Izraeli në NATO?

Nga Die Welt

 

Si një shtet demokratik, Izraeli e ka vendin në aleancën Perëndimore. Kjo për arsye të mbrojtjes së atyre vlerave, të cilat tani po bëhen gjithnjë e më të popullarizuara edhe në botën arabe

Kush ka besuar deri para disa javësh, se demonstruesit në Tunizinë e vogël do ta tronditin jo vetëm regjimin në atë vend, por edhe Egjiptin dhe gjithë botën arabe? Kjo dëshmon sërish se çfarë fuqie mund të zgjojë dëshira e njerëzve për liri, demokraci dhe mirëqenie. Por gjithashtu dëshmon se sa është jo-stabile situata në Lindjen e Mesme dhe sa shumë mund të na befasojë ky rajon. Për t’u mbrojtur nga Bashkimi Sovjetik, shtetet e lira të botës Perëndimore formuan NATO-n në vitin 1949. Këto shtete ndanin vlerat e lirisë, të demokracisë, sundimit të ligjit, ekonomisë së tregut dhe synimi ishte që ato të mbronin njëra-tjetrën. Edhe pse që nga shembja e komunizmit është zhdukur faktori i rrezikut, megjithatë kjo nuk do të thotë se është zhdukur arsyeja e ekzistimit të NATO-s. Ngase liria, demokracia dhe sundimi i ligjit tani po përballen me kërcënime të reja.
Vlerat e Perëndimit duhet të mbrohen edhe më tutje, ngase po mos të ishte ashtu, NATO-ja do të ishte shpërbërë moti. Në Lindjen e Mesme, Izraeli është demokracia e vetme. Aty respektohen të drejtat e njeriut, respektohet edhe liria e religjionit, aty njerëzit kanë mundësi të zgjedhin, gazetarët raportojnë për proceset gjyqësore dhe respektimin e ligjit.
Izraeli pothuajse për çdo ditë rrezikohet nga sulmet e mundshme terroriste. E drejta për ekzistimin e shtetit hebre mohohet pothuajse për çdo ditë. Rreziku është i vërtetë, Izraeli është i rrethuar nga armiqtë-me dy përjashtime: Egjiptin dhe Jordaninë. Pra nuk është çudi fakti se Izraeli tani brengoset se kah po lëviz bota arabe. Izraeli ka parasysh situatën në Liban, ku Hezbollahu po lëvizë drejtë pushtetit. Izraeli e di se përmbysja e Shahut nga pushteti në Iran, në vitin 1979, ka rezultuar me një regjim edhe më të keq, atë të Ajatollahëve, të cilët e synojnë shkatërrimin e Izraelit. Trazirat e përgjakshme në Egjipt qysh tani kanë pasoja gjithëpërfshirëse për Izraelin, për palestinezët dhe për procesin paqësor në Lindjen e Mesme.
Katalogu i brengave është i gjerë. Çdo gjë fillon me konstatimin se presidenti i Egjiptit, Hosni Mubarak dhe zëvendësi i tij, Omar Sulejman, janë miqtë e vetëm të vërtetë të Izraelit në rajon. Pushtetin në Egjipt mund ta marrë Vëllazëria Myslimane dhe të tolerojë kontrabandën me armë në Rripin e Gazës, e cila është penguar nga Mubaraku. Tani marrëveshja paqësore e Izraelit me Egjiptin po sfidohet. Nëse kjo marrëveshje prishet, atëherë nga këndvështrimi i Izraelit nuk ka asnjë kuptim që të nënshkruhen marrëveshje paqësore me Sirinë apo me palestinezët. Evropa tani duhet të bëjë të qartë se çfarë dëshiron. Deklaratat e vazhdueshme se Izraeli ka të drejtë për liri dhe siguri nuk mjaftojnë më. Ngase nuk dihet se nga po lëvizë bota arabe, ngase Irani ende po punon në prodhimin e bombës bërthamore. Për këtë arsye, Izraelit duhet t’i ofrohen garanci më të besueshme për siguri.
Shtetet evropiane në radhët e NATO-s, përfshirë këtu edhe Turqinë, më në fund duhet të arrijnë pajtimin për pranimin e Izraelit në aleancën perëndimore. Kjo do të ishte një shenjë e qartë se asnjë shtet tjetër nuk do të merrte më guximin për të kërcënuar Izraelin. Kjo porosi do të kuptohej nga e gjithë bota-edhe nga ajo islame. Po të mos jepet kjo shenjë, atëherë kjo do të konsiderohej si një gjë kontraproduktive nga hebrenjtë.
Kërcënimi nuk vjen vetëm nga egjiptianët. Perëndimi nuk duhet të ndërhyjë drejtpërsëdrejti, kur bëhet fjalë për lëvizjet për liri në botën arabe. Por Perëndimi duhet të përcjellë një porosi të qartë: Izraeli, si një shtet demokratik, e ka vendin në NATO, së paku në strukturën politike të aleancës. Dhe atë jo vetëm për të mbrojtur vetën, por edhe për të mbrojtur vlerat, të cilat po bëhen gjithnjë e më të popullarizuara në botën arabe.
Në ketë mënyrë do të forcohej edhe procesi paqësor, ngase Izraeli mund të lidh marrëveshje paqësore me fqinjët, vetëm nëse është i bindur se mund të jetojë i sigurt brenda kufijve të vet. Edhe përkundër të gjitha kritikave të arsyeshme dhe të drejta në adresë të Mubarakut: marrëveshja paqësore mes Izraelit dhe Egjiptit, për tri dekada ka siguruar pikërisht këtë gjë: siguri në brezin kufitar mes dy vendeve dhe fundin e gjendjes së luftës. Tani duhet pasur kujdes që këto gjëra të mos treten në ajër.

Posted via email from Shkupi Press extra