shqipërinë e Jugut dhe në Greqinë e Veriut, ka mbetur ende mjaft e diskutueshme. Duke u nisur nga gjuha, disa mendojnë se janë mbeturina të garnizoneve romake. Pa u joshur nga hamendjet, e sigurt është që ata përfaqësohen tek ne nga dy kategori. Janë familje të mëdha, shpesh të shpërngulur nga Voskopoja pas djegies së saj, le t’i quajmë arumunët qytetarë për një emërtim të kollajshëm, një gjen tepër inteligjent e vital, sidomos në tregti. Ka mbetur proverbiale thënia e hebreut të vetëm që u përpoq të hedhë rrënjë në Korçë. “Këtu s’ka vend për ne, se janë voskopojarët”, paskësh thënë. Prej tyre kanë dalë njerëz të shquar, që nga pasaniku i madh i Hungarisë, Sina, deri tek artistët e mëdhenj S.Prosi, P.Mima e të tjerë. Ata kanë shoqatën e tyre kulturore prej thuajse 20 vjetësh. Në Korçë gjithashtu ka fise të mirënjohura me origjinë arumune, që kanë kishën e tyre dhe madje kanë pasur një shkollë që drejtohej nga patrioti Papa Llambro Ballamaçi. Kësaj kategorie elitare, siç u shpreh edhe At Papa Dhimitër Veriga, apo kryetari i shoqatës së tyre në Selenicë të Vlorës, as i ka shkuar ndonjëherë nëpër mend të kënaqë orekse si ato të konsullit Ikonomu. Kategoria tjetër është ajo e arumunëve nomadë, që merreshin me blegtori dhe mbarështonin kopetë e tyre gjatë dimrit në vendet e buta të Shqipërisë së Jugut, si fjala vjen në fushën e Mursisë, dhe gjatë verës në kullotat e Pindit, Gramozit, etj. Fundi i luftës i gjeti këtej dhe andej kufirit dhe vit pas viti, në Korçë u vendosën nëpër fshatra afër qytetit si në Drenovë, Boboshticë, Mborje e të tjera. Kjo kategori shpesh njihet me emrin sarakaçanë. Fëmijët e tyre, prej 1945 e këtej, kanë lindur në Shqipëri. Po të mbajmë si kriter vendlindjen, edhe vetë gjyshet e tyre nuk e dinë saktë a kanë lindur këtej apo andej kufirit, sepse ata jetonin në tenda që ngriheshin në territoret e kullotave. Tani, një kryetar i tyre në Drenovë me mbiemrin Zhidro, thotë se kombësia e tyre është greke. Arsyet kanë qenë të mirënjohura. Në vitet që shkuan, lehtësia për të marrë viza dhe “bujaria” pensionizuese zyrtare që mbetet ende në fuqi, megjithëse gjatë krizës u fol se do të merreshin ca masa drastike për ta kufizuar atë.
* * *
Është përsëritur shumë herë që dy popujt tanë kanë një të kaluar historike të përbashkët, e cila i ka bërë ata të jenë të afërt, ta ndihmojnë njëri-tjetrin në situata të vështira, marrëdhënie, të cilat tani janë të institucionalizuara dhe të përkrahura nga gjithë qeveritë e këtyre 20 viteve. U morëm me përjashtimet, sepse ka raste kur ato synohet të bëhen rregulla, siç është thirrja për “të mos pasur frikë që të deklarojnë kombësinë e tyre greke”. Fjala frikë këtu merr një konotacion ironik, sepse këtu shumëkujt nuk i mungon hiçfare guximi për të kërkuar të marrin kombësi italiane, gjermane, angleze. Prandaj duhet përshëndetur Kreshnik Spahiu, që pati vetëdijen dhe kurajën ta bëjë të ndjeshëm atë nen absurd që gjithkush ka të drejtë të deklarojë kombësinë e vet me dëshirë, pa prova gjenetike.





