Një rrugëtim drejt Tetovës

Suzana Zyrakja

Në gjithësinë që thirret GLOB nuk përhumbesh në udhëtimin  drejt viseve shqiptare.Pllaja me brymë.Male sup më sup e kokëpërpjekur.Shkëmbinj si tempuj nën re e mbi re.Flamuri kuq e zi me shkabën dykrenore,këtë shpend të epërm të njerëzimit,si dhe tingulli i fjalës shqipe…janë elementët që  të thonë se ke mbrritur në vis shqiptar. Ndjejmë  aty atdhedashurinë,etjen për dije e kulturë,parimin shpirtëror e moral për të qenë bashkë si KOMB. Për të jetuar në paqë e harmoni ndër etni. Kështu të përshfaqet dhe TETOVA.


Tetova gjëndet në pjesën veriperëndimore të Maqedonisë.Është ndër qytetet kryesore të këtij vendi.Shtrihet në fushën e Pollogut,rrethuar nga masivet e Malit të Sharrit dhe Malit të Thatë.  Datimet e para për Tetovën si vendbanim nisin që nga periudha antike. Në atë kohë ajo thirrej me emrin antik EUNEUM.Në shek XV Tetova përmendet si qendër e gjallëruar ekonomike,me shumë dyqane,punëtori zejtarishë,ndërtime lagjesh të reja etj.Me ardhjen e turqve në këtë Rajon ,Tetova mori zhvillim te dukshëm.Gjatë kësaj periudhe ndërtohen një sërë objektesh kulturore e historike.Permendim Xhaminë e Pashës(Xhamia e Larme sic njihet përgjithësisht),Arabati Baba_Teqe,Kalaja e Tetovës,Ura e Gurit në lumin Shkumbin apo Artat,sic thirret ndryshe etj.Gjatë kësaj periudhe u vu re dhe ndryshimi i arkitekturës së banesava,kryesisht me pamje orientale.Kjo trevë kishte nisur tanimë të merrte fizionomi qytetare.

Tetova emërtohet qytet në vitin 1689. Pozita gjeografike e saj është e vecantë. Nëpër të kryqëzohen artieriet me te rëndësishme ndërkombëtare. Ka një klimë gjysmëkontinentale, me verë të ngrohtë dhe relativisht të lagësht. Dimër të ftohtë dhe me deborë.     Komuna e Tetovës ka afro 87.000 banorë.

Në një ditë funddimri si kjo, brenda në qytet, dëboren e sheh vende vende. Kryesisht në parqe, mbi taraca apo pullaze shtepishë. Akset rrugore janë të pastruara. Vizitorit ,që në qytetet e vendit të tij rrallë shikon deborë, mbase i vjen keq që është i vonuar. Tetovarët mikpritës si mireseardhje në qytetin e tyre të ofrojnë së pari ngjitjen në “ KODREN E DIELLIT”. Vetem 18 km nga qyteti, përmes udhës së asfaltuar, dhe një pamje e mrekullueshme të shfaqet para syve. Mbretëri dëbore! Mali i Sharrit , në shpatet e të cilit ndodhet kjo QENDËR, sikur me Diellin ka bërë pakt. Dielli e shkëlqen aq shumë deborën, e reflekton atë në kristale te panumërta xixëlluese…, por nuk e shkrin. Një mrekulli natyrore kjo, në lartesë 1780 m mbi nivelin e detit!

Turistë të shumtë preferojnë të kalojnë fundjavën këtu.Një rrjet i tërë hotelerie, motelesh apo të shtëpizave ëikend mundësojnë akomodimin e tyre. Ata lenë pas makinat në kolonë dhe nxitojnë të shijojnë argëtimet e larmishme. Një numër ski-ashensor që lidhin shtigjet e skijimit në lartësi deri në 2510 m. Gara me ski, gaz, hare, muzikë. Dëborë dhe diell. Gjithcka befasuese. Edhe qeni i Sharrit, aq i vecantë në  madhesinë e tij dhe  me leshin e dendur në të hirtën e maleve, ka lënë guvat e lodron me deborën.

Në këtë Bjeshkë ka rreth 30 liqene malore.  “Syte e Sharrit” thirren ato. Mbase dielli lan sytë  në këto liqene me ujë perle, ndaj shkëlqen dhe aq shumë!

Mësojmë se cdo vit këtu organizohet gara ndërkombëtare “Kupa e Sharrit”.

Gara e parë e këtij lloji është organizuar në vitin 1947. Kohët e fundit organizohet dhe “BEKA CUP”, që promovon dhe inkurajon talentet e rinj në sportin e  skijimit.

“Kodra e Diellit”, ndër qendrat turistike më të njohura në Maqedoni, bëhet përherë e më atraktive për turistët vendas dhe të huaj.

Tetova me të drejtë sot quhet Qyteti i Universiteteve. Nevoja natyrale e shqiptarëve të Tetovës për t’u arsimuar në gjuhën shqipe u ka mbijetuar kohërave. Një ngjarje e madhe në jetën e shqiptarëve të Republikës së Maqedonisë është themelimi i Universitetit Shtetëror të Tetovës më 1994. U insitucionalizua kështu arsimimi në shqip  i shqiptarëve në këtë vend.Ndërsa në vitin 2002 u cel Universiteti i Evropes Juglindore. Universiteti shtetëror i Tetovës është një ndër katër Universitetet e këtij vendi. Në afro 17 vitet e themelimit të tij ai ka arsimuar në studime themelore dhe ato të magjistraturës qindra kuadro në fakultete dhe degë të ndryshme. Ky Universitet tashmë bashkëpunon me Universitete të ndryshme të botës.Pedagogë të Universitetit,si Salajdin Salihi,Kasamedin Abdullai,Metin Izeti etj shprehen se përpiqen të edukojnë një brez të ri ,së pari me kulturën e paqes dhe harmonisë ndëretnike.Vetëm përmes saj jepen shanse për t”u shfrytëzuar hapsirat e lirisë për t’u shkolluar e kulturuar, në dobi të ngritjes së standarteve ekonomike dhe mirëqenies sociale.

Në themelet e Universitetit shqiptar të Tetovës dhe të një rrjeti  shkollash fillore dhe të mesme  është dhe kontributi i ish-normalistëve të Elbasanit. Gjatë kohës së pushtimit fashist të Shqipërisë, nga 1939-1944, Ministri i Arësimit të asaj kohe Prof.Ernest Koliqi u bëri thirrje mësuesve që kishin kryer Normalen e Elbasanit që të jepnin mësim në trevat  ahqiptare,si në Kosovë, Maqedoni,Mal të Zi dhe Camëri. Mbi 300 arsimtarë dolën vullnetarë për të dhënë mesim në këto troje shqiptare. Në qytetet Tetovë,Gostivar e Kërcovë, të cilat përfshiheshin në atë kohë në Prefekturën e Dibrës ,dhanë mësim 95 mësues normalistë. 34 prej tyre ishin elbasanas. Përmendim disa prej tyre, si Islam Hoxha, Dalip Zeneli, Enver Palluqi, Qamil Skuqi, Alipi Pajuni, Elena Todi, Hamit Pitja, Gani Daiu,Gani Jahja, Xhafer Narazani e shumë të tjerë. Brenda dy viteve këta misionarë të dijes hapën një numër shkollash shqipe në këto treva. Emërtimet e shkollave ishin aq domethenëse për Botën shqiptare, si “Drita”, “Skenderbej”, “Zgjimi”,” Liria”, “28 Nëntori”, “Ismail Qemali”, “Bashkimi”, etj. Ata punuan me vetmohim për të  mbajtur gjallë shqipen, një nga mekanizmat gjuhësore më të pasura e të përkryera të kësaj Bote. Këta arsimtarë dolën vullnetarë per t’u dhënë dije dhe kulturë në shqip vëllezërve të tyre shqiptarë. Për këtë jo pak prej tyre, me ardhjen në pushtet të komunistëve në Shqipëri dhë në ish Jugosllavi ,u perndoqën dhe u burgosën.

“ TE ÇARSHIA E EPËRME, prane Urës së dikurshme të Kazazëve, ndodhet ndërtesa e gjimnazit të parë.Më 1941 ai  u hap nga arsimtarët elbasanas. “ Hoxhë Hasan Tahsini” u emërtua në atë kohë. Kjo ndërtesë është pjesë e kompleksit të gjimnazit të sotëm.Drejtori i gjimnazit,magjister Gazmend Arifi,na thote se sivjet kjo shkolle do te festoje 70 vjetorin e saj. Aktualisht ka mbi 3000 nxënës dhe një numër të konsiderueshëm mësuesish Në kujtesën e shqiptarëve të Tetovës ruhet mirenjohja dhe respekti per kontributin e vyer te arsmtarëve elbasanas ndër kohëra. Ish nxenës të tyre, falë jetëgjatësise, janë fare të paktë.,si Hysen Berisha dhe Sabri Ruzhdi Ramizi. Ata ruajnë ende të freskëta gëzimin e atyre viteve për shkollat shqipe, për festimin e 28 Nëntorit, lëshimin e dëftesave e cdo dokumenti tjetër shkollor në gjuhën shqipe, etj. Disa nga këta ish nxenës të normalisteve u bënë më pas mësues.  Cuan më tej misionin  fisnik të përhapjes së dijes dhe përparimit në gjuhën shqipe.

Rrethinat e Tetovës, me fshatrat e tyre, kanë vecanësi që të ndjellin t’i njohësh. Nëpër udhën që të con per te” Kodra e Diellit”” ndodhen njeri pas tjetrit tre fshatra piktoreskë. Ndalemi së pari në fshatin Gajre. Prej këtu kanë dalë dy shkrimtarë, ndër më të njohurit në hapësirat mbarëkombëtare. Murat Isaku dhe Abdyl Aziz Islami. Vepra të tëra me krijimtarinë e tyre i dhuruan kombit shqiptar. Talente të fuqishëm, që vunë zemrën në cdo varg dhe fjalë. Njeriu dhe poeti ishin një. Duke folur për këta korifej të poezise shqipe në mendje na vinë vargjet:

…Mos u bëj poet, nëse  s’mund të lindësh me secilin varg
Të  lindësh me secilën fjalë……
Mos u bëj poet nëse s’mund të vdesësh me secilin varg,
Të vdesësh për secilën fjalë!...

…Liseci është fshati më i lartë mbi nivelin e detit në ish Jugosllavi. Është gjithashtu ndër më të banuarit. Përballë fshatit, aty ndanë xhadesë ngrihet një lapidar,ne kujtim të  Shaip Kamberit, Prefekti i parë i Komunës së Tetovës. Pak vite jetë, nga 1910-1945, por shumë kontribut për ceshtjen kombëtare e për luftën kundër analfabetizmit. Ishte ndër mësuesit e parë të shkollave të para shqipe në Tetovë. Për këtë u ekzekutua nga regjimi i egër serb.

Mbërrijmë në fshatin RASADISHTË kur sapo ka rënë nata. Që nga këndej Tetova duket si në pëllëmbë të dorës. Një det vezullimi dritash. Jo më shumë se 40 shtepi ka ky fshat, pothuajse të një trungu fisnor. Në këtë mbremje dimri me deborë pak oxhaqe shtepishë tymnojnë. Shtëpi të heshtura si gojë memece. Por bijtë e tij, banuar tashmë në Tetovë apo në mërgim, mund t’i kuptojnë  e  dëgjojnë ato. Bijtë e larguar kokën pas e kanë nga vendlindja. Nënë HYRJETJA  ngjan me një lis, që dëshmon kohëra. Ajo percjell ditët me mendimet dhe mallin për bijtë e larguar. Si në një Mekë dashurie, në cdo stinë, sidomos verës, bijtë mërgimtarë zbrazin në gjirin e saj mundimin që të jep largësia nga NENA!.

Nata ia le vendin mengjezit. Zgjohet Tetova e sterlashtë, hije e mocme e vetvehtes. Tetova e re, që ndryshon cdo ditë. Në udhët ende të qeta shikon kryetarin e Komunës prof. dr. Sadi Bexheti duke shkuar për në zyrë. Të qenurit kryetar komune e konsideron nder, kënaqesi, por dhe obligim të madh për bashkëqytetarët që e kanë zgjedhur. “Karrikia” nuk eshtë e imja. Kjo filozofi popullore, edhe e qytetarise tetovare reflektohet në punën e tij për të bërë më të mirën për Tetovën, bir i së cilës është.

Dita për të fillon me takime pune, me anetarë të ekipit të tij, përgjithësisht të rinj dhe të reja,  pergatitur në Universitetet e Tetovës ,apo specializuar në Universitete të njohura të botës.I tillë është Flakran Pustina,apo Mentor Idrizi.te rinj mendjehapur,me vizione për të ardhmen.

Qyteti i Tetovës me bukuritë e tij natyrore dhe monumentet e shumtë të trashëgimisë kulturore ofron një turizëm kulturor nga më atraktivët. Një Qytet-Muze i  gjallë, portat e të cilit rrinë hapur për të dëshmuar ndër breza.

Brenda ketyre mureve të lashtë, si një kështjellë, banon familja e madhe dhe e vjetër e e Palloshëve. Trashëguar ndër brezni ruhet ne hapsirat e kësaj dinastie familjare,do të thoshim, një banesë karakteristike qytetare e Tetovës. E ruajtur me kujdes, e restauruar pjeserisht, ajo është një vlerë e rrallë trashëgimie. Kalojmë nëpër dhoma e kthina. Të shoqëron heshtja. Si kohërat e shkuara që kanë lënë gjurmë aty. Mure të trashë, dekoracione të bukura, që i kanë qëndruar kohërave me potencën e ngjyrave. Gdhendje aq elegante. Të gjitha këto vepra arti të mjeshtrave shqiptarë.  Kryesisht me stil oriental. Prej kendej vinë dhe emertimet e  mjediseve të banesës për atë kohë,si musander, divanhane, dyshekllek, hamamxhik, etj.Një kuriozitet tepër i vecantë dhe domethënës për botën shqiptare. . Në monedhen maqedonase është stampuar rozeta e tavanit të kësaj banese karakteristike qytetare shqiptare. Po ashtu dhe fragmente te dritareve të saja, po aq të vecanta.Një nga djemtë e familjes së Palloshëve , Skenderi, është kryearkitekt i qytetit te Tetovës. Është diplomuar vite më parë në Universitetin e Tiranes. Ka një shqetësim të ligjshëm për zhvillimin urbanistik të qytetit. Përpiqet të bëjë më të mirën, që zhvillimet e reja bashkëkohore të harmonizohen me tradicionalen, historiken.Kompleksi bektashian, TEQE ARABATI eshtë ndërtuar nga SERSEM ALI DEDE, nga viti 1538-1548. Është një nga objektet më të rëndësishme të këtij lloji në Ballkan. Teqeja të mahnit me arkitekturën në brendësi të saj: FONTANAnje pavion I hapur me konstruksion druri, objekti MARKANT,  me ngjyrë të kaltër, i quajtur “Konaku i Grave”, etj.Vlen të përmendet BIBLIOTEKA E TEQE –ARABATI, shek. XVII_XIX_të ,një thesar i vertete kulture.Këtu bëhej kopjimi i veprave të intelektualëve me kaligrafi të zgjedhur të asaj kohe. Më vonë të zbukuruara me ornamente e të mbeshtjella me lekurë. Në mjediset e kësaj Teqeje, perkrah besimit islam, është zhvilluar kultura dhe arsimi shqiptar. Ne kete object te rendesishem kulti u strehuan ish normalistët që erdhen vullnetarë për të përhapur dritën e diturisë në gjuhën shqipe. Tradita përcillet ndër kohëra. Sot  kjo TEQE, krahas mesazheve të paqes dhe bashkëjetesës fetare , që percjell, mbeshtet të rinj të talentuar për të  ndjekur studimet e larta.. Kohët e fundit qyteti i Tetovës është binjakëzuar me qytetin e Elbasanit. Nuk është një rastësi kjo. As nga ato binjakëzimet e zakonshme që mbeten të tilla. Është vazhdim i asaj tradite të vjeter miqësie e vëllazërimi që farkëtuan mes këtyre dy qyteteve ish normalistët. Miqësi vlerash e trashëguar deri në ditët tona. Studentë tetovarë, që studjojnë në Universitetin e Elbasanit apo anasjelltas, martesa të ndërsjellta, shkembime  të biznesit ,etj. Ështe ky një bashkepunim edhe në bazë të marrëveshjes I.P.A,  program bashkëpunimi ndërkufitar Shqipëri-Maqedoni, që  ka të bëjë me  fushën e qendrueshmërise ekonomike, kulturore, historike, me burimet natyrore, mbrojtjen e mjedisit,etj. Është ngritur në Tetovë dhe një Zyrë, që do të koordinojë  mundesitë dhe veprimtaritë  e këtij bashkëpunimi.Kohët e fundit në Tetovë u organizua mbledhja e koordinatorëve të kryetarëve të Bashkive të Ballkanit. Ishte një shkëmbim ideshë për programin e punës për 2011_ën,, për bashkëpunim e zhvillim të mëtejshëm të qyteteve te Rajonit.

MENADA, quhet valltarja ilire e Tetovës.. Një statuje e bronxit , e periudhes ilire, shek VI_të  para erës  sonë. U zbulua me 1933 afër vendit të quajtur Cezma e Balëzës. Ajo përfaqëson  ndër zbulimet më të vjetra  arkeologjike në rajoninin e Tetovës. Një dëshmi e lashtësisë së qytetit, trashëgmisë së pasur shpirtërore të njerëzve të tij ndër shekuj. Me brishtësinë e saj, duart e hapura në ajri dhe ritmin e kërcimit… valltarja ilire sikur përcjell Kumtin e të parëve. Dashurinë e tetovarëve për jetën, përpjekjet e kahershme për prosperitet e integrim. Tetova, krahas Tiranës dhe Prishtinës,është ndër kryeqendrat e botës shqiptare, të cilat çdo ditë e më shumë marrin fizionomi europiane!

Posted via email from Shkupi Press extra