Heikal, ikona e gazetarisë egjiptiane : Të rinjtë e Egjiptit treguan që ishin më të mençurit

Zërin e ka të ngadaltë, por mendjen më të mprehtë se një majë brisku. Është mendja e një veterani, shkrimtari, eseisti  e ndoshta një nga dëshmitarët më të rëndësishëm ende gjallë për sa i përket historisë moderne të Egjiptit. Ai është një nga ata zëra që regjimi i sapopërmbysur u përpoq që ta shuante njëherë e përgjithmonë, por që nuk ia doli dot mbanë. “Mubaraku tradhtoi frymën republikane dhe çka është më e keqja donte që të vazhdonte atë që nisi edhe përmes trashëgimit të pushtetit te djali i tij, Gamal”, thotë Mohamed Heikal me gishtin tregues drejtuar nga qielli. “Ishte një projekt jo një ide. Ishte një plan. Dhjetë vitet e fundit të jetës së këtij vendi janë çuar dëm për shkak të kësaj çështjeje, për shkak të luftës së Mubarakut për t’i siguruar pushtetin të birit, sikur Egjipti të ishte Siria, apo Haiti”.


Në moshën  87-vjeçare, Mohamed Heikal, është ikona e gazetarisë egjiptiane, mik, këshilltar dhe ministër i ish-presidentit Nasser dhe Sadat dhe njeriu që parashikoi për 30 vjet këtë revolucion të cilin ai është shumë i lumtur që arriti ta shohë me sytë e vet. Për dhjetëvjeçarë të tërë ishin të pakët ata që e besuan në profecinë e tij për fundin e regjimit të Mubarakut, profeci të cilën ai e ka përsëritur në mënyrë të vazhdueshme duke qenë tërësisht i bindur, pasi sipas tij ishte absolutisht e logjikshme që korrupsioni galopant i Presidentit ta çonte atë drejt një fundi të turpshëm. Ata që kanë shkruar për parashikimin e tij gjatë kësaj periudhe ose e kanë trajtuar atë me humor, ose me cinizëm, por në të gjitha rastet me mosbesim. Por edhe pse  u deshën 30 vjet faktet treguan në fund se ai kishte të drejtë dhe të gjithë të tjerët që nuk e kishin besuar ishin gabuar.

Edhe pse Heikal është në moshë të thyer, ai shquhet nga një elokuencë e jashtëzakonshme, një energji që të duket e pashtershme dhe një memorie që të lë me gojëhapur. Janë cilësi të cilat nuk i kanë as më të rinjtë, të gjitha së bashku. Madje më të rinjtë, për të cilët ai është kaq shumë krenar për gjithë vendosmërinë dhe guximin që treguan për tri javë rresht, heshtin me respekt para tij dhe e dëgjojnë me vëmendje. “Kam humbur gjënë më të rëndësishme të jetës. Humba rininë time. Do të kisha dashur që të isha jashtë në shesh me të rinjtë e vendit tim në sheshin e Kajros gjatë ditëve të protestave”, thotë Heikal.

Por ai është një nga ata njerëz që e ka luajtur mirë rolin e tij në momente kur e ka thirrur historia. Ai ka qenë në vendin e tij në vitin 1952 për revolucionin e Naserit dhe e mban mend shumë mirë se ç’do të thotë të jesh në fundin dhe fillimin e një ere të re. “Unë isha tërësisht i sigurt se do të kishte një shpërthim të madh dhe të vrullshëm nga ana e popullit. Ajo që më çuditi ishte se në fakt bëhet fjalë për një lëvizje milionëshe. Nuk isha i sigurt nëse do t’ia kisha dalë që të jetoja e të shihja një ditë të tillë për vendin tim. Pak ditë para shpërthimit të situatës më erdhi për vizitë një mik dhe më tha se tullumbacja e gënjeshtrave ishte duke u fryrë përditë nga ana e pushtetarëve dhe se do të plaste dhe kur të plaste rreziku do të ishte i madh dhe vetëm Zoti mund t’i shpëtonte gënjeshtarët. Isha i shqetësuar nga mundësia e një kaosi që do të pasonte kryengritjen, por ja që u shfaq brezi i ri i Egjiptit, shumë më i mençur se ne, madje miliona herë më i mençur dhe ata janë sjellë të gjithë në mënyrë shumë të moderuar dhe të ekuilibruar, në mënyrë inteligjente. Për fat nuk pati asnjë vakum dhe shpërthimi që parashikohej nuk ndodhi”.

Por ai ende mendohet para se të flasë për vazhdimësinë e një situate të tillë. “Më shqetëson fakti që nëse unë e kam parashikuar një shpërthim të tillë, për shumëkënd ai ishte një surprizë e vërtetë dhe askush nuk e di me saktësi se çfarë do të ndodhë më pas. Në këto rrethana mund të qëllojë që të mos marrësh vendimin e duhur. Sa u takon të rinjve që dolën dhe qëndruan në shesh ata janë qenie që mbartin brenda vetes aspirata të mëdha”, Sipas tij, Mubarak i mbajti të gjithë për vite me radhë në një situatë ankthi nga e papritura dhe e panjohura. Ai ishte mjeshtër në këto punë siç ishte mjeshtër edhe regjisori i famshëm, Hitschock në filmat e tij. Mubaraku ishte një njeri që çdo ditë improvizonte si një dhelpër e vjetër. Heilak thotë se gjatë 18 ditëve që truma e madhe e popullit qëndroi e palëkundur në sheshin kryesor të Kajros ndodhi diçka me të vërtetë e madhe.  Pikërisht këta njerëz me këmbënguljen e tyre u dhanë fund lojërave dhe dredhive të Mubarakut i çarmatosur nga këto mjete ai u tërhoq. “Në revolucione nuk ka një model të saktë dhe të përcaktuar. Kemi turmat e inatosura të njerëzve gjysmë të ndërgjegjësuar për fatin e  tyre dhe për fatin e ndryshimeve. Njerëzit duan që gjërat të mos vazhdojnë më si më parë. Çdo revolucion kushtëzohet nga mënyra se si fillin dhe nga ajo se si përfundon. Për sa i përket Egjiptit, ai është një nga vendet që e nisi revolucionin që po vazhdon në të gjitha vendet arabe dhe do të mbahet mend gjithmonë për këtë pozicion që do t’i bëjë krenarë të gjithë ata që morën pjesë në ndryshimin e madh të 18 ditëve më të lavdishme të Egjiptit”

Posted via email from Shkupi Press extra